Borxhi i jashtëm i qeverisë u rrit me 425 milionë euro ose mbi 18% në harkun kohor të një viti, duke shënuar një nga rritjet më të forta gjatë viteve të fundit.
Të dhënat e fundit zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se, në fund të tremujorit të dytë, borxhi i jashtëm publik arriti në 2 miliardë e 807 milionë euro nga 2 miliardë e 383 milionë që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas bankës, rritja i dedikohet kredive që Shqipëria ka marrë nga institucionet ndërkombëtare të financave si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.
Sapo erdhi në pushtet, qeveria e majtë kontraktoi nga këto dy institucione një paketë emergjente kredish me mbi 600 milionë euro, para të cilat sipas saj ishin të nevojshme për të shlyer borxhet e prapambetura që la qeveria e mëparshme.
Aktualisht borxhi i jashtëm përbën rreth 42.6% të totalit të borxhit publik të vendit, ose i shprehur si raport ndaj prodhimit kombëtar, rreth 29.1%.