Tea Construction & Petrol, një nga kompanitë me rritje më të shpejtë në 2013 ndodhet në telashe. Raiffeisen Bank ka kërkuar në 28 korrik përmes shoqërisë përmbarimore Power & Justice bllokimin e aktivitetit të kompanisë, duke përdorur kontratën e kredisë bankare si titull ekzekutiv. Banka kërkon kthimin e kredisë me gjithë interesa, në një shumë prej 510,190.37 euro. Në materialin e çështjes refererohet që pala debitore nuk është gjetur për dorëzimin e njoftimit vullnetar dhe më pas është marrë vendimi për kalimin e ekzekutimit të titullit në mënyrë të detyrueshme. Kredimarrësi nuk e ka shlyer kredinë, pavarësisht dhe rishikimit të kushteve të saj.
Por, nuk është vetëm Raiffeisen që kërkon të mbledhë detyrimet ndaj Tea Construction& Petrol. Në 15 korrik, Kuotat e aksionerit të vetëm të Tea Construction & Petrol janë vënë nën sekuestro konservative, sipas të dhënave nga QKR, pas një kërkese të kompanisë së naftës FIT MEK OIL.
Tea Construction& Petrol, pjesë e Tea Oil Group katërfishoi aktivitetin e saj në 2013-n, duke arritur një xhiro prej 8.7 miliardë lekë, për t’u ngjitur në vendin e 27, nga i 68-i që ishte vetëm një vit më parë në renditjen e 100 të mëdhave. Sipas burimeve zyrtare të kompanisë, aktiviteti i saj kryesor është shitja me shumicë dhe pakicë e naftës, ndërtimi i rrugëve, import-eksporti etj. Më se një vit më parë ajo mori markat e naftës Alpet dhe Cyclon.
Por, kjo rritje e shpejtë, duket se nuk ka qenë e qëndrueshme, teksa kompania sot po përballet me bankat dhe kompanitë e tjera, që kërkojnë kthimin e borxheve./Monitor