Viti 2016 u cilësua nga botuesit shqiptarë si një ndër më të vështirat për tregun, me rënie të theksuara të shitjeve dhe botime të pakta. Ndërsa këtë vit duket se u hap një tjetër faqe, botime të shumta, rritje e shitjeve në shifra të ndjeshme, një sezon i artë i verës. Problematikat e tregut vijojnë të ekzistojnë, si barra fiskale, mungesa e subvencionit dhe rrjeti i çalët në shpërndarje, mirëpo botuesit flasin me nota pozitive për vijimin e rrugëtimit të tyre…
Nga Deada Hyka, Monitor
“Ditë më të mira po vijnë për librin shqiptar” dhe “Problemet kryesore të tregut po mbarten për vite me radhë”. Këto dy fjali, si dy anë të kundërta të së njëjtës monedhë, japin një panoramë të qartë se në çfarë faze ndodhet ajo që botuesit pretendojnë ta quajnë si “industri libri”. Ulja e TVSH-së së librit, financimi i bibliotekave publike, përmirësimi i sistemit të shpërndarjes, “lufta” ndaj piraterisë, marketimi i duhur janë disa nga problematikat që përballen botuesit, disa prej të cilëve, në kushtet e mbijetesës…
Na ulni TVSH
Vështirësia më e madhe për shtëpitë botuese është sistemi fiskal. Shqipëria zbaton një sistem fiskal të shtrembër për librin: 20% në blerje dhe 0% në shitje.
Petrit Ymeri, kreu i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, thotë se kërkojnë që taksa e TVSH-së të jetë taksë e mbyllur, në blerje dhe shitje, por të jetë e ulët si praktikat botërore. “Italia p.sh. e ka 4%, 2% kur prodhohet libri dhe 2% kur vërtetohet shitja. Shtete të tjera europiane si Franca dhe Gjermania e kanë 6%. Asnjë nuk e ka TVSH-në 20% si ne”, – tregon ai. Kjo nismë ka nisur që para dy viteve.
“Kemi folur vazhdimisht për përmirësimin e sistemit të TVSH, që është një nga pikat kryesore ku duhet ndërhyrë sa më shpejt. Aktualisht kemi TVSH 20%, në blerje, pra në shtypshkrim, i pangjarë në asnjë vend europian, ku luhatet midis 4 dhe 6%, kemi 0% në shitje, dhe ky tatim nuk i prek të gjithë operatorët apo subjektet që botojnë. Çfarë kërkojmë: TVSH të ulet, 5%, në blerje dhe në shitje, dhe të përfshijë të gjithë ata që botojnë libra: fondacione, institute, qendra fetare apo kulturore apo çdolloj tjetër. Çdolloj libri që shitet të ketë TVSH. Ato duhet të pajisen me NIPT të veçantë për botimin. Po kështu kërkojmë që të ndahet nga organet tatimore veprimtaria e shtypshkronjave nga ajo e Shtëpisë Botuese si veprimtari me NIPT më vete. Kjo gjë do të zvogëlojë edhe rrjedhjet fiskale.”- tha z. Ymeri.
Një tjetër kërkesë që Shoqata ka artikuluar është ulja e tatimit mbi të ardhurat për veprimtarinë krijuese nga 15% në 5%. “Nuk mendojmë se shtetit i vjen ndonjë dëm nga kjo gjë, mendoj se është e papërfillshme në buxhet, përveç faktit që nuk ka ndonjë kontribut të dukshëm në krijimtarinë e autorëve apo përkthyesve”,- tregon kreu i SHBSH. Ndër kërkesat e tjera, që Shoqata i ka dërguar qeverisë, është financimi i bibliotekave publike.
“Një problem i madh mendoj, madje duhet shpallur si prioritet kombëtar, duhet të jetë pasurimi me biblioteka publike, të shkollave, institucioneve arsimore publike, të bashkive e komunave. Këto furnizime të bëhen të hapura, transparente, jo me lista klienteliste, por bazuar në vlerat e librave e autorëve. Të mos këmbëngulet në investime ndërtimore, por në pasurime me libra. Bibliotekat i bëjnë librat, jo tullat dhe pllakat e bukura apo vetratat. Libri e zbukuron bibliotekën”, – tha në fund z. Ymeri.
Shpërndarja, problem që nuk përfundon
Shpërndarja është padyshim një nga problemet e bartura ndër vite në atë që mund të konsiderohet industria e librit shqiptar. Kur pyeten për këtë çështje, botuesit pohojnë se mbetet “thembra e Akilit”.
Arlinda Dudaj, nga botimet “Dudaj”, thotë se shpërndarja vazhdon të jetë një nga problemet më të mëdha të tregut të librit. “Ka ende shumë pak librari në qytete të tjera dhe nuk janë të organizuara mirë”.
Ndërsa Loreta Berhami, nga botimet “Pegi”, shton se infrastruktura jo e mirë në shumë zona të thella është një ndër arsyet kryesore që nuk realizohet dot shpërndarja e librave. Nga ana tjetër, pohon ajo, kërkesat që mund të ekzistojnë në një zonë të caktuar nuk arrijnë të justifikojnë kostot e transportit deri atje.
Edhe nga shtëpia botuese “Ombra” tregojnë se shpërndarja vazhdon të jetë një formë në kaos. Së bashku edhe me botues të tjerë të pyetur nga “Monitor”, ata pohojnë se një formë e mirë e menaxhimit të situatës do të ishte një institucion i posaçëm, siç ekziston kudo në botë, për të realizuar shpërndarjen në standardet e duhura.
Problematikat e tregut
Loreta Berhami nga “Pegi” tregon se 5-6 muajt e parë të vitit kanë qenë më dobët se 2016-a, më pas nga qershori ka pasur rritje të konsiderueshme, gjë që ishte lehtësuese. Rënia e shitjeve ishte si një vazhdim i vitit 2016, kjo pasi 2016 krahasuar me një vit më parë ishte më dobët.
“Nuk shoh grupe të caktuara me më shumë apo më pak lexueshmëri, rënia apo ulja është e shtrirë, gjithëpërfshirëse për të gjitha moshat”, – thotë ajo.
Sektori i tregut të librit, duke qenë se nuk është një fushë që ka të bëjë me mbijetesën, por me argëtimin, shfaq tendenca rënëse për sa kohë që ka kriza ekonomike apo politike. Botuesit pohojnë se kriza ekonomike është faktor kyç që çon në rënien e shitjeve. “Tensioni politik dhe ekonomik lidhet shumë me këtë. Sa herë shfaqen ngërçe politike, edhe shitja e librit stepet. Është tejet i ndjeshëm ndaj pasigurisë. Kur njerëzit nuk kanë të qartë se çfarë do të ndodhë në jetën e tyre, një ndër gjërat që konsiderohet si shpenzim i panevojshëm, është libri”, – tregon znj. Berhami.
Një problematikë tjetër në treg, të cilën e pohojnë njëzëri botuesit, është mungesa e investimit në librari. Të pakta janë në Tiranë, ende më rrallë (ose fare) në rrethe të tjera.
Botuesit thonë se libri, edhe pse për të investohet që të jetë cilësor, është lënë në mëshirë të fatit. Me librari që po rëndohen nga amortizimi, duke mos pasur mundësi të mbajnë shumë libra, lexuesi “humbet” çfarë ka tjetër dhe nuk di ku të drejtohet apo e humb interesin rrugës. Kjo gjë ua vështirëson shumë punën botuesve. Sipas tyre, ka nevojë të menjëhershme për investime në rrjetin e librarive shqiptare. Mungesa e marketingut, thonë drejtuesit e shtëpive botuese, – përbën një tjetër vështirësi.
Lidhur me një tjetër hallkë që sjell vështirësi, ajo e sezonalitetit të botimeve, znj. Berhami tregon se vera ishte koha e kushtuar librave tipikë për këtë periudhë, ndërsa me shtatorin pati botime të rëndësishme në shqip apo përkthime të titujve botërore. Thuajse të gjithë shtëpitë botuese treguan se edhe cilësia e përkthimit është një tjetër arsye që ka sjellë vështirësi në këtë treg. Ata sugjerojnë se përkthyesit duhet të licencohen ose të krijohet një strukturë kontrolluese, kjo do të sillte më tepër cilësi.
Mungesa e profesionistëve shihet si një tjetër problematikë tregu, që botuesit pohojnë se evidentohet në çdo fushë, jo vetëm në atë të tregut të librit. Sipas tyre, ka pak njerëz vërtet të aftë. Ata që janë të aftë janë të shtrenjtë, konstatojnë botuesit. Në këtë kuptim, të gjithë të tjerët që janë të përfshirë në botën e botimeve, nxjerrin produkte me cilësi më të dobët, për të cilat ka më pak shitje, e kështu vijon zinxhiri, deri te lexuesi.
Tregu rajonal
Ecuria e tregut të librit në Kosovë ka pasur rritje të ndjeshme në 4 vitet e fundit, me të paktën 5%, deklaron Shoqata e Botuesve të Kosovës.
“N.q.s do të marrim parasysh rrethanat dhe problemet që po kalojmë si shoqëri dhe tranzicioni i zgjatur nëpër të cilin po kalon Kosova, si dhe kushtet ekonomike, pagat etj., mendoj se jemi mirë”, – tregon për “Monitor”, Besian Zeneli, nënkryetar i SHBK.
Tregu i librit ka nisur të gjallërohet, pohon ai, duke marrë më tepër karakter kombëtar, botimet e reja shqiptare vijnë në Kosovë dhe anasjelltas, në një kohë të shkurtër.
Duhet pasur parasysh se Kosova mund të ketë shumë shtëpi botuese, por të pakta janë ato që sjellin prurje të mira, pjesa tjetër është në kushtet e mbijetesës, bën të ditur z. Zeneli.
“Gjykoj se diaspora i ka dhënë tregut të librit në Kosovë një hov të rëndësishëm. Kur kthehen në Kosovë, ata marrin gjithnjë disa botime, qoftë për të rritur apo për fëmijë.”- tregon ai.
Edhe në Kosovë ka sezonalitet. Ndonëse nuk është vend bregdetar, botuesit pohojnë se dimri më i acartë se sa këtu në Shqipëri dhe vjeshta me shumë shira, bën që lexuesit besnikë të kenë akses më së shumti në verë për të lexuar.
Ndërsa burime nga shtëpitë botuese në Mal të Zi pohojnë se sa i përket tregut të librit mësimor, ky vend ka treg të përshtatshëm, duke qenë se gjuha shqipe njihet si gjuhe zyrtare dhe ligji parashikon që të blihen në mënyrë obligative nga banorët shqiptarë atje. Redaktori i shtëpisë botuese “Podgorica” tregon se sa u përket botimeve artistike, janë më të pakta dhe audienca është më e ulët. “Problematika më e madhe është kostoja shumë e lartë. Mali i Zi ka implementuar sistemin europian të botimeve, atë të Sllovenisë, e cila ka cilësi të lartë letre dhe standarde të tjera për t’u zbatuar. Kjo rrit kostot dhe libri del me një çmim final të lartë. Jo të gjithë mund ta blenë”- përfundon ai.
Një komb, dy shtete dhe shumë burokraci
Besian Zeneli nga SHBK tregon se burokracia e procedurave doganore është një vështirësi që duhet eliminuar mes dy shteteve. Edhe kreu i Shoqatës Shqiptare të Botuesve, z. Ymeri tregon se janë bërë përpjekje prej disa vitesh që të flitet me institucionet përkatëse për të shmangur këtë problematikë, e cila nuk duhet të ekzistojë.
“Ne humbëm një ditë të plotë, duke u marrë me burokraci të panevojshme. Edhe koha e humbur, por edhe tarifa: duke filluar nga taksa hyrëse, nga ajo e skanimit, e agjencisë doganore etj., kosto të cilat na rëndojnë. E njëjta gjë është edhe kur të kthehemi për në Kosovë”, – tregon z. Zeneli. Ai shton se dogana e Kosovës, nga ana tjetër, krijon lehtësi në këtë aspekt, për botuesit shqiptarë që vijnë të marrin pjesë në Panairin e Prishtinës.
Ai bëri thirrje për eliminimin e barrierave dhe krijimin e mekanizmave lehtësues, në kushtet e zhvillimit të një tregu të përbashkët të botimeve shqip.
e-Libri
e-books dhe shitjet online janë ende larg vëmendjes së shtëpive botuese, edhe pse ka hapësirë për të sjellë risi në industri. Shqiptarët janë shumë të pranishëm në internet, si lexues por edhe si përdorues të rrjeteve sociale. Por, shtëpitë botuese ende nuk janë online në formën që e bëjnë simotrat e tyre në vende të tjera.
Mundësitë elektronike sjellin kosto më të ulëta për promovimin dhe shitjen e tyre përmes platformave ekzistuese të shitjeve online, por “kërcënimi” që vjen nga modernizimi i librit, është i madh.
Botuesit thonë se libri elektronik do të përballej me piraterinë, si një ndër rreziqet kryesore që nuk marrin dot përsipër. Nga ana tjetër, ata pohojnë se lexuesit e rregullt, ata që i rikthehen librit gjithnjë, pa sezonalitet, e kanë të vështirë të heqin dorë nga një zakon shumë i lashtë: të shfletuarit. Sipas tyre, lexuesit shqiptarë parapëlqejnë metodën klasike të të lexuarit. Ta ruajnë librin si një kujtim, ta shikojnë të materializuar, së bashku me shënimet e tyre përkatëse.
“Frika mos piratohet është arsyeja kryesore që e-libri nuk është i pranishëm, në Shqipëri nuk ka një platformë të mirëfilltë librash elektronikë. Ka ende disa arsye teknike që nuk e kanë zhvilluar këtë formë libri, por mendoj se nuk do të vonojë. Por, nga ana tjetër, mendoj se kjo nuk do të jetë as zgjidhja dhe as sëmundja e këtij tregu që po lëngon për të tjera arsye”- thotë për “Monitor” znj. Berhami.
Pirateria
Një tjetër problem që “kërcënon” shtëpitë botuese është edhe pirateria. Redaktorja e shtëpisë botuese “Dita”, znj. Siderita Musabelliu, tregon për “Monitor” se kërcënimi kryesor i tregut të librit në vend është pirateria. Duke i shtuar edhe faktin se gjithnjë e më tepër të rinjtë po i largohen leximit, pirateria po merr përmasa të frikshme. Znj. Musabelliu tregon se duke vendosur fokusin në disa botime për shkenca politike, përpiqen të targetojnë tregun, që të luftojnë me rënien e lexuesve. Krahasuar me një vit më parë, është parë një rënie e ndjeshme. “Metodat e thjeshta të internetit në kërkimin e informacionit i bëjnë ‘luftë’ librit”, – tregon ajo, duke shtuar se njerëzit kërkojnë edhe ulje të mëdha në çmim, që nuk mundet të realizohet, duke pasur parasysh kostot e një libri, për të cilin shtëpia botuese i merr rreziqet vetë, pa ndihmë nga shteti.
Tregu i librit në Europë
Industria e librit në Europë po jeton momentalisht një periudhë dixhitalizimi. Sidoqoftë, shumica e dashuruesve të librit mbeten besnikë ndaj formës së printuar. Një studim i kryer në Francë në vitin 2014 tregoi se rreth 59% e lexuesve të librit të shtypur nuk kanë ndër mend të lexojnë në formatin dixhital. Opinionet janë të ngjashme në Spanjë; në vitin 2014, rreth 79% e të anketuarve të anketuar lexonin libra të shtypur, ndërsa vetëm 11.1% preferonin kopjet dixhitale. Me librat e shtypur që janë metoda e leximit të preferuar në Europë, tregu i e-librave mbetet më i dobët. Një studim tregoi se në 2017, e-libra do të përbëjnë rreth një të pestën e të gjitha shitjeve të librit në Europë.