Çfarë e prish cilësinë e karburanteve që tregtohen në Shqipëri dhe pse ISHTI mendon që problemet vijnë prej naftës së vendit?! Inspektimet kanë zbuluar se numri i abuzimeve të kapura ka rënë me mbylljen e rafinerive të vogla vendëse.
Nga Inva Hasanaliaj
Problemet me cilësinë e naftës janë përgjysmuar thotë ISHTI (Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial), por qytetarët vijojnë të ankohen për cilësi të ulët dhe probleme të ngjashme. Tregu i naftës është përfshirë herë pas here në skandale, kryesisht të lidhura me futjen në përdorim dhe shitjen me pakicë të naftës me cilësi të ulët prodhuar nga rafineritë e vendit apo kontrabanduar përmes formave të tjera. Por dy specialistë të ISHTI thonë se nga kontrollet e ushtruara rastet me problem janë përgjysmuar, ndërsa pohojnë se cilësia në treg dhe standardet janë përmirësuar. Markimi sidoqoftë mbetet problem, për sa kohë siç thonë inspektorët vijon të bëhet me dorë prej GFI Albania dhe jo në mënyrë të automatizuar. Ndërkohë për inspektorët problem është edhe ajo që e quajnë parku i makinave, i përbërë kryesisht me mjete të vjetra dhe që ndotin ambientin.
Inspektimet
Tregu i karburanteve në Shqipëri është tregu më i madh në vend me një qarkullim vjetor nga 900 milionë deri në 1 miliard euro dhe me ndikim të fuqishëm në qëndrueshmërinë dhe zhvillimin ekonomik tërësor, çka do të thotë se një përmirësim i gjendjes së tij do të reflektohet në të ardhurat që ai sjell për ekonominë.
Megjithatë Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial nëpërmjet një shkrese për Gazetën Mapo shprehet se gjatë këtij viti ky institucion ka bërë investimet e nevojshme për kontrollin e plotë të parametrave mjedisorë në karburante. ISHTI pohon se shkeljet e cilësisë së karburanteve ekzistojnë pavarësisht punës intensive nga ana e këtij institucioni. “Arsyet kryesore të shkeljeve të cilësisë në treg kanë ardhur kryesisht nga prodhimi vendës, rafineritë e përpunimit të naftës në Ballsh dhe Fier, minirafineritë dhe impiantet e riciklimit. Për veprimtari të paligjshme janë proceduar në prokurori minirafineri. Për shkelje të standardeve shtetërore në përmbajtjen e squfurit janë penalizuar me gjoba nga 1.5-2 milionë lekë. Në periudhën janar-qershor janë vjelë nga subjektet që kanë rezultuar të cilësisë gjobat me një vlerë 46.4 milionë lekë” , thuhet në informacionin e ISHTI. Ndër të tjera thuhet se ky institucion nga 3903 mostra të testuara për vitin 2016 ka gjetur jashtë specifikimeve të tolerancës për një ose më shumë parametra vetëm 92 mostra ose 2.4% të rasteve nga 5.1% që ishin vitin e kaluar. Monitorimi përfshin të gjitha stacionet e shërbimit dhe të gjitha produktet. Procedurat e kontrollit me metodat e certifikuara janë aq efikase sa zbulojnë të gjitha përzierjet apo shkeljet e tjera. Pra ajo që theksohet nga ky institucion i cili është edhe përgjegjës për kontrollin e cilësisë është fakti se nga viti në vit kemi të bëjmë me përmirësim të cilësisë së karburanteve. “ISHTI në kontrollin e tregut zbaton kriteret e inovacionit në zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve të reja që jo vetëm përmirësojnë efikasitetin e energjisë por ulin edhe ndikimin në mjedis”, thuhet me tej në shkresën e ISHTI.
Në raste shkeljesh janë vënë 189 gjoba, ku shumica janë për çështjen e dokumenteve dhe anën teknike. “15-20 milionë lekë janë për cilësinë, kemi filluar që vjet me këtë dhe nëse vjet janë mbledhur 1000 lekë të rinj me gjoba deri tani janë mbledhur 46 milionë lekë të rinj (460 milionë). Juristja thërret përmbarimin, i bllokon llogaritë dhe i merr paratë” ka shpjeguar për gazetën Mapo Nako Petro – Specialist në Drejtorinë e Inspektimit të Naftës dhe Gazit. Më tej, ai shton se laboratori i këtij institucioni është i certifikuar dhe se janë të lidhur me një shoqëri austriake që është distributor për Europën Qendrore për Austrinë. ISHTI bën kërkesën dy herë në vit ndonëse ajo vjen një herë në 6 muaj dhe shikon gjendjen e laboratorit ku sipas tyre ato janë vërtet sipas normave dhe standardeve europiane. Kjo kompani bën shërbimin, bën riparimin nëse ka nevojë dhe lëshon certifikatën, vjen me mostra me etalon që dihet sesa janë parametrat dhe i kontrollon.
Konsumatori.
Drejtuesit e automjeteve nuk mendojnë kështu. Mjaft prej tyre besojnë se cilësia e karburanteve vazhdon të përbëjë një problem. “Cilësia e karburantit është ndër më të ulëtat në rajon. Post çmimit më të lartë që kemi nuk korrespondon çmimi me cilësinë. Së dyti , makinat sidomos ato të benzinës kanë shumë problem. Probleme në fizikun e makinës po ashtu në ndotjen e ambientit të cilat ngelin dhe në kualidimin, gjë e cila sjell dhe pengesë në qarkullimin e mjetit dhe e gjitha kjo vjen si pasojë e cilësisë së keqe të naftës dhe benzinës . Përmban shumë squfur, e cila krijon probleme me injatorët e makinës”, tha për Mapo Agustini, i cili drejton një Fiat grande punto.“Cilësia e karburantit më ka sjellë shumë probleme me makinën. “Cilësia shumë e keqe çmimet po ashtu nuk kam ç’të them më shumë”. shprehet një tjetër qytetar.
Sipas specialistit Nako Petro në Shqipëri ekzistojnë dy burime furnizimi, i pari është importi dhe i dyti Ballshi (nafta e prodhuar në vend) që prodhon vetëm karburante të cilat me disa ndryshime teknologjike që janë bërë kohët e fundit arrin që të prodhojë brenda standardeve të BE. Ballshi teorikisht ka dy vjet që nuk punon, rafineria filloi punë javën e fundit por ajo mbetet problematike dhe e ngarkuar me borxhe, kështu që praktikisht burimi i vetëm i furnizimit gjatë kësaj periudhe ka qenë importi. “Ne nuk është puna se nuk konstatojmë shkelje, por shkeljet në veçanti kur nuk punon Ballshi. Kur nuk punon tregu vendës rastet janë shumë të shkëputura”, thotë Petro.
Kreu i Shoqatës Shqiptare të Hidrokarbureve, Luigj Aliaj po ashtu pati theksuar në maj të këtij viti në një intervistë të dhënë për BIRN se rafineritë vendëse mbeten burimi kryesor i prishjes së cilësisë së naftës në treg. “Nafta shqiptare është e destinuar për prodhimin e solarit dhe bitumit”, tha Aliaj. “Asnjë rafineri nuk disponon teknologjinë e duhur për të prodhuar naftë që mund të tregtohet”, -shtoi ai.
Markim
GFI Albania është kompania që ka marrë ekskluzivitetin e markimit të karburanteve që më 7 dhjetor të vitit 2010. ISHTI bën pikërisht këtë kompani përgjegjëse për çështjen e cilësisë duke shpjeguar sesi procesi i markimit nuk funksionon ashtu si duhet. “Në sektorin e naftës nuk mund të kalojë lehtësisht autoboti, domethënë karburante pa origjinë nuk ka më, dhe është sektori më i fiskalizuar që edhe të duash të bësh gjë nuk bën dot . Të gjitha ato që dalin nga GFI-ja, është përgjegjësi e GFI-së sepse ato izotopet që duhet të fusë ajo dhe që duhet ta bëjë në mënyrë automatike e bën me dorë dhe që nuk dalin sipas normës së caktuar ato janë përgjegjësi e tyre”, thotë Petro. GFI Albania është themeluar si kompani koncesionare për të zbatuar projektin kombëtar të markimit të karburanteve dhe të naftës bruto dhe nga ana e saj pretendon se është duke bërë një punë të mirë me karburantet në vend. Sipas të dhënave të saj me fillimin e markimit cilësia e karburanteve në vend është përmirësuar, po ashtu kontrabanda është ulur.
Tregu i makinave
Një tjetër faktor i cili ndikon në çështjen e ndotjes nga makinat sipas ISHTI mbetet tregu i automjeteve të vjetra, të cilat janë jashtë standardeve. Shqipëria ka një moshë mesatare makinash 12-vjeçare. Sipas ISHTI parku i makinave në Shqipëri është shumë i vjetër, ka shumë makina që janë përpara vitit 2000 dhe marmitat kanalitike që kanë makinat që janë me katalizator ato qendrat aktive të katalizatorit janë të helmuara dhe nuk e kryejnë funksionin. Sipas specialistit të ISHTI, BE i ka rregullat të detyrueshme sepse një motor projektohet për një lloj lënde djegëse të caktuar kështu që edhe evolucioni që ka ndodh ka ndodh edhe në përbërje të karburantit që lidhet me punën e motorit, por ka ndodh edhe me atë që lidhet me parametrat mjedisorë.
Kontrabanda, doganat do të monitorojnë me GPS lëvizjen e karburanteve
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave është duke marrë në konsideratë instalimin e një sistemi GPS për monitorimin e lëvizjes së karburanteve në zonat e identifikuara me rrezik të lartë.
Sistemet do të instalohen fillimisht mes Shëngjinit, Durrësit dhe Fierit sipas burimeve nga Ministria e Financave. Importi dhe tregtia e karburanteve futet në aktivitet me rrezik të lartë të kontrabandës nga Dogana. Në këtë konkluzion kishte arritur edhe konsulenti britanik i qeverisë për doganat Crown Agents. Burimet nga tregu i karburanteve pohojnë se me gjithë rritjen e kontrollit në tregun e hidrokarbureve sërish kontrabanda dhe manipulimet janë evidente. Nga importi, kontrabanda kryhet nëpërmjet peshkarexhave, ndërsa nafta e prodhuar në vend jashtë çdo kontrolli përpunohet në mbi 40 impiante kryesisht ilegale dhe më pas hidhet në treg, duke shmangur çdo lloj taksimi. Gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri, ekspertët e Crown Agents kryen një kontroll mbi veprimtarinë e flotës së anijeve shqiptare të peshkimit nga ku rezultoi se këto anije përdoreshin për importimin e sasive të mëdha të karburantit ‘duty free’ të ardhur nga portet e Italisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Të dhënat e marra nga Porti i Durrësit, Vlorës, Shëngjinit dhe Sarandës treguan që në periudhën 1 janar – 12 mars 2015, kishin hyrë rreth 2 milionë litra karburant ‘duty free’, ku çmimi i blerjes së karburantit ishte shumë herë më i ulët se sa ai i marrë prej burimeve të ligjshme shqiptare. Indikatorë të qartë risku sugjeronin se këto importe karburantesh bëheshin për të shmangur taksat, duke e shitur karburantin në mënyrë të paligjshme brenda vendit. Provat e mbledhura iu raportuan Doganës, së bashku me rekomandimet për të forcuar kontrollin e importit të karburantit.