Kryeministri Edi Rama njoftoi dje se qeveria do të nisë në shtator një operacion të gjerë kombëtar kundër evazionit fiskal, të ngjashëm me atë të energjisë elektrike
Kryeministri Edi Rama njoftoi dje se qeveria do të nisë në shtator një operacion të gjerë kombëtar kundër evazionit fiskal, të ngjashëm me atë të energjisë elektrike.
“Objektivi i kësaj beteje që do të zhvillohet në çdo qytet, në çdo rrugë, në çdo aktivitet tregtar kundër informalitetit, është ulja e taksave. Por që të ulen taksat, duhet që të sigurohemi që të paguajnë të gjithë”, – tha Kryeministri.
Rama theksoi se në aksion do të përfshihen Tatimet, Doganat, Inspektorati i Punës dhe shumë struktura të tjera shtetërore. Por, përpara fillimit të tij, qeveria do të ashpërsojë masat ndëshkuese për ata që fshehin taksat: “Do të ndërhyjmë në Kodin Penal për t’i ashpërsuar masat penale ndaj evazorëve. Ne kemi në sektorin e të ardhurave një situatë shumë të ngjashme me sektorin e energjisë, një pjesë paguan dhe një pjesë tjetër nuk paguan dhe ata që paguajnë, paguajnë edhe për ata që nuk paguajnë. Qëllimi ynë është të ulim taksat”.
Shefi i qeverisë tha se është e papranueshme që në Shqipëri ka kompani të mëdha që punojnë me dy bilance, një për tatimet dhe një tjetër për bankat. Sipas tij, kjo do të marrë fund përmes një ndërhyrjeje ligjore që qeveria do të realizojë me Bankën e Shqipërisë. “Ne themi që kemi një sektor strategjik që është turizmi dhe ne kemi hotele të tëra që figurojnë me një punonjës e gjysmë, domethënë kanë një punonjës të regjistruar dhe pronarin part-time, pra, dy veta. Kjo nuk mund të vazhdojë”.
Ai lajmëroi se më 1 janar të vitit 2018, bankat do të pranojnë vetëm deklaratën tatimore të bizneseve gjatë procesit të kredidhënies. “Nuk do të ketë më pranim bilancesh ilegale dhe t’i përdorin si bilance që përbëjnë bazën e vendimit për të dhënë apo jo kredi”, – tha Rama.
Qeveria është angazhuar të ulë borxhin publik sipas një programi të dakordësuar me Fondin Monetar. Vitin e kaluar objektivat fiskalë të programit u realizuan plotësisht, por këtë vit të ardhurat nga taksat janë dukshëm më të ulëta se plani. Kjo ka bërë që FMN-ja të kërkojë publikisht masa konkrete, për të mos vënë në rrezik objektivin e uljes së borxhit dhe ristabilizimit të financave publike.
Ekonomia
Ndërsa paradite, Kryeministri në një konferencë për shtyp në prag të përfundimit të sezonit politik tha se ekonomia ka ndjekur trendin pozitiv, duke qëndruar në harmoni me parashikimet e programit të hartuar me FMN-në dhe Bankën Botërore. “Ekonomia u mbyll me rritje 2.82% në fund të 2014-s. Ndërsa në fund të 2015-s do të jemi pranë rritjes prej 3 për qind”, – ka deklaruar Rama. Kreu i qeverisë ka nënvizuar se shlyerja e 641 milionë dollarëve borxhe ndaj kontraktorëve ka pasur një impakt direkt në konsolidimin e trendit pozitiv.
“Ky qe një proces me ankesa për korrupsion zero, pasi metoda e përdorur duke shlyer detyrimet në bazë të një radhe të papërcaktuar nga qeveria dhe dëshirat e Ministrisë së Financave, por e caktuar nga koha e krijimit borxheve, ka garantuar që procesi të jetë i pakontestueshëm”, – u shpreh Kryeministri. “Për 6-mujorin e parë të këtij viti, – shtoi Rama, – kemi një ulje të borxhit nën 69 për qind, në 68.2 për qind. “Duke marrë parasysh edhe shlyerjen e detyrimeve ndaj kontraktorëve, niveli real i borxhit është 64 për qind”. Ai ka theksuar gjithashtu se paketat fiskale kanë ardhur me masa lehtësuese, të cilat kanë dhënë një efekt prej 97 milionë dollarësh në buxhetin e shtetit. Një tjetër arritje sipas Kryeministrit kanë qenë edhe rimbursimet automatike të TVSH-së, të cilat kanë eliminuar zvarritjet.