Ne shikojmë një rrezik që fluksi i madh i projektuar i IHD-ve mund të bjerë në vitet e ardhshme. Përmirësimi i mjedisit institucional do të ndihmonte duke tërhequr një bazë të gjerë të IHD-ve në vitet në vijim…
Monitor
Investimet e Huaja Direkte në vitin 2017 pritet të arrijnë nivel rekord në Shqipëri, si rrjedhojë e projekteve të mëdha, sipas agjencisë vlerësuese Standard & Poor’s (S&P). Në vlerësimin e fundit për Shqipërinë S&P thotë se “duke pasur parasysh se pjesa më e madhe e projektit TAP do të ekzekutohet në 2017, ne vlerësojmë se fluksi i Investimeve të Huaja Direkte (IHD) do të arrijë në mbi 11% të PBB-së në 2017-n. Flukse të tjera hyrëse të investimeve të huaja janë të lidhura me sektorin e energjisë, veçanërisht projektet në ndërtimin e hidrocentraleve”.
Sipas tabelave të S&P, investimet në raport me PBB-në në 2017-n pritet të arrijnë në 11.2%, nga 9.5% në 2016-n, ndërsa më pas do të bien në 10% të PBB-së në 2019-2020.
Por S&P paralajmëron se kjo rritje po vjen si rrjedhojë e projekteve të mëdha dhe që vendi duhet të bëjë përpjekje për të tërhequr investime të tjera.
“Gjithsesi, ne shikojmë një rrezik që fluksi i madh i projektuar i IHD-ve mund të bjerë në vitet e ardhshme. Përmirësimi i mjedisit institucional do të ndihmonte duke tërhequr një bazë të gjerë të IHD-ve në vitet në vijim”, rekomandon S&P.
Investimi i TAP në 2017, sa gjysma e IHD-ve vjetore
Sipas S&P dhe burimeve nga TAP, investimet në total në Shqipëri vetëm nga ky investim pritet të arrijnë në 1.5 miliardë euro.
Përqendrimi më i madh i tyre do të jetë në 2017-n, kur sipas burimeve nga TAP do të arrijnë në 400-450 milionë euro, shumë kjo që është e barabartë me gati gjysmën e investimeve të huaja që merr Shqipëria mesatarisht në një vit. (në 2015-n IHD-të ishin rreth 890 milionë euro)
Sipas konsorciumit TAP, deri më sot, janë transportuar rreth 75% e tubave që do të shtrihen në territorin shqiptar.
Në dhjetor të vitit 2016, Ministria e Energjisë e Shqipërisë dhe TAP ndryshuan marrëveshjen për t’i dhënë më shumë mbështetje financiare dhe asistencë Shqipërisë.
Palët pas rreth shtatë muajsh negociatash, ranë dakord për të rishikuar pagesat për të rritur investimet në komunitetet dhe për të zhvilluar tregun e gazit në vend.
Më herët, drejtuesit e konsorciumit TAP thanë se janë në kushtet kur mund të diskutojnë për të vlerësuar interesin e konsumatorëve potencialë për të ashtuquajturat linja ‘ të hapura të sezonit”. Dhe kjo mbështetet edhe nga legjislacioni europian.
TAP është pjesë e Korridorit Jugor të Gazit i cili është një nga projektet energjetike prioritare të BE-së.
Ai parashikon transportimin e gazit nga fushat e Shah Deniz në Azerbajxhan drejt vendeve të BE-së.