Garancitë e ofruara, shumë të debatuara, nuk i mjaftuan kompanisë kineze për të vijuar punimet në Rrugën e Arbrit.
Prej ditësh kompania ka ndërprerë punimet, pasi ka rritur kërkesat e saj për ndërtimin e rrugës.
“China State Construction” ka paraqitur pranë Ministrisë së Transportit një tjeter projekt, ku kërkon më shumë se kontrata e prezantuar në fillim.
Rritjen e pretendimeve e pranoi në fillim të këtij muaji Ministri i Transportit, ndërsa bëri të ditur se një grup pune do të vlerësojë ofertën e re të kompanisë së huaj.
Por duket se grupi ndërministror i punës nuk do të mjaftojë.
Për të arritur në përfundimin nëse do të pranohen apo jo kushtet e reja të kompanisë kineze, na duhet të paguajmë konsulencë të huaj.
Avokatura e Shtetit ka hapur zyrtarisht procesin e kontraktimit të studios, konsulente për vlerësimin teknik e financiar të projektit.
Disa muaj më parë, ndërtimi i gati 27 kilomtrave të mbetur të Rrugës së Arbrit ngjallën debate në komisinin e ekonomisë e në parlament.
Opozita kundërshtoi procedurën e veçantë e të përshpejtuar të miratimit të projektit në parlament, por mbi të gjitha për barrën që merr qeveria shqiptare duke u angazhuar ta paguajë nga buxheti kompaninë kineze, nëse fluksi i mjeteve me pagesë në këtë aks nuk do të jetë i mjaftueshëm./ABCNews