Një sezon turistik që pritet të mbyllet me shifra pozitive. Jo aq për meritën tonë sesa për shkak të ngjarjeve apo zhvillimeve në disa destinacione turistike botërore si Tunizia, Italia, Franca, etj. Nga ana tjetër, ndikim do të ketë edhe gjendja e fqinjit jugor, që po na “ndëshkon” si pasojë e çmimeve që këtë vit janë ulur ndjeshëm. Por, operatorët turistikë japin alarmin se, nëse nuk merren masa për rregullimin e industrisë, atëherë për të do të vijnë ditë shumë të vështira
Nga Elona Bedalli, Monitor
Të kushton më shumë t’i kalosh pushimet në Shqipëri. Nuk është aspak një slogan reklamash, por kryefjala e këtij sezoni në vendin tonë. Për të kaluar 7-10 ditë pushime në bregdetin shqiptar, qoftë në atë jonian apo në Adriatik, një çifti i duhet të shpenzojë rreth 800-1,000 euro. Në Ksamil, qëndrimi në hotel në pikun e sezonit kushton minimalisht 40 euro për person, por nëse do të doni të konsumoni edhe ndonjë vakt, atëherë çmimi mund të shkojë edhe deri në 75 euro për person. Këtyre shifrave duhet t’u shtoni edhe shfrytëzimin e plazhit, ndonjë shëtitje me mjete motorike, jetën e natës etj. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për destinacione si Himara, Dhërmiu. Disi më të reduktuara janë çmimet e akomodimit në Shëngjin apo Velipojë.
Janë shifra që, në shumë raste, nuk justifikojnë cilësinë apo shërbimet që ofrohen. Në këto kushte, shqiptarët nuk ngurrojnë t’i hedhin sytë nga fqinjët, e veçanërisht këtë sezon nga Greqia e cila, e “etur” për cash, ofron për ishujt e saj (në kushte të tjera do të ishte një luks i paarritshëm) akomodim me çmime tejet të favorshme që mund të nisin edhe nga 300 euro në 10 ditë. E këtu nuk po tentojmë të bëjmë asnjë krahasim me cilësinë e shërbimit dhe të aktiviteteve argëtuese që u ofrohen turistëve, sepse nëse do ta bënim, bilanci nuk do të ishte aspak i favorshëm për Shqipërinë.
Këtë situatë e pranojnë edhe vetë operatorët turistikë, të cilët japin alarmin se, nëse nuk do të minimizohet informaliteti, nëse industria nuk stimulohet nga ana fiskale dhe nëse nuk ndërmerren masa për zhvillim të qëndrueshëm, atëherë do të cenohet rëndë ecuria. E kësaj mund t’i shtohet edhe rreziku nga “braktisja” që mund t’i bëjnë bregdetit, shqiptarët e Kosovës, nëse atyre iu ofrohet regjimi pa viza.
Në çdo rast, turizmit shqiptar do t’i duhet më shumë se një jelek shpëtimi.
Tunizia na favorizon, Greqia na “zhyt”
Me Greqinë në vështirësi, Tunizinë e cenuar nga terrorizmi, Francën në kthetrat e një bllokade portuale, si dhe Italinë që po përballet gjithnjë e më shumë me emigrantë të paligjshëm, një pjesë e vendeve të Mesdheut po kërkon të përfitojë sa më shumë nga turizmi.
Mijëra turistë nga Europa kanë anuluar pushimet e tyre për shkak të sulmeve terroriste. Ekspertët thonë se Shqipëria mund të përfitojë, duke thithur një pjesë të kërkesës.
Ndërsa në rastin e Greqisë, medalja ka dy anë. Nga njëra anë, janë ata turistë që po presin deri në minutë të fundit për ecurinë e ngjarjeve. Sipas operatorit nordik Vig janë rreth 250,000 turistë skandinavë që kanë prenotuar për pushime në Greqi, ndërsa konfirmojnë rënien e kërkesës nga turistët shqiptarë. Për Shqipërinë, Greqia shihet si një destinacion në top-listën e preferencave dhe kjo pa diskutim që do të ndikojë në ofertën e brendshme.
Na presin kohë të vështira
Flet Zak Topuzi, kryetar i sektorit hotelier, Shoqata Shqiptare e Turizmit
Cila do të jetë ecuria e turizmit gjatë këtij sezoni?
Në përgjithësi ka një trend pozitiv, që nuk lidhet me sezonin e tanishëm, por me prenotimet e bëra një vit më parë.
Shqipëria është kthyer në një markë, pasi tashmë është pjesë e turit ballkanik.
Kriza europiane ka bërë që njerëzit të lëvizin më shpesh dhe për një kohë më të shkurtër dhe më afër. Kjo i ka krijuar Ballkanit një mundësi të artë për të zhvilluar turizmin. Brenda një periudhe 3-7-ditore mund të vizitohen disa destinacione në të njëjtën kohë. Këto vende kanë një kulturë të ndërthurur, për të mos harruar një sërë luftërash që janë zhvilluar në këto treva.
Ka një rritje të ardhjeve nga ana e moshës së tretë, kryesisht me paketa low cost që mbushin periudhën e sezonit “jo-pik” që nis në maj dhe përfundon në tetor dhe ky është një trend pozitiv. Ka një zgjatje të kontratave me agjencitë e huaja, nga 45-ditore tashmë është 60 ditë dhe kjo është pozitive. Ka një trend nga vendet e ish-bllokut socialist, siç është Çekia që kanë bërë prenotime të tilla dhe shikojmë një trend pozitiv edhe për arsye gjeopolitike. Një faktor tjetër janë edhe problemet që po kalojnë vendet e Mesdheut, siç është Tunizia.
Por, kjo kërkesë, nuk i përgjigjet përgatitjes sonë. Ne vazhdojmë të jemi mbrapa, të mos e vlerësojmë turizmin si industri kryesore, pavarësisht se konferencat e fundit të OBT-së kanë dhënë rekomandime për trajtimin e veçantë të bujqësisë dhe turizmit, si dy sektorët që ndihmuan më shumë në zhvillimin e ekonomisë dhe sigurojnë punësim.
Në një kohë kur sektorët e tjerë kanë qenë pothuajse në stanjacion, turizmi ka njohur rritje në rreth 5%, si në numrin e turistëve, edhe në të ardhura.
Pikësynimi ynë, që është në të njëjtën gjatësi vale me atë të OBT-së është zgjatja e sezonit, që i jep frymëmarrje ekonomisë dhe gjeneron punësim jo sezonal.
A janë rritur shpenzimet e të huajve?
Shpenzimet nuk kanë pësuar ndonjë rritje të ndjeshme. Në Shqipëri, edhe pse është një rrugë e detyrueshme kalimi për të lidhur dy vendet e Europës, Greqinë me Kroacinë, vende ku zhvillohen turet kryesore, qëndrohet shumë pak (pothuajse tranzit). Kështu Shqipëria merr një pjesë të vogël të paketës financiare të këtyre tureve 7-ditore. Ka edhe arsye të tjera.
Destinacionet tona nuk janë paketa të plota, kryesisht ne shërbejmë si vend tranzit.
Çfarë po ndodh me shqiptarët?
Nuk vëmë re ndryshime të mëdha. Vazhdon të jetë raporti i lartë, ku 80% e mbërritjeve u takojnë shqiptarëve të Kosovës, emigrantët. Shqiptarët e Kosovës kanë shkurtuar shpenzimet, pasi duke u zhvendosur në Velipojë, qëndrojnë më pak.
Problemi qëndron se ne nuk kemi perspektivë afatmesme dhe afatgjatë. Shumë shpejt do të përballemi me një situatë të vështirë, pasi nga njëra anë, rajoni ka ecur me hapa të mëdhenj, ndërsa ne kemi mbetur në vend. Përmirësimet tona janë aq të vogla sa nuk bien në sy në raport me rajonin. Kroacia, Mali i Zi, por edhe Maqedonia kanë bërë progres të madh, duke e kthyer turizmin në një industri të rëndësishme. Qytete si Budva apo Dubrovniku kanë 365 ditë turizëm, gati 80% të të ardhurave vijnë nga kjo industri dhe këto janë shifra që na janë bërë të ditura nga takimet që kemi zhvilluar me operatorët e këtyre vendeve. Çmimet gjithashtu janë të favorshme. Hotelet janë të zëna. Dhe kjo ndodh pasi ata e trajtojnë me seriozitet turizmin. Gjithashtu fondet që kanë në dispozicion për promovimin janë të larta. Dubrovniku ka 3 milionë euro promocion, ndërsa Shqipëria llogarit në total 60 milionë lekë. Që në këtë moment jemi në dizavanatzh. Këto destinacione vijnë me oferta të kuruara deri në detajet më të hollësishme për 365 ditët e vitit.
Një program i hartuar në detaje dhe me një vit avancë e bën turizmin të zhvillohet i sigurt, por edhe të jetë i përshtatshëm për të gjitha buxhetet.
Shqipëria vuan mungesën e këtyre planifikimeve. Një shembull aspak pozitiv është edhe ajo që ndodhi me Festivalin e Gjirokastrës, ku zhvillimi me dy javë vonesë ndikoi jo pak në paketat që ishin hartuar një vit më parë e për të cilat agjencitë kishin bërë prenotimet.
Një tjetër problem shumë i madh është edhe pushteti lokal. Zbatimi i ndarjes së re administrative ka sjellë kaos dhe shumë aspekte kanë mbetur të pambuluara, shërbimet nuk po ofrohen dhe kjo ndikon jo pak në sezon. Menaxhimi i territorit është një çështje e rëndësishme, pasi nënkupton shërbime të paofruara, sinjalistë e munguar, rrugë jo të pastra. Nuk mjafton të kesh një det të pastër apo një hotel të bukur për të tërhequr pushuesit. Herë pas here në pjesën jugore të Shqipërisë janë konstatuar ndërprerje të energjisë, gjë e cila paralizon tërësisht industrinë dhe largon turistët. Remontet në kulmin e sezonit janë të patolerueshme.
E të gjitha këto i shtohen edhe një sezon i ngushtë 45-60 ditorë, duke i detyruar bizneset që të zbatojnë çmime maksimale për të mbuluar pjesën tjetër të kohës. Kjo është edhe arsyeja se përse në Jug çmimet janë të larta.
Cili është ndikimi që po sjell Greqia?
Greqia ka oferta konkurruese dhe një pjesë e njerëzve po lëvizin drejt këtij destinacioni, pa lënë mënjanë edhe Turqinë. Numri i shqiptarëve që zgjedh të pushojë jashtë është në rritje. Viti 2013 dhe 2014 patën rritje prej 60 milionë eurosh për shpenzimet. Arsyeja? Shqiptarët nuk gjejnë dot një raport të drejtë çmim/cilësi në vendin e tyre, ndaj detyrohen që të largohen.
I gjithë rajoni është kthyer në një atraksion.
Për në Greqi, paketat pothuajse janë shitur dhe grupet e turistëve për turin ballkanik nuk janë anuluar. Informacionet nga zonat turistike flasin për një jetë normale turistike dhe nuk po ndihet shumë efekti i krizës. Grekët e dinë që këta dy muaj janë vendimtarë për ta dhe po i përgjigjen situatës. Vlen për t’u theksuar se është rritur ndjeshëm informaliteti si rezultat i mosfunksionimit të duhur të shtetit. E kjo bën që paketat të jenë më të lira. Duke paguar cash dhe pa fatura, një natë në një dhomë hoteli mund të kushtojë rreth 50 euro nga rreth 70 euro që kushtonte një vit më parë.
Në një periudhë afatshkurtër, me çfarë problemesh mund të përballemi?
Në radhë të parë është përgatitja që po bën Kosova për të përfituar regjimin e lirë, pa viza me zonën Shengen. Liberalizimi i mundshëm do ta penalizojë ndjeshëm turizmin shqiptar, duke qenë se ata përbëjnë edhe prurjen më të madhe.
Ndaj është e udhës që të merren masa sa më të shpejta, afatmesme për t’iu përgjigjur kësaj lëvizjeje.
Nga ana tjetër, Shqipëria nuk ka strukturë hoteliere të konsoliduar. Janë vetëm katër hotele që kanë mbi 100 shtretër, pjesa tjetër nuk kanë kapacitete të mëdha. Numri i resorteve (nëse mund t’i quajmë të tilla) është i papërfillshëm dhe ofrojnë çmime shumë të larta për standardet që ofrojnë. Nuk mund të konsiderohet i tillë vetëm një hotel që ka një pishinë dhe nuk ofron utilitete të tjera, si sportet e ujit, jetën e natës, ekskursionet, etj.
Nëse ne nuk marrim masa, askush nuk do të dojë të investojë. Në kushtet e mungesë së një masterplani dhe të një strategjie askush nuk do të shfaqë interes për të investuar në turizëm, sepse mungon garancia afatgjatë.
Nga ana tjetër, qeveria duhet të marrë masa për të reduktuar informalitetin e këtë mund ta bëjë duke realizuar lehtësimin fiskal. Në kushtet e formalitetit, pjesa më e madhe e njësive familjare të akomodimit do të përballen me vështirësi dhe do të mbyllen. Nuk duhet të harrojmë se mesatarisht, taksa e fjetjes shkon në rreth 5% të çmimit dhe vetë mënyra e vjeljes lë vend për abuzime. Jashtë, taksa e fjetjes paguhet nga ana e turistit për shërbimin që merr.
Në Shqipëri mungon edhe informacioni për turistët. Nuk mund të blesh dot një hartë informuese apo të kesh në dispozicion një program që mund të shkarkohet në smartphone me stemën e bashkisë, sikundër ndodh në vendet e tjera.
I rëndësishëm është edhe stimulimi i turizmit rural. Kjo praktikë ka dhënë rezultate pozitive në zonën e Veriut, por duhet të shtrihet në të gjithë territorin kodrinor të Shqipërisë. Është pozitiv, sepse krijon një zinxhir të vërtetë turistik.
Nga ana e qeverisë po bëhen përpjekje për ta kthyer në një sektor prioritar, qoftë edhe duke përmirësuar ligjin për investimet e huaja. Por, pa një strategji e një masterplan të përgjithshëm që merr konsensusin e gjerë politik nuk mund të ketë turizëm të qëndrueshëm dhe investime të mëdha dhe të garantuara.