Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Të falimentuarit: ARMO e Kurum, miliarda kredi e detyrime

$
0
0

KurumMiliarda pasuri dalin në ankande për kacidhe, ndërsa dy prej kompanive më të mëdha private në vend shpallën falimentin dhe borxhe e kredi në qindra milionë euro. ARMO dhe Kurum, vetëm një pjesë e vogël e grupit prej 7 kompanish që pritet të falimentojnë.

Banka e Shqipërisë ende nuk e ka paraqitur planin për zgjidhjen e situatës së 35 borxhlinjve të këqij më të mëdhenj në vend, ndërkohë dy prej këtyre borxhlinjve, Kurum me 135 milionë euro kredi dhe detyrime në bankat shqiptare dhe ARMO me mbi 250 milionë euro kredi e detyrime të tjera brenda vendit, kryesisht ndaj shtetit. Të dyja kompanitë janë nga më të mëdhatë në vend, e ndërsa kriza e ARMO njihej që prej privatizimit të saj dhe falimenti ishte lajmëruar që prej dy vjetësh edhe pse kompania u shit në mënyrë të çuditshme, Kurum është një surprizë për publikun, deri para pak kohësh ajo ishte në zgjerim dhe madje u fut edhe në tregun e hidrocentraleve duke blerë dy prej burimeve të mesme të energjisë në vend mes polemikash. Ankandi i parë i shitjes së ARMO ka dështuar, i dyti pritet të mbahet të enjten, me një çmim shumë më të ulët sesa vlera reale e kompanisë. ARMO, ashtu si Kurum, janë ish-kompani publike që keqmenaxhimi prej privatëve i ka çuar drejt falimentit, një prej shenjave më të forta të dështimit të koncesionarëve në vend.

Edhe pse jashtë kësaj krize kompania tjetër e madhe Bankers Petroleum shiti aksionet e saj, ndërsa është në negociata për të zgjedhur një konflikt me shtetin që i kërkon asaj miliona euro borxhe në tatime, të fshehura gjatë viteve të punës në vend. Palët ende nuk kanë gjetur një zgjidhje. Situata e Bankers sidoqoftë ndryshon nga dy të parat. Fati i tyre duket tashmë i vendosur, ndërsa BSH do duhet të zgjidhë me qeverinë dhe bankat edhe fatin e 33 kompanive të tjera për momentin anonime.

“Në fund të marsit 2016 ne do të hartojmë një plan të detajuar për trajtimin e 35 mbajtësve më të mëdhenj të kredive të këqija”, thuhet në një letër që BSH i dërgoi disa ditë më parë FMN-së. Kreditë e këqija kanë rënë ndjeshëm në vend në fund të vitit që shkoi edhe pse pati sërish një rritje të tyre. Të dhënat zyrtare tregojnë se 35 kompanitë në fjalë, emrat e të cilave nuk bëhen publike, kanë mbi 52 për qind të totalit të kredive me probleme. E shprehur në vlerë, kjo do të thotë se këto kompani ose grupe tregtare kanë gati 500 milionë dollarë kredi të këqija, duke u shndërruar në burimin kryesor të pasigurive në sistemin financiar dhe ekonominë kombëtare.  Procesi për evidentimin e këtyre kompani nisi me kërkesën dhe ndihmën e FMN. Prej disa muajsh, Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me bankat private, ku këto kompani kanë marrë kredi, kanë analizuar jo vetëm bilancet, por edhe perspektivën e tyre për të ardhmen.

Plani që Banka e Shqipërisë do të paraqesë muajin tjetër, do të detajojë pikërisht se ç’pjesë e këtyre kompanive do të lihen në treg dhe ç’pjesë do të çohen për falimentim. Të paktën 7 nga këto kompani do të çohen në falimentim dhe nuk dihet nëse këtu përfshihen ARMO e Kurum..

Rasti i falimentit të ARMO-s

ARMO është ish-ndërmarrja shtetërore që u krijua në vitin 1999, pasi qeveria në atë kohë vendosi ndarjen e industrisë së naftës që vendi kishte trashëguar në tri kompani, shpimi, prodhimi dhe rafinim/shpërndarja, me synimin për ta privatizuar këtë sektor pjesë-pjesë. ARMO kishte fillimisht tre rafineri, atë të Ballshit, të Fierit dhe të Cërrikut. Në vitin 2008, qeveria shqiptare e nxori në shitje kompaninë pasi i hoqi asaj rafinerinë e mbyllur të Cërrikut, duke i lënë efektivisht rafinerinë e Ballshit dhe atë të Fierit. Biznesmeni Rezart Taçi rezultoi fitues i tenderit në emër të një konsorciumi ndërkombëtar jo shumë bindës. Në bilancin e vitit 2007, kompania rezultonte se kishte 15 miliardë lekë asete, nga të cilat,  3.3 miliardë qenë detyrime dhe pjesa tjetër, kapital i veti. Kompania pati 14.3 miliardë lekë të ardhura në vitin 2007 dhe raportohej se kontrollonte rreth 20 për qind të tregut shqiptar të hidrokarbureve. Të 85 për qind e aksioneve të blera nga konsorciumi i kontrolluar nga Rezart Taçi, pagoi 128 milionë euro për kompaninë.

Gjendja ekonomike e ARMO-s u përkeqësua me shpejtësi gjatë menaxhimit privat. Në bilancin e vitit 2013, kompania regjistroi humbje të akumuluara prej 39 miliardë lekësh. Kompania, e cila ndërkohë kishte ndërruar pronar, pati regjistruar humbje neto prej 12 miliardë lekësh në vitin 2012 dhe 24 miliardë të tjera në vitin 2013. Në 23 mars, shoqëria e përmbarimore EPSA zhvillon ankandin e dytë për shitjen e pjesshme të rafinerisë ARMO. Përmbarimoret po e zhvillojnë ankandin për llogari të Bankës Raiffeisen ndaj së cilës kompania ka një kredi të pakthyer prej 2.8 miliardë lekësh ose 20 milionë eurosh. Ankandi i parë u zhvillua më 19 shkurt dhe pavarësisht se publiciteti ishte i mjaftueshëm, për rastin nuk u paraqit asnjë i interesuar. Burimet nga Shoqëria përmbarimore pohojnë se bazuar në ligjin për ankandin publik, sendi i lënë kolateral në ankandin e dytë del në shitje me gjysmë çmimi.

Kështu nga 2.8 miliardë euro pjesët e uzinës (truall dhe ndërtesa në fshatin Drizë), do të dalin në shitje për 1.4 miliardë lekë ose 10 milionë euro. Përveç Raiffeisen Bank edhe Tirana Bank dhe Albpetrol, janë vënë në radhë për të mbledhur borxhet nga kreditori më i madh më i keq në Shqipëri. Në 3 mars, Zyra Përmbarimore Private “TDR Group” i është drejtuar QKR-së, ku me kërkesë të kreditorit Banka e Tiranës, ka urdhëruar: Vendosjen e masës së sekuestros konservative mbi të gjitha aksionet e zotëruara nga debitori shoqëria “ ARMO” dhe dorëzanësve të tij, “Anica Mercuria Refinery Associated” dhe kompanisë tjetër “Deveron Oil Albania”. Bllokimi është bërë për shkak të mosshlyerjes së një kontrate kredie të lidhur në vitin 2010 dhe me shtojcë në vitin 2011. Urdhri i sekuestros nuk e thotë shumën, por në bilancin e kompanisë për vitin 2013, huaja ndaj Tirana Bank është rreth 2.8 milionë euro. Ndërsa Deveron Advisor Corp zotëron shoqërinë Oil Albania dhe konsiderohet se është person i lidhur me zotëruesit e aksioneve të shoqërisë ARMO. Deveron është krijuar në nëntor të 2013 dhe prej shkurtit të 2014-s operon në rafinerinë e Ballshit. Në fund të shkurtit, edhe kompania shtetërore e naftës Albpetrol fitoi gjyqin në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë ndaj rafinerisë së përpunimit ARMO për një detyrim 30 milionë euro. Burimet pranë kompanisë Albpetrol bëjnë me dije se vendimi është dhënë për ekzekutim të menjëhershëm dhe është krijuar si i tillë nga mospagesa e faturave për naftën e papërpunuar nga ARMO. Shuma totale që ARMO u ka borxh bankave në Shqipëri është sa 6% e totalit të huasë së keqe që 35 kreditorët më të mëdhenj të këqij kanë ndaj sistemit bankar.

Rënia e Kurum

Gjykata e Tiranës ka caktuar disa ditë më parë si administratore falimenti të shoqërisë “Kurum International” eksperten publike Lindita Kikino. Kikino tha në media se deri më datë 1 prill duhet t’i dërgojë gjykatës një opinion mbi gjendjen financiare të kompanisë dhe çfarë hapash duhen ndjekur më pas.  Nga ana tjetër, kompania turke pati kërkuar vetëadministrim deri në riorganizim të saj për të shlyer kreditë. “Kurum International”, në pronësi të “Kurum Holding” me seli në Turqi, i është drejtuar gjykatës duke kërkuar falimentim dhe riorganizim.

Vetë shoqëria zotëron disa kompani në Shqipëri, ku më të rëndësishmet janë uzina e çelikut Elbasan, koncesioni i kantierit detar në portin e Durrësit dhe hidrocentralet e Bistricës, Ulzës e Shkopetit.  Fakt tjetër është që edhe vetë “Kurum Holding” në Turqi ka shpallur falimentimin, por ka kërkuar disa muaj kohë për të nisur procedurat.  Në Shqipëri kompania turke ka rreth 134 milionë euro kredi dhe overdrafte si borxhe ndaj bankave, institucioneve ndërkombëtare financiare. Kreditori kryesor i “Kurum” është IFC, e cila e financoi për blerjen e tri hidrocentraleve në vitin 2013. Kompania “Kurum” është nga më të mëdhatë në vend.  Impakti i gjendjes negative financiare të saj vlerësohet se ka ndikuar në uljen e eksporteve shqiptare me 5% në 2015, ndërkohë që nga ana tjetër janë shkurtuar qindra vende pune. Kompania, që shpalli falimentin në shkurt, ka vijuar të marrë kredi dhe në muajt e fundit të aktivitetit të saj. Kontrata e huasë me NBG Bank është lidhur në tetor të vitit të kaluar. Pasi kompania e përpunimit të çelikut dhe prodhimit të energjisë, Kurum International, ka shpallur falimentin për efekt ristrukturimi, kanë filluar dhe kërkesat për sekuestrim nga kreditorët.

Kurum International, është kompania e pestë më e madhe në vend sipas xhiros dhe eksportuesi i dytë më i madh. Deri në fund të vitit 2014, Kurum renditej në operatorin e pestë më të madh sipas xhiros në vend, me një qarkullim vjetor 28 miliardë lekë, me rritje me bazë vjetore 16%, kryesisht si rrjedhojë e përfshirjes në aktivitetin e energjisë përmes blerjes së katër hidrocentraleve në fund të 2013-s, Bistrica 1,2, Ulëz dhe Shkopet, me fuqi totale të instaluar 76.7 MW. Kurum ishte gjithashtu eksportuesi i dytë më i madh në vend në 2014-n, me shitje jashtë vendit prej 13.5 miliardë lekësh, me një rënie prej 16%.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Trending Articles