Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Investimet në rrugë, frymëmarrja e munguar e ekonomisë

$
0
0

rruga-e-kombitMinistria e Transportit ka shpallur se, nevojat për investime në infrastrukturën rrugore të vendit, janë më shumë se 2.5 miliardë euro. Për vitin 2017 buxheti i Ministrisë së Transporteve në total është caktuar rreth 250 milion euro.

Kudo në botë rrugët janë arteriet e zhvillimit ekonomik. As Shqipëria nuk bën përjashtim nga ky rregull. Por në vendin tonë, investimet e munguara, zhvillimet pa plane tërësore, cilësia e keqe e punimeve dhe korrupsioni i lartë kanë bërë që rrugët përveçse një mundësi zhvillimi të jenë edhe një barrë për ekonominë në tërësi e për buxhetin e shtetit në veçanti. Në 20 vitet e fundit në infrastrukturën rrugore janë investuar rreth 4 miliardë dollarë, por rrugët ende janë shumë larg të qenit një infrastrukturë e krahasueshme qoftë edhe me vendet e rajonit. Në kushtet kur sipas ekspertëve përllogaritet që në një vit të duhen rreth 80 milionë dollarë vetëm për mirëmbajtje, qeveria po kërkon alternativë shpëtimi e ku më kryesorja janë koncesionet. Ndërkohë në tri vitet e fundit fluksi i investimeve për arsye nga më të ndryshmet ka rënë. Projekte të nisura që nga qeverisja e demokratëve si rruga e re Tiranë-Elbasan apo edhe Rruga e Arbrit nuk dihet ende se kur do të përfundojnë.

 

Investimet

Në buxhetin e rishikuar të vitit 2016, qeveria i shkurtoi fondet për investime në rrjetin rrugor. Arsyeja, se projektet nuk kishin ecurinë e duhur. Në finale për 2016 janë të planifikuara 7.6 miliardë lekë të ndara në 250 projekte. Ndërkohë Ministria e Transportit ka shpallur se, nevojat për investime në infrastrukturën rrugore të vendit, janë më shumë se 2.5 miliardë euro. Sigurisht kësaj nevoje kaq të madhe nuk ka mundësi t’i japë zgjidhje as buxheti i vitit që vjen. Çfarë parashikohet? Për Ministrinë e Transporteve buxheti i vitit 2017 në total shkon në 31 miliardë lekë. Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Sokol Dervishaj në paraqitjen e kërkesave për buxhetin e Ministrisë për vitin 2017, në Komisionin e Ekonomisë tha se ky buxhet është në rritje krahasuar me atë të vitit të kaluar, por nuk i përmbush nevojat që ka infrastruktura e vendit. Dervishaj tha se do të investohet në akset kombëtare rrugore, dhe se synohet përfundimi i disa projekteve që kanë kohë që kanë filluar, si rruga Tiranë-Elbasan, një pjesë nga Unaza e Madhe Tiranës, Bypassi i Fierit etj. Në lidhje me Rrugën e Arbrit, Dervishaj theksoi se ka ardhur një ofertë e pranueshme në terma financiarë nga një kompani shqiptare për ta ndërtuar me koncesion. Ministri sqaroi edhe situatën me bypassin e Fierit, duke thënë se aktualisht është duke u punuar me ritme të kënaqshme, dhe para verës 2017, synohet përfundimi i korsisë kryesore. Ministri theksoi se për vitin 2017, vëmendje ka marrë përmirësimi i sinjalistikës rrugore, ku fillon implementimi i një projekti me Bankën Botërore, me vlerë 150 milionë USD i shtrirë në një periudhë 5-vjeçare. Po ashtu për vitin 2017 është parashikuar që të realizohet ndërtimi dhe rikonstruksioni i disa projekteve prioritare rrugore lokale. Vlera e këtij investimi llogaritet në rreth 71 milionë euro. Sipas Fondit Shqiptar të Zhvillimit, projektet janë të shpërndara në të gjithë territorin e vendit dhe përfshijnë rrugë urbane, lokale, rajonale dhe shëtitore. Ndërhyrjet urbane si ato në Pogradec, Peshkopi, Bajram Curri e Vau i Dejës, priten të kenë ndikim në përmirësimin e cilësisë së jetës për banorët e këtyre qyteteve, e njëkohësisht do të ndikojnë në përmirësimin e lëvizjes dhe trafikut. Me rëndësi vlerësohen edhe ndërhyrjet në infrastrukturën rrugore në rajone, si: Pukë, Fushë-Krujë, Durrës, Belsh, Korçë, Shkodër etj. Por financimeve të rrugëve u është shtuar edhe një komponent i ri, Rilindja Urbane. Në këtë kuadër gjatë vitit 2017 do të nisë projekti për zhvillimin e integruar urban e turistik. Përmes tij synohet të përmirësohet infrastruktura urbane, të rritet vlera e aseteve dhe të fuqizohen kapacitetet institucionale për zhvillimin e turizmit. Projekti me vlerë 63.8 milionë euro dhe një shtrirje gjashtëvjeçare në kohë do të zhvillohet në qytetet Berat, Gjirokastër, Përmet e Sarandë në investime që përfshijnë hapësira publike, si: parqe, sheshe, shëtitore, dhe rrjete rrugore.

 

Koncesionet

Qeveria planifikon të ndërtojë 6 projekte kryesisht të infrastrukturës rrugore me koncesion të formës Partneritet Publik-Privat. Sipas planit 4-vjeçar të investimeve, i hartuar nga Ministria e Transporteve, këto projekte do të ndërtohen nëpërmjet financimit publik-privat deri në vitin 2020, por në rast se nuk gjenden partnerë në investime dhe financime, ato do të shtyhen. Gjithashtu, në rastin e forcave madhore dhe të një krize ekonomike në Shqipëri ose në Ballkanin Perëndimor apo BE, plani i investimeve të parashikuara në rrugë do të ripërshtatet për pas vitit 2020. Kështu, parashikohet që të jepet me koncesion PPP, dyfishimi i segmentit të rrugës Fushë-Krujë-Thumanë. Projekti i dytë është bypass-i i Tiranës, i treti është ndërtimi i bypass-eve të Tepelenës, Elbasanit, Lezhës dhe Gjirokastrës. Projekti i katërt është përfundimi i urës dhe Tunelit në Morinë–Kukës. Projekti i pestë është dyfishimi i rrugës Milot-Rrëshen dhe projektimi i detajuar për ndërtimin e segmentit të Rrugës së Arbrit. Për vitin që vjen, sipas programimeve në projektbuxhet, vepra që merr “pjesën e luanit” nga fondet publike është rruga Qukës-Qafë Plloçë, e cila vitin e ardhshëm financohet me 2.73 miliardë lekë ose mbi 22 milionë dollarë. Ky aks ka nisur vitin e kaluar dhe sipas programit buxhetor afatmesëm përfundon në 2018. Projekti i dytë me financimin më të madh është sërish në Qarkun e Korçës. Bëhet fjalë për rrugën Qafë Thanë-Lin-Pogradec, që në vitin 2017 merr 1.3 miliardë lekë, ose mbi 10 milionë dollarë. Edhe ky projekt është ekzistues. Ai ka nisur në vitin 2013 dhe përfundon në 2019. Tiranë-Elbasan dhe Rruga e Kombit janë dy projekte të tjera që do të vazhdojnë të marrin sërish para nga buxheti. Sipas listës së investimeve, për Tiranë-Elbasan do të shpenzohen 1.25 miliardë lekë, ndërsa për Fushë Krujë-Milot Morinë do të paguhen vitin tjetër 1.23 miliardë lekë.

 

Akset Kombëtare

Pak ditë më parë Agjencia e Prokurimit Publik zhbllokoi koncesionin për Rrugën e Kombit. Në fillim të vitit që vjen të gjitha makinat e vogla do të tariforen me 5 euro për çdo kalim në atë rrugë. Fitues është shpallur konsorciumi Catalyst, në përbërjen e të cilit janë edhe 2 kompani shqiptare. Ky koncesion ka kaluar një histori të ndërlikuar, që kulmoi në 30 maj 2016 kur Komisioni i Vlerësimit të ofertave në Ministrinë e Transportit hapi ofertat e dy konkurrentëve Catalyst, pjesë të së cilës ishin kompanitë shqiptare, Salillari dhe Kastrati dhe kompania turke Vendeka, e cila u shpall fituese. Por më 29 gusht Komisioni i prokurimit Publik e skualifikoi atë dhe parakualifikoi Catalyst. Përveç taksave që do të paguajnë qytetarët (5 euro për makinë) buxheti i shtetit do të paguajë në 13 vitet e para të koncesionarit të paktën 65 milionë euro, shumë që është zbardhur në raportin e zgjeruar të Komisionit të Prokurimit Publik.

Tashmë koncensionari ka marrë përsipër mirëmbajtjen e rrugës por edhe ndërtimin në pjesët e munguara të saj. Ndërkohë në planet e qeverisë për koncesion është edhe Rruga e Arbrit. Duket se këto plane kanë bërë që buxheti i shtetit për vitin e ardhshëm nuk parashikon asnjë fond për ndërtimin e Rrugës së Arbrit. “Aktualisht ajo që po diskutojmë është koncesioni. Me buxhetin aktual nuk kemi parashikuar të ndërhyjmë në segment përveçse në drejtim të mirëmbajtjes”, ka deklaruar ministri i Transporteve. Një tjetër aks i rëndësishëm kombëtar që pret të përfundohet është edhe autostrada Tiranë-Elbasan. Ministri i Transportit, Sokol Dervishaj ka deklaruar se rruga Tiranë- Elbasan do të përfundojë brenda 2017. Në proces ndërtimi, ndonëse të gjatë janë edhe rruga hyrëse në Pogradec dhe Bypassi i Fierit.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Trending Articles