Investimet kineze në Shqipëri mund të zënë shumë shpejt peshën kryesore në treg. Finalizimi i shitjes së Bankers do të bëjë një kompani kineze më të madhen e vendit dhe nëse projektet e ideuara mes dy vendeve vijojnë, prezenca kineze do të bëhet gjithmonë e më e madhe
Investimet kineze janë prej kohësh temë dite, por ndërsa të gjithë presin fillimin e investimeve në rrugë apo në ndonjë prej porteve të vendit, kinezët vijnë nga Kanadaja. Duke blerë 100 për qind aksionet e Bankers Petroleum ata kanë tani nën kontroll kompaninë më të madhe në vend dhe me gjasë investimet e tyre atje do të jenë tani më të rëndësishme për ekonominë e vendit. Ministria e Energjetikës sqaroi dje se shitja e aksioneve nuk cenonte marrëveshjen që vendi kishte me Bankers dhe me gjasë as mbyll negociatat e konfliktit.
Marrëveshja mbetet e njëjtë
Një ditë pasi “Bankers Petroleum” njoftoi se po shkon drejt shitjes së të gjitha aseteve që zotëron, me vlerë totale prej 392 mln eurosh, Ministria e Energjisë sqaron se transferimi i aksioneve te një kompani kineze nuk cenon asnjë detyrim ndaj shtetit shqiptar.
“Nuk ndryshon raporti i shtetit shqiptar me kompaninë që operon në fushën naftëmbajtëse të Patos Marinzës dhe detyrimet që kjo kompani ka ndaj shtetit shqiptar në respektim të marrëveshjes hidrokarbure, për pagesat kryesore, ku më e rëndësishmja është renta, si dhe marrëveshjen e Bankers me Tatimet për shlyerjen e disa detyrimeve që rrjedhin nga vlerësimi tatimor”, deklaroi Koli Bele, sekretar i përgjithshëm i MEI.
Ministria e Energjisë thotë se kjo është një praktikë më se normale, sidomos në kushtet kur çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare kanë pësuar rënie. Nga kjo situatë përfitojnë kompanitë e mëdha, për të rritur portofolin e investimeve. “Është një aktivitet që zhvillohet lirshëm mes palëve, në përputhje me legjislacionin e vendit, që në këtë rast është kompania në Kanada, por edhe me praktikat ndërkombëtare në fushën e hidrokarbureve. Pra, kemi të bëjmë me një shitje te një kompani që në pamje të parë është me një vlerë më të madhe”, sqaroi Bele.
Bankers operon prej 12 vitesh në Shqipëri. Blerësit e aseteve të saj janë shoqëritë “Alberta Ltd” dhe “Charter Power Investment Ltd”, të cilat janë degë të kompanisë “Geo-jade Petroleum”, një nga kompanitë më të mëdha të eksplorimit dhe prodhimit të naftës e gazit në Kinë. Ajo që mbetet për t’u parë është nëse marrëveshja për shitjen e aksioneve finalizohet, sa do të investojë kjo kompani, në kushtet kur rënia e çmimeve të naftës ka zhytur sektorin në vështirësi të mëdha financiare.
Shitja
Kompania “Charter Power”, degë e kompanisë kineze “Geo-Jade Petroleum”, ra dakord me “Bankers Petroleum” për të blerë të gjitha aksionet e saj me vlerë 2.2 dollarë për aksion dhe me një shumë totale prej 575 milionë dollarësh (392 mln euro), pa përfshirë detyrimet, bëri të ditur “Bankers” në një njoftim për shtyp të publikuar dy ditë më parë.
Çmimi i transaksionit përfaqëson një premium prej 98% mbi vlerën e aksioneve të “Bankers” në mbylljen e Bursës së Torontos prej $1.11 në 18 Mars 2016 dhe një premium prej 109% mbi vlerën e aksioneve përgjatë tregtimit 30 ditor të fundit (deri në 18 Mars 2016), ku aksionet janë tregtuar mesatarisht me $1.05. David French, President dhe Shef Ekzekutiv i Bankers tha: “Transaksioni i propozuar i jep Bankers mundësinë për t’u rikthyer investimin aksionerëve tanë me një prim të konsiderueshëm kundrejt vlerësimit aktual të tregut, ndërkohë që i ofron kompanisë burime shtesë financiare për të përshpejtuar aktivitetin tonë në Shqipëri dhe për të kapitalizuar potencialin e krijuar nga mjedisi aktual i çmimeve. Ky transaksion do të gjenerojë një përfitim të rëndësishëm ekonomik për Shqipërinë dhe për komunitetet lokale ku operon Bankers. Ne presim me padurim për të punuar me investitorët e rinj për të përfituar prej mundësive të ofruara nga asetet”. “Bankers” ka qenë deri në vitin 2014 korporata më e madhe në Shqipëri sa u përket të ardhurave, por të ardhurat e saj u përgjysmuan në vitin 2015 si pasojë e rënies së çmimit të naftës në tregun ndërkombëtar. Çmimi i aksioneve të “Bankers” në bursë u godit gjatë vitit të fundit, fillimisht si pasojë e rënies së çmimit të naftës në tregun ndërkombëtar dhe më pas, si pasojë e goditjeve që mori nga qeveria shqiptare shtatorin e kaluar kur Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve kërkoi 75 milionë dollarë taksa pas një rivlerësimi tatimor mbi shpenzimet e kompanisë në vitin 2011. “Bankers” prej vitesh akuzohet se përdor fatura për të mbuluar shpenzime të paqena dhe rrjedhimisht, për të transferuar para nga Shqipëria për në vende të tjera. Në bazë të kësaj skeme, paratë që do të duhej të shpalleshin si fitime të taksueshme në Shqipëri, deklaroheshin si investime dhe më pas, fitime në vende të tjera.