Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all 2663 articles
Browse latest View live

Biznesi lihet i vetëm pas përmbytjeve

$
0
0

Dita e parë e dhjetorit i gjeti disa biznese të autostradës Tiranë-Durrës nën ujë. Të gjendur të vetëm përballë zemërimit të motit, arma e tyre e vetme kanë qenë disa thasë rëre, ndërkohë që kanë parë me sytë e tyre të treten miliona euro investime nën pushtetin e ujit. Askush nuk di t’ju thotë se pse situata e një viti më parë u përsërit sërish madje në përkeqësim.
Faji në këtë rast ka mbetur sërish jetim. Qeveria ka braktisur autostradën, duke ndjekur shiun që u zhvendos në Jug. Por ky duket të jetë edhe problem më i madh i qeverive, ndjekin shiun dhe jo problemin. Ai nisi në krye të herës dhe nëse do ishin marrë masa, ndoshta nuk do kishim një déjà vu si kjo.

Nga Nertila Maho, Monitor

Mëngjesi i 1 dhjetorit nuk nisi normalisht për bizneset përgjatë autostradës Tiranë-Durrës. Një pjesë e mirë e tyre kanë qëndruar gjatë gjithë natës nën vëzhgim të situatës, një pjesë tjetër kanë luftuar me prurjet masive të ujit që kanë marrë para ç’kanë gjetur dhe një pjesë tjetër po vendosnin para dyerve thasë me rërë për t’i dalë para një zemërate të re të kohës. Pronari i Shimani sh.p.k, një kompani që ka në objekt të saj shtypshkrimin, ka angazhuar të paktën 6 punëtorë për të mbushur thasë rëre.

“Po i dalim vetes për zot se nuk i dihet si shkon puna sot. Nga përmbytja e mbrëmshme nuk është se patëm shumë dëme, sepse pjesën e parë të prurjeve e kanë pritur bizneset para nesh (biznesi ndodhet përballë Megatek)”, – pohon ai.
Por nuk ka pasur të njëjtin fat biznesi i aluminit që ndodhet në Qafë Kashar.

Kjo është hera e dytë që ky biznes përballet me një situatë të tillë. Mjaft të hysh në ambientet e biznesit për të kuptuar se mbrëmja e së enjtes ka qenë me nota apokaliptike.

“Kjo është hera e dytë që Alumil sh.p.k përmbytet në këtë gradë, madje krahasuar me një vit më parë mendojmë se jemi më keq. Vjet nga vlerësimi që ju bë dëmit u dol në përfundimin se kostoja ishte 700 mijë euro, këtë herë themi se kjo është 30% më shumë se situata e vjetshme. Një pjesë e makinerive shpëtuan vitin e kaluar, por dyshojmë se do të kemi kaq fat edhe këtë vit”, – shprehet Enval Xhoxhi, personi përgjegjës për marrëdhëniet me jashtë të kompanisë.

Pak më tutje, në një nga mjediset e fabrikës hasim grupin që ka ardhur nga kompania e sigurimit ku biznesi është siguruar. “Ne po bëjmë vlerësimet tona, por sado të jetë kontributi që ne mund të japim në këtë situatë, është e nevojshme që të ndërhyjë edhe shteti”, – shprehet njëra nga vlerësueset.

“Nuk kemi marrë asgjë deri më tani nga dëmi që duhet të na kompensohej sipas konstatimit të vitit të kaluar. Çështjen e kemi çuar në Prokurori, po ndiqet, por ende asgjë. Çdo gjë që shihet brenda, alumini që kemi gjendje tani është vetëm për skrap sepse në momentin që laget nga uji, ai hyn në një proces tjetër që nuk ka vlerë të zgjatemi, por thjesht nuk është për shitje. Na duhet një muaj e gjysmë që të kthejmë situatën në normalitet, ndërkohë që kemi të paktën 205 punonjës që nuk mund t’i lëmë në rrugë”, – shprehet Xhoxhi.

Teksa dalim nga Alumini sh.p.k i hedhim një sy autostradës. Gjithçka është në normalitet, a thua se një natë më parë nuk ishte një autostradë uji mbi të cilën mund të notoje, por kurrsesi të ecje me makinë. Pak më sipër, fiks tek mbikalimi i Rinasit, është vendosur një patrullë policie kurse karburanti në krahun e djathtë të rrugës është kthyer në një parkim luksoz. Janë të gjitha automjetet e zhvendosura aty, të koncesionarit të Mercedez, një tjetër biznes që është kërcënuar nga prurjet e mëdha të ujit. Gjithsesi duket se dëmet pranë tij kanë qenë më të moderuara.

Citypark është biznesi i dëmtuar sërish nga kjo përmbytje e radhës. Arian Mene, administrator i DEKA, pohon se këtë herë dëmi ishte sa 30% e një viti më parë, për shkak se kompania, e mësuar me atë që ndodhi një vit më parë, kur uji vërshoi menjëherë, mori masa një orë para se të ndodhte përmbytja. Por, Mene ankohet nga mungesa totale e vëmendjes së shtetit.
Natën kur klientët u bllokuan në katin e dytë të City Park, ndërhyrja erdhi vetëm pasi kishte rënë niveli i ujit. Një ditë më pas, askush nuk ishte paraqitur për të bërë evidentim të dëmit.
Bizneset thonë se janë hapur të tre rezervuarët në atë zonë dhe kjo shkaktoi dhe vërshimin masiv të ujërave.

 

Kur qeveria ndjek shiun dhe jo problemin, situata déjà vu çdo vit

Që qeveria ishte në gatishmëri, të paktën këto ditë kjo nuk do shumë për ta kuptuar nëse ke ndjekur itineraret e ministrave dhe administratorëve të kompanive publike kyçe në menaxhimin e emergjencës. Por ky është edhe ngërçi që duket se denoncon biznesi.

Qeveria ndjek shiun por jo problemin. Në rastin konkret, disa nga bizneset vlerësojnë se shkaktar për përmbytjen e tyre është mungesa e ndërhyrjeve në kanalizime në kohën e duhur. Historikisht, një problem i tillë është shfaqur pa shkuar tek mbikalimi i Rinasit. “Ne nuk dimë se cili është problemi që nga tre përmbytje të kësaj zone, dy prej tyre na kanë prekur kaq rëndë. Ndoshta ka të bëjë me çarjen e trafikndarjes që u bë dje në kushte emergjente, ndoshta ka të bëjë me mungesën e kanalizimeve.

Ne kurrsesi nuk do të donim që të rrezikohej jeta e njerëzve dhe të mos bëhej ndërhyrja në trafikndarëse. Kjo absolutisht që jo. Por zgjidhja nuk gjendet në momentin e fundit. Duhet të ishte menduar me kohë si t’i jepet zgjidhje”, shprehen përfaqësuesit e Alumil sh.p.k.
Edhe Mene thotë se një vit pas përmbytjes së nëntorit 2016 nuk u mor asnjë masë për rregullimin e infrastrukturës së kullimit.

Një nga arsyet e përmbytjes ende e pakonfirmuar zyrtarisht është ajo e shkarkimit nga rezervuari i Kasharit. Bizneset shprehen se, edhe pse janë lajmëruar në kohë për situatën e motit, pak mund të bëjnë për të përballuar prurjet, ajo do një zgjidhje që biznesi nuk e jep dot. Ndërhyrjet në kanalizime dhe menaxhimin e rezervuarëve e kanë në dorë institucionet shtetërore dhe masat për t’i dalë para situatës së vjeshtës dhe dimrit duhet të ishin marrë që në verë. Fakti që situata po përsëritet çdo vit, do të thotë se asgjë nuk e ndalon që të përsëritet edhe në vitet në vijim, por diçka mund të ndryshojë nëse institucionet do të ndjekin problemin që në fillesa dhe jo shiun e vjeshtës.


Banka Botërore: Përmbytjet shtojnë numrin e të varfërve

$
0
0

Edhe pse varfëria në rajonin e Ballkanit perëndimor është ulur, Banka Botërore thotë se vendet në këtë rajon janë të ekspozuara ndaj fatkeqësitë natyrore.

Kjo bën që varfëria të rritet, duke qenë se shtresat e dala nga kufijtë e varfërisë janë më të ekspozuara ndaj dukurive ekstreme të natyrës, informon “Tv Klan”.

Në raportin e publikuar së fundi, “Rigjallërimi i rritjes ekonomike”, Banka Botërore merr në analizë rastin e Serbisë, ku thotë se përmbytjet në vitin 2014, rritën varfërinë me 1.7 pikë përqindje.

Të gjitha vendet Ballkanit Perëndimor, ku bën pjesë dhe Shqipëria, janë të ndjeshme nga goditjet e klimës.

“Nxehtësia, thatësira dhe përmbytjet ulin prodhimin bujqësor, efiçencën e sektorit energjetik dhe mirëqenien e njerëzve në këto shtete. Impaktet që japin këto dukuri, sipas të dhënave, prekin më shumë shtresat vunerable të popullatës”,- thotë Banka.

Banka Botërore thotë se edhe shpenzimet për shëndetësi kanë zhytur në varfëri 4.5% të popullsisë shqiptare, duke zënë nivelin më të lartë në rajon e Europë.

Vendi ynë dhe Kosova janë dy shtetet të cilat kanë edhe shpenzimet më të larta “jashtë xhepit” për sektorin e shëndetësisë. Në këtë treg raporti e rendit Shqipërinë si një nga vendet që ka edhe informalitetin më të lartë në tregun e punës, i cili varion mes nivelit 40 dhe 60%.

Reshjet e dendura, kjo është situata hidrike në hidrocentralet shqiptare

$
0
0

Reshjet e dendura të shiut të rëna gjatë ditëve të fundit kanë përmirësuar situatën hidroenergjetike në Kaskadën e Drinit.

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare raporton se rezerva energjetike në orën 12:00 të ditës së sotme paraqitet në vlerën 572 GË h, ose 116 GË h më e lartë se ajo e datës 28 Nëntor kur nisën reshjet intensive të shiut.

Ndërkaq, niveli i ujit në rezervuarin e hidrocentralit të Fierzës aktualisht është 273.16 m, thënë ndryshe rreth 5 metër më lartë krahasuar me fillimin e valës së reshjeve. Niveli i prurjeve në këtë hidrocentral aktualisht është 1000 m3/s.

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka angazhuar në kapacitet intensiv pune hidrocentralet e Komanit dhe Vaut të Dejës. Niveli i ujit në HEC Koman aktualisht është në 173.26 m dhe prurjet 350 m3/s ndërsa në HEC Vau Dejës është 74.89 m dhe prurjet 80 m3/s.

Përveç energjisë së tërhequr nga OST për shërbimet e balancimit dhe OSHEE për konsumin vendas, KESH ka shmangur maksimalisht derdhjen e ujit pa prodhim energjie duke shkëmbyer për depozitim me Korporatën Elektroenergjetike të Kosovës sasinë prej 26500 MË h dhe shitur në treg të parregulluar sasinë prej 58000 MW/h.

Në konkluzion, situata në Kaskadën e Drinit vazhdon të jetë plotësisht nën kontroll dhe menaxhimi po kryhet në përputhje me rregulloren e plotave.

Të përmbyturit mund të fitojnë banesa nga shteti, ja si aplikohet…

$
0
0

Të gjithë shqiptarët mbi 18 vjeç, që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme apo nuk kanë të ardhura fare për të jetuar, apo që janë prekur nga fatkeqësi natyrore, siç janë edhe përmbytjet e fundit, mund të paraqiten pranë njësive vendore të vendbanimit të tyre për të përfituar një nga programet sociale të strehimit, shkruan “Shqiptarja.com”.

Programet sociale përfshijnë banesat sociale me qira, banesat me kosto të ulët, banesat e përkohshme, banesa të specializuara etj., ku familjarët apo individët nëse nuk kualifikohen në njërin program mund të përfitojnë në një program tjetër, por nuk mundet të përfitojnë më shumë se një program.

Rregulli për të aplikuar është dorëzimi në bashki i kërkesës për programin social të strehimit, e cila sigurohet me shpenzimet e vetë zyrës së njësisë vendore. Më pas, kontrata e qirasë lidhet ndërmjet pronarit të banesës dhe përfituesit kur këtij të fundit i vërtetohen disa të ardhura, dhe në rast se përfituesi është pa të ardhura ose me të ardhura të ulëta, shpenzimet për lidhjen e kontratës përballohen nga bashkia e zonës ku ai jeton.

Kushtet për aplikim Përveç të ardhurave, individët duhet të plotësojnë disa kushte për të përfituar një nga programet sociale të strehimit. Së pari nuk duhet të kenë në pronësi asnjë banesë. Gjithashtu, mund të aplikojnë nëse kanë mbetur të pastrehë, si rezultat i fatkeqësive natyrore, i prishjes së objekteve të pakualifikuara si banesë, i zhvendosjeve për shkak të investimeve publike apo nga banesat e përjashtuara nga procesi i legalizimeve.

Mund të përfitojnë një strehim social edhe familjet që kanë një banesë të vjetër në rrezik shembjeje ose ata që kanë banesë në rikonstruksion, për shkak të vjetërsisë së saj. Edhe shtetasit e huaj, me qëndrim të rregullt në Shqipëri me statusin si ‘punëtor emigrant’ apo ‘azilkërkues’ mund të përfitojë nga programet e strehimit social.

Kriteret e përzgjedhjes Punonjësit e njësive vendore bazohen në katër kritere në përzgjedhjen e individëve apo familjarëve për të përfituar një nga programet sociale të strehimit. Do të kenë përparësi individët, të cilët plotësojnë kushtet e strehimit, kushtet familjare, kushtet sociale dhe kushtet ekonomike.

Në kushtet familjare janë të favorizuar familjet një prindërore që kanë në kujdes fëmijë, ku përfshihen edhe vajzat-nëna; të moshuarit, që kanë mbushur moshën e pensionit dhe që s’përzgjidhen për t’u strehuar në azile publike; familjet me më shumë se katër fëmijë; bashkëshortët, deri në moshën 60 vjeç.

Në kushtet sociale kanë përparësi personat me aftësi të kufizuara; jetimët që nga momenti i daljes nga jetimoret dhe deri në 30 vjeç; familjet e mbetura të pastreha pasi u kanë liruar banesat ish-pronarëve; emigrantët e rikthyer dhe azilkërkuesit; familjet e policëve të rënë në detyrë; punonjësit e reparteve të ndërhyrjes së shpejtë; punonjësit e RENEA-s; viktimat e dhunës në familje apo të trafikimit; anëtarët e komunitetit rom dhe egjiptian; të miturit në konflikt me ligjin, si dhe individët nga komuniteti GAY.

Si përfundim, kushtet ekonomike përcaktohen familjet sipas grupit të të ardhurave./Shqiptarja.com/

Denoncimi/ ‘Plasin’ kartëmonedhat false në Durrës, kujdes mos u’a fusin

$
0
0

Ditën e sotme një qytetar ka raportuar pranë redaksisë “JOQ.al” se, një furnitori të mallrave i kanë ngecur dy 1000-lekshe fallco në Durrës.

Kjo gjë është bërë në këmbim të shit-blerjes së mallrave, pra janë biznese ose kompani.

Paratë në pamje të parë janë të vështira për t’i kuptuar origjinalitetin, por nëse i shihni me vëmendje mund të dalloni se janë të të njejtit numër serie.

Përveç kësaj, letra e prodhuar për këto para fallco, ndryshon shumë kur e prek dhe dallon se është një letër më e hollë.

Me sa duket falsifikuesit në Shqipëri vazhdojnë të prodhojnë dhe të qarkullojnë kartëmonedha fallco, gjë që është e dënueshme me burg.

Në rast se ju bie një kartëmonedhë fallco në duar, duhet ta denonconi në polici pasi nëse kapeni me këto para, rrezikoni të proçedoheni penalisht për mos denoncim dhe për prodhim/shpërndarje të kartëmonedhave fallco.

Ky është mesazhi i denoncuesit:

“Kto 1000 lekshat jane fallco. Kane bo sdi sa cop me te njejtin numer serie kshuqe beni kujdes. I rane nje furnitori qe na sjell ca produkte gjate pagesave qe i kan bo. Dhe 2 cop kishte. Ne durres”./JOQ.al/

Gjiknuri mesazh shkodranëve: Hidrocentralet e Drinit i kemi nën kontroll!

$
0
0

Ndërsa në jug situata e përmbytjeve është jashtë kontrollit, të paktën hidrocentralet e kaskadës së Drinit në pjesën veriore janë nën kontroll.

Një mesazh i Damian Gjiknurit nga rrjetet sociale qetëson banorët e zonës së NënShkodrës, që e kanë parë veten në situata alarmante kur digat e hidrocentraleve janë hapur.

“Gjatë orëve të fundit është konstatuar një rënie e sasisë së prurjeve në basenin e hidrocentralit të Fierzës. Aktualisht, kuota e nivelit në këtë hidrocentral ka arritur në 274.66 m ndërsa prurjet janë në masën e 600 m3/s.

Në hidrocentralin e Komanit prurjet janë 250 m3/s ndërsa kuota është në 172.27 m. Në hidrocentralin e Vaut të Dejës, prurjet janë 50 m3/s ndërsa kuota ka arritur në 75.10 m.

Aktualisht nuk ka shkarkime në asnjërin nga tunelet e të tre hidrocentraleve. Situata paraqitet nën kontroll të plotë” -shkruan Gjiknuri.

Apeli i Konfindustrisë: Prioritet financimet në ngritjen e sistemit kundër përmbytjeve

$
0
0

Konfindustria vlereson se qeveria duhet të ndërtojë dhe të zbatojë sa më shpejt strategjinë për parandalimin e përmbytjeve masive të përsëritura.

Buxheti i vitit 2018 duhet të ndryshojë në seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Shqiperisë, për të ridrejtuar financimet në ngritjen e sistemit kundër përmbytjeve.

Kuvendi  duhet ti kërkojë ekzekutivit që të bëjë gati projektet dhe të paraqesi për miratim ndryshimet e nevojshme në buxhetin e vitit 2018.

Konfindustria vlereson se përsëritja e bllokimit të rrugeve kombëtare, përfshi kryeqytetin si dhe përmbytjet masive të bizneseve dhe tokave bujqësore, është me pasoja shumë të rënda ekonomike dhe financiare afatgjatë.

Renia e sistemit tregon efektivitetin e ulët të financimeve aktuale me shenja të qarta të paaftesisë institucionale dhe korrupsionit.

Vonesa me kontrollet, bllokohen 60 kamionë mallrash në portin e Durrësit

$
0
0

Të paktën 60 kamionë mallrash në portin e Durrësit nuk kanë mundur të hipin në tragetet që nisen drejt Italisë për shkak të vonesave me procedurën e verifikimit në skaner.

Policia kufitare thotë se kamionët nuk kanë kryer procedurën në kohë dhe nuk lejohet kalimi i tyre pa u skanuar dhe pa kontrollet anti-drogë të detyrueshme. Shoferët shprehen të indinjuar dhe sipas tyre mund të mbeten edhe nesër në port.

“Trageti i linjës Durrës-Ankona, u nis në orën 18:30. Mund të mbetemi dhe nesër në port”- shprehen shoferët.


Paga mesatare në shtet shkon në 60,500 lekë rritet me 7% në 3-mujorin e dytë

$
0
0

Paga mesatare në shtet në tremujorin e dytë të vitit shënoi rritjen më të lartë së paku që nga 2014-ta.

Sipas të dhënave të INSTAT paga mesatare ne sektorin publik shënoi 60,500 lekë në tremujorin e dytë të vitit, duke u rritur me 7 për qind në krahasim me tremujorin  e parë të vitit.

Rritja neto ishte 4 mijë lekë dhe erdhi si rrjedhojë e vendimit për rritjen e pagave në sektorin publik pak para zgjedhjeve të qershorit 2017.

Për shkak të politikave të ashpra të konsolidimit fiskal ku buxheti i shtetit u përfshi në masa kursimi të rrepta, pagat ne sektorin publik mbeten në vend për disa vite. Madje të indeksuara me inflacionin ata shënuan për herë të parë rënie vitin e kaluar.

Pas një periudhe të gjatë stanacioni, qeveria vendosi vitin e kaluar të rifillojë stimulin për administratën publike, ku përfituesit më të mëdhenj ishin punonjësit e arsimit dhe te shëndetësisë.

Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë në sektorin shtetëror (buxhetor) gjatë vitit 2013 ishte 52.150 lekë.

Nga të dhënat e fundit fiskale të azhurnuara nga Banka Botërore,  Shqipëria në raport me PBB ka shpenzime mjaft të ulëta për mbrojtjen sociale (pensione, pagesë papunësisë dhe asistence sociale) dhe për pagat e punonjëseve publikë.

Nivelin më të lartë të shpenzimeve buxhetore për paga dhe pensione në rajon e ka Maqedonia me rreth 46% të totalit të shpenzimeve, ku rreth 12% shkojnë për pagesat e punonjësve në administratën publike dhe rreth 13% e PBB shkojnë për paga dhe pensione, pjesa tjetër më shumë se 10% shkojnë për shpenzimeve kapitale.

Më 2016, niveli i pagës mesatare bruto shënoi ulje vjetore me 2.1%, pas një rritje që kishte pësuar më 2015.

Po sipas INSTAT në vitin 2016 kaluar edhe pse numri i të punësuarve ka shënuar rritje paga mesatare në ekonomi ka rënë. Paga mesatare mujore bruto ishte 45.845 lekë më 2016 në raport me 46.830 lekë që ishte më 2015./Monitor

Financat rendisin bashkitë më të mira sipas performances, ja kush është e para…

$
0
0

Ministria e Financave ka vlerësuar Bashkitë në vend për vitin e kaluar në lidhje me menaxhimin financiar, i cili u bazua në 15 kritere që masin këtë performancë, ku çdo kriter ka 30 pikë.

Kriteret e vlerësimit ishin: Dërgimi në kohë i faturave për pagesë në degën e thesarit; Numri i kontratave të anuluara gjatë vitit buxhetor; Numri i urdhër-shpenzimeve të refuzuara nga Thesari; Dorëzimi në kohë i kontratave në Thesar; Urdhër-prokurimet e paautorizuara; Mjedisi i kontrollit; Menaxhimi i Riskut; Aktivitetet e kontrollit; Informimi dhe komunikimi; Monitorimi; Përgatitja e audituesve të brendshëm; Raportimi në kohë i Audituesve; Monitorimi i pyetësorit të vetëvlerësimit të audituesve të brendshëm; Cilësia e raportimit të audituesve të brendshëm: Pozicione aktuale të auditimit të brendshëm të paplotësuara.

Raporti përmbledhës i Financave tregon se nga një vlerësim 0-450 pikë, Bashkia e Kamzës mori vlerësimin më të lartë me 440 pikë. “Në bazë të analizës së indikatorëve, Bashkia e Kamzës është vlerësuar me 440 pikë nga 450 pikë maksimale të mundshme, duke treguar për një performancë të shkëlqyer të kësaj bashkie dhe e renditur në vendin e pare”, thuhet në raportin e financave.

E dyta është Bashkia e Shkodrës (430 pikë), e ndjekur nga ajo e Patosit (425), e Vorës (415), më pas vijnë Durrësi (405 pikë), Elbasani (400 pikë), Memaliaj (395 pikë).

Bashkia e Tiranës, më e madhja në vend, u rendit e teta në radhën e bashkive për sa i përket pikësimit për treguesit e performances, me 391 pikë. Bashkia e kryeqytetit e ka vlerësimin më të ulët në treguesin e menaxhimit të riskut, me 10 pikë, nga 30 që është vlerësimi maksimal dhe aktivitetet e kontrollit me 20 pikë (shiko tabelën në vijim për vlerësimin e të gjithë kritereve të Bashkisë së kryeqytetit), ndërsa në treguesit e tjerë ka marrë përgjithësisht vlerësimin maksimal me 30 pikë.

Financat theksojnë se gjendja e sistemeve të kontrollit të brendshëm të Bashkisë Tiranë paraqitet në nivele të kënaqshme, duke theksuar gjithashtu dhe nevojën për marrjen e masave, kryesisht, në kuadër të përmirësimit të komponentit të Menaxhimit të riskut, i cili ka marrë vlerësim shumë të ulët në krahasim me të tjerët.

Në renditjen që kanë bërë financat vetëm për Bashkitë e mëdha kryeson Shkodra, e ndjekur nga Durrësi, Korça, Elbasani dhe më pas renditet Tirana. Pas kryeqytetit vijnë Berati, Fieri, Vlora, Gjirokastra.

Bashkitë e mëdha që janë edhe qendra të prefekturave, si ajo e Durrësit, Tiranës, Vlorës, Gjirokastrës dhe Kukësit kanë pësuar ulje të performancës më 2016 në raport me 2015, thekson raporti.  Bashkitë që kanë arritur përmirësim janë Shkodra, Korça, Elbasani, Fieri dhe Berati.

Bashkia e Shijakut dhe ajo e Tropojës morën vlerësimin më të ulët të performancës.

Vlerësimi i përgjithshëm për gjithë bashkitë

Ministria e Financave analizon se, treguesi “Dërgimi i faturave për pagesë në Thesar” për vitin 2016 nga bashkitë mesatarisht është vlerësuar me 21.1 pikë nga 30 pikë të mundshme ose ka një realizim prej 70.3%. Këto vlerësime tregojnë për një performancë të kënaqshme të këtij treguesi, ku pjesa më e madhe e bashkive janë vlerësuar me 25 dhe 30 pikë dhe vetëm një bashki është vlerësuar me 0 pikë. Pra, mund të konkludojmë që bashkitë nuk kanë problematika të mëdha në dërgimin në kohë të faturave në thesar.

Vlerësimet më të mira, Bashkitë i kanë arritur në treguesin “Anulimi i kontratave gjatë një viti”, i cili ka një shkallë të lartë realizimi prej 92%, ku pikët mesatare të vlerësuara të këtij treguesi janë 27.6 pikë. Shumica e bashkive (51 prej tyre) kanë vlerësim maksimal të këtij indikatori dhe asnjë bashki nuk është vlerësuar me 0 apo 5 pikë. Në përgjithësi, mund të themi që situata e këtij indikatori në njësitë e qeverisjes vendore paraqitet në nivele shumë të kënaqshme.

Indikatori tjetër i analizuar është “Urdhër-shpenzimet e refuzuara nga ana e Thesarit”. Pikët mesatare të marra nga bashkitë për këtë indikator janë 27.4 pikë, duke evidentuar një realizim prej 91.3%. Nga të gjitha institucionet vendore, shumica prej tyre (45) është vlerësuar maksimalisht me 30 pikë dhe asnjë bashki nuk është vlerësuar me 0, 5 ose 10 pikë. Pra, situata e këtij indikatori paraqitet në nivele shumë të kënaqshme.

 “Dorëzimi në kohë i kontratave në Thesar” është një tjetër indikator i gjeneruar nga Drejtoria e Thesarit. Bashkitë, mesatarisht, janë vlerësuar me 19.2 pikë, ku kemi 10 bashki të cilat janë vlerësuar me 0 dhe 5 pikë. Realizimi i këtij treguesi është 64%, duke evidencuar faktin që institucionet vendore, në shumicën e rasteve, arrijnë të dorëzojnë kontratat në thesar brenda afatit 3-ditor të caktuar./Monitor.al/

Si të fitoni një vizë pune? Gjermania ka vetëm një kusht për aplikantët…

$
0
0

Në Gjermani numri i vizave të punës për shqiptarë, boshnjakë dhe të tjerë nga Ballkani është rritur me 70% në tetë muajt e parë 2017. “Die Welt“ i kushton (02.10) dy artikuj temës së punësimit të të huajve në Gjermani.

“Një punë në Gjermani, shumë njerëz në vendet e Ballkanit Perëndimor e shohin këtë si të vetmen rrugëdalje nga papunësia në atdheun e tyre. Aplikantët pjesërisht duhet të presin një vit derisa Ambasadat Gjermane në vendet e tyre t’u lëshojnë vizën e punës.

Megjithatë në tetë muajt e parë të vitit është rritur me 70% në 63.000 numri i vizave të punës të lëshuara nga Agjencia Federale e Punësimit, shkruan gazeta “Die Welt”, duke iu referuar të dhënave që posedon nga kjo agjenci.

Një në tre viza pune për vendet e treta, sipas këtyre të dhënave, i ka kaluar një aplikanti nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Lehtësimi i procedurave për njerëzit nga vende si Shqipëria, Kosova apo Bosnjë-Hercegovina është aplikuar që nga fillimi i vitit 2016.

Arsyeja është: se në kulmin e fluksit të refugjatëve në vitin 2015 vinin edhe shumë azilkërkues nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Autoritet gjermane ishin të papërgatitur nga ky fluks duke qenë të mbingarkuara me refugjatët nga Siria. Mëqënëse për të ardhurit nga Ballkani arsyeja e largimit nga atdheu ishte ekonomike, qeveria federale vendosi, një rregullore të re për këto vende duke i shpallur ato si vende të sigurta. (…)

Në kushte të tilla nuk ka më të drejtë për azil. Kësisoj qysh nga viti 2016 kandidatë për punësim nga këto vende mund të aplikojnë për një vizë pune.

Kushti i vetëm është, që ato të kenë një ofertë konkrete pune nga Gjermania. Atyre nuk u kërkohet një kualifikim minimal apo pagë minimale, sikurse ndodh në rastin e së ashtuqajturës Blue Card, që është e parashikuar për specialistë.

(…) Kryesisht vizat e punës janë lëshuar për punëtorë në degën e ndërtimit, por ka nevojë për krah pune edhe në sektorin e gastronomisë, të shërbimeve dhe të kujdestarisë për të moshuarit.

Në Berlin ky model konsiderohet si i suksseshëm dhe po diskutohet nëse rregullorja e vlefshme deri në vitin 2020 mund të shtrihet edhe për vende të tjera veç Ballkanit si p.sh. në rajonet e Afrikës Perëndimore, për të pasur kështu një migracion të organizuar.

Në një analizë të fondacionit Friedrich-Ebert thuhet, se rregullorja për Ballkanin Perëndimor „bart potencial të madh në rrugën drejt një politike inovative migracioni”,- shkruan “Die Welt”./DW/

Ahmetaj: Bizneset e mëdha deklarojnë paga qesharake për punonjësit

$
0
0

Beteja me papunësinë është prioritet i qeverisë. Kështu është shprehur ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj në një konferencë për “Politikat në mjediset e punës”.

“Nga nje skanim qe kemi bere me kryeministrin Edi Rama i zyrës së tatimpaguesve kemi gjetje sa qesharake dhe tragjike, biznese të mëdha që janë kampionë të ekonomisë kanë 42 % të punësuarve nën 300 mijë lekë (të vjetra), kompani të mëdha që deklarojnë ekonomistin me 270 mijë lekë (të vjetra) në muaj, inxhinierin po ashtu, kjo është e papranueshme keto dosje janë skanuar”, tha Ahmetaj, duke paralajmëuar aksionin për informalitetin në tregun e punës.

Ministri tha se në 4 vite janë hapur 260 mijë vende pune, ndërsa në zyrat e punës janë 36 mijë vende të lira pune. Megjithatë sipas ministrit, duhet kualifikimi i duhur për vendet e lira të punës.

“Të gjitha statistikat pozitive në Shqipëri është bërë e modës të debatohen, por ekonomia është reflektim për zhvillimet. Zhvillimet pozitive nuk janë thjesht statistika, por reale. Raportet janë reale dhe nuk janë numra. 4 vitet e fundit shifrat e punësimit janë inkurajuese. 260 mijë vende pune në 4 vite. Rritja e punësimit është rritur në 61 %. Vendet e punës janë të reja dhe të formalizuara. Kemi marrë angazhimin që papunësia të zbresë në nivel 1 shifror që nuk është pak. Sfida që kemi është së pari kualiteti dhe kualifikimi i fuqisë punëtore. Janë 36 mijë vende të liria pune për 10 mujorin e vitit 2017. Sipërmarrja kërkon kualifikimin e duhur. Beteja me papunësinë është prioritet i qeverisë”– tha Ahmetaj.

Për rritjen ekonomike, ministri tha se vitin e ardhshëm do jetë 4,2%. Ministri nuk la pa përmendur edhe aksionin antiinformalitet, i cili po vijon dhe sipas ministrit, nuk ka kosto shtesë për biznesin e vogël. Ministri Ahmëtaj tha në fund se politikat fiskale kanë rritur investimet./Monitor

Pëmbytjet po largohen por… qytetarëve do t’u shtohet një taksë e re

$
0
0

Kompanitë e sigurimit janë dakort për një nismë ligjore, e cila do ta bënte të detyrueshëm sigurimin vjetor të të gjitha banesave ndaj katastrofave natyrore.

“Po kërkohet të bëhet në Shqipëri, kur në të gjithë botën është bërë shumë herët, pra s’po bëjmë diçka të veçantë, është diçka që ekziston dhe modelet janë”,- deklaroi drejtori i Përgjithshëm i ‘SIGAL’, Avni Ponari.

“Në këtë moment sigurimi i detyrueshëm i pronave është në një fazë emergjente dhe e falenderojmë kryeministrin për këtë nismë”,- shtoi Presidenti i EuroSig, Kadri Morina.

Por në Shqipëri mjaft shtëpi janë ndërtuar në zona me rrezikshmëri të lartë, si afër lumenjve dhe pas legalizimit disponojnë certifikata pronësie. A mund të sigurohen banesa të tilla dhe nëse po, me çfarë prime sigurimi?

Avni Ponari thotë se nëse shteti ka dhënë tapitë, banesat do të sigurohen, por sigurisht që çmimi nuk mund të jetë i njëjtë si për një shtëpi me rrezik të ulët.

“Duke kalkuluar primin mbi bazën e zonave, atëherë dhe mbulimi do të bëhet mbi bazën e zonave, sepse çdo zonë do të ketë një vlerë të caktuar të primit të vet”,- sqaron Ponari.

Kurse Kadri Morina është i mendimit se këto banesa duhet më parë të plotësojnë disa kushte.

“Në një banesë që është ndërtuar, do të shkojë kompania e sigurimit me specialistët dhe do të vendosë kushte për sigurimin, si do të ndërtosh argjinaturë para shtëpisë, do të bësh këtë apo atë, për arsye se kompania e sigurimit është për një moment të caktuar, për një ngjarje aksidentale dhe jo për atë që ti e ke shkaktuar me dashje për një shtëpi që e ke ndërtuar pothuajse buzë lumit”,- thotë Morina.

Kadri Morina thotë se kosto vjetore për çdo shtëpi mund të jetë rreth 50 euro.Avni Ponari thotë se çmimet do të uleshin në rreth 20-30 euro në vit, nëse sigurimi do të ishte masiv.

Aktualisht në Shqipëri sigurimi është i detyrueshëm vetëm për automjetet, kurse nisma për sigurimin e detyrueshëm të banesave, që gjen mbështetjen e kompanive të sigurimeve aq sa të përshëndesin Kryeministrin, shtron një pikëpyetje të madhe: Ç’do të ndodhë me ato shtëpi që nuk plotësojnë kushtet teknike për t’u siguruar?

Ajo që kuptohet qartë është se kompanitë e sigurimeve do të jenë mjaft strikte me kriteret, atëhere kush do t’i dëmshpërblejë ata banorë në rast katastrofash?

Nëse sigurimet nuk e bëjnë, a do ta bëjë qeveria? Apo ligji për sigurimin e detyrueshëm për banesat do të jetë një mundësi për qeverinë për të hequr një barrë nga vetja, e cila, më shumë se financiare, është në radhë të parë sociale./TCH/

Lançohet Projekti InnoPlatform – Platforma Inovative për zhvillimin e SME-ve në vend

$
0
0

Qendra UET është partner IPA në projektin InnoPlatform – Ofrimi i Mekanizmave dhe Platformave Inovative për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM) në zonën e Ballkanit Mesdhetar përmes rritjes dhe zhvillimit të kapaciteteve për inovacion.

Forumi Ekonomik Botëror dhe Indeksi i Inovacionit Botëror tregojnë se kur bëhet fjalë për konkurrencën dhe inovacionin midis ekonomive dhe kompanive kombëtare, vendet e rajonit të Ballkanit dhe Mesdheut, pa përjashtim, mbeten prapa vendeve të BE-së dhe ekonomive të zhvilluara.

Sipas Vlerësimit të Performancës së NVM-ve Drejtorisë së Përgjithsme për Industrinë dhe Sipërmarrjen të Komisionit Europian, rajoni i Ballkant Mesdhetar mbetet prapa mesatares së BE-së kur bëhet fjalë për inovacionin dhe risitë e përdorura nga NVM-të. Arsyet janë të shumta, kryesisht të lidhura me mungesën e njohurive dhe qasjen e kufizuar të NVM-ve në mbështetjen e posaçme, mjetet dhe përdorimin më të mirë të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK). Projekti i ri i Qendrës UET –  INNOPLATFORM – synon t’i adresojë këto sfida duke lehtësuar inovacionin dhe duke mbështetur ndërkombëtarizimin dhe inovacionin në NVM në rajon.

Projekti InnoPlatform zbatohet në kuadër të Programit Transnacional Interreg BalkanMed 2014-2020, për thirrjen e parë të projekteve, në bazë të Marrëveshjes së financimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, Komisionit Europian dhe Autoritetit Menaxhues të Programit Interreg Balkan-MED.

Partnerët e tjerë me të cilët Qendra UET do të zbatojë së bashku projektin janë:

Qendra e Menaxhimit të Njohurive (Center for Knowledge Management-CKM) në Maqedoni, si drejtues të projektit;

Instituti i Teknologjisë Kompjuterike dhe Shtypit Diofantus (Computer Technology Institute and Press “Diophantus”) në Greqi;

Universiteti Burgas (Burgas Free University) në Bullgari;

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Limasol (Limassol Chamber of Commerce Industry) në Qipro;

Shoqata e Kompanive të Teknologjisë së Informacionit të Greqisë Veriore (Association of Information Technology Companies of Northern Greece) në Greqi;

dhe si partner vëzhgues:

Universiteti Bedfordshire – Shkollën e Biznesit (University of Bedfordshire Business School) në Angli,

Universiteti Jashar (Yasar University) në Turqi.

Të pesë vendet e përfshira në këtë projekt do të krijojnë të ashtuquajturat Qendra të Ekselencës në Inovacione që do të punojnë për të përmirësuar aksesin e bizneseve të vogla në njohuri dhe ekspertizë në fushën e inovacionit. “Nëse kompanitë nuk mësojnë se si të mbijetojnë në një mjedis që ndryshon shpejt, ata do të dështojnë, gjë që në fund ndikon negativisht në ekonominë e vendit. Në mënyrë që një kompani të jetë konkurruese dhe e qëndrueshme duhet të jetë inovative” – thotë Dr. Andrijana Bogdanovska, drejtuesja  “InnoPlatform”. Kompanitë duhet të prezantojnë vazhdimisht produkte dhe shërbime të reja, por në të njëjtën kohë, të jenë në gjendje të ndryshojë dhe përshtasin proceset e saj të punës, të ndryshojnë mënyrën se si organizon burimet dhe si të realizojnë të ardhurat dhe përfitime.

Projekti InnoPlatform ka filluar në gusht 2017 dhe do të zgjasë dy vjet deri në korrik 2019 me një shtrirje gjeografike në të gjithë Shqipërinë. Nëpërmjet aktiviteteve të parashikuara në projekt, Qendra UET dhe Universiteti Europian i Tiranës do të mbështesin NVM-të lidhur me rolin e inovacionit. Kjo do të realizohet duke avancuar njohuritë ekzistuese dhe duke zhvilluar një sërë mjetesh (InnoTools) dhe shërbimeve (InnoScorecard dhe InnoRegion) për përmirësimin e kapaciteteve të NVM-ve në përdorimin e inovacioneve në proceset e punës si dhe të produkteve dhe shërbimeve të ofruara.

Ky projekt është i bashkëfinancuar me fondet e Bashkimit Europian dhe aktivitetet që do të realizohen në kuadër të projektit InnoPlatform janë:

  • Konferenca kryesisht për politikë-bërës, universitete, institute dhe qendra kërkimore me qëllim prezantimin e gjetjeve të studimeve nga NVM-të si dhe InnoTools;
  • Ditët e Inovacionit për sipërmarrës dhe përfaqësues të NVM-ve vendase, konsulentë dhe organizata që ofrojnë shërbime për bizneset për të përshtatur modelet e biznesit me kuadrin e ndryshueshëm ekonomik, social dhe të politikave rregulluese;
  • Trajnime mbi ekspertizën e përqasjes së inovacionit;
  • Prezantimin e shërbimeve online si InnoScorecard për vlerësimin dhe renditjen e shteteve dhe rajoneve dhe InnoRegion për industritë dominuese në zhvillim për secilin rajon.

Njohuria dhe ekspertiza e arritur gjatë projektit së bashku me mjetet InnoTools, udhëzimet dhe hapja e Qendrave të Ekselencës synojnë të rrisin bashkëpunimin ndërmjet NVM-ve dhe qendrave kërkimore. Gjithashtu, rrjeti i Qendrave të Ekselencës do të ofrojë ekspertizë dhe mbështetje të jashtme për NVM-të, konsulentët dhe aktorë të tjerë në rajon për të nxitur bashkëpunimin ndër-kufitar. Përmes projektit, Qendrat e Ekselencës në rajon do të jenë si laboratorë për inovacion dhe do të pajisen me ekspertizë, njohuri dhe pajijsje me synim nxitjen e bashkëpunimeve konkrete dhe ndikim afat-gjatë për NVM-të që prezantojnë inovacione të ndryshme.

 

Përse fryn nga dritarja?

$
0
0

A ju kujtohet koha kur kishte vetëm dritare prej druri, të cilat gjatë viteve “frynin” nga të gjitha anët. Si armë të rregullta kundër fryrjes së dritareve, u përdorën gazeta të vjetra dhe peshqirë. Kohët kanë ndryshuar po ashtu edhe dritaret me kohën. Pra, ato të vjetrat janë ndryshuar me dritare të reja PVC që kanë mbyllje hermetike dhe nuk lejojnë të hyjë era. Por çfarë ndodh nëse përsëri fryn nga dritaret, cilat janë arsyet? Përgjigje për këtë pyetje kërkuam nga z. Sashko Daev, menaxher i përgjithshëm i REHAU për Maqedoninë, Kosovën dhe Shqipërinë:

“Ka disa arsye, jam i kënaqur që dritaret e REHAU-t janë krijuar nga teknologjia më e lartë dhe ne nuk kemi probleme të tilla, por zbulimi i tyre do të drejtohej në disa grupe. Heqja e ngjitësve, prerja e saj ose thjesht mungesa e një ngjitësi të tillë.

Këto janë në fakt shiritat e butë që mbushin hapësirën midis krahut dhe kornizës. Shpesh zhvendosja e tyre ose gjatësia e tyre joadekuate është për shkak të montimit jo të duhur. Ka edhe raste kur ky ngjitës është dëmtuar nga përdoruesi ose është vjetëruar.

“Rënia” e dritares mund të jetë një arsye për “fryrje” në një dritare të mbyllur. Ndonjëherë “krahu”pa u ndjerë bie, gjë që e bën më të vështirë mbylljen. Arsyeja është në ndarjen e menteshave që “e mbartin” atë. Problemi në shumicën e rasteve është montimi i gabuar, ku nuk vlerësohet saktë sa dhe çfarë lloj elementësh mbajtës duhet të vendosen për krahun e duhur.

Janë montuar “mentesha” të dobëta që nuk e mbajnë ngarkesën. Mekanizmat e dëmtuar shkaktojnë vështirësi me hapjen dhe mbylljen e dritares po ashtu mund të jenë edhe arsye që të fryjë nga dritarja. Deformimi i krahut është gjithashtu një arsye e mundshme për të fryrë nga dritarja, veçanërisht në mot me erë.

Në këtë rast, me shumë gjasa, bëhet fjalë për material të dobët ose mjeshtërinë e dobët të cilësisë së vetë krahut – në materialn PVC është futur përforcim çeliku. Përforcimi është mbledhje  nga profile metalike të vendosura në profilet e PVC-së që ndihmojnë në ruajtjen e formës së duhur pavarësisht deformimeve për shkak të ndryshimeve të temperaturës.

Në këtë rast krahu duhet të zëvendësohet tërësisht me një të ri sepse është bërë dëm i përhershëm. Krahu i ri ose ndoshta një dritare krejtësisht e re duhet të ketë përforcime dhe mentesha të përshtatshme që mund të përballojnë peshën e saj. Shtresat rreth kornizës gjithashtu mund të shkaktojnë fryrje nga dritaret – por në këtë rast fryrja nuk vjen nga çarja midis krahut dhe kornizës, por nga bashkimi midis kornizës dhe murit.

Kjo është një hapësirë ​​e vogël që zakonisht është e mbushur me shkumë dhe ngjitet me shirita izolues nga të gjitha anët. Roli i këtyre shiritave është që të “lidhin” murin me dritaren dhe të parandalojnë hyrjen e ajrit dhe lagështisë. Shpesh, këto shirita nuk përdoren aspak. Kështu, përdoruesi mbetet me hapësirë ​​të paparashikueshme të vendosur midis kornizës së dritares dhe murit.

Gjatë suvatimit (i njohur si “qepja” në dritare), ky problem nuk zgjidhet, por vetëm maskohet. Me depërtimin e lagështisë në këtë hapësirë shkaktohet  edhe zmadhimi i saj. Për të zgjidhur problemin e hapësirës rreth dritares përmes së cilës hyn lagështia dhe era, duhet të kryhet një ri-instalim i plotë i dritares.

Korniza e dritareve duhet të hiqet me qëllim që të mbushen vendet e hapura dhe nga jashtë të vendosen shiritat izolues. Në fund vendoset gips dhe ngjyrë “.

Këto këshilla të dobishme mund të shërbejnë për të zbuluar dhe për të hequr siç duhet problemet me fryrjen e dritareve që mund të jenë vërtet të pakëndshme në këtë kohë të vitit kur temperaturat bien disa gradë nën zero.


“Kozmetika” e kredive me probleme, pa fshirjen do ishin 22%

$
0
0

Treguesi i huave që nuk kthehen prej më shumë se 3 muajsh në banka ka shënuar një tjetër rënie gjatë muajit tetor. Sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, niveli i kredive me probleme zbriti në 14.45%, nga 14.78% që kishte qenë muajin e mëparshëm. Ky është niveli më i ulët që nga tremujori i parë 2011.

Huatë me probleme janë ulur me shpejtësi që nga shtatori i vitit 2014, kur ato iu afruan 25%, çka nënkuptonte që një e katërta e kredive nuk po kthehej në afat. Në pjesën më të madhe kreditorët e këqij ishin bizneset, sidomos 35 korporata të mëdha që zinin mbi 60% të totalit të huave me probleme.

Në vlerë absolute, kredia e keqe në fund të tetorit ishte 80 miliardë lekë, apo rreth 590 milionë euro.

Tre vitet e fundit, sistemi bankar është përfshirë në një fazë ristrukturimi, ku një peshë të rëndësishme ka luajtur fshirja nga bilancet e kredive që kishin më shumë se tre vjet që nuk ktheheshin (ndërkohë që bankat vijojnë përpjekjet për t’i mbledhur), shoqëruar me ristrukturimin e huave të tjera problematike.

Banka e Shqipërisë ka bërë të ditur më herët se nga janari i vitit 2015 e deri në fund të gjashtëmujorit të parë 2017, bankat kanë fshirë nga bilancet e tyre 43 miliardë lekë ose 316 milionë euro.

Si rrjedhojë, pa fshirjen, kreditë me probleme do të ishin rreth 1.2 miliardë lekë, apo rreth 22% e totalit.

Banka e Shqipërisë ka sqaruar në raportin e mbikëqyrjes së 6-mujorit të parë se rënia e stokut të kredive me probleme është rezultat i ristrukturimit të kredive me probleme, shlyerjes së kredive të prapambetura të bizneseve dhe fshirjes së kredive të humbura nga bilancet e bankave.

Banka e Shqipërisë sqaron se cilësia e kredisë paraqitet më e dobët për kredinë në valutë, kredinë për bizneset dhe kredinë me afat të gjatë maturimi.

Banka e Shqipërisë në raportin e fundit të politikës monetare thotë se rënia e raportit të kredive me probleme tregon se bilancet e sektorit bankar po përmirësohen dhe se rreziku i kreditit po vjen drejt reduktimit./Monitor

Kartëmonedha e re 10 mijë lekëshe, me figurën e Asdrenit dhe vargjet e Himnit Kombëtar

$
0
0

Në mbledhjen e mbajtur sot, me datë 6 dhjetor 2017, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka miratuar tematikën e kartëmonedhës me kurs ligjor 10 mijë lekë të reja. Më poshtë është vendimi ku sqarohen edhe detajet për pamjen vizuale të kartëmonedhës.

Vendimi miratoi tematikën që do të pasqyrohet në kartëmonedhën shqiptare me kurs ligjor me vlerë 10000 lekë.

Kjo kartëmonedhë do të pasqyrojë figurën e poetit të njohur shqiptar, Asdrenit, kombinuar me simbolet figurative të “Flamurit Kombëtar”, si dhe një varg të zgjedhur nga “Himni Kombëtar”, që njihet edhe si Himni i Flamurit “ Rreth flamurit të përbashkuar/me një dëshir’ e një qëllim”.

Përpos të tjerave, Këshilli Mbikëqyrës miratoi tekstet shoqëruese që lidhen me emrin e bankës, vlerën nominale, si dhe përmasat e kartëmonedhës.

Doni të punoni në Gjermani? Ja kushti i vetëm për shqiptarët…

$
0
0

Gjermania ka lehtësuar procedurat për marrjen e vizës së punësimit nga vendet e Ballkanit Perëndimor duke u bërë thirrje njerëzve që të tërhiqen nga kërkesa për azil dhe të regjistrohen  për punë në ndonjë agjenci apo ndërmarrje.

Sipas “Die Welt”në Gjermani numri i vizave të punës për shqiptarë, boshnjakë dhe të tjerë nga Ballkani është rritur me 70% në tetë muajt e parë 2017.

Gazeta i kushton dy artikuj temës së punësimit të të huajve në Gjermani.

Ajo shkruan: “Një punë në Gjermani, shumë njerëz në vendet e Ballkanit Perëndimor e shohin këtë si të vetmen rrugëdalje nga papunësia në atdheun e tyre.

Aplikantët pjesërisht duhet të presin një vit derisa Ambasadat Gjermane në vendet e tyre t’u lëshojnë vizën e punës. Megjithatë në tetë muajt e parë të vitit është rritur me 70% në 63.000 numri i vizave të punës të lëshuara nga Agjencia Federale e Punësimit”.

Një në tre viza pune për vendet e treta, sipas këtyre të dhënave, i ka është dhënë një aplikanti nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Lehtësimi i procedurave për njerëzit nga vende si Shqipëria, Kosova apo Bosnjë-Hercegovina është aplikuar që nga fillimi i vitit 2016.

Arsyeja është: se në kulmin e fluksit të refugjatëve në vitin 2015 vinin edhe shumë azilkërkues nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Autoritet gjermane ishin të papërgatitur nga ky fluks duke qenë të mbingarkuara me refugjatët nga Siria.

Meqenëse për të ardhurit nga Ballkani arsyeja e largimit nga atdheu ishte ekonomike, qeveria federale vendosi, një rregullore të re: aplikantët të  kenë një ofertë konkrete pune nga Gjermania.

Kësisoj qysh nga viti 2016 kandidatë për punësim nga këto vende mund të aplikojnë për një vizë pune, përcjell DW.

Atyre nuk u kërkohet një kualifikim minimal apo pagë minimale, sikurse ndodh në rastin e së ashtuquajturës Blue Card, që është e parashikuar për specialistë.

Kryesisht vizat e punës janë lëshuar për punëtorë në degën e ndërtimit, por ka nevojë për krah pune edhe në sektorin e gastronomisë, të shërbimeve dhe të kujdestarisë për të moshuarit.

 

Aksioni antiinformalitet, Ahmetaj dhe Sejko paralajmërojnë bizneset me dy bilance

$
0
0

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, në kuadër të luftës kundër informalitetit, në një konferencë të përbashkët për shtyp me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, kanë theksuar fokusin e aksionit ndaj bizneseve të mëdha.

Ahmetaj theksoi se këto biznese punojnë me dy bilance dhe kanë sjellë kreditimin e keq në vend. Ndërsa guvernatori theksoi se nuk do t’u jepen më kredi atyre biznese të cilat punojnë me dy standarde.

“Ne angazhohemi të marrin vetëm një bilanc zyrtar që është pasqyruar në faturat tatimore. Janë dy aspekte për këtë nismë. Së pari, ulja e kredive me probleme në ekonomi. Kjo problematikë u trajtua gjerësisht në mandatin e parë. Grupi i punës hartoi një strategji me qëllim reduktimin e kredive me probleme, ku një ndër masat ishte dhënia e kredive vetëm në bazë të deklaratave tatimore. Ky plan masash është konsultuar edhe me bankat e nivelit të dytë. Duhet të vendoset një normë e re në marrëdhënien mes bankave dhe kompanive”- tha ministri Ahmetaj.

“Mungesa e financave kanë kontribuar në kreditë me probleme. Përtej ndikimit negativ që ka dhënë në shtimin e kreditimit të keq, sipërmarrësit janë përballur me sfida të paparashikuar prej tyre. Kredidhënia të mbështet vetëm në deklaratat tatimore. BSH e ka trajtuar dhe më parë këtë dukuri”, deklaroi Guvernatori Gent Sejko.

“Në këtë fazë kundër informalitetit kemi një fokus tek biznesi të madh. Deklarimi i pagave tejet të ulëta që nuk reflektojnë atë që është në të vërtetë. Përsëris thirrjen për reflektim qoftë nga sistemi bankar qoftë nga bizneset”, u shpreh më tej kreu i Financave./Monitor

Mandarina, prodhimet e Konispolit prezente në tregjet ndërkombëtare

$
0
0

Si çdo vit edhe sivjet u organizua “Festivali i Mandarines”. Në ceremoninë e promovimit të prodhimit të agrumeve, kryesisht të mandarinave, morën pjesë zv. Ministri i Bujqësisë kryetari i bashkisë së  Konispolit, Delvinës, si dhe të ftuar të tjerë.

Në zonën e Konispolit numërohen mbi 1 mijë fermer dhe rreth 800 hektare te mbjella me agrume. E vacanta është se në këtë zonë 3 pika grumbullimi, ndërkohë që një pjesë e konsiderueshme e mandarinës së Konispolit tashmë ka gjetur një shpërndarje mjaft të gjerë edhe në tregjet ndërkombëtare.

Viewing all 2663 articles
Browse latest View live