Dëmi ekonomik që i është krijuar vendit nga mosllogaritja e drejtë e rentës minerare arrin 23 milionë euro, ndërsa të ardhurat e munguara në buxhet mbi 400 mijë euro. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka audituar procesin e taksimit me rentw në të gjitha pikat doganore të vendit për periudhën 2013 -2014 dhe ka vërejtur mospërputhje në veprimtarinë e administratës doganore si në drejtim të procesit të vlerësimit e pranimit të deklaratave doganore të eksportit nga subjektet eksportuese ashtu dhe në llogaritjen dhe arkëtimin e Taksës së Rentës Minerare.
Burimet zyrtare në KLSH thanë se si pasojë e këtyre parregullsive dëmi ekonomik për buxhetin e shtetit llogaritet në shumën prej 3,321,665,015 lekë dhe të ardhura të munguara në buxhet në shumën prej 57,834,811 lekë, si rezultat i mos llogaritjes dhe mos arkëtimit të taksës kombëtare për rentën minerare, për mineralet e eksportuara, të detajuara si vijon:
-Në Degën e Doganës Vlorë konstatohen subjekte që kanë deklaruar në eksportin e naftës bruto çmim dukshëm me të ulët nga çmimi bruto i kuotuar në bursë në kohën e eksportimit dhe të njoftuar zyrtarisht nga DPD, mbi bazën e të cilit, llogaritet dhe paguhet Taksa Kombëtare për rentën minerare sipas kërkesave të kuadrit rregullator në fuqi dhe në mënyrë specifike të VKM nr. 7, datë 04.01.2012.
Si rezultat i diferencave të çmimit, të ardhurat nga taksa kombëtare mbi rentën minerare në eksportin e naftës bruto, janë më të ulëta në shumën prej 3,312,447,182 lekë, e cila përbën dëm ekonomik për buxhetin e shtetit, i shkaktuar respektivisht nga 3 subjekte.
-Në Degën e Doganës Qafë Thanë, ndër subjektet eksportuese të mineralit Hekur Nikel, konstatohen subjekte që kanë deklaruar në eksportin e mineralit Hekur Nikel, çmimin mesatar rreth 9 USD/toni, FOB, i cili është dukshëm me i ulët nga çmimi i tregut të mineralit me përmbajte nikeli të afërt me Mineralin e Hekur-Nikelit që nxirret në vendin tonë, të eksportuar mesatarisht rreth 34 USD/ton deri 43 USD/ton, FOB, i evidentuar nga të dhënat e publikuara të periudhës dhe i përllogaritur sipas kërkesave të kuadrit rregullator në fuqi dhe në mënyrë specifike të VKM nr. 7, datë 04.01.2012 .
Si rezultat i diferencave të çmimit të deklaruar nga subjektet dhe çmimit mesatar të tregut sa më sipër, rezulton se, të ardhurat nga taksa kombëtare mbi rentën minerare në eksportin e mineralit, Hekur Nikel, janë më të ulëta në shumën prej 2 57,834,811 lekë, e cila përbën mungesë të ardhurash për buxhetin e shtetit, i shkaktuar respektivisht nga 9 subjekte eksportuese gjatë vitit 2013, në shumën prej 16,258,086 lekë dhe, nga 7 subjekte eksportuese gjatë vitit 2014, në shumën prej 41,576,725 lekë.
Diferencat e konstatuara ndikojnë negativisht gjithashtu dhe në bazën e përllogaritjes së vlerës së tatueshme nga administrata tatimore për efekt të llogaritjes dhe pagesës së detyrimeve tatimore në Republikën e Shqipërisë.
-Në Degën e Doganës Durrës, ndër subjektet eksportuese të mineralit të kromit, konstatohen subjekte që kanë deklaruar në eksportin e mineralit të kromit çmim mesatar dukshëm me të ulët nga çmimi i përcaktuar nga Komisioni AdHock pranë MF.
Si rezultat i diferencave të çmimit të deklaruar nga subjektet dhe çmimit të përcaktuar nga Komisioni AdHock pranë MF, mbi bazën e të cilit duhej të llogaritej taksa mbi rentën minerare, rezulton se, të ardhurat nga taksa kombëtare mbi rentën minerare në eksportin e mineralit të kromit, janë më të ulëta në shumën prej 15,337,725 lekë, e cila përbën dëm ekonomik për buxhetin e shtetit, i shkaktuar nga 44 subjekte gjatë vitit 2013./Monitor