Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Mjetet duhet të justifikojnë qëllimin e luftës antievazion

$
0
0

Qeveria italiane këtë fillimviti e filloi luftën ndaj evazionit fiskal nëpërmjet miratimit të masave që i konsideron si më të vlefshmet për të arritur objektivin për ngushtimin e boshllëkut tatimor. Instrumenti kryesor që do të përdoret do të jetë TVSH, si një qasje taktike në luftën ndaj evazionit, që llogaritet të arrijë në 40 miliardë euro. Ky objektiv i qeverisë italiane është në funksion edhe të ngushtimit të deficitit buxhetor me 0.2% të PBB-­së.

Por, cilat masa do të përdoren konkretisht për ta bërë efektive luftën ndaj evazionit?

Masa e parë që po studiohet është zgjerimi i “ndarjes së pagesës”, ku aktualisht TVSH për shërbimet e furnizuara për institucionet e administratës publike paguhet drejtpërdrejt nga administrata publike në organet tatimore, pa kaluar nëpërmjet llogarive të kompanive private. Kjo masë është konsideruar se ka nevojë që të zbatohet duke e orientuar fokusin drejt kompanive shtetërore. Masa e dytë është zgjerimi i mekanizmit të autofaturimit. Me anë të kësaj mase synohet zhvendosja e taksimit nga shitësi te blerësi, duke marrë në konsideratë tregun europian, në të cilin ka sektorë ku ka risk të madh të mashtrimit me TVSH.

Ndërsa kthehemi në luftën ndaj evazionit fiskal në Shqipëri, ajo ka shumë vite që ka filluar, por në dy vitet e fundit ka marrë një vëmendje të madhe në politikën fiskale dhe mundet të shikohet se ka të përbashkëta me fokusin që përmban lufta ndaj evazionit në shtetin fqinj. Por, kontekstet ekonomike, politike, historike dhe kulturore janë të ndryshme. Mjetet mund të jenë të ngjashme për qëllime të njëjta, por arritja e suksesit duhet të ndjekë rrugë të ndryshme.

Fillimisht lufta ndaj evazionit fiskal nisi si një fokus ndaj rregullave fiskale për rritjen e dokumentimit të transaksioneve dhe deklarimit tatimor duke synuar një kontroll dhe edukim masiv të bizneseve, por që arriti të ketë efekte për një pjesë të segmentimit të biznesit, pa arritur të përmbushë një rritje të standardit të edukimit fiskal. Ndërkohë, viti më pas u orientua drejt mashtrimit tatimor, por pa një fokus te ndonjë taksë e caktuar, përveç faktit të qasjes së kontrollit te bizneset e mëdha me risk. Por, e gjithë kjo vëmendje nuk justifikoi qëllimin e luftës antievazion.

Viti 2017 ka nisur me një fokus të ri në luftën ndaj evazionit, duke synuar kontrollin mbi zinxhirin e qarkullimit të mallrave dhe shërbimeve duke organizuar masat bazuar te risku, i cili do të menaxhojë luftën ndaj evazionistëve.

Por, çfarë kuptojmë dhe a ka vend për të nxjerrë mësime nga përvojat e vendeve të tjera?

Lufta ndaj evazionit fiskal duhet të ketë objektiva të mbështetur në praktika të suksesshme të mëparshme apo të përdorura nga fqinjët tanë, të cilat duhet të kenë fokus të përqendruar te ajo taksë apo ai segment i biznesit që konsiderohet si risku i madh fiskal. Masat e qeverisë për të luftuar tregun informal dhe punën informale nuk munden të kenë sukses vetëm duke u mbështetur mbi vullnetin qeverisës dhe dëshira, por kanë nevojë për modele organizimi që të mundin t’i krijojnë ambient mbytës informalitetit ne vend dhe të krijojnë një ambient mikpritës për biznesin formal.

Vullneti për të luftuar evazionin, ka nevojë për një strategji të plotë, gjithëpërfshirëse dhe e fokusuar shumë qartë dhe në mënyrë të vendosur aty ku vërtet evazioni përbën një kërcënim për financat publike. Administrata fiskale është duke punuar për të parandaluar evazionin nëpërmjet evidentimit në fazat fillestare të tij, por goditjet që i duhen dhënë evazionit kanë nevojë për fuqi dhe rritje të edukimit fiskal. Çfarë vlen nga përvoja e vendeve fqinje është konsekuenca dhe qartësia e organizimit të masave dhe burimeve sipas politikës që vlen mbi të tjerat. Por detyrat që kanë institucionet shqiptare duhet të orientohen të modelojnë luftën me synimin për të rritur kulturën fiskale të pagimit të detyrimeve pa masa shtrënguese. ALTAX


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663