Reklamat e fundit të bankave tregtare në Shqipëri shënjestrojnë dukshëm individët dhe familjet në ofertat e tyre të huasë, si për kredi konsumatore ashtu dhe për pasuri të paluajtshme.
Reklamat e bankave ofrojnë hua për shtëpi me interesa të ulëta, apo dhe kredi konsumatore për të cilat ke avantazhin të mos paguash interesa për disa muaj.
Në të kundërt, janë të pakta reklamat që i ofrojnë hua bizneseve.
Edhe statistikat zyrtare e konfirmojnë tendencën e bankave për të kredituar individët muajt fundit. Huaja për sektorët e tjerë rezidentë është rritur me 3.1% me bazë vjetore ne gusht.
Në të njëjtën periudhë, kredia për korporatat e tjera jo financiare (bizneset) ka rënë me gati 4% (shiko grafiket).
Vlerësohet se janë disa arsyet e kësaj sjelljeje të bankave:
-Së pari individët kanë rezultuar kredimarrës më të mirë se bizneset. Sipas bankës së Shqipërisë, deri në fund të vitit 2014, huatë me problem të bizneseve ndaj totalit të huasë gjithsej dhënë për këtë sektor ishin 26%. Për individët është shumë më i ulët, 16%. Në vlerë absolute, bizneset kanë rreth 80% të totalit të huave me probleme në vend, apo rreth 800 milionë euro. Nga këto rreth 600 milionë euro, apo 75% të totalit të NPL-së së bizneseve i kanë 35 kompani.
-Së dyti, kërkesa për kredi nga bizneset ka rënë, e raportuar kjo dhe nga anketimet që Banka e Shqipërisë bën me sipërmarrjet në vrojtimin e saj për aktivitetin kreditues. Bankat tregtare kanë vlerësuar rënie kërkesën e bizneseve për kredi në tremujorin e tretë për të tretin tremujor rradhazi. Balanca neto e kërkesës së vlerësuar është -10.4%.
Edhe një frenim i undshëm i aktivitetit të bizneseve nga frika e burgut dhe stepja e oficerëve të kredisë për të dhënë hua për bizneset me dy balance, janë të tjerë faktorë që mund të orientojnë më tej bankat drejt individëve.
Në gusht 2015, kreda për biznese zinte 65% të totalit të stokut të huasë dhe ajo për individë 28%./Monitor