Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

BB: 32 për qind e shqiptarëve, të rrezikuar nga skamja

$
0
0

varferiaRaporti nga 2008-2012, të varfërit ekstremë u rritën tri herë. Banka vlerëson si varfëri ekstreme popullsinë që jeton me më pak se 1.9 dollarë në ditë.

Një raport i Bankës Botërore mbi varfërinë thotë se Shqipëria është vendi më i kërcënuar nga skamja ekstreme krahasuar me ekonomitë e rajonit. Raporti bën me dije se shumë familje i kanë të ardhurat shumë më të ulëta sesa ato të vendeve të tjera dhe se aktualisht në Shqipëri, mbi 32.1 për qind e popullsisë jeton me më pak se 5 dollarë në ditë apo në prag të varfërisë ekstreme, që BB e llogarit me 1.9 dollarë në ditë. Në vendet fqinje, popullsia që jeton me më pak se 5 dollarë në ditë varion nga 2 për qind në Bosnje deri në 23.86 për qind në Maqedoni.

Ndërkohë, sipas Bankës Botërore, numri i personave që jetojnë në varfëri ekstreme u rrit në vendin tonë me tri herë brenda periudhës 2008-2012. Banka thotë se ky është efekti që kriza ekonomike ka pasur në Shqipëri.

Sipas standardit ndërkombëtar, Banka klasifikon si  individë në varfëri ekstreme ata që jetojnë me më pak se 1.9 dollarë në ditë të shprehura sipas standardit të fuqisë blerëse. Sipas shifrave në vitin 2008, në Shqipëri jetonin vetëm 10 mijë e 900 persona nën këtë nivel të ardhurash, por në fund të vitit 2012, pas katër vitesh me rritje të dobët ekonomike, shifra e personave në skamje ekstreme kërceu në 30 mijë e 900 vetë, duke zënë 1.06 për qind të popullsisë së përgjithshme.

Ndonëse në pamje të parë, shifra 1.06 për qind e varfërisë ekstreme duket e ulët, ajo fsheh një tjetër kërcënim. Të dhënat tregojnë se një pjesë e madhe e individëve në Shqipëri i kanë të ardhurat fare pak mbi kuotën 1.9 dollarë në ditë, çka i bën ata gjithmonë të rrezikuar për të rënë nën nivelin e varfërisë ekstreme.

Të dhënat e Bankës konfirmojnë edhe një herë se pas vitit 2008 progresi i Shqipërisë në luftën ndaj skamjes ka ngecur e madje disa tregues janë përkeqësuar. Disa ekspertë ngrenë shqetësimin se niveli i varfërisë mund të jetë rritur edhe pas vitit  2012, për shkak të ngadalësimit të mëtejshëm të ekonomisë në 2013-n, por edhe masave shtrënguese të ndërmarra më vonë, jo vetëm në rrafshin fiskal, por edhe tregun energjetik. Tregues ekonomik të brendshëm prej INSTAT-it apo Bankës së Shqipërisë flasin për rritje të papunësisë dhe rënie të konsumit, ndërkohë që rritja ekonomike në vend nuk duket se ka mbushur boshllëkun e krijuar nga kriza.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663