Rënia e Murit të Berlinit ishte dëshmi e drejtësisë së teorisë së ekonomisë liberale ndaj asaj të centralizuar e të planifikuar. Ishte triumfi i liberalizmit ndaj etatizmit. Por për fat të mirë liberalizmi kishte teoricienin e tij, Friedrich Hayek, të cilin e sjell pranë nesh, në gjithë dimensionet e tij teorike, prof. dr. Adrian Civici me këtë libër, shkruan Mërkuri.
Kemi pohuar se rënia e Murit të Berlinit shënoi rënien e sistemit totalitar socialist dhe triumfin e sistemit demokratik. Por nuk është njohur dhe specifikuar faktin se kjo ngjarje epokale ishte së pari, dështimi i teorisë dhe praktikës së një ekonomie të planifikuar dhe të centralizuar, si dhe rritjes së rolit të shtetit në ekonomi. Nuk kemi patur mundësinë të njohim teoricienët që i treguan botës, qysh në fillimin e aplikimit të ekonomisë së planifikuar dhe instalizimin e socializmit në shumë vende, se kjo ishte Rruga drejt skllavërisë. Nuk kemi njohur debatet e korifenjve të dy rrymave filozofike në ekonomi, qoftë me pasojat e aplikimit të metodës së ekonomisë së centralizuar, të rritjes së prezencës së shtetit, në përpjekjet për eliminimin e efekteve të krizave ekonomike dhe parandalimin perspektiv të tyre. Rënia e Murit të Berlinit nuk ishte vetëm triumfi i sistemit kapitalist ndaj atij socialist, por ishte në radhë të parë, dëshmi e drejtësisë së teorisë së ekonomisë liberale ndaj asaj të centralizuar e të planifikuar. Ishte triumfi i liberalizmit ndaj etatizmit.
Por edhe ky triumf ishte produkt i një lufte të gjatë filozofike midis dy rrymave, që mund të quhet edhe “lufta e viganëve“ të filozofisë ekonomike. Ecja në këtë rrugë drejt triumfit, pati një kosto shumë të lartë për njerëzimin. Por për fat të mirë liberalizmi kishte teoricienin e tij, Friedrich Hayek, të cilin e sjell pranë nesh, në gjithë dimensionet e tij teorike, prof. dr. Adrian Civici me këtë libër.
I lindur në Vjenë, në 8 maj 1899, Friedrich Hayek, me mbarimin e luftës vendos të ndjekë karrierën universitare, në mënyrë që… “të ndihmojë në evitimin e gabimeve, të cilat çuan …në një luftë të përgjakshme”.
Diplomohet në vitin 1921 me titullin “doktor” në shkencat juridike, por juristi i ri interesohej më shumë për ekonominë dhe psikologjinë, madje, u cilësua si “babai i liberalizmit integral” qysh në vitin 1934. Hayek jetoi në një shekull ku triumfuan regjimet totalitare, si: fashizmi, nazizmi, frankizmi, komunizmi, të shoqëruara këto me dy luftëra botërore dhe me krizat ekonomike si Depresioni i Madh i viteve 1930, kriza japoneze e viteve 1990, kriza e viteve 2007-2014. Të gjitha këto ngjarje iu nënshtruan “bisturisë” në (autopsinë) analizat shkencore të Hayekut, prej nga ai nxori konkluzione që, shpesh herë binin në kundërshtim të plotë me njohuritë e përgjithshme që qarkullonin nëpër qarqet akademike dhe shtetërore të kohës. Dhe do të triumfonte, aq sa në vitin 1974 do t’i jepej çmimi Nobël. Është akademiku më i preferuar i Margaret Thatcher dhe Ronald Regan, ndërsa gazeta “The New Yorker” në vitin 2000 do ta cilësonte shekullin XX si “shekulli Hayek”. Lufta kundër totalitarizmit, lufta kundër etatizmit dhe kolektivizimit për një liberalizëm ekonomik dhe shoqëri liberale, shpjegimi i krizave dhe faktorëve që i krijojnë ata si dhe faktorët afatgjatë që shërbejnë për shërimin e tyre, do jenë temat madhore që do trajtojë ky kolos i mendimit njerëzor, fatkeqësisht aq pak prezent në Shqipëri, por jashtëzakonisht i nevojshëm.
Për lexuesin shqiptar, është tronditës analiza dhe konkluzioni i Hayek për liberalizmin, si promotor i progresit ekonomiko-shoqëror sepse, pikërisht në vitin 1974, kur “Babai i liberalizmit” Hayek nderohej para gjithë botës me çmimin Nobël, në Shqipëri, një Plenium politik i diktaturës, imponon procese gjyqësore ndaj “vogëlushëve”, liberalëve vendës dhe ndaj mendimeve e veprave të tyre, duke e shpallur liberalizmin “armik i popullit”.
Motoja e diktaturës në Shqipëri se “Diktatura e proletariatit është mbrojtëse e lirive dhe e demokracisë popullore”, nën vështrimin e Hayek rezulton një blof i madh propagandistik. Një diktaturë (proletariati), nuk mund të mbronte liritë e individëve, sepse “garancia më e mirë e lirisë është prona private”, shkruan Hayek. Në Shqipëri, ku mungonte prona private, mungonte baza e lirisë. Teza e Hayek se “socializmi prezanton një kërcënim të madh për lirinë” u vërtetua duke u përjetuar dhimbshëm në Shqipëri në një periudhë 50-vjeçare, ku u mohua edhe liria e besimit dhe jo më liritë e tjera me karakter ideo-politiko-ekonomik.
Në pranverën e vitit 1944,në kulmin e Luftës së Dytë Botërore, Hayek botoi librin e tij “Rruga drejt skllavërisë” me dedikimin simbolik ”Socialistëve të gjithë partive”, me fjalët profetike se… “Planifikimi i centralizuar të çon drejt diktaturës”.
Në këtë kontekst, socializmi është “fryt i një gabimi intelektual”, ndërsa nazizmi dhe fashizmi janë një lloj i veçantë i kolektivizimit. Por të dyja janë shumë afër njëra-tjetrës, gati identike. Populli shqiptar e provoi për 50 vjet centralizimin e ekonomisë dhe ende nuk është shëruar nga pasojat e rënda që ai la. E parë në këtë kontekst, ne shqiptarët jemi dëshmitarë të drejtësisë të tezave të Hayek.
Konkluzioni se “socializmi asnjëherë dhe në asnjë vend nuk ka qenë një lëvizje e klasës punëtore” sado i befasishëm, në këndvështrimin dhe argumentimin e Hayek-ut është më se logjik. Gjithashtu, edhe interpretimi i Hayek-ut për efektet e revolucioneve industriale është një përmbysje e plotë e teorive të majta. Argumentimi se klasa punëtore u krijua nga fshatarët e mbetur pa tokë dhe revolucioni industrial bëri të mundur që të gjenin punë nëpër fabrika, pavarësisht kushteve të rënda të punës. Por ajo që ka rëndësi është fakti se ata punëtorë, askush nuk i detyroi të bënin zgjidhje të jetës së tyre punësimin në fabrika. Ajo zgjedhje qe zgjedhja e tyre e lirë.
Hayek boton “Kushtetuta e lirisë” në 1960, libri për të cilin Margaret Thatcher tha…kjo është ajo që ne besojmë, sepse ai propozon esencën e një programi të mirëfilltë liberal, politik, social, ekonomik e juridik, kredoja e të cilit është se “liria individuale krijon mundësi për gjenerimin spontan të progresit social”. Dhe në rast se do përmendim ligjin, në shtetin e të drejtës, duhet të themi se ligji kufizon një numër “veprimesh të këqija”, por nuk e kufizon lirinë e njeriut.
Pas viteve ‘70,vendet perëndimore u përballën me një krizë ekonomike, që sa vinte e thellohej, duke dëshmuar në këtë mënyrë dështimin e metodës së ndërhyrjes të shtetit në ekonomi. SHBA dhe Anglia kryesisht, por edhe Franca e RFGJ, me gjithë tronditjen që pësuan nga kriza, e gjetën rrugëdaljen te “receta liberale” e Hayek-ut. Margaret Thatcher në Britani dhe Ronald Regani në SHBA, duke vënë në zbatim idetë dhe orientimet e shkollës hayekane, arritën të shpëtonin vendet dhe popujt e tyre. Por situata sa vinte e rëndohej në kampin socialist, deri në atë shkallë sa që në fund të viteve ‘80 flitej hapur për një “revolucion politik”, si kusht për t’i hapur rrugën tranzicionit, për rikthimin në kapitalizëm, si i vetmi shteg shpëtimi. E gjithë kjo lëvizje, që u kurorëzua me rënien e Murit të Berlinit, kishte si frymëzim idetë e Hayek-ut. Prandaj dhe u quajt … Kundërrevolucioni Hayekian..
Këtë nderim, vlerësim dhe lavdi e meritoi Hayeku në vitet ‘90, duke vulosur botërisht drejtësinë e tezave të tij. Dhe idetë e Hayek janë kaq të ngjeshura në brendësi, saqë analiza e qoftë një ideje të vetme të shprehur në disa faqe libri, do kërkonte volume të tëra librash studimorë për t’u shtjelluar.
*Msc marrëdhënie ndërkombëtare