Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, prezantoi në Komisionin e Ekonomisë paketën fiskale 2016.
Megjithatë pati shumë tension mes mazhorancës dhe opozitës, aq sa ligjvënësit e opozitës ishin në këmbë disa herë.
Cani nënvizoi se nuk do të ketë rritje taksash.
Ulja e taksave tha ministri vjen pas reformave të suksesshme, duke përmendur si më të rëndësishmen zerimin e taksës për biznesin e vogël me të ardhura deri në 5 milionë lekë në vit.
Shqetësimit të biznesit se po rritet akciza për prodhimin vendas të birrës, ministri iu përgjigj se me ndryshimin e nivelit të akcizës synohet të ulet tendenca për të trukuar sasinë e prodhuar apo importuar.
“Masë rregulluese, ndryshimi i nivelit të akcizës së birrës. Deri në 31 dhjetor të këtij viti, ligji e ka përcaktimin të tillë që ndan në dy grupe të mëdha prodhuesit, dhe importuesit e birrës. Me ligjin aktual akciza që zbatohet nën 200 hektolitra është sa gjysma e asaj që zbatohet mbi 200 hektolitra. Ne kemi ndërhyrë dhe kemi bërë një përafrim dhe e kemi lënë përsëri diferencën midis birrës së prodhuar apo importuar nën 200 mijë hektolitra në 400 lekë, kurse për ata mbi 200 mijë hektolitra e kemi bërë 600 lekë. Prapë diferencën e kemi lënë. Ata që prodhojnë mbi 200 mijë paguajnë 50% më shumë akcizë”, tha Cani.
Cani tha se rritet taksa për makinat luksoze, dhe me këtë emërtim janë makinat me cilindratë mbi 3 mijë kubikë.