Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Haxhinasto: Në shtator reforma në ujësjellës, 67 % e ujit nuk paguhet

$
0
0

edmond haxhinastoQeveria krahas aksionit të saj për luftimin e informalitetit në ekonomi, në muajin shtator do të nisë edhe një reformë që do të prekë kryesisht çështjen e ujit. Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto, në një intervistë për “A1 Report” flet për reformën e rëndësishme në Ujësjellës- Kanalizime, e cila ka si qëllim ndalimin e humbjeve ose mospagesën e ujit.

Sipas tij, sot humbja ose mospagesa shkon në masën e 67 % të ujit që prodhohet, ndaj sipas ministrit, kjo e bën të domosdoshme një reformë të thellë, që parashikon edhe përzgjedhjen e drejtuesve me kritere mjaft të forta.

“Reforma në Ujësjellës-Kanalizime është reformë që do fillojë në shtator, është përgatitur paketa e plotë ligjore dhe institucionale. Kjo reformë do ofrojë shërbim shumë më cilësor për sa i përket cilësisë dhe aksesit në ujin e pijshëm. Do ketë një riorganizim institucional për sa i takon përgjegjësive që i takon aspekteve të ndryshme të Ujësjellës-Kanalizimeve. Do ketë riorganizim të përzgjedhjes së menaxhimit dhe monitorimit të këtyre ndërmarrjeve.

Proces transparent i filtrimit dhe përzgjedhjes së drejtuesve të këtyre ndërmarrjeve, sipas kritereve shumë rigoroze. Dhe besoj kjo reformë do sjellë një performancë shumë më të mirë sesa sot, një sektor shumë problematik, ku 67 % e ujit të prodhuar humbet, keqadministrohet ose nuk paguhet. Dhe besoj se nga kjo reformë do të përfitojë qytetari. Do të krijojë mundësi për investime të reja, si dhe për të arritur atë pjesë të qytetarëve që nuk kanë mundësi”, – tha Haxhinasto.

Një tjetër reformë rrënjësore për dikasterin e transporteve do të jetë edhe transporti ndërqytetës, me mjete moderne dhe terminale të reja. “Reforma e transportit ndërqytetar do synojë gjithë riorganizimin e gjithë operatorëve në këtë transport. Qëllimi është që t’i ofrohet qytetarit një shërbim cilësor i këtij transporti, me mjete të cilësisë të lartë, me linja të rregullta me komoditetin përkatës, apo me infrastrukturën ndihmë, me terminalet e autobusëve.

Si dhe një sistem i ri biletimi që do të bëjë të mundur dhe evitojë evazionin, dhe qytetari të paguajë për aq kilometra sa përshkon. Kjo reformë do ndikojë në cilësi tjetër për qytetarët”, – tha Haxhinasto. Në lidhje me koncesionet e rrugës së Kombit dhe të rrugës së Arbrit, ministri Haxhinasto tha se janë në fazën përmbyllëse, dhe brenda këtij viti gjithçka do të jetë gati.

“Besoj në vjeshtë do të kemi fazën përmbyllëse të tenderit për koncesionin e mirëmbajtjes, sepse tani është një koncesion për mirëmbajtjen, por edhe me përfundimin e saj, sepse ka nevojë për disa investime kapitale që të përfundojë si vepër. Besoj kjo rrugë do të marrë atë cilësi që meriton, sepse është një rrugë e rëndësishme për kombin dhe Europën.

Për koncesionin e rrugës së Arbrit jemi në fazën e diskutimit të disa aspekteve teknike të kërkuara nga kompania kineze, që do e ndihmojnë atë të bëjnë ofertën zyrtare përfundimtare, bazuar nga këto informacion teknike”, – tha Haxhinasto.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Trending Articles