Nga vendimi i djeshëm i qeverisë përfitojnë 6648 veteranë lufte. Sipas ministrit Klosi, rritja në këto nivele është bërë për shkak se kjo kategori nuk është trajtuar që nga viti 2007
Ata që kanë dalë më të kënaqur nga vendimmarrja e djeshme e qeverisë padyshim që janë veteranët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Për ta qeveria ka miratuar dje një vendim deri diku surprizë, pasi ka vendosur që të rrisë pagesën e veteranit të luftës, jo pak por 15.6 për qind. Duke folur pas mbledhjes së qeverisë, ministri Blendi Klosi bëri të ditur se vendimi prek në mënyrë të drejtpërdrejtë 6600 veteranë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, të cilët nuk kanë përfituar asnjë rritje të pensionit që nga viti 2007. “Me këtë vendim ne vlerësojmë kontributin e vyer që kanë dhënë veteranët e luftës, të cilët sakrifikuan rininë e tyre për të luftuar për lirinë e vendit”, – tha ministri Klosi në fjalën e tij.
Më tej duke shpjeguar vendimin, Klosi bëri të ditur se kjo kategori, në mënyrë diskriminuese nga qeverisja e mëparshme ishte lënë në harresë dhe që nga viti 2007 nuk i ishte indeksuar asnjëherë rritja e çmimeve të ushqimeve.
Prandaj tha Klosi, nisur nga ky fakt është bërë përllogaritja e rritjes së çmimeve dhe indeksimi i masës së shpërblimit të veteranëve të luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar, duke arritur të mbajë në nivele optimale vlerën reale të shpërblimeve të përcaktuara dhe duke rikuperuar e rimbursuar efektet e rritjes së indeksit të çmimeve në vite.
“Që prej vitit 2007, pra që prej 8 vitesh më parë, pavarësisht luhatjeve të inflacionit, pensioni i veteranëve të luftës ka mbetur i pandryshuar, çka në fakt ka rezultuar në një ulje reale të pensionit të tyre. Sot, qeveria shqiptare ka vendosur të çojë në vend dinjitetin e atyre që luftuan për çlirimin e Shqipërisë, duke i rritur pensionet e 6600 veteranëve të luftës me 15.6%”, – tha ministri Klosi në deklaratën e vet.
Ndërkohë që në relacionin shoqërues të këtij vendimi shpjegohet se bazuar në dokumentin e botuar nga INSTAT “Për indeksin e çmimeve të konsumit në muajin qershor 2015”, të shpallur në dt. 08.07.2015, ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit krahasuar me vitin 2007 rezulton të jetë 118.1%, me një rritje prej 18.1 %.
Duke qenë se për vitin 2007 është realizuar indeksimi i masës së shpërblimit me koeficientin 2.5 %, në këtë vendim parashikohet indeksimi i shumave të shpërblimit të veteranëve me 15.6% që përfaqëson rritjen e indeksit të çmimeve 2008-2015. Pas rritjes që propozohet, shpërblimi mesatar nga rreth 3,200 leke arrin në 3,699 leke me një rritje prej rreth 500 leke në muaj.
Nga miratimi dhe zbatimi i këtij vendimi do të përfitojnë rritje të të ardhurave mujore 6648 veteranë dhe efektet financiare mujore parashikohen në mbi 3319 mije lekë në muaj dhe efekte deri në 31.12 2015, në shumën 16 600 mijë leke dhe që do të përballohen nga fondet e kontingjencës të planifikuara për rritjen e pensioneve në Buxhetin e Shtetit për vitin 2015.
Tabelë
Indeksimin në masën 15.6 për qind të shpërblimit të veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar, duke arritur vlerat e mëposhtme:
-Shpërblimi sipas shkronjës “a” të pikës 7, nga 3 383 lekë, bëhet 3 911 lekë në muaj.
-Shpërblimi sipas shkronjës “b” të pikës 7, nga 2 709 lekë, bëhet 3 132 lekë në muaj.
-Shpërblimi sipas shkronjës “c” të pikës 7, nga 2 255 lekë, bëhet 2 607 lekë në muaj.
-Shpërblimi sipas shkronjës “e” të pikës 7, nga 676 lekë, bëhet 781 lekë në muaj.
-Shpërblimi sipas pikës 8/1 (për kohën e vuajtjes në burg mbi 6 muaj), nga 1 127 lekë , bëhet 1 303 lekë në muaj.
-Shpërblimi sipas pikës 8/2 (për kohën e vuajtjes në burg nga 1 deri në 6 muaj), nga 678 lekë, bëhet 784 lekë në muaj.
-Shpërblimi sipas shkronjës “a” të pikës 9, nga 3 383 lekë, bëhet 3 911 lekë në muaj.
-Shpërblimi sipas shkronjës “b” të pikës 9, nga 2 255 lekë, bëhet 2 607 lekë në muaj.
-Shpërblimi sipas pikës “11” nga 1 127 lekë, bëhet 1 303 lekë në muaj.