Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Sa ndikon embargoja e Moskës në ekonominë shqiptare?

$
0
0

perimetKryeministri Rus Dimitri Medvedev i shpalli zyrtarisht dje nongrada produktet shqiptare, por në Tiranë kjo nuk sjell asnjë shqetësim. Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti: Pas vendosjes së embargos kemi dyfishuar eksportet. Kemi 18 tregje në Europë, përfshi vende të BE-së. Ukraina është vetëofruar të blejë produktet. Duhet të shtojmë serat për të përballuar kërkesën

 

Kryeministri i Rusisë Dimitri Medvedev konfirmoi dje se embargoja ndaj importit të ushqimeve do të aplikohet tashmë edhe ndaj Shqipërisë, Malit të Zi, Islandës dhe Lihtenshtejnit.

Vendi ynë në fakt ishte bllokuar që herët me arsyen se certifikatat shqiptare po përdoreshin prej bizneseve nga Bashkimi Europian, por dje vendimi është krejtësisht politik.

Shqipëria është zyrtarisht në listën e vendeve “armike” dhe Rusia nuk dëshiron të marrë produktet tona bujqësore.

Por sa ndikon kjo ekonominë shqiptare.

Ministri i Buqësisë Edmond Panariti tha për Mapo se embargoja për vendin tonë ishte funksionale prej një viti dhe se me gjithë këtë bujqësia shqiptare i ka dyfishuar eksportet dhe se ndikimi i embargos është zero.

Panariti thotë se me Moskën ishte rënë dakord që të rifilloheshin eksportet nga Shqipëria, pas bllokimit për certifikatat dhe sqarimit të kësaj situate.

“Një muaj më parë rifilluan eksportet nga Maqedonia dhe ne prisnin të nisnim këto ditë”, thotë ministri.

Ai thekson se tani duket se edhe bllokimi i parë ishte për të njëjtat arsye dhe “Shqipëria konsiderohet si pjesë e bllokut të NATO-s”.

I pyetur nëse kjo do i shkaktoi probleme ekonomisë shqiptare dhe agrikulturës, Panariti përgjigjet: “Absolutisht jo”.

Ai thotë se me gjithë embargon ruse, vendi ka dyfishuar eksportet dhe nuk ka asnjë lloj problemi.

“Përkundrazi ne gjetëm tregje të reja”, thotë ai.

E ndërsa mund të duket si kunj politik, një nga tregjet që pritet të konfirmohet në shtator është Ukraina.

Vendi, konflikti i të cilës me Rusinë, ka sjellë edhe embargon ka shprehur interes për produktet shqiptare.

Panariti thotë se Ukraina është vetëofruar të blejë nga Shqipëria.

Ai do ta vizitojë atë në shtator bashkë me biznesmenë dhe pritet të nënshkruajë marrëveshje për tregtinë.

“Jo vetëm që nuk kemi ndikim por jemi në presion për të rritur prodhimin, nuk na shqetëson ajo (embargoja)”, tha ministri për Mapo.

Të dhënat e ministrisë flasin për një 6- mujor të kënaqshëm.

Agrobiznesi në Lushnjë, Berat, Fier, Elbasan e Shkodër ka shtuar disa herë sasitë e eksportuara.

Nga të dhënat e ministrisë vetëm në Lushnjë janë 36 mijë ton eksporte nga 18 mijë një vite më parë dhe Berat nga 10 mijë tonë në 21 mijë.

Shqipëria  ka dyfishuar edhe eksportin e  vezëve.

Ministri thotë se bujqësia ka qenë një surprizë e mirë këtë sezon.

Harta e eksporteve është zgjeruar në 18 vende, një pjesë e të cilave (Danimarka apo Gjermania) janë vende të BE-së.

Rusia ka konfirmuar këtë të enjte zgjerimin e listës së vendeve të sanksionuara prej saj për shkak të qëndrimit pro-perëndimor të tyre në lidhje me çështjen e Ukrainës.

De fakto Shqipëria ka qenë në këtë listë që prej një viti.

Dje ka qenë vetë kryeministri Dimitri Medvedev që ka deklaruar se: “Përfshirja e këtyre vendeve në listën e sanksioneve është një lëvizje e vetëdijshme, që do të thotë një kundërmasë nga ana jonë ndaj atyre që na kanë vendosur sanksione”, ka thënë Medvedev në mbledhjen e kabinetit qeveritar.

Ai ka shtuar se edhe Ukraina mund të përfshihet në listën në fjalë në vitin 2016 nëse marrëveshja ekonomike mes Kievit dhe Bashkimit Evropian hyn në fuqi.

Embargoja e paralajmëruar më herët gjatë muajit përfshin produktet e mishit, peshkut, djathit, frutat dhe perimet.

Ajo vjen pasi BE dhe Shtetet e Bashkuara vendosën së fundmi sanksione të reja ndaj Rusisë për shkak të aneksimit të Krimesë dhe aksioneve ushtarake në lindje të Ukrainës.

Në vitin që shkoi Shqipëria kishte një bilanc negativ tregtie me Moskën. Eksportet tona kapnin jo më shumë se 457 milionë lekë dhe në raport me shumë vende të tjera përfshi edhe Maltën ato duken të papërfillshme.

Përtej kësaj bilanci tregtarë mes dy vendeve ka qenë në përmirësim të ndjeshëm para embargos.

Në vitin 2010 eksportet ishin vetëm 4 milion dhe u rritën në mënyrë të menjëhershme në  197 milion në 2013 dhe 457 milion lekë në 2014.  V.Karaj

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663