Propozimi, në tryezën e organizuar nga Fondacioni pwr Liri Ekonomike për sensibilizim kundër taksave të larta . Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë dhe ajo Amerikanë pohojnë se po shqyrtojnë mundësitë e padisë në gjykatë të ndryshimeve ligjore që ata mendojnë se kapërcejnë Kushtetutën.
Nga Erjon Uka
Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka tha se ata po shqyrtonin mundësinë e një ankimi në Kushtetuese për ligjin e ri të Procedurave Tatimore. Dhoma Amerikane e Tregtisë, gjithashtu theksoi se një mundësi e tillë po shqyrtohej edhe prej tyre. Deklaratat u bë gjatë tryezës së tretë, të organizuar nga Fondacioni për Liri Ekonomike në kuadër të fushatës sensibilizuese “Jo taksave të larta! Jo taksave të shumta! Jo ndryshimeve të shpeshta!”.
Fokusi i këtij takimi ishte aksioni qeveritar për formalizimin e ekonomisë shqiptare, por edhe niveli i taksave dhe roli i biznesit në ekonomi, ku përfaqësuesit e dhomave të Tregtisë ngritën pretendimin se ndryshimet në ligj dhe gjobat e larta ishin antikushtetuese. Kështu, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka deklaroi se ndryshimet e propozuara do t’i çojnë për interpretim në Kushtetuese brenda muajit nëntor dhe për këtë, ata do të konsultohen edhe me juristë.
“Jemi në fazën e organizimit për të strukturuar kërkesën tonë, për të shkuar në Gjykatën Kushtetuese, sidomos për kalimet që janë bërë. Do të bëjmë një analizë më të theksuar të sistemit fiskal në Shqipëri, sepse kemi shumë probleme me aktet nënligjore, që tejkalojnë ligjin në zbatimin e tyre”, – tha Jaka. Kjo u mbështet edhe nga kreu i Dhomës Amerikane, Mark Crawford, i cili tha se po studiohet kjo mundësi, ndërsa pritet që të artikulohet një vendim më i qartë pas mbledhjes së bordit drejtues. Përfaqësuesit e biznesit gjithashtu shpresojnë që Kuvendi të mos miratojë ndryshimet në Kodin Penal, që nuk bëjnë gjë tjetër, veçse ashpërsojnë masat deri në burgim.
Tryeza e tretë, e organizuar nga Fondacioni për Liri Ekonomike në kuadër të fushatës sensibilizuese “Jo taksave të larta! Jo taksave të shumta! Jo ndryshimeve të shpeshta!”, ka bërë bashkë përfaqësues të Dhomës së Tregtisë Shqiptare dhe asaj Amerikane, sipërmarrës dhe ekspertë të ekonomisë. Ajo që u theksua gjatë takimit ishte mungesa e një vizioni të qartë për zhvillimin ekonomik dhe niveli i lartë i taksave e privon vendin tonë nga mundësia e konkurrimit në rajon. Përfaqësuesit e sipërmarrjes u shprehën se e kanë pritur prej kohësh luftën ndaj informalitetit si një garantues të konkurrencës së ndershme, por janë kundër një aksioni të tillë që bazohet në masa represive dhe gjoba asfiksuese. Drejtori Ekzekutiv i FLE-së, Besart Kadia, duke folur mbi arsyet që e çuan këtë fondacion që të ndërmarrë këtë fushatë sensibilizuese dha disa shifra, që sipas tij duhet të jenë një alarm për qeverinë se ku po shkon ekonomia. “35 vende është ulur Shqipëria në klasifikimin e Bankës Botërore ‘Doing Bussines’, 7.4% është rënia e importeve, 3.2% është rënia e konsumit në tremujorin e tretë. Vetëm 2.3% parashikohet të jetë rritja ekonomike sipas BERZH-it, e riparë me ulje”, – tha ndër të tjera ai.
Në një kohë kur flitet për shumë modele të taksave dhe procedurave tatimore, Mark Crawford, nga Dhoma Amerikane e Tregtisë shprehu nevojën e përshtatjes së nivelit të taksave me realitetin ekonomik, social dhe kulturor të vendit ku ato aplikohen. Përfaqësuesi i Dhomës Amerikane të Tregtisë tha se taksat duhen aplikuar në kontekstin ekonomik dhe social të vendit. Duke sjellë shembullin e Shteteve të Bashkuara, ai tregoi se shtete të ndryshme kanë nivele të ndryshme taksash. Alaska nuk aplikon taksën mbi shitjet, Teksasi e ka zero taksën mbi të ardhurat personale, ndërsa Nevada ka zeruar si taksën mbi të ardhurat personale, ashtu edhe mbi korporatat. Në vazhdën e shembujve të sjellë nga vendi i tij, zoti Crawford tha se shteti duhet të garantojë lehtësinë e të bërit biznes dhe të japë një imazh pozitiv tek investitorët e huaj. Puna për sjelljen e kapitaleve të reja në Shqipëri dhe jo rritja e taksave, është çelësi i suksesit për rritje ekonomike të ndjeshme.
Jaka: Jo gjoba të papërballueshme ndaj biznesit
Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, ka shprehur rezerva në lidhje me mënyrën e zhvillimit të aksionit dhe pasojave negative që do të ndihen shumë shpejt në ekonominë shqiptare. “Është shumë e rëndësishme që çdo projekt, çdo propozim, çdo ligj dhe çdo akt nënligjor të jetë në radhë të parë transparent, i sugjeruar dhe i dialoguar me grupet e interesit, në harmoni me këto interesa dhe në fund i drejtë në implementim. Aksioni i fundit, lidhur me formalizimin, gëzon mbështetjen jo vetëm të Dhomës së Tregtisë, por edhe të gjithë sipërmarrësve. Ne kishim vite që e kërkonim një ndërhyrje kundër informalitetit, pasi kjo ishte kthyer një plagë të rëndë për sipërmarrjen, garantimin e konkurrencës dhe cilësinë e produktit”.
Në vazhdim, zoti Jaka vuri theksin në mospërputhjen e aksionit qeveritar me realitetin në bazë, pasi në momentin kur mbi 35 000 biznese, shifër kjo që korrespondon me 25% të totalit të sipërmarrësve shqiptarë, i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes për formalizim, qeveria rrit masat ndëshkuese si në ligjin për procedurat tatimore, ashtu edhe në propozimet për Kodin Penal. “Në ligjin për procedurat tatimore janë shumëfishuar gjobat, pa pasur parasysh as proporcionalitetin e masës së shkeljes së bërë nga sipërmarrja dhe pa kaluar në një fazë që përfshin kualifikimin, edukimin dhe ndërgjegjësimin e sipërmarrjes private në mënyrën e të bërit biznes”, – u shpreh zoti Jaka. Në fund ai sugjeroi konkretisht aplikimin e penaliteteve më të vogla, me qëllim që të jenë të administrueshme nga ana e biznesit dhe rekrutimin e një administrate të kualifikuar në shërbim të sipërmarrjes.
SHIFRA
35 vende është ulur Shqipëria në klasifikimin e Bankës Botërore “Doing Bussines”
7.4% është rënia e importeve
3.2% është rënia e konsumit në tremujorin e tretë
2.3% parashikohet të jetë rritja ekonomike sipas BERZH, e riparë me ulje
Gjergji Gjika: Shteti të rrijë sa më larg biznesit
Tashmë prej afro 25 vitesh në fushën e sipërmarrjes në Shqipëri, Gjergji Gjika është një ndër përfaqësuesit e biznesit fason, sektor që për shumë vite ka shfryrë plagën e papunësisë në vend. Duke bërë një reflektim të eksperiencës së tij të gjatë si sipërmarrës, ai kërkon nga shteti që të heqë dorë nga “ndihma për biznesin”. Përpara një auditori të gjerë me studentë, zoti Gjika iu paraqiti atyre sipërmarrjen e lirë private si mënyrën e vetme për të qenë të suksesshëm. “Ne nuk duhet të varim shpresat te qeveritë. Nëse doni të bëni shtet dhe të ecni përpara, bazohuni te biznesi dhe te forcat tuaja sepse vetëm aty është e ardhmja juaj”, – u shpreh ai. Ndërsa në vazhdim të diskutimit për formalizimin e ekonomisë, Gjika vuri theksin në faktin se qeveria duhet të ndjekë shembullin e vendeve të tjera që e kanë kryer më parë këtë proces. “Është krijuar keqkuptimi se, nëse kritikojmë disa aspekte të nismës për formalizimin, ne etiketohemi që jemi kundër kësaj. Përkundrazi, ne përkrahim pjesën e shëndoshë të logjikës së këtij aksioni të madh. Problemi qëndron se kjo gjë duhet bërë në rrugë të caktuara, të cilat janë rrahur nga vende të tjera fqinje dhe që janë afër me ne si në mentalitetin ballkanik apo edhe në mënyrën e dredhisë ndaj ligjit. Kështu, ne mendojmë se formalizimi duhet të ecë në rrugë të njohura dhe jo të eksperimentohet”. Në fund bëri edhe një sugjerim për orientimin e ekonomisë drejt bizneseve prodhuese. “Shqipëria duhet orientuar drejt bizneseve prodhuese, të cilat janë të vetmet që mund ta çojnë një shoqëri përpara. Sigurisht janë të lodhshme, kërkojnë sakrifica, janë edhe të rrezikshme, por janë një nga të paktat zgjidhje të të bërit biznes në një vend. Ndërmarrjet nënkontraktore, si ato fasone, operojnë në çdo vend të botës, por problemi afatgjatë që nuk ka gjetur zgjidhje është si t’i kthejmë në një industri autonome dhe prodhuese”, përfundoi zoti Gjika.
Ornela Liperi: 1/3 e shoqërisë shqiptare, e vetëpunësuar në biznese private
Ornela Liperi nga revista “Monitor”, duke shprehur papajtueshmërinë e disa ligjeve të procedurës tatimore me Kushtetutën, iu bëri një ftesë publike përfaqësuesve të biznesit për ta ndjekur këtë çështje deri në Gjykatën Kushtetuese. Në vazhdim të fjalës së saj, Liperi tha se ekonomisë shqiptare i kanë mbaruar disa nga burimet e rritjes, si biznesi në fushën e ndërtimit apo remitancat. “Rreth 1/3 shqiptarëve janë të vetëpunësuar në bizneset private. Në kushtet kur ka një presion të madh ndaj kësaj kategorie, harrojmë se nga çdo biznes i vogël janë mesatarisht katër persona që sigurojnë të ardhurat. Kjo pa dyshim do të na çojë drejt një kostoje sociale, e cila mesa duket nuk po merret parasysh”, – u shpreh Ornela Liperi. Sipas raportit të Bankës Botërore, kemi nivelin më të lartë të barrës së taksave në rajon, e cila shkon 37%, gjë që nuk na bën konkurrues në Ballkan. “Niveli i lartë i tatimit mbi fitimin nuk ka sjellë të ardhura shtesë në buxhet të paktën për këto dy vite dhe e njëjta gjë vlen edhe për TVSH-në. Gjithashtu, nëse flasim me shifrat e Bankës së Shqipërisë, të cilat janë pesimiste, deri në vitin 2018 parashikohet që rritja ekonomike të jetë më e ulët nga sa ka qenë. Dy arsyet kryesore janë: mungesa e një reforme strukturore dhe klima e biznesit. Është e rëndësishme që të gjithë aktorët së bashku me qeverinë të përcaktojnë modelin e rritjes ekonomike për të ardhmen”, tha gjatë fjalës së saj Liperi.