Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Koka, letër 61 kryebashkiakëve: Nga 1 janari jeni përgjegjëse për shitjen e lëndës drusore

$
0
0

drunjteMinistri i Mjedisit, Lefter Koka, u është drejtuar zyrtarisht 61 krerëve të bashkive në vend, për të sjellë në vëmendjen e tyre disa nga prioritetet kryesore për ekonominë pyjore, si dhe detyrimet me të cilat ky ligj i ngarkon. Nga 1 janari 2017, bashkitë janë përgjegjëse për shitjen e lëndës drusore, me qëllim ngrohjen e popullatës.

“Në këtë kuadër sjell në vëmendjen tuaj, se legjislacioni parashikon një sërë veprimesh që duhet të ndërmerren nga ju, për të siguruar për qytetarët që qeverisni një cilësi jetese më të mirë.
Qeveria shqiptare, për t’ju dhënë kohën e nevojshme për të qenë gati për këtë sezon dimëror, përmes VKM Nr. 438, datë 08.06.2016 lejoi funksionimin e operatorëve privatë për prodhimin dhe shitjen e lëndës drusore, deri më datë 31 dhjetor 2016 paralelisht me strukturat e ngritura nga Bashkia.
Është e rëndësisë së veçantë, të kërkoj vëmendjen tuaj se bazuar në dispozitat kalimtare ligjore të parashikuar në këtë VKM, nga data 01 Janar 2017, Bashkia do të jetë i vetmi subjekt përgjegjës për shitjen e lëndës drusore me qëllim furnizimin e popullatës me lëndën drusore për ngrohje.
Sikurse parashikohet në VKM-në e sipërcituar, përgjegjësia për furnizimin e popullatës me dru zjarri për ngrohje është kompetencë e vetme e Bashkisë që ju drejtoni. Bashkia identifikon nevojat, përcakton ngastrat dhe zonat pyjore të prodhimit, kërkon pranë Ministrisë së tyre të Mjedisit dhe realizon shitjen e druve të ngrohjes së popullatës.
Për këtë, kuadri ligjor, siç edhe jeni njohur, ju jep të drejtën të realizoni prodhimin përmes dy alternativave:
a) Duke prodhuar drutë e zjarrit përmes procesit të shfrytëzimit me një operator privat, tenderimin e këtij shërbimi, në pamundësi të ngritjes së ndërmarrjes publike bashkiake për këtë qëllim. Sipas kësaj alternative, Bashkia pasi ka miratuar vendet e caktuara për prodhimin e lëndës drusore, mund të tenderojë shërbimin e prerjes dhe të transportit të afërt të lëndës drusore. Transporti i largët deri në sheshin e paracaktuar për shitje nga Bashkia është përgjegjësi e vetme e juaja; ose,
b) Ngritja e Ndërmarrjes Publike Bashkiake për prodhimin e druve të zjarrit përmes procesit të shfrytëzimit. Në këtë alternativë, Bashkia është përgjegjësja e vetme për shfrytëzimin, transportin dhe shitjen e sasisë te popullata

Ndërkaq shitja e materialit drusor, me qëllim të vetëm dhe të patjetërsueshëm ngrohjen e popullatës, sipas këtij kuadri ligjor në të dyja rastet e sipërpërmendura, duhet të kryhet vetëm nga Bashkia.

Ligji ju detyron, që çdo e ardhur që realizohet nga ky proces, të alokohet në masën 100% për shtimin e fondit pyjor dhe zonave të degraduara në këtë fond, me qëllim rigjenerimin dhe shëndetësimin e ekonomisë pyjore, për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm të këtij fondi.

Ju sjell në vëmendje gjithashtu, se për vitin 2017 dhe në vijim, mundësia vjetore e shfrytëzimit të pyjeve që kërkohet nga ana juaj për prodhimin e lëndës drusore, duhet të jetë e bazuar në objektivat e planit të mbarështimit të ekonomisë pyjore. Në asnjë rast, miratimi nga ana e Ministrisë së Mjedisit, nuk do të jepet nëse nuk do të paraqisni një plan menaxhimi të miratuar.
Ministria e Mjedisit, prej 1 viti tashmë ka qenë në angazhim të drejtpërdrejtë maksimal dhe serioz me strukturat drejtuese të Bashkisë suaj, për të siguruar transferimin e suksesshëm të fondit pyjor dhe kullosor, nën përgjegjësinë e administrimit nga ana e Bashkisë.

Me gjithë problematikat e vërejtura gjatë kësaj periudhe 12-mujore, Ministria e Mjedisit beson fort, se ky proces është në dobinë e drejtpërdrejtë të fuqizimit ekonomik të Bashkisë dhe rritjes së mirëqenies për qytetarët që ju drejtoni”, thuhet në letrën zyrtare të ministrit Koka./Monitor


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663