Nga 25 Korriku, Ishulli i Sazanit është hapur për turistët vendas dhe të huaj si një destinacion turistik historik e natyror.
Projekti për ishullin ishte prezantuar me herët nga Kryeministri Rama si një nga risitë e këtij sezoni turistik, ndërsa Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj, gjatë një turi me gazetarë në Sazan, deklaroi se korriku do të ishte muaji kur ishulli do teëhapej për turistët.
Dita e shtunë shënoi ditën e parë zyrtare për Sazanin, si destinacion i rëndësishëm turistik, ku një grup prej rreth 130 turistësh dhe të rinjsh nga vendi vizituan ishullin. Agjencia Kombëtare e Bregdetit, e cila do të jetë përgjegjëse për administrimin e ishullit gjatë sezonit turistik, së bashku me forcat ushtarake prezente, ka raportuar se gjatë ditës së dielë mbi 140 turistë nga Shqipëria, Kosova dhe të huaj kanë zhvilluar ture në ishull, shoqëruar nga guidat turistike.
Projekti për hapjen e Ishullit të Sazanit ka më shumë se një vit që është konceptuar dhe për të është punuar se bashku me Konservatorin Litoral Francez.
Hyrja për turistët do të jetë në portin e Sazanit, ndërkohë që Agjencia Kombëtare e Bregdetit shumë shpejt do të përfundojë hartimin e një Rregulloreje përkatëse, ku do të bazohet administrimi turistik i Ishullit të Sazanit.
Sipas Drejtorit të Agjencisë Kombëtare të |Bregdetit, Auron Tare, të ardhurat e mbledhura do të përdoren vetëm për Ishullin e Sazanit, për menaxhimin e zonës, për hapjen e qendrës së vizitorëve dhe për qendrën kërkimore shkencore që synohet të ngrihet.
Nga 25 korriku, ishulli do të jetë i hapur përgjatë gjithë sezonit turistik për këdo që ka kuriozitet ta vizitojë atë./Monitor