Banka Botërore është optimiste për ekonominë shqiptare përndryshe nga opinioni që mbizotëron në vend se kriza po thellohet.
“Nëse do të vlerësoja performancën e ekonomisë shqiptare, do të thosha që po, është e kënaqshme. Nëse shikon treguesit bazë dhe ambientin ekonomik në rajon, shihet që Shqipëria ka një trajektore pozitive të rritjes ekonomike dhe punësimit. Këta janë dy tregues kyç”, deklaroi Taseen Sayed, drejtoreshë e BB.
Sipas BB, rritja ekonomike është përshpejtuar dhe varfëria është ulur.
“Ne presim që rritja për këtë vit të jetë 3.5 për qind, e mbështetur nga rritja e konsumit privat. Banka pret që rritja ekonomike të forcohet në 3.5% vitin tjetër, ndërsa borxhi publik të ulet më tej, teksa Serbia dhe Shqipëria janë vendet me uljen më të madhe të deficitit buxhetor në rajon”.
Përkundër pesimizmit që ekziston kryesisht në media dhe në rrjetet sociale, duket se situata nuk është kaq gri.
Agjencia BIRN raporton se është drejt fundit edhe periudha kur ekonomia shqiptare varej nga dërgesat e emigrantëve.
Sipas ekspertëve, Shqipëria nuk merr më shuma të mëdha remitancash nga emigrantët.
“Koha kur dërgesat e tyre ishin thelbësore për ekonominë, po vjen drejt fundit,” thonë ata.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama po vazhdon një tur takimesh nëpër fshatrat e Shqipërisë.
Së fundmi ai ishte në Divjakë.
Pasi postoi një album me foto nga vizita, Rama shkruan: “Kthesa historike e investimeve për ujin në parcelë dhe mbështetjes direkte të zinxhirit të grumbullimit, përpunimit, eksporteve, gjatë tre viteve të fundit, ka dhënë rezutate të mëdha po ta krahasosh pikën ku jemi sot me pikën ku e nisëm, por padyshim jemi ende larg pikës së kthesës së plotë.
Kemi pastruar qindra e qindra kilometra kanale vaditës e kullues të bllokuar nga llumrat e harresës së 25 vjetëve, por brenda dy muajve të ardhshëm, nisim në gjithë zonën e Lushnjës, edhe investimin e parë për të gjithë territorin bujqësor shqiptar, për ndërtimin e një sistemi bashkëkohor hidraulik për tokën bujqësore, i cili do të sigurojë një administrim modern të ujit për vaditje duke shmangur çdo shpërdorim. Ky investim madhor do të shënojë fillimin e një programi të madh modernizimi të ujitjes në Shqipëri”.