Kompania shtetërore e naftës “Albpetrol” ka përzgjedhur studion ligjore amerikane “Curtis, Mallet-Prevost, Colt&Mosle LLP”, për ta përfaqësuar në çështjen e arbitrazhit ndërkombëtar të nisur nga kompania “Bankers Petroleum Albania L.t.d.”.
Konflikti mes “Bankers” dhe “Albpetrol” ka lindur në mesin e këtij viti, pasi “Albpetrol” nuk i ka njohur “Bankers Petroleum” 220 milionë dollarë shpenzime.
Në bazë të raportit të “Albpetrol”, Tatimet llogaritën një pagesë prej 57 milionë dollarësh, që “Bankers” i detyrohet shtetit, shumë që ka arritur në 75 milionë dollar së bashku me gjobat dhe kamatat.
Nisur nga mosshlyerja, Tatimet i bllokuan llogaritë Bankers. Kjo e fundit e coi cështjen në Gjykatën e Arbitrazhit dhe e fitoi, duke detyruar Tatimet të zhbllokojnë menjëherë llogaritë bankare.
Kompania amerikane që do të përfaqësojë “Albpetrol” në Gjykatën e Arbitrazhit është themeluar në vitin 1830, në New York. Ajo është një nga studiot ligjore ndërkombëtare më të vjetra në SHBA.
Me 17 zyra në katër kontinente, “Courtis” është veçanërisht e specializuar në përfaqësimin e shteteve dhe shoqërive me kapital shtetëror si dhe është një nga studiot ligjore më të njohura në fushën e arbitrazhit ndërkombëtar.