Përfaqësuesi i Dhomës Amerikane të Tregëtisë, Mark CraWford, tha se taksat duhen aplikuar në konteksin ekonomik dhe social të vendit
Gjatë takimit të organizuar nga FLE, përfaqësuesit e sipërmarrjes shqiptare theksuan domosdoshmërinë e aplikimit të penaliteteve të vogla dhe të administrueshme nga ana e biznesit
Tryeza e tretë e organizuar nga Fondacioni për Liri Ekonomike në kuadër të fushatës sensibilizuese “Jo taksave të larta! Jo taksave të shumta! Jo ndryshimeve të shpeshta!” ka bërë bashkë përfaqësues të Dhomës së Tregëtisë Shqiptare dhe asaj Amerikane, sipërmarrës dhe ekspertë të ekonomisë. Fokusi i këtij takimi ishte sërish aksioni qeveritar për formalizimin e ekonomisë shqiptare por edhe niveli i taksave dhe roli i biznesit në ekonomi. Ajo që u theksua gjatë takimit ishte mungesa e një vizioni të qartë për zhvillimin ekonomik dhe niveli i lartë i taksave e privon vendin tonë nga mundësia e konkurimit në rajon. Përfaqësuesit e sipërmarrjes u shprehën se e kanë pritur prej kohësh luftën ndaj informalitetit si një garantues të konkurencës së ndershme, por janë kundër një aksioni të tillë që bazohet në masa represive dhe gjoba asfiksuese. Drejtori Ekzekutiv i FLE-së, Besart Kadia, duke folur mbi arsyet që e çuan këtë fondacion që të ndërmarrë këtë fushatë sensibilizuese dha disa shifra që sipas tij duhet të jenë një alarm për qeverinë se ku po shkon ekonomia. “35 vende është ulur Shqipëria në klasifikimin e Bankës Botërore “Doing Bussines”, 7.4% është rënia e importeve, 3.2% është rënia e konsumit në tre mujorin e tretë. Vetëm 2.3% parashikohet të jetë rritja ekonomike sipas BERZH e riparë me ulje”, tha ndër të tjera ai.
Në një kohë kur flitet për shumë modele të taksave dhe procedurave tatimore, Mark Crawford, nga Dhoma Amerikane e Tregëtisë mer përsipër të bëjë një sqarim të kësaj situate në vendin e tij. Ai shprehu nevojën e përshtatjes së nivelit të taksave me realitetin ekonomik, social dhe kulturor të vendit ku ato aplikohen. Përfaqësuesi i Dhomës Amerikane të Tregëtisë tha se taksat duhen aplikuar në konteksin ekonomik dhe social të vendit. Duke sjellë shembullin e Shteteve të Bashkuara ai tregoi se shtete të ndryshme kanë nivele të ndryshme taksash. Alaska nuk aplikon taksën mbi shitjet, Teksasi e ka zero taksën mbi të ardhurat personale ndërsa Nevada ka zeruar si taksën mbi të ardhurat personale ashtu edhe mbi koorporatat. Në vazhdën e shembujve të sjellë nga vendi i tij, zoti Crawford tha se shteti duhet të garantojë lehtësinë e të bërit biznes dhe të japi një imazh pozitiv te investitorët e huaj. Puna për sjelljen e kapitaleve të reja në Shqipëri dhe jo rritja e taksave është çelësi i suksesit për rritje ekonomike të ndjeshme.
Jaka: Jo gjoba të papërballueshme ndaj biznesit
Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregëtisë dhe Industrisë Tiranë ka shprehur rezerva në lidhje me mënyrën e zhvillimit të aksionit dhe pasojave negative që do të ndihen shumë shpejt në ekonominë shqiptare. “Është shumë e rëndësishme që çdo projekt, çdo propozim, çdo ligj dhe çdo akt nënligjor të jetë në rradhë të parë transparent, i sugjeruar dhe i dialoguar me grupet e interesit, në harmoni me këto interesa dhe në fund i drejtë në implementim. Aksioni i fundit, lidhur me formalizimin, gëzon mbështetjen jo vetëm të Dhomës së Tregëtisë por edhe të gjithë sipërmarrësve. Ne kishim vite që e kërkonim një ndërhyrje kundër informalitetit pasi kjo ishte kthyer një plagë të rëndë për sipërmarrjen, garantimin e konkurencës dhe cilësinë e produktit.” Në vazhdim, zoti Jaka vuri theksin në mospërputhjen e aksionit qeveritar me realitetin në bazë, pasi në momentin kur mbi 35,000 biznese, shifër kjo që korespondon me 25% të totalit të sipërmarrësve shqiptarë, i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes për formalizim, qeveria rrit masat ndëshkuese si në ligjin për procedurat tatimore ashtu edhe në propozimet për kodin pendal. “Në ligjin për procedurat tatimore janë shumëfishuar gjobat pa pasur parasysh as proporcionalitetin e masës së shkeljes së bërë nga sipërmarrja dhe pa kaluar në një fazë që përfshin kualifikimin, edukimin dhe ndërgjegjësimin e sipërmarrjes private në mënyrën e të bërit biznes”, u shpreh zoti Jaka. Në fund ai sugjeroi konkretisht aplikimin e penaliteteve më të vogla me qëllim që të jenë të administrueshme nga ana e biznesit dhe rekrutimin e një administrate të kualifikuar në shërbim të sipërmarrjes.