Selami Xhepa, doktor në çështjet ekonomike, analizon rrezikun që kanë kostot e koncesioneve në financat publike. Ai krahason situatën e fshehjes së detyrimeve të buxhetit njësoj si në rastin e Greqisë, ku në një moment, detyrimet e fshehta bënë që buxheti të mos përballonte dot pagesën e kostove. Për të, shumë kontrata PPP, sidomos ato në shëndetësi, janë financuar me paratë e shtetit, vetëm që përfitimet e tyre po i marrin kompanitë private. Sipas Xhepës do të ishte shumë më me leverdi që financimi i mjaft prej investimeve të planifikuara të jepen nëpërmjet PPP, të financoheshin me borxh të brendshëm, pasi në këtë mënyrë i gjithë fitimi i realizuar mbetet po brenda vendit.
Partneritet Publik-Privat apo borxh?
Çështja e financimit të disa investimeve publike nëpërmjet marrëveshjeve koncesionare të formave të ndryshme, sigurisht që ka krijuar shqetësim, lidhur me borxhet e nënkuptuara të qeverisë, të cilat mund të shfaqen në të ardhmen, duke e rënduar treguesin e borxhit publik në mënyrë të papritur, siç ishte dhe rasti i Greqisë. Është për këtë arsye që FMN, në kuadrin e rritjes së transparencës fiskale, ka përmirësuar rregullat e hartimit dhe raportimit financiar të borxhit. Koncesionet apo Partneriteti Publik-Privat nënkupton dy forma angazhimi: ose qeveria merr përsipër të financojë kryerjen e shërbimeve publike në vijimësi (siç është rasti i shërbimeve shëndetësore, për shembull) ose dhe duke garantuar me financim buxhetor mbulimin e të ardhurave të koncesionarëve, në rast të mosarritjes së trafikut apo volumeve të caktuara të arkëtimeve. Në të dyja rastet, FMN i nënkupton që duhet të paraqiten në tabelat financiare si financim me borxhe, në mënyrë që fonde rezervë pasive të mos shfaqen befasisht në të ardhmen.
Borxhi si mundësi
A mos do të ishte më mirë që këto investime të financoheshin direkt nga buxheti nëpërmjet huamarrjes së brendshme? Në fakt shumica e kontratave të cilësuar si PPP në fushën e shëndetësisë janë financime të drejtpërdrejta buxhetore dhe jo financime private. Pavarësisht se firmat private kanë marrë përsipër të krijojnë infrastrukturën e nevojshme për realizimin e shërbimit dhe ku qeveria thjesht paguan kryerjen e shërbimeve, duke shmangur kostot e financimit të krijimit të kësaj infrastrukture, në fakt nuk ka ndodhur kështu. Sërish operatorët shfrytëzojnë asetet shtetërore apo operatorët ekzistues privatë. Në gjykimin tim, shërbime të tilla do të ishte më e udhës që të financoheshin normalisht nga buxheti, duke investuar në përmirësimin gradual të infrastrukturës fizike apo teknologjike në përmirësimin e shërbimit për qytetarët.
Financimi i brendshëm
Sa i takon strukturës së financimit, sigurisht që një financim me borxh të brendshëm në një moment kur normat e interesave janë të ulëta, por dhe kur alternativat e tjera të sistemit bankar për investime janë tepër të kufizuara, huamarrja e brendshme do të ishte një gjë shumë pozitive për ekonominë dhe për sektorin bankar. Në një analizë më dinamike, edhe shlyerja e borxheve të tilla kur ato të maturohen, do të jenë një para e shtuar në ekonominë e brendshme, pasi do të jenë qytetarët që do të fitojnë nga këta interesa, ndërkohë që shlyerja e borxheve të huaja nënkupton transferimin e fitimeve të investimit jashtë vendit. Pra, në çdo këndvështrim, konteksti i tanishëm i tregut të brendshëm financiar do të favorizonte një financim me borxh të brendshëm ndaj atij të huaj.