Për ata që janë aktivë në rrjete sociale, janë të njohura tashmë paradokset e pushimeve në rivierën shqiptare. Që te faturat e kripura, te sjelljet e pakuptimta e deri te tarifat shtesë për karikim celulari. Disa janë edhe me qëllime sarkastike për të ironizuar gjithçka po ndodh në “vendin e paradokseve” ashtu si jo pak të huaj që kanë kontakte të herë pas hershme me Shqipërinë preferojnë ta quajnë.
Ajo ç’ka është reale dhe nuk mund të diskutohet është se natyra (ose Zoti) ka qenë shumë bujare me ne duke na dhuruar një bregdet në gjithë gjatësinë e shtetit me një cilësi plazhi dhe uji të përkryer. Ndryshueshmëria e relievit gjeografik të lejon që vetëm për një orë udhëtim të kalosh nga 1050 metra lartësi në Razëm, në bregun e Velipojës apo pas pushimeve në Himarë të flesh disa netë në parkun e Llogorasë në një lartësi 900 metër sipër nivelit të detit. Por si kalohen pushimet sot në Shqipëri? Është një pyetje e vështirë dhe komplekse pasi vetë karakteristikat e shoqërisë sonë, duke përfshirë emigrantë, ata që jetojnë me remitanca, ata të pagave minimale, familje që kursejnë gjithë vitin për disa ditë pushime apo studentë me obsesion plazhet e jugut, janë të atilla që nuk lënë vend për përgjigje definitive. Sipas mendimit tim kjo verë na tregoi edhe një herë se bukurinë natyrore nuk jemi në gjendje ta kompletojmë me cilësi në shërbim. Nuk duhet fokusuar vëmendja vetëm në pjesën e çmimeve por duhen parë edhe aspekte të tjera siç janë kushtet infrastrukturore, cilësia e shërbimit, ushqimit dhe pijeve, siguria, pastërtia etj.
Sot Shqipëria nuk po arrin ta konceptojë vetën në një treg, të paktën, rajonal të turizmit. Gjithçka duket sikur në Shqipëri pushojnë vetëm shqiptarë dhe këta si alternativë kanë vetëm Shqipërinë. Por shumë herë harrojmë se Mali i Zi, Greqia, Kroacia, Turqia apo edhe Italia e Spanja janë destinacione shumë lehtë të arritshme. Nëse sheh se çfarë ofrojnë në masë hotelet bregdetare të rajonit me ato vendase, gjen diferenca të theksuara dhe lehtësisht të ndjeshme.
Mungesa e dytë e konceptimit vjen nga ana e institucioneve shtetërore të cilat bregdetin shqiptar duhet ta trajtojnë si një pasuri kombëtare. E thënë ndryshe, ka ardhur koha që riviera nuk mund t’i lihet në dorë dokujtdo sepse është më i aftë për të zaptuar tokën apo ka më shumë para për të bërë investimin. Procesi i dhënies së të drejtës së ushtrimit të një aktiviteti në bregdet duhet të jetë transparent, ku ai që ofron më shumë për pushuesin, mbron ambjentin dhe natyrisht paguan detyrimet tatimore, mund të marë të drejtën për të bërë biznes. Në këtë mënyrë afrimi i investitorëve seriozë me qëllime afatgjata dhe që kanë diversifikim të portofolit të investimeve të tyre do të rrisë ndjeshëm konkurencën e pastër në treg duke ndikuar edhe në të shumëpërfolurat çmime. E vërteta është se në një ekonomi tregu shteti nuk mund të ndërhyjë për të caktuar çmime tavan e dysheme për artikujt, por me anë të këtyre mekanizmave ndikon në arsyen e vendosjes së çmimeve. Gjithashtu institucionet shtetërore duhet ta shohin biznesin në tërësi si partner dhe jo si një makineri nga e cila vetëm duhet të mbushin arkën.
Ndërsa një tjetër mangësi e madhe dhe që çdokush e “vuan” gjatë pushimeve është marrëdhënia me punonjës të pakualifikuar, duke filluar që te administratorët e deri te kamarierët apo ata që meren me organizimin e plazhit. Nëse i kushtohet një vëmendje e stërmadhe arsimit profesional, duhet akoma më shumë t’i kushtohet përgatitjes së stafeve që punojnë në zonat turistike. Është e vërtetë që këto punë janë sezonale, por nëse një punë që shfryn një presion të madh social kryesisht nga të rinjtë arrin të kanalizohet në trajnime dhe kualifike, do të rriste ndjeshëm si cilësinë për qytetarët edhe të ardhurat për të punësuarit. Nuk mund të shmanget asnjëherë punësimi i familjarëve në bizneset e ndryshme, por kjo pjesë duhet të jetë në minorancë ndaj të kualifikuarve në vend që të ndodhë e kundërta.
E nëse pretendojmë të kemi edhe turistë elitarë, duhet të ofrojmë më shumë se sa plazhi. Vlora, Himara, Dhërmiu dhe sigurisht Saranda kanë zona arkeologjike dhe objekte të vjetra kulti që nuk promovohen nga bizneset e bregdetit. Diferenca e një vendi nga një tjetër bëhet në bazë të detajeve apo shërbimeve shtesë, pasi cilësia e detit Jon është një dhuratë natyrore njësoj si për ne, ashtu dhe për Greqinë apo jugun e Italisë. Ofrimi i shërbimeve alternative mbetet thuajse inekzistent duke përjashtuar disa nisma sporadike që gjithsesi nuk marin vëmendjen e duhur.
Pasojat e këtyre mangësive kanë filluar të ndihen që këtë vit. Në mungesë të statistikave zyrtare, duke u bazuar në perceptimin dhe bilancet e hoteleve të bregdetit, Durrësi, Shëngjini dhe Velipoja kanë pasur një zbehje të numrit të turistëve që vijnë nga Kosova. Duke e quajtur të sigurt “turizmin nacionalist” kemi bërë gabime të pandreqshme lidhur me turistët që vijnë nga trevat shqiptare. Gjithashtu për muajin korrik fshatrat më të bukur të jugut si Dhërmiu apo Jali japin sinjale negative të numrit të pushuesve dhe po ta bashkosh me gjendjen e Vlorës e cila është kthyer në një kantier ndërtimi, i vetmi fanar ndriçues që përmirëson situatën është Saranda. Dhe kjo ndodh jo pa shkak. Megjithëse një mjedis tejet i betonizuar që shumë herë kthehet në mbytës, fakti që Saranda është një qytet që ka një popullësi të vetën gjatë gjithë vitit sjell një shumëllojshmëri mundësish dhe çmimesh si për akomodim ashtu edhe për ushqim, pasi shumë biznese nuk kanë qëllimin që të fitojnë në dy muaj paratë e gjithë vitit.
Që të kuptojmë nëse kjo situatë është e lidhur me rritjen e pakënaqësisë ndaj shërbimeve vendase apo me gjendjen e keqe ekonomike që familjet shqiptare po përjetojnë, duhet të presim edhe të dhëna nga agjensitë turistike. Gjithsesi duket se këto agjensi po e orientojnë pushuesin shqiptar drejt Turqisë dhe ishujve grekë. Situata jo e mirë që po përjeton Greqia po shihet si një mundësi për pushuesit që të provojnë eksperienca të tjera me çmime goxha të arsyeshme ndërsa nuk duket se ka një strategji për ta shfrytëzuar krizën greke në të mirë të bregdetit tonë.
Sigurisht që jo çdo gjë duhet parë e bardhë apo e zezë por nëse do të kishim turistë më shumë kritikë ndaj kushteve të bregdetit, ndoshta do të ishin rregulluar shumë nga problemet ekzistuese. Gjithsesi, bregdetit shqiptar i janë bërë dëme të pariparueshmë dhe do t’i duhet shumë kohë të bëhet kompetitiv në rajon.