Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Rikthimi i përballjes mes kapitalizmit dhe socializmit

$
0
0

ScrutonHistoria epike e justifikoi revolucionin dhe e parashikoi atë si të pashmangshëm. Kjo e bëri kapitalin një lloj agjenti në histori. Kapitalistët vepruan së bashku si klasë, në një lloj konspiracioni kundër të gjithë ne të tjerëve

Nga Roger Scruton*  

Në vitin 1989 me rënien e murit të Berlinit, të gëzuar, njerëzit në Perëndim thanë “Shkëlqyeshëm! Beteja mes socializmit dhe kapitalizmit mori fund dhe kapitalizmi e ka fituar atë!” Këta njerëz do të ishin habitur nga çdokush që do t’u thoshte se një çerek shekulli më vonë, një nga kandidatët kryesorë për president të SHBA-ve, do ta quante veten një “socialist demokrat”, apo që lideri i opozitës në Mbretërinë e Bashkuar do të ishte një marksist, apo që partitë radikale të majta do të shndërroheshin në forca me ndikim në të gjithë Mesdheun Verior, apo që Shqipëria, e liruar nga njëri prej regjimeve komuniste më mizore e më injorante, do të qeverisej nga një parti që e quan veten socialiste. Si duhet që ta kuptojmë këtë kthesë të papritur të ngjarjeve? A është thjesht një çështje konvencionesh – njerëzit e quajnë veten socialistë por veprojnë krejtësisht në frymë tjetër? A ka shpërthyer sëmundja e vjetër sërish? Apo nuk është sëmundja por kura? Nëse është kështu, kura e kujt?

Përgjigja ime e parë është po, është pjesërisht çështje fjalësh. Por jo, fjalët janë të zhytura në emocione dhe emocionet janë të fuqishme. Le të marrim fjalën “kapitalizëm”, sjellë nga Saint Simon-i dhe marrë nga Marksi. Supozohej të përshkruante një sistem ekonomik, në të cilin individët privatë (kapitalistët) zotërojnë “mjetet e prodhimit”. Në këndvështrimin e Marksit, kapitalistët formonin një klasë, zotëruesit e pronës, të cilët qëndronin në opozitë me klasën punëtore, klasën e tyre që nuk kanë asgjë për të shitur veç punës së tyre. Nga kjo panoramë, u ngrit historia epike e “luftës së klasave”, e cila çon në revolucion, ndërkohë që punëtorët konfiskuan asetet që në fakt, u ishin vjedhur. Kjo histori epike ishte tmerrësisht tërheqëse. Kjo histori u dha njerëzve një kauzë për të luftuar. Ajo racionalizoi diskreditimin e të pasurve dhe të varfërit i bëri aleatë me të pasurit në luftën e tyre për të marrë atë çfarë ishte e tyre. Historia epike e justifikoi revolucionin dhe e parashikoi atë si të pashmangshëm. Kjo e bëri kapitalin një lloj agjenti në histori. Kapitalistët vepruan së bashku si klasë në një lloj konspiracioni kundër të gjithë ne të tjerëve. Ata kontrolluan jo vetëm mjetet e prodhimit por edhe të gjitha institucionet që buruan prej tyre dhe mbështetën ato – kishën, ligjin, shkollat dhe universitetet, ushtrinë. Për më tepër, ata kontrolluan ideologjinë, strukturën e ideve dhe besimeve që legjitimonte kontrollin e tyre. Shkurtimisht, fjala “kapitalizëm” prezantuar si përshkruese e një sistemi ekonomik, përfundonte si përshkruese e një armiku të organizuar kundër njerëzimit; një ushtri pushtuese mes nesh, e cila kontrolloi gjithçka, vodhi gjithçka, e ndërkohë neutralizoi të gjitha përpjekjet tona për rebelim përmes “ndërgjegjes false” ushqyer përmes propagandës së saj.

I përshkruar në një mënyrë të tillë, fjala “kapitalizëm” pushoi së qeni koncept i teorisë ekonomike dhe u shndërrua në një thirrje për luftë. Atëherë, neve na nevojitet një fjalë tjetër, me të cilën të përshkruajmë ata që janë në krahun tjetër – kundër armikut. Kjo fjalë është “socializmi”. Ne duhet të luftojmë për socializmin kundër armikut kapitalist. Ky mesazh na është imponuar pa mëshirë që prej Manifestit Komunist. Sigurisht, Marksi e pa socializmin më tepër si një hap të ndërmjetëm, gjatë rrugës drejt komunizmit. Por, ai nuk kishte as më të zbehtën ide sesi do të vinte komunizmi në momentin që diktatura e proletariatit do të vendosej dhe – për më tepër – në fakt kjo as që i interesonte. Ajo që i interesonte ishte lufta për socializmin dhe revolucionin që buronin nga kjo. E njëjta gjë ka qenë e vërtetë edhe për socialistët e kohës sonë. Ata frymëzohen nga ajo ndaj së cilës janë kundër dhe aspak nga e ardhmja që supozohet ta zëvendësojë.

Konfuzioni sot vjen nga fakti që situata në të cilën fjala “kapitalizëm” u shpik, ka marrë fund. Panorama e Marksit ishte një ekonomi e përkushtuar pas “prodhimit” të të mirave materiale, në fabrika të cilat u përkisnin përfaqësuesve të klasës “kapitaliste”. Por sot, vetëm pak nga ky lloj kapitalistësh dhe nga këto fabrika ekzistojnë ende. Ekonomia moderne është një “ekonomi shërbimesh”: Siguron këshillim, kontakte, argëtim, udhëtime dhe produkte me qira. Ndërmarrjet që sigurojnë mallra apo shërbime të tilla, shumë rrallë janë në pronësi të individëve të vetëm; zakonisht nga aksionerë të cilët nuk i kontrollojnë ato drejtpërdrejt. Menaxherët të cilët kontrollojnë këto ndërmarrje, janë gjithashtu të punësuar nga ata. Të punësuarit kanë mundësi të influencojnë vendimmarrjen në shkallë të ndryshme nga përpjekja e pastruesit të zyrave deri te kontrolli i Drejtorit Ekzekutiv. Fuqia delegohet në çdo nivel dhe çdo nivel menaxhimi “raporton” tek ai më sipër – më tepër sesa thjesht bindje urdhrash. E gjithë kjo gjë ka evoluar “nga një dorë e padukshme” në përputhje me aftësinë e natyrshme të qenieve racionale për të bashkëpunuar me njëra–tjetrën. Në të gjithë këtë marrëveshje, kush e gjen vallë cili është kapitalisti dhe cili proletari? Historia e vjetër nuk vlen më të tregohet. Kështu që çfarë vallë nënkuptojnë njerëzit me fjalën “kapitalizëm” dhe cila është vallë alternativa “socialiste”? E vetmja gjë që sistemi ynë dhe ai i përshkruar nga Marksi kanë të përbashkët është prona private dhe liria për ta shkëmbyer atë, për ta zgjeruar atë dhe për ta shitur atë. Kjo liri nuk është absolute: Disa shkëmbime janë të ndaluara me ligj, shumica janë taksuar dhe në disa vende, taksat mbi trashëgiminë dhe mbi kapitalin, e penalizojnë akumulimin e madh të pronës private. Sidoqoftë , liria për të zotëruar dhe manovruar me pronën private është zemra e ekonomisë moderne dhe nëse fjala “kapitalizëm” nënkupton diçka sot, ajo e thekson këtë liri dhe çdo gjë që ka ardhur prej saj. Në të njëjtën kohë, forma të reja të pronësisë janë zhvilluar – aksione, opsione, të drejtat e autorit, honorare – të cilat mjegullojnë kufijtë mes pronës private dhe publike. Në këto rrethana është shumë e vështirë të kuptosh se çfarë e përbën konfliktin e pretenduar mes kapitalizmit dhe socializmit.

Pa pronën private dhe lirinë për ta pasur, akumuluar dhe shkëmbyer atë, motivi ekonomik shuhet dhe çdo gjë ndalon, ashtu si ndaloi këtu në kohën e Enver Hoxhës. Për më tepër, rritja ekonomike nuk arrihet nga individët që veprojnë të vetëm: Është rezultati i përbashkët i një përpjekjeje bashkëpunuese, në të cilën të panjohurit bashkëpunojnë, secili kontribuon te nevojat e të tjerëve, secili duke marrë avantazh nga sistemi i shkëmbimit. Vetëm kur njerëzit kanë të drejtën e pronës dhe lirisht mund ta shkëmbejnë atë që zotërojnë për atë që kanë nevojë, ndodh që shoqëria e të ndryshmëve dhe të panjohurve mund të arrijë koordinimin ekonomik. Socialistët nuk mund ta pranojnë këtë gjë, së pari, në thellësinë e bindjes së tyre. Ata e shohin shoqërinë si një mekanizëm të rishpërndarjes së burimeve mes atyre që i kërkojnë ato, sikur burimet ekzistojnë përpara aktiviteteve që i krijojnë ato dhe sikur ka një rrugë për të përcaktuar saktësisht kush ka të drejtë të bëjë çfarë pa asnjë referim në historinë e bashkëpunimit ekonomik. Çështjen e risollën në vëmendje ekonomistët austriakë – të njohurit Fon Mises dhe Hajek – gjatë “debatit të llogaritjeve”, që rrethoi propozimet e hershme për një ekonomi socialiste. Kur prodhimi dhe shkëmbimi janë të fiksuara nga një autoritet qendror, argumentojnë austriakët, çmimet nuk sigurojnë më një indeks si të mungesës së një burimi ashtu edhe të shtrirjes së kërkesës për të. Thelbi i dijes ekonomike, që ekziston në ekonominë e lirë si një fakt social, shkatërrohet. Ekonomia, ose rrëzohet përtokë me radhë, mungesa dhe shkurtime që zëvendësojnë rendin spontan të shpërndarjes, ose zëvendësohet nga një ekonomi e zezë me produkte të shpërndara në çmimet e tyre reale – me çmimet për të cilat njerëzit janë përgatitur të paguajnë. Ky rezultat është vërtetuar nga përvoja e ekonomive socialiste; gjithsesi, argumenti i dhënë në mbështetje të tij nuk është empirik por apriori: Mbështetet në një konceptim të gjerë filozofik, sa i përket informacionit të gjeneruar dhe të shpërndarë social.

Pika e rëndësishme në argument është që çmimi i mallrave bart informacion të besueshëm ekonomik, vetëm nëse ekonomia është e lirë. Dija ekonomike nuk konservohet në një plan por vetëm në aktivitetin e agjentëve të lirë kur ata prodhojnë, tregtojnë dhe shkëmbejnë mallrat sipas ligjeve të kërkesë-ofertës. Ekonomia e planifikuar, e cila ofron një shpërndarje racionale në vend të shpërndarjes spontane, shkatërron informacionin mbi të cilin varet funksionimi real i ekonomisë. Ajo thjesht minon bazamentin e vetë. Është shembull i një projekti që supozohet të jetë tërësisht racional nga ata që e bëjnë por që nuk mund të jetë asesi racional tërësisht për arsyen e thjeshtë sepse mbështetet mbi dijen që është e mundshme vetëm në kushtet qe ai i shkatërron.

Kjo nuk do të thotë që liria ekonomike duhet të jetë absolute dhe e pakualifikuar. Përkundrazi, për shkak se është pjesë e bashkëpunimit, liria ekonomike duhet të jetë e disiplinuar e në përputhje me normat shoqërore dhe ligjore. Mund të ketë liri kontrate vetëm në një rend ligjor, i cili i përkrah kontratat dhe detyron dëmtuesit të kompensojnë viktimat e tyre. Zhvillimi i rendit ligjor ndër shekuj është pikërisht ajo çfarë e bën ekonominë e lirë të mundur. Nuk është si tha Marksi që kushtet ekonomike erdhën të parat dhe më pas ligjet u krijuan për t’i certifikuar ato. Gjithmonë ka qenë e kundërta. Ligji vjen nga përpjekjet e të ndryshmëve për të jetuar paqësisht së bashku dhe për të qenë të dobishëm për njeri-tjetrin, pavarësisht të qenit të ndryshëm. Ndërkohë që ligji zhvillohet, po ashtu edhe ekonomia zhvillohet që të vendoset në hapësirat që ai krijon. Jo më tepër se vakuumi ligjor që ekziston në Shqipëri, paqartësia mbi pronën private dhe korrupsioni në drejtësi që pamundëson rritjen e ekonomisë së lirë këtu.

Njerëzit që i thonë vetes socialist në kohën tonë, sigurisht që nuk e hedhin poshtë pronën private apo shkëmbimin e lirë – të paktën në sasi të vogla e të kontrollueshme. Shumica e tyre e kuptojnë që nuk ka asnjë alternativë racionale. Por pothuajse të gjithë ata janë të bindur se tregu i lirë gjeneron pabarazi dhe që ato pabarazi, përtej një limiti të caktuar janë vërtet të papranueshme. Tregu duhet bërë subjekt i rregullimit në mënyrë që të parandalojë pabarazi të tilla. Së fundmi, ky argument është mbështetur me të gjithë aparatin teorik dhe empirik nga Jozef Stiglic dhe Tomas Piketi dhe valët e kësaj ideje mund të kenë arritur edhe Shqipërinë. Çfarë mund të bëjmë prej saj?

Konservatorët thonë që sistemet socialiste dhe komuniste përgjatë shekullit XX, duke konfiskuar pasurinë, nuk nxorën askënd nga varfëria, por zhytën shumë të tjerë në të. Socialistët si Piketi përgënjeshtruan se nga mekanizmi i krijimit të pasurisë përfitojnë gjithmonë zotëruesit e kapitalit më tepër se ç’përfitojnë të paguarit me rrogë e kështu efekti afatgjatë i ekonomisë së lirë është që ta transferojë pasurinë nga të varfërit te të pasurit. Si mund të jetë kjo në dobi të të varfërve dhe si mund t’i bindim ata që ta pranojnë këtë?

Piketi thotë se ekonomia e lirë dhe bërja e pasurisë janë të rrezikshme. Kapitalizmi po avancon pashmangshmërisht drejt llojit të krizave të paralajmëruar nga Marksi, përderisa pasuria po drenazhohet nga ekonomia dhe po grumbullohet në pirgje të padobishme ari. Piketi i bazon argumentet në dy premisa – njëra apriori, tjetra empirike. E para është ligji i mirënjohur, i cili thotë që norma e rikthimit mbi kapitalin priret të kalojë normën e rritjes ekonomike: Nëse nuk do të ndodhte kështu, nuk do të kishte asnjë motiv për investime. Ky ligj që r>g, pranohet gjerësisht jo si një e vërtetë e plotë e ekonomisë moderne por si një parim që udhëheq natyrën e kapitalit. Argumenti i dytë i Piketit është empirik dhe i bazuar mbi një analizë të detajuar të kthimit të taksave dhe treguesve të tjerë për të treguar që rritja në të ardhura mes rrogëtarëve së fundmi ka qenë shumë më pak se rritja e kthimit ndaj investitorëve. Në fjalë të tjera r>g nuk është vetëm një spekulim apriori por një e vërtetë empirike.

Sigurisht që ka luftëra dhe revolucione që çojnë drejt rishpërndarjeve masive të burimeve, zakonisht drejt atyre që nuk kanë bërë asgjë për t’i fituar ato. Por duke pasur parasysh stabilitetin botëror, pasuria do të vazhdojë të lëvizë në rrugën njëkalimshe, prej të varfërve te të pasurit. Jozef Stiglic argumenton të njëjtën pikë nga pozita të tjera. Këto spekulime ushqehen në mënyrën majtiste të shumës-zero të të menduarit, sipas së cilës çdo përfitim i dikujt duhet të jetë patjetër një kosto shkaktuar dikujt tjetri. Nëse të pasurit janë të pasur vjen sepse të varfërit janë të varfër; dhe duke besuar këtë, mund të ushqesh të gjitha ato ndjenja të vjetra kundër njerëzve që janë më mirë se ti, me bindjen se ata kanë vjedhur atë çfarë të përkiste ty – i tillë ishte në fakt themeli emocional i vizionit marksist.

Piketi ekzaminon listën e Forbes për njerëzit më të pasur në botë, në mënyrë që të theksojë se pasuritë më të mëdha u rritën shumë më shpejt se rritja mesatare e pasurisë midis viteve 1987 dhe 2010. Të dhënat tregojnë se pasuria e listës Forbes u rrit gjatë asaj periudhe me një inflacion 7% – më i lartë se 4-5% kthim, sipas argumentit r>g. Kështu që të pasurit po bëhen edhe më të pasur me shpenzimet tona. Sidoqoftë Piketi neglizhon të përmendë se njerëzit në listën Forbes sot janë tërësisht të ndryshëm nga ata në vitin 1987. Me fjalë të tjera, të dhënat tregojnë se kapitali nuk po akumulohet në duart e atyre që e kanë tashmë atë por po lëviz në të njëjtën mënyrë si mobiliteti social dhe rritja e pasurisë e kërkon atë.

Për më tepër, ne duhet të pyesim pse ekonomitë vazhdojnë të rriten – pse nuk është 0 ashtu si ka qenë për periudha të gjata në botën antike. Përgjigja, me përafërsi është që ekonomitë rriten sepse kapitali investohet në to, zakonisht në formën e teknologjisë dhe dijes. Por ky investim ndodh vetëm atje ku ka besim në ekuacionin r>g. Ky observim aplikohet gjithashtu te kapitali në duart e shtetit, i cili duhet të ketë kërkesë konkurruese për përdorimin e tij dhe do ta investojë atje ku kthimi do të jetë më i madh nga frika e të humburit edhe të asaj çfarë ka. Këto argumente teknike na kthejnë te pyetja: Pse është pabarazia kaq e keqe? Nëse kështu, cili është ilaçi? Piketi sugjeron që pabarazitë ngjallin revolucione dhe që – duke qenë se transferimi i pasurisë nga të varfërit te të pasurit vazhdon – situata bëhet gjithnjë e më e padurueshme. Kjo situatë duhet të zgjidhet me konfiskimin konstant të kapitalit. Ai propozon arritjen e kësaj nga një taksë mbi shëndetin dhe nga një normë margjinale e taksës në rreth 80% te të ardhurat më të larta – me fjalë të tjera me ato lloj politikash që qeveritë socialiste franceze kanë prezantuar përpara vendeve të pakënaqura të Europës.

Ne kemi hyrë në disa kushte, në të cilat është legjitime të taksosh ata që bëjnë më tepër para në mënyrë që të shpërndash të ardhurat te pjesa tjetër. Cila duhet të jetë sjellja jonë ndaj kësaj, në botën si e njohim tani? Për aq gjatë sa ka një mospërputhje midis atyre që e quajnë veten mbrojtës të ekonomisë së lirë dhe atyre që e quajnë veten socialist, kjo sillet rreth asaj pyetjeje. Sidoqoftë është një pyetje që ka humbur thumbin e saj. Nuk ka asnjë arsye të besojmë se po përballemi me një konflikt absolutisht të papajtueshëm mes sistemeve politike rivale ashtu si komunistët donin të na bënim të besonim. Konflikti është më tepër çështje theksi: Cilën nga këto theksojmë kur vjen puna te qëllimet politike – lirinë apo barazinë? Çfarë roli duhet të luajë shteti në sigurim? Në marrëveshjet politike perëndimore, të gjitha llojet e kompromiseve janë prodhuar në mënyrë që të pajtohen sa më tepër të jetë e mundur prioritetet rivale të barazisë dhe lirisë dhe pothuajse gjithkund shteti i mirëqenies sociale është pranuar si rruga e vetme për të rishpërndarë produktin ekonomik në mënyrë që të kënaqen nevojat e atyre që nuk kontribuojnë në ekonomi.

Nga ana tjetër,ne nuk duhet të pranojmë pikëpamjen socialiste se pabarazia është formë padrejtësie. Nëse dikush punon fort dhe grumbullon pasuri ndërkohë që fqinji i tij nuk bën asgjë dhe një ditë të bukur duke i drejtuar tytën e armës e kërcënon t’i japë gjysmën e produktit, kush po bën padrejtësi? Sigurisht ai që po kërkon ndarje me dhunë. Ideja e vjetër e padrejtësisë – ajo e vërteta – dënon shtrëngimin, vjedhjen, manipulimin, dhe heqjen e lirisë. Na tregon ne pse skllavëria është e padrejtë dhe pse marrëdhëniet e lira mes qenieve racionale duhet të mbështeten nga ligji. Ideja e re e drejtësisë sociale ka efektin e kundërt. Nuk bën dallimin mes të drejtës dhe të padrejtës në marrëveshjet mes njerëzve, por vetëm mes rezultateve të drejta dhe të padrejta. Nëse rezultati është i barabartë, atëherë quhet se drejtësia është bërë. Nëse është i pabarabartë, atëherë drejtësia sociale kërkon shtetin që të ndërhyjë dhe të rishpërndajë forcërisht shpërblimet. Ky është lloji i gjykimit me të cilin veproi Enver Hoxha.

Për më tepër, edhe nëse ndjekim shtegun socialist në këtë çështje, ne nuk duhet të harrojmë që shteti jo vetëm thjesht rishpërndan asetet: A krijon një klasë të varurish, të cilët mund të mbështeten vetëm në këtë rishpërndarje. Në Francën e sotme, më tepër se gjysma e popullsisë janë marrësit neto të të ardhurave nga shteti – me fjalë të tjera , njerëzit që mbështeten te shteti për t’i mbajtur ato. Shanset për ta ndryshuar këtë janë minimale përderisa të varurit te shteti do të votojnë gjithmonë për një rritje të fuqisë së shtetit dhe rritje të taksimit, si nevojë për ta mbajtur atë. Taksat e paguara nga të tjerët nuk përbëjnë problem për mua. Ky është njëri nga burimet e konfliktit social që edhe çon në emigrimin e vazhdueshëm të taksapaguesve të vërtetë në vende të tjera. Ka rreth gjysmë milioni francezë rezidentë në Londër.

Shkurtimisht, zgjidhja socialiste për problemin e pretenduar të pabarazisë nuk është realisht një zgjidhje por themeli i problemeve të tjera e më të thella. Zgjidhja socialiste krijon një klasë që kanë varësi nga shteti e që mbështetjen ndaj tyre e varin në taksimin e sipërmarrësve, të cilët në fund të fundit mund të zgjedhin të largohen nga vendi në mënyrë që të shmangin taksimin. Kjo është po aq e rrezikshme si situatë, sa ajo e parashikuar nga Tomas Piketi, në të cilën pabarazia ekonomike është bërë kaq e madhe saqë klasat e varfra nuk mund ta pranojnë më.

Cila duhet të jetë politika jonë në të gjithë këtë? Jam i mendimit që shteti duhet të luajë faktikisht një rol në ekonominë moderne, duke siguruar mundësi për ata të cilët në të kundërt do të ishin privuar prej tyre – por mundësi dhe jo asete. Sipërmarrësit duhet të inkurajohen e jo të taksohen deri në asfiksim; të varfërit duhet të ndihmohen që të gjejnë punësim e jo të paguhen kur refuzojnë të punojnë. Sistemi i përfitimeve duhet të kushtëzohet në vetë-ndihmë dhe bamirësi private për zbutjen e varfërisë, si dhe duhet të inkurajohet. Lufta e Enver Hoxhës ndaj religjionit ishte luftë ndaj bamirësisë – duke shkatërruar kishat e xhamitë, ai shkatërroi bashkë me to edhe rrjetin e mbështetjes që njerëzit e aftë mund të japin për të afërmit, fqinjët dhe gjithashtu për përballimin e fatkeqësive. Këto rrjete janë shumë më të rëndësishme në fund të fundit sesa çdo sistem shtetëror i kontrollit shëndetësor, përderisa rekrutojnë pjesën më të mirë të ndjenjave njerëzore dhe kurojnë plagët e shoqërisë përmes ndjenjave të mira. Ky është ideali drejt të cilit duhet të lëvizim dhe është ideali i cili është thelbi i mesazhit të djathtë.

*Fjala e mbajtur në Forumin e Tiranës për Liri Ekonomike me temë: “Kur do të vendoset kapitalizmi?”, organizuar nga Fondacioni për Liri Ekonomike. Titulli i origjinalit: Argumenti mbi kapitalizmin


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663