Shpenzimet që qeveria shqiptare kryen për investime kapitale, si rrugë, shkolla, spitale etj, në vitin 2016 rezultojnë më të ulëtat në 20 vitet e fundit, të matura në raport me prodhimin e brendshëm bruto (PBB).
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, shpenzimet kapitale ishin 59.5 miliardë lekë, apo rreth 430 milionë euro, me një rënie prej gati 6% në vlerë absolute në raport me vitin e mëparshëm.
Të matura si raport ndaj prodhimit të brendshëm bruto (asaj që prodhon ekonomia në një vit), investimet kapitale ishin 4% të PBB-së. Ky nivel është më i ulëti që prej vitit 1997, kur vendi u përfshi në një krizë kombëtare për shkak të rënies së skemës së piramidave, që prodhoi krizë civile dhe paralizoi vendin për disa muaj (shih grafikun).
Niveli rekord i investimeve kapitale në dy dekadat e fundit është realizuar në vitet 2008-2009 dhe lidhet kryesisht me ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. Por, këto investime të larta çuan dhe në rritjen e borxhit publik që kërceu në 60% të PBB-së. Rritja e borxhit vijoi dhe në vitet e mëpasshme, ndonëse investimet kapitale u ulën, për të 72.66% të PBB-së në 2015-n dhe 71% në 2016-n.
Pas vitit 2013, qeveria e majtë, në bazë të një marrëveshjeje me Fondin Monetar Ndërkombëtar, mori angazhim për konsolidimin fiskal, por këtë ajo e ka arritur më shumë duke kursyer shpenzimet për investime, sesa në kahun e të ardhurave.
Në 2013-n, që ka qenë një vit elektoral, ka pasur një sfazim të realizimit të shpenzimeve kapitale, sipas muajve, teksa ato kërcyen në prill, përpara zgjedhjeve të qershorit, për t’u reduktuar pas periudhës tranzitore të ndryshimit të qeverisë.
Por, edhe pas formatimit të kabinetit të ri qeveritar, niveli i shpenzimeve kapitale mbeti i ulët. Në 2014-2015, investimet kapitale kaluan nga Ministria e Financave në atë të Ekonomisë dhe ky tranzicion çoi në një ngërç të realizimit të tyre. Në 2016-n, investimet u rikthyen në Ministrinë e Financave, por sërish ato mbeten të ulëta./Monitor.al/