Kompania e nxjerrjes së naftës njoftoi hapjen e padisë në gjykatën e arbitrazhit pasi administrata tatimore urdhëroi bllokimin e llogarive të saj bankare. Aksionet e Bankers në bursë humbën 17 për qind brenda pak orësh pas dhënies së lajmit.
Nga Gjergj Erebara
Administrata tatimore shqiptare urdhëroi dje (19 nëntor) bllokimin e llogarive bankare të korporatës së nxjerrjes së naftës Bankers Petroleum duke kërkuar 75 milionë dollarë taksa të pretenduara në bazë të një rivlerësimi tatimor, bëhet e ditur nga një deklaratë e Bankers, e cila njoftoi gjithashtu se do t’i drejtohet gjykatës së arbitrazhit për këtë mosmarrëveshje.
Menjëherë sapo u publikua lajmi për mosmarrëveshjen, në orën 9 të mëngjesit të sotëm me orën vendëse, aksionet e Bankers Petroleum në bursë ranë me 24 për qind nga 2.1 dollarë për aksion që qenë në fillim të ditës në 1.6 dollarë. Aksionet e Bankers u rekuperuan disi pas orës 12 duke u rritur në 1.75 dollarë, sërish 17 për qind më poshtë se sa çmimi i hapjes në mëngjes.
“Më 19 nëntor, 2015, Bankers ka marrë njoftimin se departamenti i taksave shqiptare ka pezulluar përdorimin e llogarive bankare shqiptare të kompanisë që përdoren për të paguar furnizuesit lokalë në një përpjekje për të mbledhur një shumë prej 75 milionë dollarësh, një shumë e rritur kundrejt vlerësimit të deklaruar, prej 57 milionë dollarësh, për shkak të interesit dhe gjobave të aplikuara,” njoftoi kompania.
Administrata tatimore nuk ka komentuar mbi ngjarjen.
Bankers Petroleum ka pasur një mosmarrëveshje të gjatë me autoritetet shqiptare në lidhje me nivelin e shpenzimeve të rikuperueshme sipas kontratës koncesionare të nxjerrjes së naftës shqiptare. Autoritetet nuk pranojnë të njohin si shpenzime të vlefshme një shumë të konsiderueshme, dhe rrjedhimisht kërkojnë që kompania të paguajë tatim mbi fitimet e aktivitetit, tatim që sipas kontratës koncesionare është në masën 50 për qind.
Bankers njoftoi muajin e kaluar se sipas kontratës së saj koncesionare, ka rënë dakord me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore të punësojnë një auditues të pavarur për të zgjidhur mosmarrëveshjen.
Por pavarësisht kësaj, tatimet vendosën të bllokojnë llogaritë bankare që kjo kompani ka në territorin e Republikës së Shqipërisë.
“Bankers Petroleum Ltd. ka aplikuar për një vendim bllokimi në Dhomën Ndërkombëtare të Tregëtisë (IÇ) për të siguruar mbrojtje ndaj zbatimit të vlerësimit mbi taksat i bërë publik më parë, deri në arritjen e një konkluzioni nga një palë e tretë audituese ndërkombëtare, siç është rënë dakord”, deklaroi Bankers.
Kompania deklaroi gjithashtu se gjendet në një proces gjyqësor në gjykatën administrative, por se nuk është njohur me ndonjë vendim nga kjo gjykatë.
Bankers u shpreh e bindur se do të arrijë të sigurojë vendim të favorshëm për të në arbitrazh, por mosmarrëveshja i ka kushtuar sakaq rëndë. Gjatë gjysmës së ditës së sotme, në bursë u tregtuan mbi 5.8 milionë aksione të kësaj kompanie, nga 261 milionë aksione të emetuara nga kjo kompani.
Vlera tregtare e kompanisë, e llogaritur si shumëzim i çmimit të aksionit me numrin e aksioneve, ra në rreth 450 milionë dollarë sot.
Çmimi i aksioneve të Bankers në bursë është përgjysmuar gjatë vitit të fundit për shkak të rënies drastike të çmimit ndërkombëtar të naftës./BIRN/