Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all 2663 articles
Browse latest View live

Tregu i pasurive të paluajtshme, ‘lavatriçe’ e parave të gjyqtarëve në Shqipëri

$
0
0

Investimet në pasuritë e paluajtshme të gjyqtarëve dhe prokurorëve përbëjnë burimin kryesor të dyshimeve për pastrim parash prej tyre, por transaksionet e kujdesshme dhe mungesa e koordinimit mes institucioneve të hetimit ka sjellë dështimin e vënies së tyre para drejtësisë. 

Në prag të nisjes së procesit të vettingut, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave-një institucion që kryen rolin e inteligjencës financiare në vend verifikoi pasuritë e 3150 personave: gjyqtarë, prokurorë dhe familjarë të tyre.

Kalimi në skaner i gjyqtarëve dhe prokurorëve, sipas DPPPP u krye në kuadër të ligjit “për rivlerësimin kalimtar…”, në bashkëpunim me institucionet e vetingut dhe Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI.

“DPPPP është angazhuar në kuadër të ligjit, duke iu përgjigjur organeve të vettingut dhe duke vënë në dispozicion të dhëna për transaksione financiare apo të dhëna mbi pasuritë e paluajtshme”,- iu përgjigj DPPPP një kërkese për të drejtë informimi të BIRN.

Investimet në tregun e pasurive të paluajtshme në Shqipëri përbëjnë terrenin më pjellor për transaksionet e dyshimta, që njësia e inteligjencës financiare ka diktuar mes gjyqtarëve dhe prokurorëve, por edhe zyrtarëve të tjerë të vendit, të cilat ajo i klasifikon si persona të ekspozuar politikisht, PEP.

E pyetur për rastet konkrete nga BIRN, koordinatorja e DPPPP u përgjigj se “…çështjet që janë në proces dhe të klasifikuara “sekret shtetëror” nuk mund t’i nënshtrohen procesit të deklasifikimit”.

Ndryshe nga Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave, kryetarja socialiste e Komisionit parlamentar të Sigurisë, Ermonela Felaj zbuloi për BIRN detaje të kontrolleve mbi të gjithë korpusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend, proces ky që i paraprin misionit të tre institucioneve të reja të rivlerësimit.

Duke iu referuar një seance dëgjimore me përfaqësues të DPPP, Felaj i tha BIRN se ky institucion ka bllokuar në 10 muajt e fundit 60 milionë euro në transaksione të ndryshme bankare, të cilat janë referuar më pas në Policinë e Shtetit si vepra penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”.

“Ndër trasaksionet bankare të bllokuara dhe mandej të referuara në Policinë e Shtetit…vendin me të parë e zënë transaksionet për pasuri të paluajtshme dhe mandej dhe biznese të ndryshme”,- tha Felaj për BIRN.

“Të hollat e përfituara në sajë të konsumimit të veprave penale, me subjekt gjyqtarë apo prokurorë janë investuar kryesisht në pasuri të paluajtshme, banesa, lokale, troje etj,” shtoi ajo.

Përgjatë dekadës së fundit, tregu i pasurive të paluajtshme ka qenë fusha kryesore e investimeve të njerëzve të sistemit të drejtësisë, të cilët përmes këtyre transaksioneve ia kanë dalë të shtojnë pasuritë e tyre. Investimi në kompani biznesi nga familjarët e tyre është gjithashtu një fenomen i përhapur mes tyre.

Të dhënat e analizuara nga BIRN përmes qindra deklaratave të pasurisë që gjyqtarët kanë dorëzuar ndër vite në ILDKPKI tregojnë se investimet në pasuri të paluajtshme zënë më shumë se 50 për qind të pasurisë së gjyqtarëve.

Sipas këtyre të dhënave, 81 gjyqtarët e Apelit zotëronin së bashku pasuri të paluajtshme në vlerën e 1 miliardë lekëve; 17 anëtarët e Gjykatës së Lartë në vlerën e rreth 700 milionë lekëve ndërsa 9 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese zotëronin së bashku rreth 200 milionë lekë pasuri të paluajtshme.

Pavarësisht dyshimeve të ngritura vazhdimisht për burimin e këtyre pasurive, hetimet e deritanishme nga institucionet e kontrollit dhe organet e zbatimit të ligjit kanë qenë minimale.

Gjatë viteve 2014-2017, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave i tha BIRN se ka referuar në institucione të tjera 28 raste të aktivitetit dhe transaksioneve të dyshimta nga persona të ekspozuar, PEP.

“Raportime ku përfshihen edhe gjyqtarë e prokurorë si PEP, raportime që lidhen kryesisht me investime në pasuri të paluajtshme,” shtoi DPPP.

Njësia e inteligjencës financiare nuk është institucioni i vetëm që ka referuar informacione mbi pastrimin e parave në institucionet e zbatimit të ligjit. Gjatë viteve 2014-2014, edhe Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ngriti një numër të konsiderueshëm padish për gjyqtarë dhe zyrtarë të tjerë të lartë, por vetëm pak prej këtyre rasteve janë dërguar në Gjykatë nga Prokuroria.

Transaksionet e kujdesshme:

Prej vitit 2014, sistemi i drejtësisë në Shqipëri është përfshirë në një reformë drastike që synon pastrimin nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. Në qendër të kësaj reforme janë vendosur tre institucionet e vetingut, të cilat do të skanojnë pasuritë, lidhjet me krimin e organizuar dhe aftësitë profesionale të njerëzve të drejtësisë.

Por ky proces i ri pritet të ngrihet mbi gjurmët e pakëta që institucionet e hetimit në vend kanë lënë në çështjet e proceduara dhe të gjykuara ndaj njerëzve të drejtësisë.

Alket Hyseni, deputet i Partisë Socialiste dhe ish-drejtues për më pak se një vit i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave gjatë vitit 2016 i tha BIRN se rastet e transaksioneve të dyshimta të gjyqtarëve dhe prokurorëve kanë qenë të pakëta.

“Ka pasur raste të dyshimta me përfshirje gjyqtarësh dhe prokurorësh, por duhet të themi që kanë qenë të pakëta, për arsyen e thjeshtë se në DPPPP merren njoftime/sinjalizime për transaksionet, shitblerjet formale etj.”,- tha Hyseni.

“Pjesa më e madhe e PEP janë shumë të kujdesshëm në transaksionet që kryejnë”,- shtoi ai.

Vështirësisë së hetimit të veprave të tilla si pastrimi i produkteve penale i mëshon edhe kryetarja e Komisionit të Sigurisë, Felaj, e cila i tha BIRN se në të shkuarën edhe Kodi Penal nuk ka qenë ndihmues.

Nenet që adresojnë veprën e pastrimit të parave në Kodin Penal kanë pësuar ndryshime të vazhdueshme gjatë viteve 2003-2013, çka sipas Felajt ka adresuar edhe vështirësitë e hasura më parë.

Megjithatë, ndryshime të reja mund të jenë të nevojshme, veçanërisht në lidhje me transaksionet e kryera në zonat Tax Free.

“Në takim me drejtuesit e DPPP u ngrit si nevojë aksesi në veprimet me TAX FREE, veprime që nuk lënë gjurmë në sistemin bankar, por që të dhënat mund të tregonin për shuma të mëdha të hollash që përdoren për sende luksi, për veshje dhe aksesorë të tjerë tejet të kushtetueshëm e që nuk mund të justifikohen me të ardhurat e fituara nga puna apo veprimtari të ligjshme”,- tha Felaj.

Përveç parave të fituara përmes korrupsionit, ekspertët i bien këmbanave të alarmit edhe për bashkëpunimin e gjyqtarëve apo prokurorëve me elementë të krimit të organizuar, duke vjelur edhe përfitime financiare prej tyre. Hekuran Vladi, një ekspert i pavarur që ka drejtuar më parë Agjencinë e Administrimit të Pronave të Sekuestruara i tha BIRN se sipas informacioneve që ai zotëron, një pjesë e avokatëve, prokurorëve apo gjyqtarëve janë përfshirë në afera të drejtpërdrejta apo të tërthorta me subjekte të krimit të organizuar.

“Kjo përfshirje është kryesisht në formën e investimit në pasuri të patundshme, ndërmarrje të import-eksportit apo subjekte të shitjes së mallrave të akcizës si nafta apo bizhuteritë,” tha Vladi.

Ai hedh dyshime se këta zyrtarë përbëjnë edhe lobin kryesor të trafikimit të çështjeve të mëdha gjyqësore, duke theksuar se tashmë korrupsioni i dikurshëm ka kaluar në një stad të ri.

“Ka kaluar në stadin e shkëmbimit të favoreve mes eksponentëve të rëndë të sistemit”,- shton ai.

Risitë e vettingut

Përgjatë viteve të fundit, institucione të ndryshme në vend ia kanë hedhur fajin njëra-tjetrës për situatën e pandëshkueshmërisë mes zyrtarëve të lartë, sa i përket veprave penale të korrupsionit apo të pastrimit të parave që rrjedhin prej tij.

Pingpongu i akuzave pranohet për BIRN edhe nga deputetët e mazhorancës, Ermonela Felaj dhe Alket Hyseni.

“Kjo është çështje që është adresuar me shkrim në instancat e duhura, përfshirë edhe komisionet parlamentare kur është kërkuar. Sot nga ana ligjore një tjetër realitet, pasi vendimet e pushimit për çështjet penale nuk merren me nga prokurori por me dakordësinë e gjykatësit…, tha Hyseni për BIRN.

Sipas ekspertit Vladi, loja “polici-prokurori” apo në rastin e pastrimit të parave, loja “DPPPP-Prokurori” është një manovër e zakonshme, e cila sipas tij është përdorur me të njëjtën regji për vite me radhë.

“Kemi parasysh se korrupsioni dhe kontrabanda janë dy nga burimet kryesore të “parasë së zezë” në vend. Dhe të dyja këto kanë burim, apo partner vetë institucionet e qeverisë. Pra, vartësia nga qeveria, përkatësisht nga Ministria e Financave e bën këtë drejtori jo-ekzistente”,- shtoi ai.

Dështimi i institucioneve në të shkuarën për të çuar përpara drejtësisë zyrtarë të përfshirë në pastrimin e parave nuk shihet si pengesë për procesin në prag të vettingut, që sipas deputetëve të intervistuar nga BIRN do të funksionojë në një terren koordinimi të gjerë mes institucioneve.

Si Ermonela Felaj ashtu edhe Alket Hyseni e vunë theksin tek rëndësia e kryqëzimit të informacioneve të mbledhura nga institucione të ndryshme, si garanci për sukses në këtë process.

Sipas Felajt, përfshirja e një sërë institucionesh në proces, të tilla si DPPPP, Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar si dhe Inspektoriati i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive është veprimi i duhur.

“Vihen në veprim njëherazi  institucione që kanë një veprimtari të ndërlidhur, që japin dhe marrin njëri me tjetrin dhe që kanë mundësi që nisur nga database që disponojnë, të nxjerrin konkluzione të thelluara dhe të plota,” tha deputetja Felaj për BIRN.

Deputeti Hyseni bie dakord me Felajn sa i takon koordinimit të gjerë mes institucioneve, ndërsa thekson se nevojiten përmirësime në zbatimin praktik.

“Suksesi në pikasjen e korrupsionit të zyrtarëve të lartë mbetet të kryqëzimi i të dhënave të shumta, përgjimet, lidhja me pasuritë që zotërojnë de facto etj, procese këto që ende kanë nevojë për përmirësim në aspektin e zbatimit praktik”,- përfundoi ai./BIRN/


Ahmetaj: 2016-a, viti i parë me sufiçit buxhetor në 25 vite

$
0
0

Në seancën e kësaj të enjte në Kuvend po diskutohet edhe projektligji për miratimin e buxhetit faktik të shtetit për vitin 2016.

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj e ka vlerësuar 2016-ën si të parin vit në 25 vite që është mbyllur me me sufiçit buxhetor.

Gjithashtu Ahmetaj e vlerësoi vitin e kaluar si të suksesshëm edhe në luftën kundër informalitetit.

“2016-a, viti i parë me sufiçit buxhetor në 25 vite. 2016-a viti i avancimit të anti-informalitetit. Investimet vazhdojnë të jenë gjeneratori kryesor i rritjes ekonomike”, deklaroi Ahmetaj nga foltorja e Kuvendit.

Një tjetër pikë ku ndal Ahmetaj për 2016-ën, ka qenë edhe borxhi publik, për të cilin ministri i Financave theksoi se në vitin që kemi lënë pas filloi trajektoren rënëse.

“2016 ndau dy kohë dhe korrektoi të gjithë trashëgiminë e borxhit. Shënoi vitin e parë që lamë pas krizën dhe u larguam nga skenari grek”, u shpreh Ahmetaj.

Raporti i PNUD: Taksa progresive “varfëroi” shtresën e mesme, gjysma ulën konsumin

$
0
0

Një raport i PNUD Albania, i publikuar së fundmi, ka analizuar mënyrën sesi ka ndryshuar varfëria në vend, kush ka hyrë dhe ka dalë nga kjo kategori ndalet dhe si ka qenë në konsum efekti i taksimit mbi të ardhurat, i cili ndryshoi në fund të vitit 2013, duke kaluar në sistemin progresiv deri në 13% për pagat mbi 130 mijë lekë nga 10% që ishte më parë (në të dy rastet pagat deri në 30 mijë lekë kishin tatim zero).

“Ekuacioni i konsumit përfshin variablat mbi moshën dhe vitet e shkollimit për kreun e familjes, rajonin dhe statusin e punësimit me të ardhura të plotësuara nga burimet e të hyrave jashtë punës në të tilla si remitancat, të ardhurat nga kapitali dhe çdo transferim social që merr familja. Konsumi i parashikuar për vitin 2008 dhe 2014 u krahasua me konsumin e sotëm dhe shpërndarjen e familjeve sipas grupit të konsumit. Konsumi u vlerësua me dhe pa nivelin e ri të taksës mbi të ardhurat e aplikuar në vitin 2013”, thuhet në raport.

Rezultatet tregojnë se shpërndarja agregate e popullsisë sipas grupit të konsumit (të varfër, në nevojë dhe klasa e mesme) nuk ka ndryshuar shumë nga 2008-2014, ku familjet në nevojë janë tkurrur me 3.4%. Përqindja e kryefamiljarëve që jetojnë në varfëri në vitin 2014 u rrit me 1% krahasuar me vitin 2008, ndërsa klasa e mesme u zgjerua me rreth 2.8% gjatë kësaj periudhe. Nëse nuk do të kishte pasur një ndryshim nga taksa e sheshtë tek tatimi progresiv, konsumi i parashikuar në krahasim me konsumin aktual tregon se varfëria do të kishte rënë dhe klasa e mesme do të zgjerohej me 2.5% më shumë” (shih foto)

Pra nëse në fuqi do të ishte taksa e sheshtë dhe jo ajo progresive parashikimi tregon se do të kishim një rënie të varfërisë dhe një zgjerim akoma edhe më të madh të shtresës së mesme.

“Pavarësisht faktit se në përgjithësi nuk ka ndryshime thelbësore mes grupeve të ndryshme të konsumit, lëvizja nga 2008 në 2014 është e dukshme. Duket se shumica e kësaj lëvizjeje ka zbritur familjet në kategorinë e të qenët në nevojë ose të varfër në 2014. Gjysma e familjeve që i përkisnin klasës së mesme në kategorinë e konsumit në 2008 kaluan në grupin e atyre në nevojë dhe në varfëri në 2014. Ndërkohë që 17% e familjeve me tendencë drejt varfërisë u bënë të varfër në 2014”, vlerëson PNUD.

Edhe një raport i fundit i INSTAT mbi matjen e nivelit të jetesës konfirmoi rritjen e pabarazisë në Shqipërisë./Monitor

Punime në rrjet, OSHEE: Zonat në Tiranë ku do ketë kufizime të energjisë elektrike

$
0
0

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka njoftuar se do të ketë kufizime të energjisë elektrike në disa zona të kryeqytetit si pasojë e disa punimeve në nënstacionin Traktora.

Kufizimet e energjisë elektrike do të jenë nesër në datë 3 nëntor nga ora 05:00-deri në 06:00.

Pa energji do të jenë: Ndroq, Pezë, Kashar (pjesërisht), Fushë Mezez, Zona e Fushë Misto Mame, Yzberisht, Kombinat.

Punimet janë ne kuadër te investimit për fuqizimin e nenstacionit Traktora.

Vijon rënia e euros, ekspertët: Ofertë e lartë në valutë dhe pak lekë në qarkullim

$
0
0

Monedha e përbashkët prej ditësh ka vijuar zhvlerësimin në tregun vendas, ku sot është këmbyer në nivelin e 133.42 lekëve sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë.

Pas datës 5 tetor, kur euro shënoi dhe nivelin më të lartë të muajit prej 133.86 lekëve, euro ka hyrë në një trend rënës edhe pse me diferenca të vogla. Ndërkohë në tregjet ndërkombëtare euro ka vijuar të mbetet e fortë duke u luhatur në nivelin e 1.165 dollarëve.

Mos-reflektimi i nivelit të euros në tregjet ndërkombëtarë në atë vendas sipas ekspertëve të këmbimit valutor argumentohet me faktin niveli i këmbimit euro/lek në Shqipëri kursi ndikohet vetëm prej faktorëve të brendshëm. Tradicionalisht, pas përfundimit të sezonit veror, vjeshta

Sipas tyre niveli aktual i këmbimit dhe rënia e euros është reflektim ofertës së madhe të valutës në treg dhe i qarkullimit të ulët të lekut në vend.

Ekspertët thonë se aktualisht ka një nivel të ulët të qarkullimit të lekut nga bizneset, ku sipas tyre muaji tetor dhe nëntor, por edhe shkurt njihen për rënien e konsumit. Transaksionet kanë qenë në nivele minimale dhe njësitë ekonomike nuk kanë bërë shpenzime.

Megjithatë ngurrojnë të shpjegojnë ofertën e lartë të valutës në treg.
Monedha e përbashkët ka pasur një periudhë të dobët në tregun vendas, duke arritur nivelin më të ulët të nëntë viteve në 27 qershor, kur u këmbye 131.9 lekë.

Që prej fundit të vitit 2016, euro në tregun vendas po luhatet afër niveleve më të ulëta të 9 viteve, ku faktori kryesor mbetet ofertat e lartë e valutës në tregun vendas, që ka ardhur kryesisht nga hyrjet e valutës nga aktivitete të paligjshme, por edhe si rrjedhojë e përmirësimit të dukshëm të bilancit të pagesave (shtimit të turistëve dhe rritjes së eksporteve të shërbimeve).

Euro e fortë në bursë mban dollarin në nivele të ulëta
Zhvillimet në tregjet ndërkombëtare reflektohen në përgjithësi në monedhat e tjera, duke ruajtur kështu raportet e këmbimit midis monedhave, argumentojnë ekspertët. Dollari amerikan është këmbyer në nivelin e 114.59 lekëve, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë. Euro, e fortë në tregjet ndërkombëtare, por e zhvlerësuar në vend, ka tërhequr dollarin në nivele më të ulëta të këmbimit se sa fillimi i vitit, ku ishte afër nivelit të 130 lekëve të këmbimit. /Monitor/

Shkolla ka, por nuk ka punë: Shqiptarët me shpenzimet më të larta për arsimin në Europë

$
0
0

Mjedisi shqiptar prodhon politikë më shumë se çdo produkt tjetër. Këtë e tregon edhe lista e partive që njihet zyrtarisht nga ministria e Financave për financime.

Në listën e njësive shpenzuese që shoqëron projektbuxhetin 2018 janë 89 parti politike të listuara, ndër to edhe ajo komuniste qe do të financohem nga buxheti i shtetit. Krahas partive të njohura tashmë ka emra të padëgjuar ndonjëherë për publikun, por që në të vërtetë financohen nga taksat e tyre.

Por numrit të madh të partive politike i korrespondon një shumë e vogël financimesh nga buxheti, me vetëm 190 milionë lekësh ose rreth 1.3 milionë eurosh. Sikur kjo shumë do të ndahej në mënyrë të barabartë ndërmjet partive, vlera e përfituar për secilën nuk do të mjaftonte as për mirëmbajtjen e zyrës dhe qiranë e saj.

Pavarësisht numrit në rritje të partive politike nga viti në vit, fondet publike ndaj tyre nuk kanë ndryshuar. Ato ndër vite kanë qëndruar rreth 200 milionë lekë madje vitin që vjen parashikohet një ulje e tyre me rreth 5 për qind.

Shuma më të mëdha të financimeve publike i përfitojnë tre partitë e mëdha, PS, PD dhe LSI. Por ndër vite burimi i financimit të partive ka lënë vend për diskutime në lidhje me transparencën e financimit të tyre nga burimet e tjera.

Ekspertë të politikes e vlerësojnë të madh numrin e partive të politike në vendin në krahasim me popullsinë e vendit, e cila po tkurret në mënyrë të shpejtë prej rënies së numrit të lindje dhe niveleve të larta të emigracionit.

Pavarësisht partive të shumta politike, Shqipëria vlerësohet si një vend me demokraci të brishtë dhe jo funksionale, ndaj inflacioni politik më shumë ka krijuar kosto se sa përfitime./Monitor

Konkurrenca miraton shitjen e 90% të aksioneve të INSIG Jetë sh.a tek Samir Mane dhe Shefqet Kastrati

$
0
0

Autoriteti i Konkurrencës ka dhënë autorizimin e fundit  lidhur me shitjen dhe transferimin e 90% të aksioneve të Insig Jete sh.a tek dy sipërmarrës të njohur, Samir Mane dhe Shefqet Kastrati.

Në një njoftim zyrtar, Konkurrenca bëri me dije, se me anë të vendimit nr. 478 datë 26.10.2017, vendosi të autorizojë përqendrimin e realizuar nëpërmjet përftimit të kontrollit mbi shitjen dhe transferimin e kuotës prej 90% të ndërmarrjes INSIG Jete SHA, nga Eurosig SHA tek  z. Shefqet Kastrati dhe z. Samir Mane, pasi ky përqendrim nuk shfaq shenja të kufizimit të konkurrencës në treg, ose në një pjesë të tij në veçanti, si rezultat i krijimit, ose forcimit të pozitës dominuese.

“ Nga analizat e kryera konstatohet se pas transaksionit nuk pritet të ketë ndryshime në strukturën e tregut të sigurimeve të jetës ku ushtron veprimtarinë shoqëria Insig Jeta SHA, pasi ky transaksion nuk do të shkaktojë mbivendosje horizontale të veprimtarive të palëve si dhe tregjeve të prekura” thuhet në njoftimin e Konkurrencës.

Transaksioni 3.5 milionë euro

Sipas transaksionit të regjistruar në datën 26 maj, publikuar më herët nga Monitor, është bërë depozitimi i vendimit të shoqërisë INSIG Jete sh.a, datë 10.05.2017, ku është vendosur: – Shitja e 90% të kuotave të shoqërisë nga ortaku EUROSIG SHA në favor të Shefqet Kastrati (45%) dhe Samir Mane (45%). Depozitimi i shoqërisë EUROSIG SHA, datë 24.04.2017. 10% të aksioneve do të vijojnë të jenë në pronësi të Eurosig.

Në kontratën e shitjes së aksioneve, specifikohej se Blerësi do t’i paguante shitësit një shumë totale prej 473,305,500 lekësh, ekuivalente në euro 3.5 milionë euro, me kursin prej 135.23 lekë.

Kësti i parë prej 20 milionë lekësh (10 milionë lekë nga secili blerës) është paguar tashmë, ndërsa kësti i dytë (226.6 milionë lekë secili aksioner) do të paguhet brenda 24 muajve të ardhshëm.

Kontrata e shitjes së 90% të kuotave të shoqërisë INSIG JETE tek dy sipërmarrësit e njohur u nënshkrua më 10 maj.

Ndërsa për Samir Manen, kreun e shoqërisë Balfin Group, kjo është një nismë e re, për pronarin e shoqërisë Albsig dhe grupit Kastrati, Shefqet Kastrati, sigurimet janë një terren i njohur, pasi ai është aksioner i Albsig./Monitor

Ja 40 femrat më të mëdha sipërmarrëse në Shqipëri

$
0
0

Cilat janë femrat më të mëdha sipërmarrëse për vitin 2016 dhe sa fitojnë bizneset në pronësi të tyre? Pse subjektet e drejtuara nga gratë kanë norma shumë më të ulëta fitimi sesa ato të meshkujve. Si ka ndryshuar renditja në vite…

Nga Ornela Liperi, Monitor

Janë të heshtura, punojnë fort, nuk korruptohen lehtë dhe si rrjedhojë, qëndrojnë larg bizneseve tradicionale me fitime të larta, të lidhura me pushtetin me fitime, çka bën që të kënaqen me pak. Pavarësisht vështirësive të të bërit biznes në një treg me informalitet dhe konkurrencë të lartë, Shqipërisë nuk i mungojnë femrat sipërmarrëse, të cilat kanë në pronësi biznese VIP dhe qarkullojnë miliona.

Vetëm, apo me ndihmën e bashkëshortëve, kanë arritur të ngrenë e të mbajnë në këmbë subjekte të fushën e industrisë përpunuese, tregtisë, ndërtimit, agjencive turistike, naftës etj.

“Monitor” ka përpunuar për të tretin vit radhazi të dhënat e kompanive më të mëdha në Shqipëri, sipas qarkullimit vjetor, duke hartuar listën e 40 femrave më të mëdha sipas qarkullimit vjetor. Në renditje janë përfshirë bizneset, që kanë të paktën një aksionere femër me minimumi 30% të aksioneve. Për shumë prej tyre bie në sy profili i ulët që kanë mbajtur. Nuk janë të njohura në publik, është e vështirë t’u gjesh foto në internet, por kjo nuk i ka penguar të jenë në suksesshme në bizneset që kanë në pronësi.

Edhe këtë vit, në listë janë sipërmarrëse të suksesshme prej vitesh, si Vilma Nushi, Donika Mici, Merita Sheqi, Eleni Babameto, Donika Gega. Nuk mungojnë hyrjet e reja të bizneseve të drejtuara nga femrat, që më së shumti janë në tregti, me vlerë të ulët të shtuar dhe pa ndikim në punësim apo pagimin e taksave.

Ajo që bie në sy është norma e ulët e fitimit e bizneseve që janë në pronësi të sipërmarrëseve, në krahasim me bizneset e drejtuara nga meshkujt, mesatarisht 2-3% e të ardhurave janë fitime. (shih nënndarjen: Pse femrat fitojnë më pak). “Femrat janë më të tërhequra dhe më korrekte me shtetin”, thotë Donika Mici, sipërmarrësja më e madhe në vend për sa i përket numrit të të punësuarve. “Femra nuk ka asnjë përparësi në biznes”, shton ajo, teksa pohon se sot, në të gjithë botën, shoqëritë ku drejtojnë femrat, janë më të pastra.
Po cilat janë sipërmarrëset më të mëdha në vend, sipas qarkullimit vjetor dhe sa fitojnë bizneset në pronësi të tyre?

Anisa Skëndaj

Sipërmarrësja më e madhe në vend, sipas qarkullimit vjetor, është për të tretin vit radhazi Anisa Skëndaj. Kompania Info Telecom, ku ajo ka 60% të aksioneve, realizoi 12.5 miliardë lekë të ardhura. Kompania ka aktivitet si ndërmjetësuese në fushën e telekomunikacionit. Po në fushën e telekomunikacioneve, subjekti DigiCom (shërbime interneti, telefonie, fibra optike, linja me qira, VoiP), i krijuar në korrik 2014, ka realizuar të ardhura prej 171 milionë lekësh.

Sipërmarrja tjetër, ku znj. Skëndaj ka 30% të aksioneve, është Professional Marketing Albania, e themeluar që në vitin 2011, me aktivitet në call center dhe të ardhura vjetore 1.2 miliardë lekë.
Tek të dyja kompanitë, fitimi para taksave në total ishte 345 milionë lekë (DigiCom është ende me humbje). Në bazë të kuotës së aksioneve, fitimet e znj. Skëndaj ishin 184 milionë lekë, ose rreth 1.3 milionë euro. Norma e fitimit varion nga 2.1% tek Info Telecom në 6.6% tek Professional Marketing Service.

Vilma Nushi

Vilma Nushi është një prej sipërmarrëseve të para të pas viteve ’90, e cila ka mbajtur gjithnjë një profil të ulët në publik. Kompania Marketing & Distribution (M&D), ku ajo ka 100% të aksioneve, është krijuar në vitin 1997 dhe është një prej distributorëve më të mëdhenj në vend. Marketing & Distribution realizoi të ardhura prej 10.4 miliardë lekësh në vitin 2016 dhe kishte 324 të punësuar. Fitimet para taksave ishin 318 milionë lekë, me një normë kthimi rreth 3%.

Dy kompanitë e saj, M&D dhe 3P Life Logistic (që realizon Koncesioni për kontrollin mjekësor 40-65 vjeç dhe ku M&D ka 80% të aksioneve) deklaruan fitime para taksave prej 389 milionë lekësh në vitin 2016, apo rreth 2.8 milionë euro, duke e bërë sipërmarrësen femër me fitimet më të larta.

Femrat e familjes Hoxha

Prej vitesh, femrat e familjes Hoxha (Vjollca, Lorela, Sara, Ledia) po menaxhojnë bizneset në fushën e televizionit, radios dhe përpunimit të kafesë. DIGITALB, platforma më e madhe televizive, ku ato kanë rreth 41% të aksioneve, është biznesi më i madh i familjes. Në Top Channel, Valtelina (përpunim i kafesë) dhe VGA (botim e prodhim reklamash), pronësia është 100% e familjes.

Të gjitha bizneset e grupit, në total, kishin të ardhura prej 7.9 miliardë lekësh në 2016-n dhe fitime prej 225 milionë lekësh, ndërsa përqindja e fitimeve, sipas peshës në kompanitë përkatëse, është rreth 132 milionë lekë (më pak se 1 milion euro).

Merita Sheqi

Merita Sheqi e ka nisur aktivitetin e biznesit që në vitin 1999, së bashku me bashkëshortin dhe sot është sipërmarrëse e kompanisë më të madhe të tregtimit të produkteve farmaceutike në vend, Rejsi Farma. Kompania realizoi të ardhura prej 3.6 miliardë lekësh në vitin 2016, me një rritje prej 14% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Këmbëngulja, personaliteti, kuraja dhe puna për t’i dhënë kompanisë standarde europiane e kanë karakterizuar gjithnjë znj. Sheqi, duke bërë që sipërmarrja që ajo drejton të dallohet në treg.

Në vitin 2014, ajo ka krijuar dhe sipërmarrjen R&S FARMA, me aktivitet “Tregti me shumicë e pakicë të medikamenteve, artikujve farmaceutikë e kozmetikë”, i cili është rritur me shpejtësi, duke realizuar të ardhura prej 606 milionë lekësh në 2016-n. Të dyja kompanitë kishin fitime prej 164 milionë lekësh (1.2 milionë euro) në vitin 2016.

Donike Gega

Donike Gega zotëron 100% të aksioneve të GEGA CENTER GKG, kompani e cila është krijuar në vitin 2006 dhe si aktivitet ka “Tregtimin me pakicë të karburanteve e lubrifikanteve, pikë gazi e transport i tij”. Ajo është bërë aksionere e kompanisë që prej fillimit të vitit 2012.

Për vitin 2016, të ardhurat e kompanisë ishin 3.2 miliardë lekë, ndërsa fitimet arritën në rreth 160 milionë lekë (gati 1.2 milionë euro).
Znj. Gega është aktive në bizneset e familjes Gega, teksa është administratore edhe e Gega Oil dhe anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të “Genklaudis”, një prej sipërmarrjeve më të mëdha të tregtimit me shumicë të naftës në vend.

Donika Mici

E cilësuar edhe si “mbretëresha e këpucëve”, Donika Mici është punëdhënësja më e madhe femër në vend, me rreth 1800 të punësuar në Donniana, Dophil, Rozimpex. Znj. Mici është nga të parat e cila guxoi të mbyllte ciklin e prodhimit të këpucëve dhe sot ka dalë direkt në tregjet botërore. Të ardhurat e tre kompanive ishin 2.9 miliardë lekë në vitin 2016, me rritje 5% me bazë vjetore. Fitimet para taksave të tre kompanive ishin 85 milionë lekë, ndërsa sipas peshës së aksioneve të znj. Mici, arritën 30 milionë lekë.
Krahas këpucëve, znj. Mici ka hapur në vitin 2016 aktivitet për prodhimin e çantave të lëkurës, nëpërmjet DonaElegant.

Hyrjet e reja

Ina Topalli SzymaÅ„ska (Global Resource Trading); Alba Nicoli (ALPI-COM HOLDING); Elida Flora (R.E.K-NB) janë hyrje të reja në dhjetë të mëdhatë sipas qarkullimit vjetor, me të ardhura që luhaten midis 3-3.8 miliardë lekë, por më shumë sesa aktivitet real, ato raportojnë xhiro të lartë, për shkak të natyrës tregtare të aktivitetit.

Një tjetër hyrje është Melika Leka, me kompaninë e përpunimit të sallamit, EHW, e cila këtë vit renditet ndër sipërmarrëset më të mëdha, teksa Luan Leka, në prill 2016, ka kaluar një kuotë të aksioneve prej 33% tek bashkëshortja, sipas deklarimeve në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

EHW në vitin 2016 ka deklaruar bilanc të konsoliduar, së bashku me Dilo (uji Qafë Shtama) dhe Conad Albania, çka ka bërë që xhiro e kompanisë të kërcejë në rreth 5 miliardë lekë. Fitimet arritën në 302 milionë lekë.

Romina Ylli

Që prej vitit 2013, Romina Ylli (Shemaj) është në listën e sipërmarrëseve më të mëdha në vend për nga xhiro, me kompaninë e tregtimit me shumicë të karburanteve AFT, ku ajo zotëron 100% të aksioneve. Në vitin 2016, të ardhurat e AFT arritën në 2.8 miliardë lekë, ndërsa fitimet para taksave ishin rreth 31 milionë lekë. Kompania është në gjurmën e “Shemaj sh.p.k.” në vitin 1994, ku kompania kishte aktivitet në sektorin e tregtimit me pakicë të naftës. Me rritjen e përvojës, numrit të klientëve dhe kërkesës, u krijua AFT, me aktivitet në tregtimin me shumicë, që tashmë synon edhe zgjerimin në Maqedoni, sipas të dhënave zyrtare.

Mimoza Çobo

E krijuar në vitin 2005, shoqëria D E N I S A, është 100% në pronësi të znj. Denisa Çobo. Kompania, sipas ekstraktit në QKB, ka aktivitet në tregti, import-eksport njëkohësisht dhe prodhim: të artikujve të ndryshëm industrialë, artikujve ushqimorë, kancelari dhe artikuj, konfeksione e tekstile, makineri e pajisje.
Për vitin 2016, të ardhurat e subjektit ishin 2.4 miliardë lekë, ndërsa fitimi para taksave arriti në 63.5 milionë lekë.

Eleni Babameto

Teuta Durrës, me aktivitet në fushën e importimit dhe eksportimit, paketimit, prodhimit të brumërave dhe tregtimit të artikujve ushqimorë, prej më shumë se 20 vitesh drejtohet nga çifti i bashkëshortëve Eleni dhe Arben Babameto, me nga 50% të aksioneve secili. “Sipërmarrja sot është shumë më e organizuar, ka departamente të ndryshme, si prodhimi, financa, shpërndarja, transporti, marrëdhëniet me publikun, personelin, ku secili vepron në mënyrë të pavarur, por dhe të harmonizuar me njëri-tjetrin, duke ndihmuar dhe jo duke penguar njëri-tjetrin”, thotë ajo.
Në vitin 2016, të ardhurat e kompanisë ishin 2.2 miliardë lekë dhe fitimet rreth 92 milionë lekë.

Në drejtim të televizioneve

Me bashkëshortët apo vetëm, femrat të cilat kanë në pronësi televizionet më të mëdha, nuk mungojnë. Vjollca Hoxha me fëmijët tashmë ka marrë në pronësi të gjithë televizionin Top Channel, më i madhi në vend për sa u përket të ardhurave, ndërsa ka një kuotë zotëruese prej 51% të aksioneve në platformën televizive me pagesë Digitalb (së bashku me 4 fëmijët).

Alba Ginaj ka në pronësi 40% të aksioneve të TV Klan dhe 20% në ABC News. Femrat e familjes Dulaku kanë pasur shumicën zotëruese edhe në platformën televizive me pagesë, Tring TV, por në dhjetor 2016 Holta Dulaku (e cila kishte 33% të aksioneve), Melina Dulaku – 33%; Ridvana Dulaku – 34% kanë shitur 80% të aksioneve te Sotiraq Toshi dhe kanë mbajtur të tria 20% të aksioneve për 200 milionë lekë, sipas deklarimeve në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Pasioni i turizmit

Entela Mehmeti e ALBTOURS”D”-VAS tour-operator; Eleonora Gjonpalaj e Globus Travel; Vojsava Bardhidhe Jeta Bardhi të Savatours janë në listën e sipërmarrëseve më të mëdha femra, me xhiro përkatësisht 1.9 miliardë lekë, 1.8 miliardë lekë dhe 752 milionë lekë.

Në vite, ato janë rritur dhe kanë shtuar gamën e shërbimeve që ofrojnë për klientët, që i ndihmojnë të pushojnë në çdo cep të botës.

Fitimet më të larta i kishte Sava Tours, me 73 milionë lekë në vitin 2016.

Agjencitë e udhëtimit, që prej vitit 2015, janë në listën e sipërmarrjeve më të mëdha në vend sipas xhiros, edhe për shkak të një ndryshimi në mënyrën e raportimit të agjencive të udhëtimit, ku në të ardhurat përfshihet vlera totale e shitjeve të biletave e shërbimeve të ngjashme, në ndryshim nga periudhat paraardhëse, ku të ardhurat përfaqësonin komisionet e përfituara nga shitja e biletave dhe shërbimeve.

Pse femrat fitojnë kaq pak

Norma mesatare e fitimit para taksave e kompanive më të mëdha, të cilat kanë të paktën një aksionere femër me 30% të aksioneve, ishte 3.3% në vitin 2016, me një rënie të lehtë vitin e mëparshëm, kur rezultonte gati 3.7%. Kjo është shumë më e ulët se norma e fitimit për të gjithë prodhuesit e të mirave dhe shërbimeve në treg prej rreth 9%, sipas të dhënave që raportohen në anketën strukturore të ndërmarrjeve të INSTAT.

Donika Mici thotë se arsyeja kryesore lidhet me faktin se këto biznese kanë më pak informalitet. Duke punuar sipas rregullave, mundësitë e fshehjes së të ardhurave janë më të ulëta. Së dyti, ato, në pjesën dërrmuese, nuk janë biznese strategjike në rrugë, hidrocentrale, naftë, gaz e punë publike, që janë sipërmarrje me fitime të garantuara dhe norma të larta kthimi. “Bizneset me marzhe të mëdha fitimi janë gjithmonë në duart e meshkujve”, thotë znj. Mici.

Bizneset me norma më të larta fitimi

Nga sipërmarrjet në pronësi të femrave të cilat kanë norma më të larta kthimi (fitim para taksave/ardhura) renditen TV Klan (25%); ELBA. e Elda Tomçinit, me normë 18%, ABCONS e Arta Gurabardhit.
Në vitin 2015, kompania me fitimet më të larta ndër sipërmarrëset femra, por edhe ndër më të lartat në vend, ishte ABCONS, që punon si nënkontraktor i gazsjellësit TAP, me rreth 6 milionë euro fitim dhe normë kthimi prej 37%. Në vitin 2016 ranë në rreth 1.5 milionë euro, duke mbetur sërish ndër kompanitë me fitime më të larta.


Tatimet paralajmërojnë: Bizneset duhet të deklarojnë pagat reale të punonjësve

$
0
0

Pas kontrolleve në terren, tatimet, që janë në kulmin e aksionit antiinformalitet, e kanë përqendruar vëmendjen tek deklarimi i punonjësve dhe pagave reale të tyre.

Në një njoftim që u është dërguar së fundmi bizneseve, tatimet i kanë ftuar subjektet që të përmbushin vullnetarisht detyrimet tatimore, përmes vlerësimit të deklaratave. Konkretisht subjekteve u kërkohet ulja e tepricës kreditore; rritja e numrit të punonjësve të përfshirë në skemën e sigurimeve shoqërore si dhe deklarimin real tëp agave të punonjësve të specializuar dhe të administratës.

Edhe më herët drejtues të tatimeve kishin paralajmëruar se do të përqendroheshin në deklarimin e pagave reale të punonëjsve. Drejtoresha rajonale e Tatimpagueve të Medhenj gjatë një takimi pak javë më parë me Dhomën Amerikane pohoi se përsa i përket punësimit, kontrollet s’do të jenë më për sigurimin, por për nivelin e pages.

Mosdeklarimi i pagave reale është një nga format më të përhapura të evazionit në vend. Shumë subjekte i deklarojnë punonjësit me pagë minimale, ose me paga që janë larg asaj reale. Shqipëria mbledh si kontribute të sigurimeve shoqërore e shëndetësore vetëm 5% të prodhimit të brendshëm bruto, niveli më i ulët jo vetëm në Europë, por edhe në rajon. Në vendet e rajonit kontributet e sigurimeve sjellin më shumë se 10% të PBB-së.

Ndonëse punonjësit sot mund të jenë të kënaqur me deklarimin e pagave më të ulëta, pasi marrin më shumë para cash, kjo mund t’u kthehet në bumerang në të ardhmen, pasi përfitimet për barrëlindjet për femrat dhe kur të dalin në pension do të jenë minimale./monitor

Monitor: Cilat janë femrat shqiptare më të pushtetshme në biznes…

$
0
0

Në Shqipëri nuk mungojnë femrat sipërmarrëse. Të vetme apo me ndihmë, ato mbajnë në këmbë subjekte të ndryshme dhe qarkullojnë miliona.

Revista “Monitor” ka hartuar një listë me femrat shqiptare më të pushtetshme të biznesit.
Ja kush është renditja e 5 të parave:

Anisa Skëndaj – Sipërmarrësja më e madhe në vend, sipas qarkullimit vjetor, është për të tretin vit radhazi Anisa Skëndaj. Kompania Info Telecom, ku ajo ka 60% të aksioneve, ka aktivitet si ndërmjetësuese në fushën e telekomunikacionit.

Vilma Nushi – Kompania Marketing & Distribution (M&D), ku ajo ka 100% të aksioneve, është krijuar në vitin 1997 dhe është një prej distributorëve më të mëdhenj në vend.

Femrat e familjes Hoxha – Prej vitesh, femrat e familjes Hoxha (Vjollca, Lorela, Sara, Redia) po menaxhojnë bizneset në fushën e televizionit, radios dhe përpunimit të kafesë. DIGITALB, platforma më e madhe televizive, ku ato kanë rreth 41% të aksioneve, është biznesi më i madh i familjes. Në “Top Channel”, Valtelina (përpunim i kafesë) dhe VGA (botim e prodhim reklamash), pronësia është 100% e familjes.

Merita Sheqi – Merita Sheqi është sipërmarrëse e kompanisë farmaceutike Rejsi Farma. Në vitin 2014, ajo ka krijuar dhe sipërmarrjen R&S FARMA.

Donike Gega – Donike Gega zotëron 100% të aksioneve të GEGA CENTER GKG, kompani e cila është krijuar në vitin 2006 dhe si aktivitet ka “Tregtimin me pakicë të karburanteve e lubrifikanteve, pikë gazi e transport i tij”. Ajo është bërë aksionere e kompanisë që prej fillimit të vitit 2012./TCH/

Borxhet që bizneset i kanë shtetit, 900 milionë euro

$
0
0

Borxhi që bizneset kanë ndaj shtetit arriti në 900 milionë euro në fund të shtatorit të këtij viti. Shifra është bërë publike nga një raport, që Ministria e Financave i ka dërguar Komisionit parlamentar të Ekonomisë.

Sipas raportit, këto detyrime janë taksa të papaguara nga bizneset, përfshirë kamatëvonesat dhe gjobat që vendosen mbi to. Të dhënat tregojnë se, aktualisht ka me mijëra biznese që janë debitore në shtet. Por, “pjesën e luanit” të borxhit e kanë një grusht kompanish.

Sipas Financave, nga shuma prej 900 milionë eurosh, 1/3-ta ose 305 milionë euro janë borxhe që i kanë vetëm 10 kompani. Dy ndër to janë shtetërore, ndërsa pjesa tjetër janë kompani private që vijnë kryesisht nga fusha e prodhimit apo tregtimit të karburanteve, si dhe ajo e lojërave të fatit.

Borxhi i bizneseve ndaj shtetit arriti rekordin historik prej 1.1 miliardë eurosh në fund të vitit të kaluar. Por, në verën e këtij viti, Parlamenti miratoi një amnisti të përgjithshme, e cila fal plotësisht borxhet para vitit 2010 dhe pjesërisht ato të periudhës 2011-2014.

Sipas raportit të Ministrisë së Financave, deri tani janë falur rreth 200 milionë euro borxhe dhe përfituesit më të mëdhenj nga falja kanë qenë pikërisht kompanitë me borxhet më të mëdha./TCH/

Rritje ekonomike? Jo! Thejsht u rrit sërish çmimi i karburantit. Ja sa…

$
0
0

Përdoruesit e automjeteve janë gjendur dje që prej mëngjesit përballë një surprize të hidhur: çmimi i shitjes së karburanteve me pakicë është rritur me 5 lekë për litër në të gjitha pikat e tregtimit.

Disa nga shoqëritë tregtare që e shisnin deri dy ditë më parë gazoilin (naftën) me 168 lekë/litër e kanë rritur atë në 173 lekë/litër, ndërsa benzinën nga 169, në 174 lekë për një litër.

Ndërkohë, disa të tjera që pretendojnë për karburante më cilësore e kanë rritur çmimin deri në 179 lekë për një litër.

Siç ka ndodhur zakonisht në të tilla raste, por edhe në rastet e uljes së çmimit, të gjitha pikat e karburanteve me pakicë i kanë rritur në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën masë çmimet.

Ndryshimi aktual ka të bëjë vetëm me faktin që në tregun ndërkombëtar janë rritur çmimet e naftës bruto. Në rast se në 21 qershor të këtij viti në bursat ndërkombëtare një fuçi naftë amerikane (WTI – West Texas Intermediate) arriti një minimum prej 42.52 dollarësh, ditën e premte kjo shifër ishte në nivelin e 54.9 dollarëve për fuçi, me një rritje prej 29 përqindësh.

Ndërkohë detyrimet e tjera fiskale mbi karburantet nuk kanë ndryshuar. Mbi çmimin e blerjes me shumicë (ku ndikon edhe kursi i dollarit), edhe ndërmarrjet e përpunimit shtojnë fitimet, më pas llogaritet edhe kostoja e transportit detar, me gjithë sigurimet, në rastet kur produkti është blerë jashtë Shqipërisë. Më pas vijnë shpenzimet e portit pritës, për t’u lënë vend atyre fiskale.

Këtu ndërhyn shteti, duke e rritur më tej koston, me shtimin e një numri taksash. Kjo, duke filluar nga taksa doganore, akciza, etj. Kurse kompanitë tregtare të pakicës shtojnë nga ana e tyre edhe një kosto tjetër, që ka të bëjë me shpenzimet e tyre për punonjësit, taksat vendore dhe qendrore, etj, për të arritur, nga 146 lekë për litër, që blihej nafta të premten tek shumica, në 173-178 lekë për litër tek klienti fundor./Shqiptarja.com/

Tiranë, si po luhaten çmimet e apartamenteve nga qendra në periferi

$
0
0

Tregu i pasurive të paluajtshme po përjeton një periudhë të mirë, ndërsa agjencitë kryesore dhe ndërtuesit pohojnë trendin pozitiv si të shitjeve të apartamenteve ashtu edhe të qirave.

“Monitor” kreu një vëzhgim të tregut të banesave për pallatet e reja që janë në ndërtim, ku oferta e lartë ka stabilizuar çmimet. Si ndikoi procesi zgjedhor në 6-mujorin e parë dhe si e shikojnë tregun agjentët e patundshmërisë.

Në rrugën “Vaso Pasha”, në të dalë të zonës së ish-Bllokut, firma Klodiada sh.p.k ka nisur në shkurt të këtij viti ndërtimin e një objekti banimi dhe biznesi, i cili parashikohet që të përfundojë në nëntor të 2019-s. U interesuam për të prenotuar një hyrje në këtë objekt kontaktuam me zyrat e shitjes, jo shumë larg kantierit të ndërtimit. Çmimi për një metër katror për banesë, i padiskutueshëm, fillonte nga 2500 euro.

Pak më larg, objektet, të cilat janë në ndërtim përgjatë Unazës së Vogël të Tiranës, kanë dalë me të njëjtën ofertë 1200 euro për metër katror.

Në një ndër to, kompleksi Delijorgji, vijon ndërtimi i objekteve të reja. Çmimi për metër katror për apartamentet për banim nuk ka lëvizur që nga shkurti i këtij viti, 1200 euro.

Pranë kompleksit Delijorgji ka nisur puna për ndërtimin e një kompleksi të ri për banim nga kompania Arlis Ndërtim. Të kontaktuar si të interesuar për të prenotuar një hyrje në këtë kompleks, menaxherja e shitjeve tha se çmimi ishte 1200 euro për metër katror, megjithatë ajo shtoi se bëhej zbritje nga oferta fillestare, në rast se paguhej mbi 60% e shumës së banesës paraprakisht.

Progeen sh.p.k. është në përfundim të objektit për banim, shumë pranë kryqëzimit të Rrugës Bardhyl me atë të Dibrës, apo siç njihet ndryshe zona e Farmacisë 10. Në atë zonë, çmimet mesatare për objektet e reja luhateshin nga 950 deri në 1000 euro. Inxhinieri i kompanisë tha se oferta e tyre, për ato pak apartamente që kishin mbetur pa shitur, ishte 1150 euro për metër katror.

Megjithatë, çmimi mund të diskutohej më tej. Lëvizje të çmimit kishte edhe në kompleksin ku po ndërton Orion Construction. Projekti Tower Brige 3, në Konostudio, është në përfundim të punimeve, megjithatë menaxheri i shitjeve, Roland Kacadeli, tha gjatë interesimit të “Monitor” se 70% e objektit ishte shitur. Në shkurt të këtij viti, çmimi për metër katror në kompleksin Tower Brige 3 ishte 740 euro. Aktualisht çmimi për metër katror është 790 euro, por për banesa në katet më të ulëta dhe me orientim më të pëlqyer ishte dhe mbi 800.

Sipas menaxherit Kacadeli, çmimet janë në rritje dhe pas përfundimit të objektit, ai mund të jetë më i lartë.

Gjithsesi, për shkak të ofertës së shtuar për shtëpitë e banimit, çmimet deri diku kanë qëndruar të pandryshuara krahasuar me fillimin e vitit.

Edhe në kompleksin Kika, në Komunën e Parisit, çmimet kanë mbetur të pandryshuara. Sokol Kika, administrator, tha se çmimet vijojnë të jenë të njëjtat tek komplekset ekzistues (950 euro për metër katror), ndërsa në kompleksin e ri do të aplikojnë çmime më të larta.

Çmim të njëjtë me gati një vit më parë, prej 1700 euro, raportoi edhe Andi Hasa i firmës së ndërtimit NderPro, për objektin në Rrugën e Kosovarëve dhe 1200 euro për projektin në Rrugën e Elbasanit, në të njëjtin nivel si gjatë muajit shkurt të këtij viti.

Situata sipas agjencive të pasurive të paluajtshme

Megjithëse zotërojnë vetëm 7% të tregut të pasurive të paluajtshme, agjencitë e kontaktuara nga “Monitor” raportojnë se kanë hyrë në 6-mujorin e tretë me rritje të aktivitetit.
Për sa i përket vitit 2017, sipas inxhinier Xheni Jahja nga Tirana Real Estate, 6-mujori i parë ka qenë shumë pozitiv.
“Tregu i pasurive të paluajtshme është në një situatë të mirë,- tregon zonja Jahja. Kërkesat janë relativisht të larta.”
Trendi pozitiv i pasurive të paluajtshme është pohuar edhe nga brokeri Juliana Nela, nga agjencia e pasurive të paluajtshme Century 21. Ajo tha se agjencitë zotërojnë vetëm 7% të patundshmërisë në Shqipëri.

“Ne kemi pasur ecuri shumë të mirë, për fatin tonë të mirë ose të keq, të dhënat që ne përdorim janë të tërthorta, jo të bazuara në analiza apo studime të mirëfillta. Tregu që kalon nëpërmjet agjencive i përgjigjet rreth 7% të totalit të të gjithë tregut të shitjeve, dhe ky është i ndarë në rreth 400 agjenci që operojnë në të gjithë Shqipërinë”.

Pjesa tjetër e transaksioneve realizohet drejtpërdrejt nga vetë individët dhe nga firmat e ndërtimit. Arsyet kryesore pse tregu i pasurive të paluajtshme është në këto nivele janë dy: Së pari, është punuar pa kujdes në të kaluarën, duke krijuar skepticizëm te klientët. Në shumicën e rasteve kanë punuar vetëm për përfitime vetjake. Pak operatorë kanë qenë seriozë dhe ata vazhdojnë të jenë operativë në treg. Së dyti, shërbimi bëhet nevojë e tregut në shoqëritë e zhvilluara. Sektori imobiliar së fundmi po zhvillohet për t’iu përgjigjur kërkesave të tregut, – shtoi av. Juliana Nela. Një blerësi mesatar i duket kosto shtesë e pajustifikueshme t’i drejtohet agjencisë.

Ecuria e shitjeve, ku po blihet

Shitblerja e apartamenteve ka pasur një trend pozitiv gjatë gjashtëmujorit të parë dhe sipas agjencive të pasurive të paluajtshme po shikohet e njëjta tendencë edhe gjatë të dytit. Sipas ing. Xheni Jahja, rritja ekonomike ka qenë arsyeja kryesore.
“Njerëzit kanë investuar, nuk i kanë mbajtur paratë në banka. Shumica e transaksioneve ka qenë me shitje”, – ka pohuar ajo.
Ndërsa për sa u përket zonave, secila prej tyre ka blerësit e saj. Individët me të ardhura të larta preferojnë zonat e qendrës, të cilat janë të shfrytëzueshme jo vetëm për banim dhe biznese, por edhe investim.

Zona të preferuara janë të gjitha ato të cilat ndodhen në Tiranën historike, nga ish-stacioni i fundit i Tiranës së Re, zona e Pazarit të Ri dhe zgjatimi deri në zonën e Xhamllëkut, Rruga e Dibrës dhe zona e Brrylit, për të cilat agjencitë thonë se çmimet kanë qenë të qëndrueshme.

Për sa u përket banesave ekzistuese, janë gjithmonë një zgjedhje e dytë dhe çmimi i tyre është 10 deri në 15% më i lirë se ai i apartamenteve të reja.

Si ndikuan zgjedhjet dhe vetting-u

“2017 ka qenë një vit elektoral dhe në vitet kur zhvillohen zgjedhjet gjithmonë ka një rënie të shitjeve, – tha Juliana Nela nga Century 21.

Administrata publike u druhet ndryshimeve të mundshme. Kjo ka ndikim direkt te blerësit me financime, të cilët duhet të kenë një punë stabël që të marrin një angazhim siç është blerja e një shtëpie. Viti elektoral e dëmton tregun e pasurive të paluajtshme dhe ky është fakt, pasi e kam vënë re edhe kur kam qenë pjesë e sektorit të ndërtimit”, – shtoi ajo për “Monitor”.

Megjithatë jo vetëm zgjedhjet ndikuan në ecurinë e tregut të pasurive të paluajtshme. Sipas aktorëve të tregut, edhe vetting-u ka qenë një faktor në reduktimin e shitjeve pasi individët e përfshirë dhe familjarët e tyre janë pronarë në vlera të konsiderueshme.

Pezullimi i transaksioneve të realizuara nga ata ka pasur ndikimin e vet në treg. Sipas tyre gjithë procesi i vetting-ut ka sjellë pezullim të transaksioneve të kësaj kategorie, e cila është aktore e rëndësishme në treg.

Por gjithsesi ata shprehen optimistë se qartësimi i procesit do të riaktivizojë transaksionet normale.

Çfarë po ndodh me periferinë

Në ndryshim me qendrën, situata në periferi duket se është ndryshe. Për individët me të ardhura nën mesatare, shtëpia në periferi ishte një alternativë më e lirë. Sipas agjentëve dhe ndërtuesve, raportohet një rritje çmimi nga 50-150 euro për metër katror.

Klajdi Memajdini, nga agjencia e pasurive të paluajtshme DevInf., tha për “Monitor” se ka filluar që periferia të shtrenjtohet. Sipas tij rritja, e ndikuar dhe prej kërkesës më të lartë për shtëpi, është deri diku artificiale. Kjo sepse logjikisht, çmimi duhej të ulej me rritjen e dhënieve të lejeve të ndërtimit, e cila shton ofertën për apartamente në treg.

Rritje të çmimit ka konstatuar edhe Xheni Jahja nga Tirana Real Estate e cila, sipas saj, po vjen edhe për shkak të kredive të zbutura për strehim. Nëse dikur çmimi për banesat në periferi ishte i negociueshëm, aktualisht nuk ka shanse që një pronë të shitet më pak se oferta fillestare, duke qenë se është rritur edhe kërkesa.

Në zonën e Yzberishtit, sipas agjencive të pasurive të paluajtshme, çmimi për metër katror fillonte nga 400 euro, ndërsa sot çmimi është rritur me 50-100 euro në varësi edhe të cilësisë së apartamentit.

Në Unazën e Re, apo siç njihet zona e Astirit, çmimi minimumi nis nga 500 euro për metër katror deri në 600 euro.
Edhe periferia verilindore e Tiranës, apo ndryshe zona e Freskut, ka pasur një rritje të çmimit të banesave, në të njëjtin nivel me Yzberishtin (nga 400 në 500 euro/m²).

Ndërtuesi Hajredin Fratari, i cili ka kompleks pallatesh në periferi, pohon gjithashtu se çmimet janë rritur në muajt e fundit nga 450 në 500 euro për metër katror. Ai thotë se ndikim kryesor ka pasur rritja e disa prej tarifave, si për shembull për të hipotekuar një pallat atij i duhet të paguajë gjashtëfish më shumë, 3.6 milionë lekë nga 600 mijë që paguante më parë. Ai shtoi se janë shtuar edhe taksat për ujësjellës-kanalizimet, të cilat nisin dhe paguhen që në momentin që merret leja e shfrytëzimit.

Bankat, qasje më pozitive ndaj financimit të banesave

Kërkesa është nxitur edhe nga rritja e kreditimit për individë për blerje të pasurive të paluajtshme, kryesisht në lekë, ku sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, vetëm në gusht, stoku i huasë për kredi në lekë u rrit me rreth 7% me bazë vjetore.
Individët kanë përfituar dhe prej kredive të zbutura që ka dhënë Bashkia e Tiranës. Sipas Xheni Jahja, qytetarët që kanë përfituar prej kredive të zbutura kanë blerë në periferi të Tiranës duke rritur edhe kërkesën në periferi.

“Bashkëpunimi i kredimarrësve me bankat ka qenë pozitiv. Bankat vijnë na kontaktojnë dhe janë më të pranishme me marketingun e tyre. Më parë ka qenë më e vështirë. Kjo lidhet edhe me stabilitetin ekonomik, si dhe me stabilitetin në punë”,- tha Jahja.

Një person që merr një kredi vendos që të mos lëvizë nga puna. Mënyra e pagesës, klientët, janë më të kujdesshëm me investimet, do të thotë që edhe nëse do t’i kenë pasur, kanë aplikuar për kredi të vogla.

Megjithatë, në teori, tregu i kredive do të duhet të ishte rritur më shumë,- tha Juliana Nela nga Century21.

Pak blerës për investim

Kryesisht blerësit e apartamenteve blejnë për të plotësuar nevojat e tyre vetjake, ndonëse ka një tendencë të individëve që blejnë për investim.

“Gjithmonë ka blerës që vijnë për investim, por puna më e madhe bëhet me ata që janë blerës për nevojat e tyre. Unë kam blerës, për të cilët e di që po t’ju jap një ofertë të mirë, vijnë të investojnë për ta hedhur në treg për qiratë ose për ta rishitur më vonë”,- tha Xheni Jahja nga Tirana Real Estate.

Pritshmëria për lejet e reja dhe frika e një kolapsi

Agjencitë e paluajtshme janë optimistë për sa i përket vijueshmërisë së tregut. Sipas tyre, megjithëse ka pasur leje të reja për ndërtime, kërkesa nuk ka rënë.

“Pritshmëria për lejet e reja, e pezullon kërkesën për të blerë shtëpi, pasi me lejet e reja të ndërtimit pritet që çmimi do të bjerë. Por, me analizat tona, për shkak të taksës së infrastrukturës së lartë që paguhet që në fillim, çmimet nuk do të ulen por do të rriten si reflektim. 10-15%, kjo është mesatarja e tregut tonë.

“Tirana është qytet shumë i madh dhe pavarësisht se të gjithë kanë parashikuar kolaps, nuk e mendoj kështu, sepse Tirana është qytet studentor, është kryeqytet institucionesh, është qytet i aktiviteteve, është qendër e shqiptarëve në Ballkan. Ne, në njëfarë mënyre, menaxhojmë kërkesën e shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, por edhe të emigrantëve të hershëm që nuk e kanë humbur lidhjen me vendin. Ka shumë emigrantë të cilët e mendojnë për të pasur një pronë në Shqipëri, qoftë për ta lënë me qira apo për hir të lidhjeve nostalgjike”,- shtoi Nela.

Sipas agjencive, për sa i përket ofertës së apartamenteve është në raport të njëjtë me kërkesën.

Megjithatë, agjencitë shprehen ndryshe për kullat. Sipas tyre ambientet në kulla, të cilat janë kryesisht për zyra, do të vijnë me një çmim më të lartë sesa mund të përballojë tregu vendas.

Qiratë, pensionistët dhe studentët italianë zgjedhin Tiranën

Agjencitë e pasurive të paluajtshme tregojnë për “Monitor” se tregu i qirave është stabilizuar në këtë moment, pas fluksit të studentëve, megjithëse presin dhe një dyndje të fundit të bizneseve.

Studentët italianë janë në zonat që kanë qenë gjithmonë, pranë shkollave dhe në zonën e bllokut.

Një student i vitit i parë dhe të dytë zgjedh zonat pranë qendrës, një student i viteve të fundit, ul kostot dhe shkon pranë shkollave. Çdo vit shtohet numri i tyre, – shpjegon Jahja nga Tirana Real Estate.

Tendencën e italianëve e konfirmojë edhe Juliana Nela nga Century 21. Sipas zonjës Nela, përpos studentëve, edhe pensionistët italianë po zgjedhin Shqipërinë, veçanërisht zonat bregdetare për shkak të kostove të ulëta, si dhe të përfitimit nga skema e rimbursimit shëndetësor nga shteti italian. Duke qenë se nuk e përdorin sistemin shëndetësor në Itali, shteti fqinj ua kthen paratë mbrapsht. Ata vijnë në Shqipëri ku jetesa është relativisht më e lirë.

Tregu i qirave ka pasur periudhë shumë të mirë këtë verë, sikurse dhe shitjet. Megjithatë Nela e argumentoi rritjen e qirave edhe me detyrimin e deklarimit të vendbanimit.

“Një pjesë e qirave u rinegociuan çmimet. Detyrimi për të deklaruar vendbanimin ka pasur efekt gjatë periudhës së verës dhe për mua rritja eksponenciale në këtë periudhë është ndikuar edhe prej këtij fakti”,- shtoi ajo për “Monitor”.

Ndërsa çmimet e qirave kanë vijuar të mbeten në të njëjtat nivele si në gjysmën e parë të vitit. Në zonat ku ka kërkesë të lartë, si në Bllok, çmimet mesatare të qirave janë 500 euro. Për zonat e tjera, të cilat nuk janë në qendër, por kanë një lokacion të preferuar dhe një mobilim mesatar, çmimi mesatar i qirave është 300 euro.

Për sa u përket qirave për zyra dhe dyqane, Xheni Jahja, nga Tirana Real Estate, thotë se ambientet që lëshohen me qira për zyra jepen në përgjithësi më shtrenjtë se ambientet për banim.

Ajo jep dy arsye kryesore për qiranë më të lartë të zyrave. Së pari, ambientet që lëshohen për zyra bëhen me kontrata të rregullta të qirasë dhe detyrimi për të paguar tatim në burim rrit çmimin e qirasë.

Së dyti, ambientet që merren për zyra kanë sipërfaqet e përbashkëta më të mira dhe më të kuruara. Për këtë arsye, çmimi është më i lartë.

Ndërsa për qiratë e dyqaneve, nuk ka pasur shumë lëvizje. Kërkesa ka gjithmonë, por oferta është e ulët, pasi bizneset janë më të konsoliduara./Monitor/

Rritet taksa progresive, nga 1 janari mbi pagat dhe të ardhurat e tjera

$
0
0

Qeveria do të bëjë një ligj të ri, i cili e shtrin taksimin progresiv jo vetëm mbi pagat, siç është aktualisht, por mbi të gjitha llojet e të ardhurave.

“Do të përfshijë të ardhurat e integruara në bazë të taksueshme, jo si tani të fragmentuara. Çdo e ardhur do të përllogaritet si një e tërë në periudhë tatimore dhe do t’i vendoset sipër norma”, deklaroi ministri i Financave, Arben Ahmetaj.

Aktualisht, qeveria takson progresivisht vetëm pagat, ndërsa të ardhurat e tjera, si qiraja apo e drejta e autorit taksohen me normë fikse, 15 për qind. Sipas skemës së re, të gjitha të ardhurat do të bashkohen në një bazë të vetme, mbi të cilën pastaj zbatohet taksa progresive 0, 13 ose 23 për qind, në vartësi të nivelit të të ardhurave.

Por cili është efekti i kësaj lëvizje? A do të paguajnë qytetarët më shumë, apo më pak? Kjo varet nga niveli i të ardhurave. “Top Channel” e ilustron me dy shembuj konkretë.

Rasti i parë është një individ, i cili aktualisht ka një pagë 130 mijë lekë në muaj dhe një të ardhur nga qiraja 30 mijë lekë në muaj. Për këtë individ, taksa rritet. Ajo shkon nga 17 mijë e 500 lekë në muaj, që është aktualisht, në 19 mijë e 900 lekë në muaj. Pra, 2 mijë e 400 lekë më shumë në muaj.

Rasti i dytë është një individ tjetër, i cili e ka pagën 60 mijë lekë në muaj dhe një të ardhur nga qiraja po 30 mijë lekë në muaj.

Për këtë qytetar, taksa ulet. Ajo shkon nga 8 mijë e 800 lekë në muaj, që është aktualisht, në 7 mijë e 800 lekë, duke u ulur me 1 mijë lekë në muaj.

Siç tregohet nga të dy shembujt e mësipërm, mënyra sesi ndryshon barra e taksës varet nga niveli i të ardhurave. Por, përgjithësisht, për një individ që ka të ardhura nga paga dhe qiraja mbi 160 mijë lekë në muaj, barra rritet. Ndërsa për ata që i kanë të ardhurat nën këtë nivel, taksa ulet./TCH/

Krahasimi në Europë, Shqipëria ndër vendet me çmimin më të lartë të karburanteve

$
0
0

Karburanti i shtrenjtë është një ndër çështjet më të diskutuara. Il Sole ka bërë një krahasim të çmimit të karburantit midis të gjitha vendeve të Europës, me të dhënat e mbledhura nga portali Cargopedia për datën 31 tetor, të cilat reflektojnë situatën e ndryshme në vende të ndryshme të Europës.

 

Në krah të vendeve të zhvilluara europiane si Gjermani, Anglia, Franca, Zvicra apo dhe Finlanda, Shqipëria ka karburantin më të shtrenjtë në Europën Juglindore. Sipas të dhënave që janë mbledhur në 31 tetor nga Cargopedia, çmimi për një litër benzinë në Shqipëri ishte 1.3 euro. Çmimi mesatar i benzinës për të gjitha vendet e Europës është 1.22 euro.

Sikurse shihet nga harta, vendet e ngjyrosura me të kuqe kanë çmimet më të larta të çmimit të karburanitit. Vendi me çmimin më të lartë të benzinës në Europë është Norvegjia, ku një litër benzinë tregtohet me pakicë me 1.68 euro.

Çmim të shtrenjtë karburanti, sikurse tregohet dhe nga harta, ka Italia dhe Greqia, ku karburanti është përkatësisht 1.5 euro për litër.

Për sa i përket vendeve të rajoni, nga të dhënat e paraqitura në hartë, çmimi i bezninër në Serbi është 1.19 euro, poshtë mesatares së Europës. Çmim të ulët ka edhe Maqedoni, ku një litër sipas të dhënave të Cargopedia është 1 euro. Karburantin më të lirë të rajonit e ka Bosnje dhe Hercegovina me 0.9 euro, duke u listuar kështu në vendet europiane më çmimin më të ulët.
Çmimi më i ulët i benzinës në të gjithë Europën e ka Bjellorusia, ku një litër kushton vetëm 0.5 euro.

Rilicencimi dhe Bursa rritën çmimet në vend
Çmimet e karburanteve kanë shënuar një rritje me rreth 5 lekë për litër ditët e fundit, duke kaluar sërish mbi 170 lekë për litër, kryesisht në zonën Tiranë-Durrës.

Në pikat e tregtimit të Kastrati, tregtuesi më i madh në vend, një litër naftë tregtohet aktualisht me 172 lekë, nga 167 lekë që ishte më parë, ndërsa një litër benzinë shitej me 173 lekë, nga 168 lekë.
Sipas aktorëve të tregut kjo ka ardhur nga tarifa e rilicencimit të pikave të karburantit. /Monitor/


Reinke i FMN: Po i jepet fuqi e madhe për të vepruar lirisht Këshillit të Ministrave

$
0
0

Paketa Fiskale i jep fuqi të madhe për të vepruar lirisht Këshillit të Ministrave, duke reduktuar në këtë mënyrë transparencën e ligjeve të taksave…

Monitor

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) i ka shprehur hapur pakënaqësitë që ka në lidhje me Paketën Fiskale që ka miratuar Këshilli i Ministrave dhe që pritet të diskutohet në Kuvend. Ulja e kufirit të TVSH-së, lehtësitë për hotelet me 4 dhe 5 yje dhe, sidomos fakti që Paketa Fiskale i jep fuqi të madhe për të vepruar lirisht Këshillit të Ministrave, janë disa nga shqetësimet që ngre Përfaqësuesi i Përhershëm i FMN-së, në Shqipëri, Jens Reinke, në një intervistë të posaçme për “Monitor”.

Ai shton se nuk është e qartë se si përfitimet nga taksat për hotelet do të kthehen në përfitime për Shqipërinë, teksa vendi ka probleme me infrastrukturën dhe të drejtën e pronësisë. Përfaqësuesi i FMN-së ka përsëritur thirrjen për të pasur kujdes me projektet e Partneritetit Publik Privat, që ato të zgjidhen sipas një analize të qartë kosto-përfitime dhe të raportohen sipas standardeve ndërkombëtare, në mënyrë që të shmanget borxhi i fshehur.

FMN, në raportin e fundit për Pasqyrën Ekonomike të Tetorit, uli parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë në 2018-n me 0.4 pikë përqindjeje, në 3.7%. Cilat janë arsyet e kësaj uljeje?

Ne presim që rimëkëmbja ekonomike do të vazhdojë dhe që rritja vjetore e PBB-së do të arrijë në 4% në afatin e mesëm. Vitet e fundit, rritja është nxitur nga Investimet e Huaja të mëdha Direkte. Cikli i tyre i investimeve do të fillojë të ngadalësohet në 2018-n. Por, rimëkëmbja e kredisë private, zgjerimi në investimet publike dhe një rritje e besimit pritet që të mbështesin rimëkëmbjen e vazhdueshme.

Qeveria shqiptare sapo ka publikuar projektbuxhetin për vitin 2018 dhe Paketën Fiskale. Ne një vështrim të përgjithshëm, si i vlerësoni këto dy dokumente?

Ne e mirëpresim faktin që qeveria mbetet e angazhuar për konsolidimin fiskal dhe ka vazhduar me reformën e taksës së pasurisë, por theksojmë se disa ndryshime specifike në politikën e taksave janë faktor për rrezik.

Në veçanti, ndryshimet në kufirin e TVSH-së dhe trajtimi preferencial për sektorin e hoteleve duket se e minojnë barazinë e sistemit të taksave.

Ne jemi dakord që ka një nevojë për të rritur investimet publike, por duhet të marrim në konsideratë se problemet me zbatimin dhe jo financim kanë kufizuar shpenzimet për investime gjatë viteve të fundit. Si rrjedhojë, qeveria duhet të investojë në kapacitetin e saj për të përzgjedhur, për të planifikuar dhe për të zbatuar investimet, ndërkohë që siguron që të gjitha projektet e investimeve, përfshirë PPP-të, janë subjekt i të njëjtave standarde.

Ministria e Financave ka ndërmarrë nismën për uljen e kufirit të regjistrimit të TVSH-së në 2 milionë lekë, nga 5 që është sot, si një mjet për të luftuar evazionin, teksa detajet do të vendosen nga Këshilli i Ministrave. Si e vlerësoni këtë lëvizje, sa do të arrijë ajo që ta luftojë evazionin?

Pas vlerësimeve të shumta nga ekspertët tanë të taksave, ne e kemi këshilluar qeverinë fuqimisht kundër uljes së kufirit të TVSH-së nga niveli aktual. Ndërmarrjet e vogla përbëjnë gjysmën e të gjithë bizneseve, por sjellin vetëm 2% të transaksioneve të taksueshme. Zgjerimi i sistemit të TVSH-së do të jetë një barrë shumë e rëndë për burimet e departamentit të taksave. Informaliteti dhe evazioni i taksave mund të rritet dhe eficenca e administratës së taksave ka të ngjarë të bjerë. Sipërmarrjet e vogla do të mund të përballen gjithashtu me një barrë të shtuar të kërkesave për raportime.

Ne e kemi këshilluar gjithashtu qeverinë që të thjeshtojë sistemin e taksave, përfshirë heqjen e përjashtimeve dhe unifikimin e kufirit (p.sh., ai i zbatuar për TVSH-në, tatimin e korporatave dhe tatimin mbi të ardhurat personale).

 

Sipas jush, cili do të ishte kufiri më optimal për TVSH-në, që do të mundësonte një kontroll më të mirë të zinxhirit të faturimeve dhe do të ofronte nxitës për bizneset që të vetëformalizohej?

Ne nuk shohim asnjë problem me kufirin aktual të TVSH-së. Ndryshimet e vazhdueshme të politikës së taksave duhet të shmangen, pasi ato komplikojnë administrimin e taksave dhe mund të bëjnë konfuz taksapaguesit. Si rrjedhojë, ne rekomandojmë që të mbahet kufiri i TVSH-së në nivelet aktuale, ndërkohë që administrata i përqendron përpjekjet te taksapaguesit e mëdhenj.

Si e vlerësoni propozimin në Paketën Fiskale për përjashtimin e hoteleve me 4 dhe 5 yje nga tatimfitimi për 5 vjet dhe lehtësi të tjera që ofrohen për kategoritë e hoteleve që do të klasifikohen me status special? Sa i përafrohet kjo përqasje potencialit të zhvillimit të turizmit në Shqipëri dhe si mund të kontrollohet shmangia që mund të vijë nga këto përjashtime (p.sh. që një resort të marrë lehtësi fiskale dhe më pas të shesë vila)?

Për ne, nuk është e qartë se si përfitimet nga taksat për hotelet do të kthehen në përfitime për Shqipërinë. Turizmi është një sektor me potencial domethënës të mëtejshëm, rritja e të cilit duket se aktualisht kufizohet nga problemet në infrastrukturë dhe dobësia në të drejtat e pronësisë. Nuk është e qartë se si përjashtimet nga taksat do të ndihmojnë për t’i lehtësuar këto kufizime.

Paketa Fiskale i jep fuqi të madhe për të vepruar lirisht Këshillit të Ministrave, duke reduktuar në këtë mënyrë transparencën e ligjeve të taksave. Ne e shikojmë si veçanërisht problematik faktin që përjashtimet mund të përfshijnë shërbime të tjera përveç akomodimit të ofruar nga hotelet dhe barazinë e tyre (p.sh., “status special”) nuk rregullohen në mënyrë të qartë. Përjashtimet e propozuara mund të jenë shkak që të rriten më tej mundësitë për evazion fiskal.

Në deklaratën e fundit përmbyllëse të ekipit të FMN-së për konsultimin sipas Nenit IV për vitin 2017, shprehët shqetësimin lidhur me projektet e Partneritetit Publik Privat. Nisur nga projektet konkrete të projektbuxhetit 2018, sa vlerësoni se janë marrë parasysh rekomandimet tuaja dhe çfarë shikoni konkretisht si rreziqe në afatin e shkurtër?

Ne e pranojmë nevojën për të përshpejtuar investimet publike dhe vazhdojmë t’u përmbahemi rekomandimeve tona të mëparshme: të gjitha projektet e investimeve duhet të jenë subjekt i prioriteteve transparente dhe procesit të përzgjedhjes si dhe t’i nënshtrohen një analize kosto-përfitime. Kjo duhet të përfshijë jo vetëm projektet e financuara nga buxheti, por të gjitha PPP-të, përfshirë propozimet e pakërkuara. Gjithashtu, detyrimet që i takojnë shtetit nga PPP-të duhet të regjistrohen sipas praktikave më të mira ndërkombëtare, çka do të thotë që PPP-të kontribuojnë në borxhin publik. Praktikat aktuale në planifikimin dhe ekzekutimin e investimeve nuk i plotësojnë këto standarde, duke rritur rrezikun që të përzgjidhen projekte të varfra dhe që rreziqet fiskale të nënvlerësohen.

Buxheti 2018, Ahmetaj kundër FMN: PPP-të nuk do njihen si borxh për arsye teknike

$
0
0

Vijojnë diskutimet për Buxhetit 2018 në Komisionin e Ekonomisë.

Në shpenzimet për arsimin Ahmetaj deklaroi se librat do të jepen falas deri ne klasën e pestë.

Në fokus te komisionit ishte shpalosja e analizës së shpenzimeve të buxhetit, ku u përmendën shpenzimet kapitale ne infrastrukturë, te cilat përllogariten në 22.4 miliardë lekë.

“ Po negociojmë një projekt me Bankën Botërore për investime më rrugën rajonale. Është parashikuar 1.73 mld lekë fonde për mirëmbajtje te rrugëve apo rreth 33%.” – ka thënë ministri gjatë bisedës para deputetëve.

Një tematikë që hasi diskutime ishte ajo e pensionit në fshat. Kreu i Komisionit të Ekonomisë Erion Braçe tha se ka deficit dramatik në pensionet në fshat. “Bujqit nuk binden, do e rishikoni këtë pjesë? Ata janë njerëz që nuk do të kenë të ardhura kur të mos punojnë më?”

Ministri Ahmetaj deklaroi se “skema nuk tërhoqi aq sa duhej. Jemi duke u menduar, por nuk kemi konkluduar se si do të mundësojmë afrimin e njerëzve në fshat në skemë. Mendojmë se do të sjellim një ligj të ri. Paga minimale është baza. Duhet të ndërgjegjësojmë më tepër në fshat për rëndësinë e kontributeve”.

“Kërkoj dhe dy muaj kohë.”- tha në fund Ahmetaj.

Përparim Spahiu deputet i LSI, në pyetjen e drejtuar kreut të financave shqiptare, ka kërkuar të dijë rreth gjendjes së aeroportin e Kukësit. Ministri tha se fokusi i qeverisë momentalisht ësht ënë aeroportin në jug të vendit.

Ahmetaj: PPP-të nuk njihen si borxh për arsye teknike

Panariti, i pranishëm në seancën e sotme, iu referua deklaratës së kreut të FMN për trajtimin e PPP si borxh. Në këtë kontekst, ministri Ahmetaj tha se për çështje teknike PPP nuk njihen si borxh për shkak të EPSA95. Sipas tij, vlera e koncesioneve në 2018 parashikohet 78 milion dollarë.

FMN ka paralajmëruar disa herë së fundmi qeverinë shqiptare që të ketë një transparencë më të lartë për projektet e partneritetit publik privat dhe që ato të llogariten si borxh, në bazë të standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit. “Detyrimet që i takojnë shtetit nga PPP-të duhet të regjistrohen sipas praktikave më të mira ndërkombëtare, çka do të thotë që PPP-të kontribuojnë në borxhin publik. Praktikat aktuale në planifikimin dhe ekzekutimin e investimeve nuk i plotësojnë këto standarde, duke rritur rrezikun që të përzgjidhen projekte të varfra dhe që rreziqet fiskale të nënvlerësohen”, ka pohuar përfaqësuesi i përhershëm i FMN-së Jens Reinke, në një intervistë të fundit për FMN.

Investimet publike, Ahmetaj: Arrijnë 86 mld lekë

Kreu i financave shqiptare, duke folur më tej për analizën e shpenzimeve të buxhetit, bëri me dije se investimet publike do të arrijnë 86 mld lekë, nga ku 22.4 do të jenë për investimet në rrugë.

“1.8 mld lekë për pensionet krahasuar me 2013. Kjo skemë i parashikon më pak buxhetit dhe nëpërmjet transfertës i kushton më pak.  Rimbursohen 180 barna plus në listën e rimbursimit, me një fond 4.8 milion lekë. Kemi 4 mld lekë për fondin e kompensimit të pronarëve. Fondi kulmon në 2020 me 5.5 mld lekë. Fondet për ish të përndjekurit 2 mld lekë ose 0.1 te PBB-së, për dëmshpërblimin e 5400 ish të përndjekur.
Akti normativ që kaluam dje ka parim të dëmshpërblejë pensionistët që janë gjallë dhe më  pas trashëgimtarët.  Investimet publike 86 mld lekë. Akti i djeshëm pastron të gjitha prapambetjet e pagesave në rrugë me vlerë 3.6 mld lekë. Investimet në rrugë do të jenë 22.4 mld lekë.”- tha ministri në seancën e sotme./Monitor

Tirana, ndër më të shtrenjtat në botë për të blerë një apartament

$
0
0

Kryeqyteti shqiptar renditet në vendin e 241 nga 267 qytete në botë për sa i përket përballimit të blerjes së një apartamenti, të matur sipas fuqisë blerëse, duke qenë ndër më të shtrenjtët në botë dhe e katërta më e shtrenjtë në Europë.

Të dhënat bëhen të ditur nga Numbeo, që rendit 267 qytete në botë, sipas raportit të çmimit mbi të ardhurat, që është treguesi më i mirë për të matur përballueshmërinë për blerjen e një apartamenti (sa më i ulët ky indeks, aq më mirë është).

Ndonëse në vlerë absolute, një apartament mesatar në Tiranë kushton 70 apo 100 mijë euro, duke pasur parasysh të ardhurat e ulëta, duhet një kohë shumë e gjatë për t’u bërë pronar i tij, në krahasim me një apartament në Vjenë, Paris, Nju Jork, Milano, Firence, Lisbonë, Barcelonë, Stamboll, Gjeneve etj.

Në Tiranë, sipas këtij indeksi, duhen 18.3 vite të ardhura për të blerë një apartament, ndërsa në Paris, një familjeje i duhen 16.4 vite, në Vjenë 12.9 vite. Në Nju Jork duhen 10 vite, në Zyrih 10.1, në Milano 17.8 vite. Në Barcelonë mjaftojnë 13.1 vite.

Edhe në krahasim me 5 vjet më parë, duhet shumë më tepër kohë për të blerë një apartament në kryeqytetin shqiptar. Sipas së njëjtës renditje të Numbeo në vitin 2012, kur raportohen për herë të parë të dhënat për kryeqytetin shqiptar, Tirana renditej në vendin e 104 dhe duheshin 12.5 vite për t’u bërë pronar i një shtëpie.

Rritja e çmimeve të shtëpive me ritme shumë më të shpejta sesa e të ardhurave ka bërë që të bëhet gjithnjë e më e vështirë të blesh një apartament (në krahasim me 10 vjet më parë çmimet janë dyfishuar).

Më i shtrenjti në rajon është Serbia, ku duhen më shumë se 22 vite për t’u bërë pronar shtëpie.

Në rajon, qyteti ku familjeve u duhet më pak vite të ardhura për të blerë një apartament është Sarajeva, me 13.3 vite. Në Shkup ky tregues është 15.1.

Në Athinë, ku çmimet kanë rënë ndjeshëm që pas krizës që rrezikoi daljen e vendit nga euro, duhen rreth 10 vjet për të blerë një shtëpi.

Në Europë, më të shtrenjtë sesa Tirana janë vetëm tre qytete: Roma, Beogradi, Londra. Më i shtrenjti është Londra, ku do të duheshin 24 vite të ardhura për të blerë një apartament.

Qyteti më i shtrenjtë në botë për të blerë një apartament është Hong Kongu, ky do të duhej gati gjysma e jetës (38 vjet) për t’u bërë pronar.

Çmimet në rajon

Aktualisht, çmimet e apartamenteve brenda Unazës në Tiranë variojnë nga 1000-2000 euro për metër katror, por ka dhe disa zona elitare si tek Televizioni Shqiptar, ku çmimi i apartamenteve ka arritur në 3,000 euro për metër katror. Kryeqyteti shqiptar ka shumë të lirë periferinë, me rreth 500 euro për metër katror, ndonëse kanë shënuar një rritje prej 15-20% së fundmi.

Nivelin më të lartë të çmimeve në rajon për qendrën e ka Beogradi, me mesatarisht 2000 euro për metër katror, por për hyrjet luksoze arrin edhe në 4000 euro, sipas Eurobank Property Services. Çmime mes 1500-2000 euro/m² ka dhe Podgorica.

Në Shkup, çmimi i banesave është rreth 1000 euro për metër katror.

Rajoni ka periferinë më të shtrenjtë, ku minimumi është 800 euro/m²./Monitor/

Sejko: Tregu i financiar duhet të zgjerohet, duhet zvogëluar monopoli i bankave

$
0
0

Pavarësisht zhvillimeve pozitive në ekono0minë shqiptare sistemi financiar, ende mbetet i dominuar nga sistemi bankar dhe zhvillimet e tij. Në raportin e fundit të stabilitetit financiar të Bankës së Shqipërisë, citohet se bankat përfaqësojnë ende rreth 90% të totalit të aktiveve të sistemit financiar, ekuivalent me 92% të PBB-së, ndërkohë që pjesa tjetër e sektorit financiar është e vogël dhe përbën vetëm 10% të totalit të aktiveve të sistemit financiar, u shpreh Guvernatori Gent Sejko ne Konferencën Vjetore të Bankës së Shqipërisë.

Ai tha se Vlerësimet dhe studimet e Bankës së Shqipërisë, por edhe studimet krahasuese të palëve të treta si Fondi Monetar Ndërkombëtar, tregojnë se tregu financiar në Shqipëri ka përhapje dhe shtrirje financiare afër nivelit ekuilibër të diktuar nga ekonomia dhe konsumatorët shqiptarë. Gjithashtu, treguesit e ndërmjetësimit financiar të shprehur si përqindje ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto, janë në nivele të përafërta me ato të vendeve të tjera të rajonit.

Guvernatori referoi se, mbizotërimi i segmentit bankar, natyrshëm ka çuar në një shkallë të lartë përqendrimi të produkteve dhe shërbimeve financiare në favor të tij. Mbi 80% e investimeve të rezidentëve në sistemin financiar janë në formën e depozitave dhe llogarive rrjedhëse. Vetëm pak mbi 12% janë në formën e letrave me vlerë të qeverisë ndërkohë që pjesa e mbetur, rreth 6.5% janë investuar në fondet e investimeve dhe ato të pensioneve private. Kjo e fundit përbën vetëm 0.1% të totalit të aktiveve të sistemit financiar. Statistikat tregojnë se numri i kompanive që operojnë në segmentet e tjera të sektorit financiar mbetet i ulët, ndërkohë që aktiviteti i tyre në terma të Prodhimit të Brendshëm apo të tregut financiar mbetet i papërfillshëm.

Përsa më sipër, konkluzioni logjik është se arkitektura e tregut financiar ende nuk mund të konsiderohet e plotë. Instrumentet financiare me maturitet afatgjatë janë të rralla, ndërkohë që ato afatshkurtra jashtë sistemit bankar, janë apatike dhe të fragmentuara, si në produkte ashtu dhe në tregje. Fryt i kësaj arkitekture financiare është një lloj presioni i shtuar mbi sistemin bankar, duke privuar ekonominë nga alternativat e tjera të financimit përtej atyre që ofrojnë bankat, tha Guvernatori.

Vrojtimet e Bankës së Shqipërisë tregojnë se njësitë mikro, ballafaqohen me pamjaftueshmëri burimesh financiare dhe me akses të kufizuar në kredi. Konkretisht, më shumë se 1/3 e ndërmarrjeve të intervistuara e vlerëson aksesin e ulët në financim dhe koston që shoqëron atë si shkakun kryesor të moszgjerimit të veprimtarisë. Këto njësi mikro që janë kryesisht biznese familjare, kanë më shumë nevojë të bashkëpunojnë me institucionet financiare jobanka, pasi ato hasin vështirësi në përmbushjen e kërkesave që lidhen me kolateralin apo dokumentacionin e hollësishëm financiar, kushte këto që kërkohen nga bankat. Ky është një tjetër argument që të çon në konkluzionin logjik, se përveç kapitaleve të veta dhe kredisë bankare, këto ndërmarrje do të përfitonin shumë nga segmente të tjera të tregut financiar.

Një element tjetër që pengon thellimin dhe zgjerimin e tregut financiar në Shqipëri, lidhet me shkallën e ulët të përfshirjes financiare të popullatës. Të dhënat më të fundit nga Ëorld Development Indicators tregojnë se vetëm 38% e të rriturve kanë një llogari pranë një institucioni financiar, ndërkohë që vetëm 6% dhe 22% e të rriturve kanë përkatësisht një kartë krediti dhe kartë debiti. Rritja e përfshirjes financiare nuk mund të bëhet vetëm dhe përmes sistemit bankar. Sistemi financiar, veçanërisht tregu i kapitaleve dhe i letrave me vlerë të korporatave, duhet të luajnë një rol të rëndësishëm në rritjen e përfshirjes financiare.

Përfitoj nga rasti të theksoj, se krahas nevojës për zgjerimin dhe thellimin e tregut financiar është e nevojshme të kujdesemi gjithmonë e më shumë për administrimin e rrezikut që na shoqëron çdo herë kur bëjmë një investim financiar.

Sot jemi dëshmitarë të një evolucioni të shpejtë teknologjik, i cili paraprakisht ka eliminuar kufijtë fizikë, ka lehtësuar aksesin në platforma elektronike investimi, ka vështirësuar shumë mbikëqyrjen dhe rregullimin e shumë prej instrumenteve financiare inovative që tregtohen në këto platforma.

Fenomeni i informalitetit, i kombinuar me shpejtësinë e inovacionit në fushën e instrumenteve financiare, është një rrezik real për çdo investitor që priret në mënyrë naive nga fitimi pa u thelluar më shumë në masën dhe natyrën e rrezikut ndaj të cilit ai ekspozohet. Në çdo rast, përfshirja duhet bërë me kujdes, duke i besuar ndërmjetësve dhe ndihmësve financiarë të specializuar, veprimtaria e të cilëve është e rregulluar dhe e mbikëqyrur nga një autoritet i ligjshëm në Shqipëri apo jashtë vendit.

Thellësia dhe shtrirja e tregjeve financiare përcakton bashkësinë e instrumenteve financiare të vlefshme për t’u tregtuar, në një spektër të gjerë nga këndvështrimi i maturitetit. Këto instrumente nuk janë gjë tjetër veçse hallkat e njëpasnjëshme të zinxhirit përmes së cilit transmetohen vendimet e politikes monetare. I gjithë procesi i tregtimit të instrumenteve shërben për të përcaktuar vlerën e aktiveve, çmimin e rrezikut dhe të kursimeve, e në fund të fundit preferencat drejt konsumit, kursimeve apo investimeve. Në këtë kuptim ekzistenca, plotësia dhe efikasiteti i tregut financiar luan një rol të rëndësishëm në transmetimin e politikës monetare. Është kjo arsyeja pse vëmendja e bankës qendrore fokusohet në këto tregje dhe në mirëfunksionimin e tyre.

Bazuar në këtë arsye specifike, Banka e Shqipërisë, prej kohësh ka iniciuar një seri lëvizjesh për të ndikuar me të gjitha mundësitë që ajo ka, në krijimin e një tregu financiar më të zhdërvjellët.

Masat e karakterit makroprudencial të marra në drejtim të likuiditetit dhe të kapitalizimit; kufizimet e vendosura mbi pozicionet me bankat jorezidente, provigjionet dhe kolateralin; paketa e masave të ndërmarra për uljen e kredive me probleme, të gjitha këto janë hapa të hedhur për të korrektuar problematika të lidhura me cektësinë dhe ngushtësinë e tregut, me shkallën e ulët të përfshirjes financiare dhe edukimin financiar jo adekuat.

Studimet dhe analizat e Bankës së Shqipërisë mbështesin përfundimin logjik se zhvillimi i tregut financiar është një faktor i rëndësishëm për nxitjen e aktivitetit ekonomik dhe rritjen e mirëqenies në përgjithësi. Ne në Bankën e Shqipërisë besojmë se struktura aktuale e tregut bankar stimulon konkurrencën në lidhje me produktet dhe shërbimet bankare.

Megjithatë, zgjerimi dhe thellimi i mëtejshëm i tregut është një sfidë që shtrohet para nesh, ku nënkuptoj të gjithë aktorët e përfshirë pa përjashtim.

Industria bankare, Banka e Shqipërisë, segmentet e tjera të tregut financiar si në rang aktorësh edhe në rang rregullatorësh, qeveria, bota akademike dhe ekspertët e fushës, të gjithë duhet të përfshihemi në këtë përpjekje. Ambiciet tona duhet të synojnë një treg financiar të zhdërvjellët, likuid, me vëllim tregtimi në rritje, ku spektri i instrumenteve të zgjerohet, përfshirë dhe zgjatje të horizonteve të maturitetit dhe administrim të kujdesshëm të rrezikut. I gjithë ky kuadër duhet të shoqërohet me transparencë të shtuar në të gjitha hallkat e tregtimit ku një rol të veçantë duhet të zërë dhe edukimi financiar. Vetëm kështu do të mundësonim thellimin dhe zgjerimin real të tregut financiar dhe përmes tij një eficiencë më të madhe në zbatimin e politikave ekonomike dhe financiare, në mobilizimin dhe në përdorimin e kursimeve kombëtare, në përfshirjen financiare dhe në rritjen e aktivitetit ekonomik dhe në mirëqenien e popullatës në terma afatgjatë./Monitor

Punësimi/ Të rinjtë shqipëtarë ‘hedhin sytë’ nga Lindja e Mesme

$
0
0

Lindja e Mesme po kthehet  në destinacionin  më të preferuar për të rinjtë shqiptarë. Tashmë  ëndrra amerikane  është një mit për shqiptarët, por së fundmi shqiptarët po synojnë të shkojnë drejt Dubait.

Kjo për të gjetur një punë të mirëpaguar dhe jo thjesht për ndërtesat marramendëse.

Numri i aplikantëve është gjithnjë në rritje, dhe jo në të njëjtin proporcion me vendet që kërkohen. Këto të dhëna vijnë sipas drejtuesve të agjencive ndërmjetësuse mes vendit tonë dhe kompanive të huaja

Zhvillimi i dy dekadave në Dubai ka bërë që sektorët e ndërtimit dhe të turizmit të ofrojnë hapësirat më të mëdha për punësim. Kontratat e punësimit përfshijnë në të shumtën e rasteve një periudhë dy vjecare, pa shkëputje. Kërkesat më të larta janë kryesisht  për femrat.

Kompanitë mbajnë peng edhe pasaportat e punonjësve , në kuadër të zbatimit të kontratës,  si një mënyrë detyruese për zbatimin e marrëveshjes.

Megjithatë, shpesh herë të rinjtë shqiptarë që kanë shkuar në Dubai, pavarësisht premtimeve për rroga të mira, janë kthyer të zhgënjyer, pa marrë atë që prisnin! Shumë prej premtimeve të këtyre agjencive në fakt, janë thjesht mashtrime.

Viewing all 2663 articles
Browse latest View live