Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Hekurudha Shqiptare në kufijtë e mbijetesës

$
0
0

hekurudhaDikur kishte vagonë e hekurudha. Vite më vonë kishte hekurudha por s’kishte vagonë. Sot s’ka as vagonë e as hekurudha. Sektori është në grahmat e tij të fundit. Amortizimi shkon deri në 80 për qind, ndërkohë që buxheti investon në vit vetëm 1 milion euro. Transporti i brendshëm dhe ai i pasagjerëve janë në shifra të papërfillshme. E vetmja frymëmarrje është transporti modest ndërkombëtar. Falimentimi i kompanisë Kurum ka dhënë “goditjen përfundimtare” për sistemin hekurudhor. Ndërsa transporti i pasagjerëve me trena mori tatëpjetën edhe më shumë nga prishja e stacionit të trenit të Tiranës, ku linja me Durrësin ishte më e rëndësishmja. Situata e rënduar nga mungesa e investimeve ka bërë që në përdorim të mbeten mjete që kanë kaluar më shumë se 40 vjet përdorim, si lokomotivat, ashtu edhe vagonët që nuk u përgjigjen më kushteve aktuale. Edhe trasetë janë tejet të amortizuara. Drejtuesit e hekurudhës thonë se ata tashmë e kanë humbur betejën edhe në konkurrencën e fortë e të pandershme me transportin rrugor.

 

Kolapsi i karburanteve

Hekurudha ka në funksion vetëm katër linja: Durrës – Bajzë (Hani i Hotit); Durrës – Librazhd; Durrës – Vlorë dhe Durrës – Kashar. Buxheti i shtetit akordon në një vit rreth 450 milionë lekë. Por që të mbahet ndërmarrja së pari, duhet karburant. Deri në vitin 2010, hekurudha furnizohej me karburant nga kompania shtetërore ARMO. Por pas privatizimit të saj hekurudha u detyrua ta marrë karburantin me çmimin e tregut, madje duke paguar të gjitha taksat (e mirëmbajtjes) si në rastin e transportit rrugor, edhe pse ecet mbi shina. Situata e vështirë e detyroi pak javë më parë drejtorin e hekurudhës që të japë dorëheqjen. Hekurudha është pothuaj e bllokuar, pasi kompania e karburanteve, e cila i ka dhënë borxh hekurudhës 2.4 miliardë lekë karburant për lëvizjen e trenave, ka kërkuar në gjykatë bllokimin e të gjitha llogarive bankare. Bllokimi i llogarive prej ditësh ka çuar në bllokimin e qarkullimit të trenave në vend, duke sjellë pragun e falimentit të këtij transporti. Nëpërmjet një peticioni drejtuar ministrit të Transporteve, Sokol Dervishaj, sindikata e pavarur e Hekurudhës shqiptare, i kërkon ministrisë të ndërhyjë urgjentisht, pasi mungesa e parave ka bërë që për më shumë se 5 muaj të mos paguhen detyrimet e sigurimeve shoqërore për punonjësit.

 

Projektet

Ndërkohë që hekurudha është në prag të kolapsit financiar tentativat për të shpëtuar ç’të mundet prej saj vijojnë. Falë edhe interesit të partnerëve ringjallja pritet të nisë me investimet në linjën Tiranë-Rinas-Durrës. Më 9 dhjetor pritet të përfundojë afati për dorëzimin e ofertave për tenderin e shërbimit të konsulencës për ndërtimin dhe rehabilitimin e këtij aksi hekurudhor. Kostoja e këtij tenderi, i cili është shpallur rreth një muaj më pare është 500,000 euro. Konsulenti do të duhet jetë një firmë ose një konsorcium firmash me përvojë. Projekti përbëhet nga dy komponentë: rehabilitimi i linjës ekzistuese Tiranë – Durrës, si dhe ndërtimi i linjës së re që do të lidhë kryeqytetin me aeroportin ndërkombëtar të Rinasit. BERZH është financuesja kryesore e këtij projekti, pasi do të lëvrojë një kredi në vlerën 36.87 milionë euro për llogari të kompanisë Hekurudha Shqiptare. Kjo kredi do të përdoret për rehabilitimin e 34.7 km të linjës hekurudhore Tiranë – Durrës dhe ndërtimin e linjës së re me Rinasin me gjatësi 7.4 km. Po ashtu Hekurudha shqiptare është duke synuar zbatimin e një programi investimi për një periudhë 8 deri në 10-vjeçare, që do të rivendoste rrjetin në kushte normale pune. Kapitali i sektorit privat nuk shihet si një alternativë e mundshme investimi në periudhën afatshkurtër, ndërsa skema koncesionare e tipit PPP planifikohet të zbatohet vetëm në një rast. Ndërkohë në letër nuk mungojnë planet për ndërtimin e segmenteve të reja hekurudhore: Pogradec-Korçë-kufiri me Greqinë, rehabilitimi i segmentit Durrës-Pogradec-Lin dhe ndërtimi i një linje të re lidhëse me Maqedoninë, rehabilitimin e segmentit Vorë-Hani i Hotit.

 

Lidhja me rajonin

Hekurudha shqiptare funksionon si një ishull i shkretë me vetëm një lidhje, aksi me Malin e Zi. Vendet e rajonit, si Kosova apo Maqedonia, kërkojnë përmirësimin e ndërlidhjes me hekurudhë, por ende asgjë. Pala maqedonase nga pika e Kërçovës ka të munguar 65 km dhe nuk është gjetur ende financimi. Ndërsa për pjesën tonë, projekti është në fazën e fundit dhe pritet financimi. Segmenti ynë i munguar i hekurudhës është 2.8 km. Për pjesën shqiptare, financimi parashikohet të kapë vlerën prej 8 mln euro, ku përfshihet ndërtimi i hekurudhës, i godinës shumëfunksionale, dogana, siguria etj. Sa i përket lidhjes me Kosovën, gjatësia që duhet të përshkohet me hekurudhë është rreth 120 km. Pala kosovare është shprehur e gatshme të bashkëfinanconte projektin, por terreni për ne është shumë i vështirë malor dhe me disa tunele me gjatësi në total në rreth 7 km. Ky është një projekt i madh, pasi flitet për një vlerë investimi në rreth 1 miliard euro. Një shumë e tillë i kapërcen mundësitë e shtetit shqiptar. E vetmja lidhje që ne kemi me pjesën tjetër të Europës është Mali i Zi, me kufirin tradicional të Hanit të Hotit (Bajzën) me të cilën ne kemi vazhduar transportin rregullisht. Por mungesa e transportit të mallrave po e çon edhe atë drejt falimentit. Megjithatë po punohet për modernizimin e kësaj linje pasi mundësitë e biznesit me anë të saj janë të mëdha. Kompania ceke “AZD PRAHA” kanë kryer një studim fizibiliteti për modernizimin e linjës hekurudhore Durrës-Bajzë (kufiri me Malin e Zi). Modernizimi i kësaj lidhjeje do të mundësonte futjen e Hekurudhës Shqiptare në rrjetin europian të hekurudhave, duke i dhënë një mundësi të madhe shkëmbimeve tregtare.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663