Më se një vit më parë, Banka e Shqipërisë njoftoi se 35 kompani të mëdha zotëronin rreth 60% të totalit të kredive me probleme në vend. Plani i institucionit monetar qendror për të ulur kreditë e këqija, që arritën nivelin më të lartë në gati 25% në shtator 2014 dhe që qëndruan përgjithësisht mbi 20% në 2015-2016, kishte në fokus pikërisht ristrukturimin e këtyre kompanive problematike.
Aktualisht, sipas burimeve zyrtare të Bankës së Shqipërisë, nga 35 kompani janë ristrukturuar 21 prej tyre.
Nga 21 kompanitë e ristrukturuara, 10 prej tyre nuk janë më në vonesë, duke bërë që ato të dalin përfundimisht nga lista e sipërmarrjeve problematike. Ndërsa për 11 të tjera procesi i ristrukturimit ka ecur, por do të duhet të kalojnë edhe pak muaj derisa ato të dalin nga lista e të këqijve.
Burime nga Banka e Shqipërisë pohojnë se procesi i ristrukturimit ka qenë kompleks dhe për këtë arsye, ai është asistuar nga institucioni monetar qendror. Ristrukturimi ka përfshirë zgjatje të afateve të kthimit të huasë, apo ka pasur dhe raste kur bankat kanë marrë pronësinë e aseteve dhe i kanë dhënë ato me qira.
Si rrjedhojë, numri i kompanive të mëdha që kanë nivel të lartë të kredive me probleme aktualisht ka zbritur në 25. Ndërsa 11 janë në proces ristrukturimi, siç u përmend më sipër, mbeten edhe 14 të tjera jashtë këtij procesi.
Nga këto 14 sipërmarrje, një pjesë nuk kanë më shpresë për arkëtim, ndërsa për të tjera nuk është gjetur zgjidhje.
Ristrukturimi i të mëdhenjve është një nga arsyet kryesore që ka çuar në uljen e kredive me probleme (NPL) muajt e fundit. Sipas shifrave zyrtare, kreditë e pakthyera në afat në banka kanë zbritur në 17.1% të totalit në mars, duke shënuar një rënie të ndjeshme me 0.6 pikë përqindje në raport me muajin e mëparshëm. Në krahasim me dhjetorin e 2016-n, huatë me probleme janë reduktuar me 0.83 pikë përqindja, ndërkohë që janë larg nivelit rekord prej 25% që arritën në shtator 2014.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë njoftoi pak ditë më parë se edhe në prill ka vijuar tendenca rënëse, teksa NPL-të kanë zbritur në 16.5%./Monitor