Në një intervistë për Mapo prof. asoc. dr. Elvin Meka, zëvendës/rektor për Procesin Akademik në Universitetin Europian të Tiranës, flet për rrezikun e deflacionit për ekonominë shqiptare dhe si mund të ndërhyjë Banka e Shqipërisë në këtë situatë. “Në konkluzion, nëse do të synohet rritja e nivelit të inflacionit në madhësinë e objektivit të Bankës së Shqipërisë, kjo nuk mund të pritet nga ndonjë lëvizje e fortë e Bankës së Shqipërisë, lidhur me rritjen e likuiditetit në treg, sesa nga rritja e kreditimit të ekonomisë, e cila kërkon pikë së pari më shumë sipërmarrje rreziku nga vetë biznesi shqiptar, që në kthim nënkupton më shumë punësim dhe konsum nga qytetarët”, thotë Meka, që shpjegon edhe arsyet e ngërçit të fundit dhe lëvizjen në kahun pozitiv të inflacionit në muajt e fundit.
Çfarë po ndodh aktualisht me inflacionin në Shqipëri? Si mund të menaxhohet një situatë e tillë?
Inflacioni vjetor, apo indeksi vjetor i çmimeve të konsumit ka shënuar një prirje të lehtë rritjeje, gjatë dy – tri muajve të fundit. Duke iu referuar shifrave të publikuara nga INSTAT, në muajin korrik dhe gusht 2016 ai shënoi një rritje vjetore, përkatësisht 1,9 dhe 2%, ritme këto të ngjashme me ato të një viti më parë. Gjatë pjesës së parë të vitit 2016, indeksi vjetor i çmimeve të konsumit shënoi një rritje të vogël, shumë pranë zeros, duke ndezur dritën e verdhë për një dizinflacion të mundshëm. Për disa muaj rresht indeksi mujor i çmimeve të konsumit shënoi nivele negative rritjeje, duke shtuar kështu “frikën” e ekonomisë për dezinflacion. Gjithsesi, dy muajt e fundit, të cilët shënuan një nivel pozitiv të ndryshimit mujor të indeksit të çmimeve, gjykohet se frikën për një dezinflacion të mundshëm mund të jetë tashmë e kapërcyer.
Çfarë të këqijash mund të ketë ekonomia e vendit tonë nga kjo gjë?
Sigurisht që një situatë e tillë mund të çojë shpejt dhe në deflacion, efektet e të cilit në ekonomi janë edhe më negative e me pasoja sesa vetë inflacioni. Në terma më të thjeshtë, rreziku më i madh për ekonominë e vendit nga këto nivele të indeksit të çmimeve të konsumit mund të ishte një stanjacion i mundshëm, pra një mungesë stimuli për rritje ekonomike në përgjithësi.
A mund të arrihen objektivat ekonomike nëse mbetemi në këto nivele?
Duhet të jetë e qartë se inflacioni dhe nxitja e tij nuk përbëjnë qëllim në vetvete, sidomos në kohët që jetojmë. Objektivi i rritjes ekonomike ngrihet mbi nivelin e inflacionit dhe nëse ruhet prirja e muajve të fundit mund të thuhet se niveli i inflacionit nuk do të pengonte arritjen e objektivave ekonomike. Mbajtja e tij sa më afër nivelit të shenjestruar nga Banka e Shqipërisë do të ndihmonte në arritjen e një rritjeje ekonomike të qëndrueshme.
Cilat janë disa prej politikave monetare të cilat duhen ndjekur në një moment të tillë?
Teorikisht, politika monetare duhet të jetë e tillë që të stimulojë kushte të përshtatshme në tregun financiar, të cilat më tej dhe më gjerë pritet të stimulojnë dhe të nxisin investimet dhe konsumin, e si rrjedhim, rritjen ekonomike. Në kushte të tilla, siç po e vërteton dhe praktika ndërkombëtare, përdoren politikat monetare lehtësuese, madje ato ultra-lehtësuese, të cilat synojnë rritjen e likuiditetit nga ana e Bankës Qendrore dhe përdorimin e mekanizmit të normës së interesit (në këtë rast uljen e saj drejt niveleve minimale, ose zero e madje dhe nën zero), me qëllim dekurajimin e kursimeve dhe nxitjen e konsumit, si elementi kryesor dhe me më shumë ndikim në prodhimin e përgjithshëm bruto.
Në një plan afatgjatë, kur e parashikoni ju si ekspert një rritje të inflacionit?
Në fakt, rritja e inflacionit sapo ka filluar dhe shpresohet që, një ritëm i tillë të fitojë qëndrueshmëri, të paktën në të ardhmen e afërt. Gjithsesi, pritshmëritë nuk janë për një rritje të shpejtë të këtij treguesi, apo përtej objektivit të Bankës së Shqipërisë. Rritja e tij ka ndodhur ngadalë dhe po ngadalë pritet kjo rritje e mëtejshme edhe në të ardhmen. Kjo për faktin e thjeshtë se në tregun financiar shqiptar historikisht, me fare pak përjashtime, rritja e inflacionit ka ardhur në pjesën dërrmuese nga rritja e kreditimit të ekonomisë, si fenomen monetar, sesa nga pompimi i likuiditetit në treg nga vetë Banka e Shqipërisë. Për më tepër që, rritja e muajve të fundit të inflacionit nuk vjen nga rritja e kërkesës agregate për pije dhe ushqime, por nga të tjerë faktorë dhe elementë, që ndikojnë në çmimin final në treg të këtyre produkteve.
A mendoni se me nivele të tilla të normës së interesit mund të shpresojmë për rritje të konsumit, e cila do të ndihmojë në rritjen e inflacionit?
Në parantezë duhet thënë se deri më dot Banka e Shqipërisë ka guxuar deri në limitet e fundit stimulin monetar, nëpërmjet uljes së normës bazë të interesit shumë pranë 1%. Nëpërmjet këtij mekanizmi, politika monetare lehtësuese e Bankës së Shqipërisë ka synuar rritjen e masës monetare dhe uljen e kostos së parasë në ekonomi, pikërisht me synimin e nxitjes së konsumit. Nga ana tjetër, fakti tregon se pavarësisht uljeve historike të normës bazë të interesit, përsëri konsumi nuk është rrit në nivelet e pritshme, apo në ato nivele që t’i japë shtysë bindshëm rritjes së prodhimit të brendshëm bruto apo të nxisë rritjen ekonomike.
Pse një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri tani?
Nëse shprehmi në terma të thjeshtë, këto nivele të ulëta të normës bazë të interesit kanë dekurajuar kursimin, kryesisht atë afatshkurtër dhe deri në 1 vit, por nuk kanë rritur “dëshirën” për të sipërmarrë më shumë rrezik në ekonomi, nëpërmjet rritjes së investimeve private, huamarrjes së shtuar bankare dhe rritjes së qëndrueshme të konsumit.
Mendoni se me një situatë të tillë Banka e Shqipërisë ka gabuar me parashikimet e saj?
Situata aktuale që po kalojmë nuk ka të bëjë aspak me parashikime të gabuara të Bankës së Shqipërisë. Përkundrazi, siç dhe e kam theksuar dhe më parë, Banka e Shqipërisë, brenda mandatit që ajo ka, po harxhon të gjithë “municionin” e saj dhe këto municione shterojnë thuajse plotësisht në normën bazë të interesit prej 0%. Në këtë nivel mekanizmi i normës së interesit, sikundër dhe mandati aktual ligjor e teknik i Bankës së Shqipërisë ka përfunduar ndikimin e tij, e për pasojë nuk mund të ndihmojë më tej për stimulimin e huamarrjes, konsumit, investimeve e sipërmarrjes dhe se sfida e stimulimit të rritjes ekonomike del thuajse tërësisht nga dera e Bankës së Shqipërisë, drejt aktorëve të tjerë, që kanë ndikim në zhvillimin dhe ecurinë e ekonomisë kombëtare. Ajo që kërkon situata aktuale, por dhe ky moment ndoshta hipotetik i normës bazë të interesit prej 0%, është pikërisht kryerja dhe zbatimi tërësor i disa reformave strukturore e që lidhen dhe me thellimin e sistemit financiar dhe zbutjen e rreziqeve në ekonomi.
Si po ndikon niveli i kreditimit në këtë aspekt?
Siç u tha dhe më lart, duke qenë se inflacioni në Shqipëri ka qenë kryesisht i nxitur nga rritja e ritmit të huamarrjes bankare, një rritje e moderuar apo e zbehtë e kreditimit të ekonomisë, apo ndryshimi i strukturës kohore të huamarrjes, siç ka ndodhur dhe po ndodh gjatë këtyre 5-6 viteve të fundit, pavarësisht nga normat e ulëta të huave në treg, do të ketë një ndikim shumë modest në rritjen e inflacionit. Në konkluzion, nëse do të synohet rritja e nivelit të inflacionit në madhësinë e objektivit të Bankës së Shqipërisë, kjo nuk mund të pritet nga ndonjë lëvizje e fortë e Bankës së Shqipërisë, lidhur me rritjen e likuiditetit në treg, sesa nga rritja e kreditimit të ekonomisë, e cila kërkon pikë së pari më shumë sipërmarrje rreziku nga vetë biznesi shqiptar, që në kthim nënkupton më shumë punësim dhe konsum nga qytetarët.