Kompania e naftës “Bankers Petrolium” ‘ankohet’ se nuk ka para për të paguar detyrimet dhe kërkon zbatimin e vendimit për zhbllokimin e llogarive të saj bankare. Albpetrol pajton studion ligjore amerikane “Curtis, Mallet-Prevost, Colt&Mosle LLP”, për të përfaqësuar Shqipërinë në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar. Konflikti për 220 mijë dollarë, që po çon në betejën e hapur ligjore ndërkombëtare.
Kompania “Bankers Petrolium” kërcënon se do të ndërpresë prodhimin në zonën e Patos-Marinzës nëse qeveria shqiptare nuk zbaton vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit për zhbllokimin e llogarive të saj bankare.
Situata po shkon drejt një përballjeje të mundshme të gjatë gjyqësore në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar, pasi është pajtuar edhe studioja ligjore amerikane “Curtis, Mallet-Prevost, Colt&Mosle LLP”, që do të përfaqësojë kompaninë shtetërore “Albpetrol” kundër “Bankers Petrolium”.
Nëpërmjet njoftimit për shtyp, kompania kanadeze që shfrytëzon zonën naftëmbajtëse Patos Marinzës prej shtatë vitesh, thekson se është duke menduar ndërprerjen e prodhimit, pasi e ka të pamundur që të përmbushë detyrimet kontraktore në fushën e import-eksportit të naftës.
“Javën e kaluar kompania përfundoi pagesën e tatimit për rentën minerare për një anije eksporti nafte, duke liruar hapësirë në magazinimin në port, por ky eksport u kufizua në 85 për qind të kapacitetit, si rezultat i fondeve të kufizuara për të paguar rentën minerare, pasi vlera tejkalonte aftësitë paguese të shoqërisë. Me bllokimin e llogarive të saj bankare shqiptare, shoqëria nuk ka aftësi financiare për të paguar taksat për eksport, çka mund të detyrojë shoqërinë që të reduktojë prodhimin nga fundi i kësaj jave, pasi magazinimi arrin kapacitetin maksimal”.
Kështu deklaron kompania, e cila duket se po përdor çdo formë për të zhbllokuar llogarinë bankare që fillimisht u bllokua nga “Albpetrol”, por më pas Gjykata e Arbitrazhit Ndërkombëtar urdhëroi lënien të lirë të llogarisë, deri në një vendim përfundimtar për çështjen.
“Nëse qeveria nuk zbaton vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit, mund të rrezikojë penalitete të tjera dhe po shihet mundësia edhe e zhbllokimit të llogarive bankare të ‘Bankers’, që i ka të depozituara në disa banka të nivelit të dytë.
Konflikti mes qeverisë dhe kompanisë sonë dhe kompanisë kanadeze të naftës ‘Bankers Petrolium’ lindi pasi kompania kishte deklaruar se 220 milionë dollarë i shpenzoi për investime”. Ndërsa specialistë të ‘Albpetrol’ dhe Ministrisë së Energjetikës dhe Industrisë shprehen se ky pretendim për investime nuk ka bazë konkrete dhe kompania pretendon investimet për të shmangur qëllimisht detyrimet tatimore mbi të ardhurat nga fitimi.
Gjithsesi, mes “Bankers Petrolium” dhe qeverisë shqiptare ka afro dy vite që ekzistojnë mosmarrëveshje, pikërisht për shmangien e detyrimeve tatimore, por edhe për punime të kryera jashtë kushteve teknike, ku rasti më flagrant ishte ai i 1 prillit të këtij viti, ku si pasojë e shpimeve të puseve pa kriter shpërthyen dy pontana gazi.
Kjo solli për rreth dy muaj katastrofë ekologjike, ku uji dhe toka u kontaminuan, ndërsa banorët e Patos-Marinzës përjetuan ankth dhe situata të rënda shëndetësore.
Tashmë me zhvillimet e fundit pritet që procesi të jetë i gjatë dhe po tregohet kujdes që Shqipëria të mos penalizohet në vendimin përfundimtar të Gjykatës së Arbitrazhit. Për këtë qëllim është përzgjedhur nga ana e “Albpetrol” studioja ligjore që do të përfaqësojë Shqipërinë në gjyq.
Ajo është studioja ligjore amerikane “Curtis, Mallet-Prevost, Colt&Mosle LLP”, e cila ka aktivitet mjaft të gjatë dhe eksperiencë në çështje të mëdha dhe është themeluar në vitin 1830, me seli qendrore në Nju Jork.
Sipas njoftimit nga kompania shtetërore “Albpetrol”, studioja e njohur ligjore amerikane është e shpërndarë në disa vende të botës, me 17 zyra në katër kontinente dhe “Courtis” është veçanërisht e specializuar në përfaqësimin e shteteve dhe shoqërive me kapital shtetëror, si dhe është një nga studiot ligjore më të njohura në fushën e arbitrazhit ndërkombëtar.
Vetëm në dy vitet e fundit, ajo ka përfaqësuar 128 çështje të ndryshme arbitrazhi me vlerë totale rreth 100 miliardë dollarë.