Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all 2663 articles
Browse latest View live

Ftesë për kompanitë cilësore në Republikën e Shqipërisë

$
0
0

CUSTOMERS’ FRIEND – ÇMIMI NDËRKOMBËTAR TANI EDHE NË REPUBLIKA E SHQIPËRISË

Organizata ndërkombëtare ICERTIAS fton kompanitë tepër cilësore në Republika e Shqipërisë të sugjerojnë veten e tyre për çmimin prestigjioz ndërkombëtar në fushën e biznesit, Customer’s Friend, të ICERTIAS.

Tiranë, Republika e Shqipërisë – 1 maj, 2017 – Organizata ndërkombëtare ICERTIAS prezantoi sot në Republika e Shqipërisë programin e vet ku kompanitë që kanë marrëdhënie shembullore me klientët dhe punonjësit e tyre gjenden dhe certifikohen, dhe tani i fton kompanitë cilësore në Republika e Shqipërisë të sugjerojnë veten për këtë çmim prestigjioz ndërkombëtar në fushën e afarizmit.

Emri i këtij çmimi është “Customers’ Friend”, një projekt ndërkombëtar i cili është prezantuar për herë të parë në tregun evropian në vitin 2014, ndërsa tashmë është i disponueshëm në territorin e Republika e Shqipërisë.

Programi “Customers’ Friend” i ICERTIAS synon të mbledhë në kuadrin e vet kompani dhe organizata të cilat zbatojnë dhe i japin shtysë qëndrimit të drejtë dhe profesional në treg, komunikimit miqësor dhe profesional me klientët, përkrahjes së shkëlqyer për klientë dhe që ndikojnë pozitivisht në komunitetin social në territorin ku veprojnë.

Kompanitë dhe organizatat që kanë interes të bëhen pjesë e programit të certifikimit “Customers’ Friend” të ICERTIAS, i nënshtrohen shqyrtimit të kujdesshëm nga analistët dhe ekspertët e tregut, që punojnë në ICERTIAS, dhe që mbështeten në hulumtimet dytësore të tregut.

Objektivi i programit ndërkombëtar “Customers’ Friend” të ICERTIAS është promovimi dhe nxitja e marrëdhënieve cilësore midis kompanive më të mira dhe klientëve të tyre, konsumatorëve, punonjësve dhe partnerëve afaristë.

Në lidhje me këtë projekt ndërkombëtar të certifikimit mund të gjeni më shumë informata në faqen e internetit: www.customersfriend.org.

Kompanitë në Republika e Shqipërisë, të cilat gjykojnë se kanë marrëdhënie cilësore dhe shembullore me klientët dhe konsumatorët e tyre, si dhe me punonjësit, mund të vetësugjerohen për këtë çmim prestigjioz në fushën e afarizmit, duke vizituar faqen:www.customersfriend.org/application ose duke shkruar në adresën e postës elektronike: certification@icertias.com.

RRETH PROGRAMIT “CUSTOMERS’ FRIEND” TË ICERTIAS-it

Misioni i programit “Customers’ Friend” të ICERTIAS-it është gjetja, analizimi dhe shënjestrimi i kompanive dhe organizatave në treg të cilat ofrojnë një qëndrim shembullor në raportet që ato kanë me klientët (blerësit dhe konsumatorët), punonjësit dhe partnerët afaristë.

Kompanitë të cilat i plotësojnë kriteret e certifikimit dhe që janë të gatshme të nënshkruajnë deklaratën e programit “Customers’ Friend” të ICERTIAS-it dhe që veprojnë në pajtim me rregullat e përmendura në të, hyjnë në programin e certifikimit “Customers’ Friend” të ICERTIAS dhe mund ta bëjnë pjesë të aktiviteteve të tyre promocionale medaljen “Customers’ Friend i ICERTIAS – SEPSE NE I VLERËSOJMË KLIENTËT TANË”.

Objektivi i programit ndërkombëtar “Customers’ Friend” të ICERTIAS është promovimi dhe nxitja e marrëdhënieve cilësore midis kompanive më të mira dhe klientëve të tyre, konsumatorëve, punonjësve dhe partnerëve afaristë.

Organizata ndërkombëtare ICERTIAS – Shoqata Ndërkombëtare për Certifikime – me zyrat ndërkombëtare të regjistruara në Cyrih të Zvicrës, qëndron prapa programit të certifikimit “Customers’ Friend” të ICERTIAS-it.

RRETH ICERTIAS

ICERTIAS është një organizatë moderne, private, e pavarur nga ndikimi politik, e cila merret me hulumtim tregu dhe certifikim dhe që zbulon, certifikon dhe shpërblen kompanitë, produktet apo shërbimet që janë të nivelit më të lartë, duke i orientuar në këtë mënyrë klientët në mbarë botën drejt më të mirës që ofron tregu. Me programet e veta të certifikimit si “Best Buy Award”, “QUDAL – QUality meDAL” dhe “Customers’ Friend”, ICERTIAS aktualisht është e pranishme në mbi 40 vende në pesë kontinente. E themeluar në Zvicër në vitin 2011, organizata ICERTIAS është e regjistruar si “ICERTIAS – International Certification Association GmbH” në regjistrin zyrtar të Kantonit të Cyrihut.

Për më shumë informata, luteni të na vizitoni në: www.icertias.com.


Sejko: Zgjatja e krizës politike, me pasoja për ekonominë

$
0
0

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka kërkuar nga palët politike t’i japin fund sa më parë krizës pasi sipas tij zgjatja e tensionit politik do të çonte në një rishikim ekonomik në rënie.

Nëse kriza politike zgjat edhe më shumë do të ketë pasoja të shumta për ekonominë e vendit. Këtë e ka lënë të kuptohet Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Genti Sejko, i cili ka thënë dje se zgjatja e tensioneve politike do të çonte në një rishikim ekonomik në rënie. Por Guvernatori i Bankës Qendrore është shprehur optimist pasi sipas tij politika do të arrijë të gjejë një gjuhë kompromisi për kapërcimin e situatës aktuale. Sejko ka paraqitur dje në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë raportin e vitit 2016, sipas të cilit ekonomia ka ecur mirë dhe ka pasur ulje të borxhit publik.

Paralajmërimi

Guvernatori Sejko tha se nëse kriza politike vijon edhe më tej do të ketë ndikim negativ tek investimet në ekonomi dhe tek besimi i investitorëve. Sejko tha se nga monitorimi i deritanishëm është parë që kriza nuk ka pasur ndikim tek treguesit makroekonomik të tremujorit të parë 2017.  Ai tha se nuk janë vërejtur devijime nga parashikimet, por nëse kriza zgjat ndikimet janë të paevitueshme, tha Guvernatori për mediat pas raportimit që bëri në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë. Më parë gjatë informimit të deputetëve të Komisionit të Ekonomisë, Sejko është shprehur se nëse gjërat shkojnë në normalitet Banka qendrore pret që për vitin 2017, të shënohet një forcim i mëtejshëm i tendencave në rritje të ekonomisë. Sipas guvernatorit kthimi i ekonomisë në potencial pritet të shoqërohet me forcimin e presioneve inflacioniste dhe me kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2018.

Vlerësimi për ekonominë

Sipas guvernatorit Sejko viti 2016 u karakterizua nga zhvillime ekonomike pozitive dhe nga përmirësime në disa nga balancat kryesore makroekonomike. Sipas institutit të Statistikave (INSTAT), ekonomia shqiptare u rrit me 3.5% gjatë vitit 2016, në përshpejtim krahasuar me normën 2.6% të rritjes së shënuar në vitin 2015. Rritja e ekonomisë ka ardhur kryesisht nga kërkesa e brendshme, investimet dhe konsumi privat, dhe gjeti pasqyrim, në masën më të madhe, në zgjerimin e aktivitetit të sektorëve të shërbimeve e të ndërtimit. Paralelisht me të, norma e papunësisë është reduktuar në 14.2%, e ndikuar nga rritja e vazhduar e punësimit, ndërsa besimi i agjentëve ekonomikë regjistroi nivelin më të lartë në pesë vitet e fundit. Po ashtu, borxhi publik shënoi një kthesë drejt rënies, për herë të parë pas 6 vitesh. Por guvernatori ka vlerësuar në të njëtën kohë se me gjithë tendencat pozitive, mjedisi ekonomik e financiar ka qenë sfidues për politikën monetare.

Kreditimi

Sipas guvernatorit reduktimi i kostove të financimit ka ndihmuar zgjerimin e kredisë. Portofoli i kredisë në lekë për sektorin privat është rritur me 10.2% gjatë vitit 2016, ndërkohë që kredia totale shënoi një rritje prej 3.2%. Rritja e kreditimit në lekë është një zhvillim i mirëpritur, pasi zgjeron fushën e veprimit të politikës monetare dhe i shërben forcimit të stabilitetit financiar, nëpërmjet reduktimit të ekspozimit të agjentëve ekonomikë ndaj rrezikut të kursit të këmbimit. Por Sejko ka shtuar njëkohësisht se pavarësisht këtij zhvillimi pozitiv, rikuperimi i kreditimit mbetet i ngadaltë, i penguar nga kërkesa e pakët cilësore dhe nga politikat konservatore të bankave në kredi-dhënie. Për vitin 2017, ne presim një kreditim më të mirë të ekonomisë. Guvernatori tha se “reduktimi i kredive me probleme dhe krijimi i stimujve për nxitjen e kreditimit të shëndetshëm ka qenë dhe mbetet një nga prioritetet e punës sonë”.

 

Paga minimale, qeveria miraton sot rritjen në 24,000 lekë

$
0
0
“Paga minimale mujore për punonjësit, në shkallë vendi që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo person, juridik a fizik, vendas ose i huaj do të jetë 24,000 (njëzet e katër mijë) lekë.
Paga bazë minimale mujore jepet për 174 orë pune në muaj, të kryera gjatë kohës normale të punës.
Paga bazë minimale, orare, të jetë 138 lekë.
Shtesat me karakter të përhershëm jepen mbi pagën bazë.
Vendimi nr.573, datë 3.7.2013 i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi ‘shfuqizohet’”, thuhet në vendimin e qeverisë
Monitor

Qeveria pritet të miratojë në mbledhjen e sotme të saj ndryshimin e pagës minimale në 24,000 lekë. Pas tre vitesh, ky është ndryshimi i parë që i bëhet pagës minimale e cila llogaritet aktualisht në 22,000 lekë. Caktimi i këtij niveli erdhi pas një diskutimi të gjatë mes qeverisë dhe palëve të interesit. Kundër nivelit të kësaj page janë vetëm sindikatat, përfaqësuesit e të cilave kanë kërkuar që paga minimale të rritet në nivelin 26,000 lekë.

Për herë të fundit paga u rrit në vitin 2013 dhe që nga ajo kohë nuk është indeksuar as me ndryshimin e çmimeve të konsumit. Shqipëria është ndër vendet me pagën më të ulët minimale në rajon (aktualisht në 157 euro). Për biznesin ky është konsideruar si një avantazh për të tërhequr sipërmarrësit e huaj, veçanërisht në fushën e prodhimit, duke qenë se konkurrenca në rajonin e Ballkanit është e fortë.
Por, ndryshimi i pagës minimale ka dy efekte. Nga njëra anë qëndron biznesi, të cilit do t’i rriten kostot e punës së biznesit. Vetëm për sigurimet shoqërore rritja do të ishte 334 lekë. Në kushte të tilla, biznesi mund të detyrohet që të shkurtojë vendet e punës ose të ulët investimet çka nuk do të ishte një lajm i mirë për ekonominë.
Në anën tjetër qëndron punëmarrësi i cili do të kishte disa të ardhura më të larta. Drejtuesit e sindikatave argumentojnë se një pagë minimale më e lartë mbron kapitalin njerëzor nga shfrytëzimi i padrejtë dhe shton konsumin.

Por, këtë e kundërshtojnë bizneset sipas të cilave kjo rritje nuk do të ndihet nga punëmarrësit, pasi kostot shtesë do të
reflektohen te çmimet e ca më keq, mund të nxitet, me dëshirë edhe informaliteti.
Kjo gjë e bën diskutimin specifik. Një pjesë e ekspertëve e marrin në konsideratë këtë fenomen e disa të tjerë jo. Institucionet financiare ndërkombëtare, veçanërisht Banka Botërore, thekson se informaliteti në tregun e punës është sa 48% e tregut në tërësi. Një argumentim, i cili vendoset përballë atij mbi rritjen e pagës minimale.
Rritja e pagave minimale, në terma realë, ka qenë shumë e ulët në periudhën midis viteve 2000–2015, me qëllim për të mos nxitur efekte negative në treguesin e punësimit. Punëdhënësit kanë përdorur mekanizma rregullues në vend të angazhimit për rritjen e kostos së punës.

Biznesi kundër rritjes, cilat janë kostot

Nëse ka një sektor që do ta ndiejë fort ndryshimin e pagës minimale ai është padyshim fasoni.
Më herët, përfaqësues të këtij sektori kanë thënë për “Monitor se rritja e pagës minimale do të ishte shkatërruese. Kostot e punës do të rriteshin ndjeshëm. Kjo do të bënte që porositësit të largoheshin në vende të tjera, si në Maqedoni apo në Tunizi. Një tjetër vend konkurrues është edhe Rumania, që ka një nivel të ulët pagash. Fondi i pagave në industrinë e fasonit llogaritet në rreth 70% të shpenzimeve.
“Me rritjen e pagës minimale, këto shpenzime do të rriten edhe më tej. Nuk duhet të harrojmë edhe faktin se në Shqipëri është vështirë të gjesh krah pune të kualifikuar për këtë sektor. Vetëm Tirana, sot për sot, ka nevojë për 10,000 forca pune”, thotë z. Zekja.

Gjergj Liqejza, një tjetër drejtues kompanie fasoni në Shkodër, numri i punonjësve të së cilës llogaritet në rreth 700, tha se biznesi i tij në mënyrë të drejtpërdrejtë nuk do të prekej, pasi siç konfirmon nuk ka asnjë punëtor që e paguan me pagë minimale. Sipas tij, paga është një element i cili rregullohet nga vetë tregu dhe nuk është e nevojshme që të bëhet me politika diktuese e detyruese. Por, për sektorin e fasonit, një lajm i tillë do të ishte tejet negativ, pasi do të rriste tendencën për abuzime dhe informalitet. Liqejza tha se në sektorin e fasonit, fondi i pagave zë rreth 60% të kostove dhe se rritja do të cenonte rëndë marzhin e fitimit të kompanive që operojnë. Në anën tjetër, do të nxiste ekonominë informale.
Rëndimi i situatës, shtoi Liqejza, mund të çojë deri atje sa të bëjë që firmat e huaja që punojnë me fasonin shqiptar të tërhiqen e të gjejnë tregje të tjera si Bullgaria (e cila ende ka pagë më të ulët në rajon) apo Maqedonia e cila ofron edhe zona të lira ekonomike. “Në këto kushte, mund të themi qartë se po pranohet me dashje nxitja e informalitetit”. Ai thotë se nuk është kundër vendosjes së një kufiri për pagën minimale, por këtë duhet ta bëjë tregu jo qeveria. Në anën tjetër, përcaktimi i tyre pa vendosur zyrtarisht minimumin jetik, është i pastudiuar.
“Nga njëra anë, tatimfitimi 15%, po kaq edhe tatimi mbi dividentin, 9% nga rritja e pagës minimale, të gjitha këto nuk bëjnë gjë tjetër veçse rrisin koston e punës dhe na bëjnë jo konkurrues”, thotë z. Liqejza.

E duket se në të njëjtën linjë janë eksportuesit, si dhe prodhuesit në vend.
Ndërsa Alban Zusi president i Qendrës së Eksporteve Shqiptare, tha se në sektorin e eksporteve ndikimi do të jetë negativ.
“Sot sipërmarrësit po të kenë hapësira të tjera për të rritur pagat e bëjnë këtë me dëshirën e tyre, pasi është fakt i njohur që të gjitha bizneset eksportuese kanë nevojë për më shumë fuqi punëtore, kanë porosi më tepër se çfarë janë duke bërë për eksport, por janë përballë vështirësive në gjetjen e punonjësve.
Nëse do të kishte hapësirë për të rritur pagat një biznes do ta bënte. Por, nëse i thuhet biznesit të rrisë pagat nga aq në kaq lekë, atëherë gjasat janë që të rrisim në mënyrë artificiale kostot e produkteve të prodhuara nga kompanitë eksportuese dhe në këtë rast efekti do të jetë në reduktimin e eksportit, ose do të humbasim kontratat pasi nuk mund tija transferosh koston e shtuar në mënyrë administrative partnerit tënd të huaj.

Ose bizneset do të jenë të detyruar të reduktojnë punonjësit me rentabilitet të ulët pra ata që punojnë në kufirin e pagës minimale . Ata do të jetë të parët që shkurtohen nga puna sepse mbajtja e tyre në punë do të rezultojë si kosto e shtuar .
Ekziston rreziku i kalimit të biznesit në një marrëdhënie informaliteti me punonjësit e tyre duke i bërë tashmë edhe shumë fragile ose të dobët në marrëdhënien e tyre, me punonjësin pasi punëdhënësi do ti thotë po të kaloj në bankë kaq para sa është paga jote minimale por do të duhet të mi kthesh këto para mbrapsht.
Kjo përveçse do të jetë një informalitet i pastër kthehet në një marrëdhënie shumë të rrezikshme për sipërmarrësin pasi mund të jetë i cenueshëm në çdo moment për mashtrim apo çështje të tjera.
Në këto kushte çdo tentativë për të rritur pagat mbi baza administrative, me urdhra apo dekrete është në kundërshtim me të gjitha ligjet e ekonomisë së tregut”, tha z.Zusi.
Por, nga ky vendim nuk do të dëmtohen vetëm eksportuesit, por edhe prodhuesit vendas të cilët do të dalin në treg për shkak të rritjes së kostos së fuqisë punëtore.

Ja sa do të bëhet paga maksimale për efekt të kontributeve shoqërore pas këtij ndryshimi

Por, krahas pagës minimale, do të ndryshojë dhe ajo maksimale, për efekt të llogaritjes së kontributeve si dhe paga minimale, për efekt të kontributeve dhe sigurimeve shëndetësore për të vetëpunësuarit.

Sipas draftit “Për disa ndryshime në vendimin për kontributet e detyrueshme dhe përfitimet nga sistemi I sigurimeve shoqërore dhe sigurimet e kujdesit shëndetësor” të miratuar në Këshillin e Punës, paga maksimale për personat e punësuar bëhet 105,850 lekë, nga 97,030 lekë që ishte më parë, me një rritje prej 9%, apo 8,820 lekë.

Si rrjedhojë, sigurimet për të punësuarit me pagë maksimale bëhen 29,532 lekë, nga 27,071 lekë, që ishin më parë.
Sigurimet shëndetësore për të punësuarit llogariten jo më pak se paga minimale prej 24 mijë lekësh dhe deri në shumën e pagës bruto, sipas deklaratës në listëpagesë.

Edhe për të vetëpunësuarit, paga minimale mujore është jo më pak se paga mujore e barabartë me 24 mijë lekë dhe sipas përcaktimit të vetë personit deri në 105,850 lekë.
Të vetëpunësuarit me pagë minimale do të paguajnë tashmë 7,152 lekë kontribute për sigurimet, nga 6,491, që paguanin më parë.

Sigurimet shëndetësore për të vetëpunësuarit llogariten mbi dyfishin e pagës minimale prej 48 mijë lekë (3.4% e 48 mijë lekë), i barabartë me 1,632 lekë.

Për invalidët, që marrin pension invaliditeti të pjesshëm, paga minimale mund të jetë deri në 50% më e ulët se paga minimale zyrtare.
Paga minimale në bujqësi është 5,035 lekë.
Të vetëpunësaurit si shitës ambulantë duhet të deklarojnë kontribut minimal mujor prej 5,1250 lekë, nga të cilat 3,488 për sigurimin shoqëror dhe 1,632 për kujdesin shëndetësor.

Ishulli i Sazanit: Ja si do hapet për turistët nga maji deri në shtator

$
0
0

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes ka nxjerrë një udhëzim për operatorët turistikë, subjektet e transportit detar të udhëtarëve dhe individët lidhur me organizimin e vizitave turistike në ishullin e Sazanit.

Udhëzimi përmban disa elemente kyçe për të garantuar sigurinë e turistëve dhe mbrojtjen e ishullit të Sazanit. Ishulli do të jetë i hapur për vizitorët nga maji deri në tetor 2017, brenda orarit 08:00 – 19:00, kundrejt një bilete të vendosur nga Bashkia Vlorë, e cila do të kujdeset nëpërmjet personave të autorizuar prej saj për shoqërimin e turistëve në itineraret e përcaktuara.

Gjatë vizitave, turistët duhet të jenë gjithmonë të shoqëruar dhe nuk mund të dalin jashtë hapësirave të lejuara nga Ministria e Mbrojtjes. Operatorët turistikë që organizojnë ture ditore duhet të venë në dispozicion të grupeve turistike një person të ngarkuar për shoqërimin e tyre.

Për mjetet lundruese, Ministria udhëzon se ato mund ta aksesojnë ishullin vetëm në portin ushtarak të tij, pra nuk lejohet ankorimi në vende të tjera, dhe të pajisen me lejen përkatëse nga Kapiteneria e Portit në përputhje me legjislacionin në fuqi për mjetet lundruese turistike.

Në Ishullin e Sazanit ndalohen:

  1. Ndërtimet e reja, si edhe punimet publike ose private;
  2. Qarkullimi dhe qëndrimi i mjeteve motorike jashtë vendeve të parashikuara për këtë qëllim, me përjashtim të mjeteve të shërbimit dhe të sigurisë;
  3. Veprimtaritë tregtare që me përjashtim të atyre që sigurojnë mbrojtjen dhe promovimin e Ishullit të Sazanit;
  4. Aktivitetet e zhytjeve, me përjashtim të zonave të lejuara për këtë qëllim.

 

Vendimi/ Paga minimale, qeveria miraton rritjen në 24,000 lekë, cilat janë efektet

$
0
0

Paga bazë minimale mujore jepet për 174 orë pune në muaj, të kryera gjatë kohës normale të punës.
Paga bazë minimale, orare, të jetë 138 lekë.

Shtesat me karakter të përhershëm jepen mbi pagën bazë.

Vendimi nr.573, datë 3.7.2013 i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi ‘shfuqizohet’”, thuhet në vendimin e qeverisë

Qeveria miratoi në mbledhjen e sotme të saj ndryshimin e pagës minimale në 24,000 lekë. Pas tre vitesh, ky është ndryshimi i parë që i bëhet pagës minimale e cila llogaritet aktualisht në 22,000 lekë. Caktimi i këtij niveli erdhi pas një diskutimi të gjatë mes qeverisë dhe palëve të interesit. Kundër nivelit të kësaj page janë vetëm sindikatat, përfaqësuesit e të cilave kanë kërkuar që paga minimale të rritet në nivelin 26,000 lekë.

Për herë të fundit paga u rrit në vitin 2013 dhe që nga ajo kohë nuk është indeksuar as me ndryshimin e çmimeve të konsumit. Shqipëria është ndër vendet me pagën më të ulët minimale në rajon (aktualisht në 157 euro). Për biznesin ky është konsideruar si një avantazh për të tërhequr sipërmarrësit e huaj, veçanërisht në fushën e prodhimit, duke qenë se konkurrenca në rajonin e Ballkanit është e fortë.

Por, ndryshimi i pagës minimale ka dy efekte. Nga njëra anë qëndron biznesi, të cilit do t’i rriten kostot e punës së biznesit. Vetëm për sigurimet shoqërore rritja do të ishte 334 lekë. Në kushte të tilla, biznesi mund të detyrohet që të shkurtojë vendet e punës ose të ulët investimet çka nuk do të ishte një lajm i mirë për ekonominë.

Në anën tjetër qëndron punëmarrësi i cili do të kishte disa të ardhura më të larta. Drejtuesit e sindikatave argumentojnë se një pagë minimale më e lartë mbron kapitalin njerëzor nga shfrytëzimi i padrejtë dhe shton konsumin.

Por, këtë e kundërshtojnë bizneset sipas të cilave kjo rritje nuk do të ndihet nga punëmarrësit, pasi kostot shtesë do të reflektohen te çmimet e ca më keq, mund të nxitet, me dëshirë edhe informaliteti.

Kjo gjë e bën diskutimin specifik. Një pjesë e ekspertëve e marrin në konsideratë këtë fenomen e disa të tjerë jo. Institucionet financiare ndërkombëtare, veçanërisht Banka Botërore, thekson se informaliteti në tregun e punës është sa 48% e tregut në tërësi. Një argumentim, i cili vendoset përballë atij mbi rritjen e pagës minimale.

Rritja e pagave minimale, në terma realë, ka qenë shumë e ulët në periudhën midis viteve 2000–2015, me qëllim për të mos nxitur efekte negative në treguesin e punësimit. Punëdhënësit kanë përdorur mekanizma rregullues në vend të angazhimit për rritjen e kostos së punës.

Biznesi kundër rritjes, cilat janë kostot
Nëse ka një sektor që do ta ndiejë fort ndryshimin e pagës minimale ai është padyshim fasoni.
Më herët, përfaqësues të këtij sektori kanë thënë për “Monitor se rritja e pagës minimale do të ishte shkatërruese. Kostot e punës do të rriteshin ndjeshëm. Kjo do të bënte që porositësit të largoheshin në vende të tjera, si në Maqedoni apo në Tunizi. Një tjetër vend konkurrues është edhe Rumania, që ka një nivel të ulët pagash. Fondi i pagave në industrinë e fasonit llogaritet në rreth 70% të shpenzimeve.
“Me rritjen e pagës minimale, këto shpenzime do të rriten edhe më tej. Nuk duhet të harrojmë edhe faktin se në Shqipëri është vështirë të gjesh krah pune të kualifikuar për këtë sektor. Vetëm Tirana, sot për sot, ka nevojë për 10,000 forca pune”, thotë z. Zekja.

Gjergj Liqejza, një tjetër drejtues kompanie fasoni në Shkodër, numri i punonjësve të së cilës llogaritet në rreth 700, tha se biznesi i tij në mënyrë të drejtpërdrejtë nuk do të prekej, pasi siç konfirmon nuk ka asnjë punëtor që e paguan me pagë minimale.

Sipas tij, paga është një element i cili rregullohet nga vetë tregu dhe nuk është e nevojshme që të bëhet me politika diktuese e detyruese. Por, për sektorin e fasonit, një lajm i tillë do të ishte tejet negativ, pasi do të rriste tendencën për abuzime dhe informalitet. Liqejza tha se në sektorin e fasonit, fondi i pagave zë rreth 60% të kostove dhe se rritja do të cenonte rëndë marzhin e fitimit të kompanive që operojnë. Në anën tjetër, do të nxiste ekonominë informale.

Rëndimi i situatës, shtoi Liqejza, mund të çojë deri atje sa të bëjë që firmat e huaja që punojnë me fasonin shqiptar të tërhiqen e të gjejnë tregje të tjera si Bullgaria (e cila ende ka pagë më të ulët në rajon) apo Maqedonia e cila ofron edhe zona të lira ekonomike. “Në këto kushte, mund të themi qartë se po pranohet me dashje nxitja e informalitetit”. Ai thotë se nuk është kundër vendosjes së një kufiri për pagën minimale, por këtë duhet ta bëjë tregu jo qeveria. Në anën tjetër, përcaktimi i tyre pa vendosur zyrtarisht minimumin jetik, është i pastudiuar.

“Nga njëra anë, tatimfitimi 15%, po kaq edhe tatimi mbi dividentin, 9% nga rritja e pagës minimale, të gjitha këto nuk bëjnë gjë tjetër veçse rrisin koston e punës dhe na bëjnë jo konkurrues”, thotë z. Liqejza.

E duket se në të njëjtën linjë janë eksportuesit, si dhe prodhuesit në vend.
Ndërsa Alban Zusi president i Qendrës së Eksporteve Shqiptare, tha se në sektorin e eksporteve ndikimi do të jetë negativ.

“Sot sipërmarrësit po të kenë hapësira të tjera për të rritur pagat e bëjnë këtë me dëshirën e tyre, pasi është fakt i njohur që të gjitha bizneset eksportuese kanë nevojë për më shumë fuqi punëtore, kanë porosi më tepër se çfarë janë duke bërë për eksport, por janë përballë vështirësive në gjetjen e punonjësve.

Nëse do të kishte hapësirë për të rritur pagat një biznes do ta bënte. Por, nëse i thuhet biznesit të rrisë pagat nga aq në kaq lekë, atëherë gjasat janë që të rrisim në mënyrë artificiale kostot e produkteve të prodhuara nga kompanitë eksportuese dhe në këtë rast efekti do të jetë në reduktimin e eksportit, ose do të humbasim kontratat pasi nuk mund tija transferosh koston e shtuar në mënyrë administrative partnerit tënd të huaj.

Ose bizneset do të jenë të detyruar të reduktojnë punonjësit me rentabilitet të ulët pra ata që punojnë në kufirin e pagës minimale. Ata do të jetë të parët që shkurtohen nga puna sepse mbajtja e tyre në punë do të rezultojë si kosto e shtuar.

Ekziston rreziku i kalimit të biznesit në një marrëdhënie informaliteti me punonjësit e tyre duke i bërë tashmë edhe shumë fragile ose të dobët në marrëdhënien e tyre, me punonjësin pasi punëdhënësi do ti thotë po të kaloj në bankë kaq para sa është paga jote minimale por do të duhet të mi kthesh këto para mbrapsht.

Kjo përveçse do të jetë një informalitet i pastër kthehet në një marrëdhënie shumë të rrezikshme për sipërmarrësin pasi mund të jetë i cenueshëm në çdo moment për mashtrim apo çështje të tjera.
Në këto kushte çdo tentativë për të rritur pagat mbi baza administrative, me urdhra apo dekrete është në kundërshtim me të gjitha ligjet e ekonomisë së tregut”, tha z.Zusi.

Por, nga ky vendim nuk do të dëmtohen vetëm eksportuesit, por edhe prodhuesit vendas të cilët do të dalin në treg për shkak të rritjes së kostos së fuqisë punëtore.

Ja sa do të bëhet paga maksimale për efekt të kontributeve shoqërore pas këtij ndryshimi
Por, krahas pagës minimale, do të ndryshojë dhe ajo maksimale, për efekt të llogaritjes së kontributeve si dhe paga minimale, për efekt të kontributeve dhe sigurimeve shëndetësore për të vetëpunësuarit.

Sipas draftit “Për disa ndryshime në vendimin për kontributet e detyrueshme dhe përfitimet nga sistemi i sigurimeve shoqërore dhe sigurimet e kujdesit shëndetësor” të miratuar në Këshillin e Punës, paga maksimale për personat e punësuar bëhet 105,850 lekë, nga 97,030 lekë që ishte më parë, me një rritje prej 9%, apo 8,820 lekë.

Si rrjedhojë, sigurimet për të punësuarit me pagë maksimale bëhen 29,532 lekë, nga 27,071 lekë, që ishin më parë.

Sigurimet shëndetësore për të punësuarit llogariten jo më pak se paga minimale prej 24 mijë lekësh dhe deri në shumën e pagës bruto, sipas deklaratës në listëpagesë.

Edhe për të vetëpunësuarit, paga minimale mujore është jo më pak se paga mujore e barabartë me 24 mijë lekë dhe sipas përcaktimit të vetë personit deri në 105,850 lekë.
Të vetëpunësuarit me pagë minimale do të paguajnë tashmë 7,152 lekë kontribute për sigurimet, nga 6,491, që paguanin më parë.

Sigurimet shëndetësore për të vetëpunësuarit llogariten mbi dyfishin e pagës minimale prej 48 mijë lekë (3.4% e 48 mijë lekë), i barabartë me 1,632 lekë.

Për invalidët, që marrin pension invaliditeti të pjesshëm, paga minimale mund të jetë deri në 50% më e ulët se paga minimale zyrtare.
Paga minimale në bujqësi është 5,035 lekë.
Të vetëpunësaurit si shitës ambulantë duhet të deklarojnë kontribut minimal mujor prej 5,1250 lekë, nga të cilat 3,488 për sigurimin shoqëror dhe 1,632 për kujdesin shëndetësor. /Monitor/

Samir Mane dhe Shefqet Kastrati blejnë 90% të aksioneve të INSIG JETË

$
0
0

90% e aksioneve të shoqërisë së sigurimeve “INSIG Jetë” tashmë do të zotërohen nga dy sipërmarrës Samir Mane( 45%) dhe Shefqet Kastrati (45%), ndërsa 10% e aksioneve do t’i mbeten në pronësi shoqërisë Eurosig ( si aksionarja e vetme aktualisht). Eurosig bleu në maj të vitit 2016 dy licencat e INSIG, jetë dhe jo jetë, pasi fitoi tenderin e shpallur nga qeveria, që deri në atë kohë ishte pronare e INSIG.

Transaksioni i shitjes së Insig Jetë nuk është reflektuar ende në Qendrën Kombëtare të Biznesit, por lajmi është konfirmuar nga presidenti i shoqërisë Eurosig dhe Insig, Kadri Morina, i cili tha për “Monitor” se ka qenë interesi i këtyre dy sipërmarrësve për të diversifikuar portofolin e tyre të investimeve.

E ndërsa për Samir Manen, kreun e shoqërisë Balfin Group kjo është një iniciativë e re, për pronarin e shoqërisë Albsig, Shefqet Kastrati sigurimet janë një terren i njohur, pasi ai është aksioner i Albsig.

Sipas z. Morina futja e këtyre dy sipërmarrësve do t’i japë një frymëmarrje të re segmentit të Jetës, e cila ka një peshë të ulët në treg.

Në fund të muajit mars primet e shkruara bruto të sigurimit të Jetës zinin rreth 7.3% të totalit të tregut, duke i lënë Jo- Jetës rreth 92.6%.

Por, interesi i këtyre dy biznesmenëve të njohur në vend për INSIG nuk është i ri.

Në tenderin që qeveria shpalli për shitjen e kësaj kompanie, përveç Eurosig ( që fitoi pasi dha ofertën më të lartë 2.2 miliardë lekë) në garë ishin edhe Kastrati dhe Albsig (joint venture) me 1.5 miliardë lekë; Recovered Earth Technologies & Duraku shpk – me 2.15 miliardë lekë dhe Balfin sh.p.k me 1.65 miliardë lekë.

Deri në atë kohë qeveria shqiptare kishte tentuar disa herë të shiste INSIG, por, pa sukses. Deri sa në maj të 2016 pas një procedure tenderimi Eurosig u shpall fitues i blerjes së 100% të aksioneve të INSIG, që përfshinte si kompaninë e sigurimeve të jetës, ashtu dhe atë të jo-jetës.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në fillim të vitit deklaroi se 2017-a do të ishte një vit i rëndësishëm për tregun e sigurimeve pasi do të formalizohej ndarja e INSIG në jetë dhe jo – jetë.

Sipas të dhënave të AMF-së, në fund të tremujorit të parë Insig zotëronte rreth 7.7% të tregut të Jetës nga rreth 6.5% që kishte në periudhën janar – mars 2016. Aktori kryesor në tregun e jetës është Sigal Life me rreth 63% të tregut të primeve, i ndjekur nga Sicred, me rreth 30%. Tregu i jetës është i pazhvilluar në Shqipëri dhe në vitin 2016, të ardhurat nga primet në këtë segment ishin rreth 7 milionë euro, ose rreth 6.3% e gjithë tregut të sigurimeve (rreth 93% e zë tregu i jo-jetës), sipas të dhënave nga AMF.

Ndërsa në sigurimet e Jo – Jetës, INSIG në periudhën janar – masr 2017 çoi në rreth 7.2% zotërimet në treg nga rreth 5.8% që kishte një vit më parë./Monitor

Ndryshimet e statusit tw INSIG 2009-2016

2009 – INSIG sh.a. ndryshoi pronësinë e aksioneve, të cilat zotëroheshin në masën 100% nga Ministri i Financave.

2015 – INSIG sh.a. ndryshoi pronësinë e aksioneve, të cilat zotëroheshin në masën 100% nga Ministria e Ekonomisë.

2016 – INSIG sh.a. privatizohet dhe ndryshon pronësinë e aksioneve , të cilat zotëroheshin në masën 100% nga Shoqëria e Sigurimeve “EUROSIG” sh.a.

Lajm i mirë për ata që duan të marrin kredi në Lek

$
0
0

Për herë të parë normat e interesit të kredisë janë bërë fleksible duke shënuar vlerën më të ulët për kreditë afatshkurtra të cilat disa vite më parë arrinin edhe në 12 apo 15%.

Në fund të marsit, kredia në lekë nga 1- deri në 3 vite ka arritur interesin më të ulët historik 6.5% , ndërsa ajo afatgjatë 6.9%, duke vijuar një trajektore rënëse.

Shkaku kryesor është ulja e kërkesës së biznesit për të marrë financim, çka i ka detyruar bankat që të rritin ofertën. Historikisht në Shqipëri, diferenca mes interesit të kredive dhe depozitave ka qenë mjaft e thellë, duke penalizuar huamarrësit të cilët paguanin interesa të larta dhe depozituesit që merrnin fitime të pakta.

Në një llogaritje të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, Shqipëria ishte vendi i parë në rajon që kishte raportin më të theksuar mes marzhit të interesit të kredisë me atë të depozitës.

Një tjetër arsye se përse kredia në lek është më e lirë, lidhet edhe me interesin e bonove të thesarit, i cili në mars dhe prill ka arritur normat më të ulëta historike 1.5%, duke zbritur përtej nivelit të inflacionit./Tv Klan/

Ligji italian, vjen goditja e rëndë për biznesin call center në Shqipëri

$
0
0

13 kompani të mëdha italiane firmosën një protokoll mirëkuptimi me kryeministrin italian Gentiloni, në bazë të të cilit 80 për qind e shërbimeve të reja call center mbeten në Itali

Trembëdhjetë kompani të mëdha italiane kanë firmosur një protokoll mirëkuptimi me kryeministrin Paolo Gentiloni me anë të të cilit kanë rënë dakord që “95% e aktiviteteve që kryhen direkt të kalojnë në Itali brenda gjashtë muajve nga nënshkrimi dhe në kontratat e reja, të paktën 80% e vëllimeve outsourcing të kryhen në territorin italian”, kanë raportuar mediat italiane. Mes kompanive të përfshira në marrëveshje janë Eni, Enel, Sky, Mediaset, TIM, Vodafone, Wind Tree, Fastweb, Intesa SanPaolo, Unicredit, Poste Italiane, Ntv, Trenitalia, të cilat janë edhe porositëse të mëdha të punës edhe për aktivitetin e kompanive call center në Shqipëri. Gjithçka është vijim i ligjit italian për delokalizimin e shërbimit call center dhe që ka hyrë në fuqi më 1 prill.

Përfitimet e Italisë

Nga kjo masë e qeverisë italiane pritet të përfitojnë 80,000 punonjës të këtij sektori brenda Italisë. Ministri italian i Zhvillimit të Ekonomisë, Carlo Calenda ka deklaruar se “Presidenti i Këshillit të Ministrave, njeh angazhimin e lartë nga pikëpamja sociale, kundrejt firmëtarëve, vendim i cili nuk do t’iu shërbejë vetëm sipërmarrjeve tuaja, por edhe vendit”. Vjen si një mesazh për të mbrojtur vendet e punës, për të nxitur mbrojtjen sociale dhe angazhimin social të biznesit. Një mesazh që vjen në një moment të veçantë, në të cilin ndodhet vendi sot. Ai ka deklaruar se marrëveshja rikonfirmon angazhimin e qeverisë për të rritur vlerën e biznesit në një moment delikat për sektorin, i cili ka një ndikim të rëndësishëm në ekonomi dhe ku preken në mënyrë të drejtpërdrejtë interesat e 80,000 punonjësve.

Shqipëria, e humbura e madhe

Ligji italian “Për delokalizimin” e call center, i miratuar në dhjetor të vitit të kaluar dhe që hyri në fuqi më 1 prill kishte nisur të jepte efektet e tij edhe më parë. TIM, Sky, Fastweb reduktuan kontratat në Shqipëri, duke vënë në vështirësi operatorët që veprojnë fizikisht në vendin tonë, madje disa prej tyre raportuan se e kanë mbyllur aktivitetin. Call center ishte një biznes që lulëzoi në Shqipëri 10 vitet e fundit, për arsye se ka një kosto të lirë si të ngritjes së një biznesi të këtij lloji ashtu edhe të fuqisë punëtore, e njëkohësisht edhe njohje të mirë e gjuhës italiane. Në total, në këtë sektor në Shqipëri ka rreth 800 kompani, me rreth 25 mijë të punësuar, sipas të dhënave zyrtare. Por, të dhënat e punëdhënësve më të mëdhenj tregojnë se janë 6-7 kompani kryesore, që kanë së bashku rreth 10 mijë të punësuar. Tashmë fati i tyre është në vështirësi serioze pasi nga Italia pritet shkurtim drastik i kontratave të reja.

Mungesë reagimi nga qeveria

Ndërsa qeveria italiane po mendon seriozisht për të ruajtur 80 mijë vendet e punës që kanë mbetur nga ky sektor në Italinë me 61 milionë banorë, qeveria shqiptare është pothuaj plotësisht indiferente. Që në dhjetor, kur u bë për herë të parë publik plani i qeverisë italiane, asnjë reagim nuk erdhi nga pala shqiptare. Përkundrazi kjo çështje u trajtua pa seriozitetin e nevojshëm, madje u tha se ky është një alarm i kotë dhe i panevojshëm, sepse asgjë nuk do të ndodhë. Nuk ka reagim as tani, që kontraktorët e mëdhenj italianë po i braktisin call centerët në Shqipëri dhe kur mediat njoftuan se u mbyllën 30 call centerët e parë.


Goditja e call center, çfarë ndodh tani?! Ja kompanitë që kanë kontrata në Shqipëri

$
0
0

13 sipërmarrje të mëdha italiane firmosën dje një protokoll mirëkuptimi me kryeministrin italian Paolo Gentiloni dhe ministrin e zhvillimit ekonomik Carlo Calenda, në të cilin u angazhuan që 95% të shërbimeve aktuale t’i kalojnë gradualisht në Itali, si dhe të paktën 80% e vëllimeve outsourcing për kontratat e reja të kryhen në territorin italian.

Këto kompani janë: Eni, Enel, Sky, Mediaset, Tim, Vodafone, Wind Tre, Fastweb, Intesa SanPaolo, Unicredit, Poste Italiane, Ntv, Trenitalia.

Po çfarë do të ndodhë tani në sektorin e call center në Shqipëri, aktiviteti i të cilit është ngushtësisht i lidhur me kontratat që u sjellin operatorët italianë dhe që ka rreth 25 mijë të punësuar?

Aktorët e tregut pohojnë se nga 13 operatorët e sipërpërmendur, në Shqipëri kanë kontrata pesë prej tyre, Vodafone, Wind, Tim, Sky, Mediaset, Fastweb. Këto sipërmarrje vitet e fundit e kanë deleguar një pjesë të konsiderueshme të aktivitetit të thirrjeve telefonike tek operatorët call center në Shqipëri.

Situata aktualisht mbetet e paqartë për kompanitë call center në Shqipëri. Operatorët thonë se ata janë tashmë në pritje së çfarë do t’u thonë kontraktorët. Edhe ajo pjesë e vogël e shërbimeve prej 20%, që lejohet të transferohet, sipas protokollit, vlerësohet se do të shkojë në Rumani, jo në Shqipëri.

Që në muajin dhjetor, kur parlamenti Italian kaloi në ligjin për buxhetin edhe masat shtrënguese, që synonin frenimin e delokalizimit të call center në vendet jashtë BE-së, kompanitë në Shqipëri i kanë marrë masat. Operatorët më të mëdhenj kanë regjistruar tashmë kompani edhe në Rumani, që duke qenë brenda BE-së nuk i nënshtrohet kufizimeve të masave shtrënguese.

Mbyllja e kompanive të vogla call center në Shqipëri ka filluar, të tjerë raportojnë vështirësi dhe në përgjithësi operatorët e tregut presin që deri në fund të vitit të bëhet më e qartë situata. Të tjerë kanë filluar të diversifikohen drejt shërbimeve të tjera, si web marketing apo dhe forex. Po synohet dhe tregu gjerman, por gjithsesi numri i të rinjve shqiptarë që dinë gjermanisht është shumë më i ulët se ai atyre që flasin italisht.

Po zhvillohet Forex, por ai mbetet i dyshimtë

Reklama të shumta në rrugët e kryeqytetit shqiptar ftojnë të rinjtë të punojnë në kompani call center që kanë parësor aktivitetin e forex, ku operatorët marrin në telefon qytetarët italianë dhe përpiqen t’i bindin të investojnë në platforma online tregtimi apo në aktivitetet e kursit të këmbimit. Një pjesë e kompanive të vogla të mbyllura i kanë transferuar punonjësit në sipërmarrje të tilla.

Roberto Caparrota, administrator në call center, thotë se këto janë zgjidhje momentale dhe ky segment nuk mund të mabjë më shumë se 10% të tregut. Operatorët e këtyre kompanive, thotë ai, gjejnë një klient, e bindin të investojë, ai fiton njëherë dhe pastaj vetëm humb. Ky është një biznes spekulativ dhe jo i qëndrueshëm. Ai thotë se mediat italiane po e investigojnë këtë dukuri dhe në momentin që lajmi do të dalë në media, edhe këto kompani rrezikojnë të mbyllen.

Një tjetër problem me të cilin po hasen kompanitë lidhet me faktin që të rinjtë hezitojnë të fillojnë punë në to, për shkak të pasigurive që lidhen me të ardhmen e tyre./Monitor

Mentaliteti antikapitalist

$
0
0

Nga Ludwig von Mises*

Gazeta MAPO vijon botimin e librit “Mentaliteti antikapitalist” të mendimtarit të njohur austriak Ludwig von Mises, të përkthyer nga profesor Adrian Civici. Në këtë pjesë autori shkruan se ideologjia më perverse dhe më fatale e gjashtëdhjetë viteve të fundit ishte sindikalizmi i Georges Sorel dhe entuziazmi i tij për l’action directe. E krijuar nga një intelektual i frustruar francez, kjo lëvizje përfshiu shpejt mjaft shkrimtarë e artistë në shumë vende të Europës, duke u bërë një faktor përcaktues në radikalizimin e gjithë lëvizjeve të dhunshme revolucionare, shkruan ai. 

Në një sistem kapitalist, liria nënkupton: të mos varesh nga arbitrariteti i të tjerëve dhe të tjerët të mos varen nga arbitrariteti yt. Asnjë lloj lirie nuk mund të jetë më e madhe se ajo që krijohet kur prodhimi realizohet në kuadrin e ndarjes së punës dhe mungesës së autarkisë ekonomike.

Nuk është e nevojshme të nënvizohet se argumenti thelbësor që ofrohet në favor të kapitalizmit dhe kundër socializmit, nuk është fakti së socializmi kërkon detyrimisht braktisjen e çdo forme lirie duke e transformuar shoqërinë në punonjës të nënshtruar dhe individë të pushtetshëm. Socializmi është i parealizueshëm si sistem ekonomik sepse një shoqëri socialiste nuk ka asnjë mundësi të zhvillohet në kuadrin e planifikimit të centralizuar. Pikërisht për këtë fakt, socializmi nuk mund të konsiderohet si një sistem i organizimit ekonomik të shoqërisë. Ai shkakton disintegrim social, duke provokuar varfëri dhe kaos.

Duke trajtuar çështjen e lirisë, nuk nënkuptohet vetëm problemi ekonomik esencial i antagonizmit ndërmjet kapitalizmit dhe socializmit, por mbi të gjitha nënvizohet fakti se individi perëndimor, ndryshe nga aziatikët, është një qenie e adaptuar të jetojë në liri dhe formuar nga jeta në liri. Civilizimet kineze, japoneze, indiane dhe vendeve arabe të Lindjes së Mesme, ashtu si ato ekzistonin përpara se këto kombe të familjarizoheshin me mënyrën perëndimore të jetesës, nuk mund të përkufizohen ndryshe, përveçse si shoqëri barbare.

Shumë shekuj më parë, këta popuj realizuan vepra të mrekullueshme në ndërtime, arkitekturë, letërsi, filozofi dhe zhvillimin e institucioneve edukative. Ata krijuan dhe organizuan perandori të fuqishme. Por, përpjekjet e tyre ndërpriteshin, kulturat e tyre paralizoheshin dhe ata e humbnin aftësinë kur përballeshin pa sukses me problemet ekonomike. Gjenialiteti i tyre intelektual dhe artistik shuhej. Artistët dhe shkrimtarët e tyre kopjonin në mënyrë mekanike modelet tradicionale. Teologët, filozofët dhe juristët orientoheshin vazhdimisht nga dogmat fikse të veprave të lashta. Monumentet e trashëguara nga paraardhësit e tyre shkatërroheshin. Perandoritë e tyre copëtoheshin dhe zhdukeshin. Qytetarët humbnin fuqinë dhe energjinë dhe bëheshin apatikë përballë varfërisë dhe përkeqësimeve të vazhdueshme të gjendjes ekonomiko-sociale.

Veprat e vjetra të filozofisë dhe poezisë orientale janë plotësisht të denja të krahasohen me veprat e mëdha perëndimore. Por, përgjatë shumë shekujve, Lindja nuk prodhoi asnjë vepër të rëndësishme. Historia intelektuale dhe letrare e kohës moderne nuk evidenton emrin e ndonjë autori të famshëm oriental. Lindja nuk ka ndonjë kontribut të dukshëm në përpjekjet intelektuale të njerëzimit. Problemet dhe shqetësimet që trazojnë Perëndimin duken shumë të huaja për botën lindore. Në Europë ka veprim; në Lindje ka stanjacion, apati dhe indiferencë.

Arsyeja për këtë gjendje është e thjeshtë. Në botën lindore mungon një gjë e rëndësishme, ideja e lirisë përballë Shtetit. Lindja nuk e ka ngritur kurrë flamurin e lirisë, nuk ka guxuar kurrë të vërë në piedestal të drejtat e individit përballë pushtetit dhe diktaturës. Nuk e ka shtruar asnjëherë në diskutim çështjen e arbitraritetit të despotëve. Dhe për pasojë, nuk ka ndërtuar kurrë një kuadër ligjor që mbron pasurinë private të qytetarëve kundër konfiskimeve arbitrare të tiranëve. Në të kundërt, e mbrujtur me idenë se të ardhurat e të pasurve janë shkaku kryesor i mizërisë së të varfërve, gjithë këta popuj kanë mbështetur praktikat e qeverisjes që konsistojnë në shpronësimin e sipërmarrësve të suksesshëm.

Pasojë e kësaj logjike është bllokimi i akumulimit në shkallë të gjerë të kapitalit, ndërkohë që është e qartë se zhvillimi dhe përmirësimi i jetës së tyre kërkon kapitale dhe investime të konsiderueshme. Asnjë lloj “borgjezie” nuk mund të zhvillohet dhe të bëjë të mundur mbështetjen e shkrimtarëve, artistëve e shkencëtarëve. Të gjitha rrugët për të zhvilluar iniciativën personale, talentet dhe energjitë u mbyllën me përjashtim të njërës: individët, populli mund të tentonin të gjenin një rrugëdalje vetëm duke u vënë në shërbim të princërve, pushtetarëve apo dinjitarëve të lartë.

Shoqëria perëndimore është një komunitet individësh të lirë për të synuar fitime apo shpërblime nga më të lartat. Shoqëria orientale është një aglomerat subjektesh të varur krejtësisht nga vullneti dhe ambiciet e sovranit. Të rinjtë e vendeve perëndimore e shohin botën si një fushë veprimi në të cilën mund të arrihet fama, respekti, nderimi dhe pasuria; asgjë nuk është e pamundur përballë ambicieve të tyre. Individët, familjet dhe klanet lindore nuk dinë të bëjnë gjë tjetër veçse të ndjekin rutinën e mjediseve ku jetojnë.

Besimi i shenjtë që njeriu perëndimor ka te vetvetja ka gjetur shprehje triumfuese në entuziazmin e ditirambeve greke siç është p.sh., “himni për njeriun” i dramaturgut grek Sofokliut të Antigonesë që i kushtohet mrekullisë që quhet njeri dhe përpjekjeve të tij për ta vënë natyrën në shërbim të tij, për të krijuar sa më shumë të mira, sa më shumë zhvillim apo te madhështia dhe heroizmi i simfonisë së nëntë të Beethovenit. Asgjë nga këto nuk është dëgjuar ndonjëherë në botën lindore.

A është e mundur që pasardhësit e themeluesve të civilizimit perëndimor të “njerëzve të bardhë” të heqin dorë nga liria e tyre dhe t’i nënshtrohen vullnetarisht sundimit apo tutelës së qeverive të gjithëpushtetshme? A mund ta kërkojnë ata kënaqësinë dhe plotësimin e dëshirave të tyre në një sistem, qëllimi i vetëm i të cilit është shndërrimi i tyre në detale e vida të një makine të madhe të ndërtuar e drejtuar nga një planifikues i gjithëfuqishëm?

Triumfi i mentalitetit të civilizimeve të prapambetura mund të ndodhë vetëm nëse arrin të përmbysë idealet e lirisë për të cilat janë sakrifikuar me miliona e miliona njerëz. Ruere in servitium, ata u zhytën në skllavëri, konstaton me trishtim historiani dhe senatori romak Publius Cornelius Tacitus teksa iu fliste romakëve të epokës së Perandorit Tiberius.

Aplikacioni “Tirana Ime” një histori suksesi: Brenda një viti 11 mijë raportime nga qytetarët

$
0
0

Veliaj: “Model edhe për qytetet e tjera evropiane; Aplikacioni ofron edhe parkimin me SMS” 

Tirana po i afrohet çdo ditë e më shumë modelit të një qyteti “Smart”. Aplikacioni “Tirana ime” do të pasurohet me shërbime të reja, mes të cilave edhe me atë të parkimit me SMS, me qëllim lehtësimin dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Në 1 vjetorin e krijimit të aplikacionit “Tirana Ime”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se ky mjet në duart e qytetarëve ka rezultuar i suksesshëm në përmirësimin e qytetit dhe në një vit ka pasur 11 mijë raportime, të cilat kanë marrë përgjigje.

“Jemi të destinuar të jemi kreativë në përdorimin e mjeteve të tilla si “Tirana Ime”, si mënyrë efikase për të zgjidhur problematikat e qytetit. Kemi kaluar nga thjesht të qenit të zënë me punë, në të bërit punë konkrete, që i përgjigjen një nevoje konkrete dhe mandej të raportohet si një rezultat. Kemi pasur rreth 11 mijë raportime, nga të cilat 9 mijë janë zgjidhur ose janë në rrugë të zgjidhjes. Kurse, 2 mijë të tjera nuk kanë qenë pjesë e punës së bashkisë dhe janë referuar në agjenci të tjera. Besoj se kjo normë është një histori suksesi, e cila mund të pasurohet edhe me shërbime të tjera”, tha Veliaj.

Ai theksoi se për herë të parë në aplikacionin “Tirana Ime” është shtuar edhe opsioni i parkimit me SMS.

“Për herë të parë në aplikacionin “Tirana Ime” kemi shtuar opsionin e parkimit me SMS, ku mjafton të dërgosh nga platforma një SMS me targën tënde dhe automatikisht ke parkuar një orë në 30 rrugët kryesore të qendrës së Tiranës”, tha Veliaj, duke shtuar se aplikacioni do të pajiset edhe me mundësinë për të paguar faturat elektronike dhe hartën e linjave të autobusit.

Kryebashkiaku i Tiranës tha se falë këtij aplikacioni dhe bashkëpunimit të qytetarëve që raportojnë, janë përmirësuar edhe infrastruktura edhe shërbimet.

Veliaj deklaroi se brenda një kohe të shkurtër është arritur transformimi i Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë, i cili dy vite më parë ishte një kompani në prag të falimentimit.

“Për herë të parë UKT i jep para bashkisë, që është aksionari kryesor, dhe besoj se për këtë arritje duhet të falenderojmë të gjithë ata qytetarë që në fakt kanë raportuar të gjitha këto problematika. Besoj se kemi arritur në një fazë ku njerëzit po e trajtojnë qytetin si të tyren dhe vetëm kur njerëzit e ndjejnë si ‘plaçkën’ e tyre ‘plaçkën’ e qytetit, atëherë realisht sillemi si në një familje”, tha ai.

Veliaj garantoi se Bashkia e Tiranës do të vijojë punën për hapjen e pikave të reja të UKT-së në të gjithë zonat e kryeqytetit për të afruar më shumë shërbimet me qytetarët.

Suksesi i aplikacionit “Tirana Ime” ka frymëzuar edhe mjaft qytete të tjera në Evropë dhe në SHBA, të cilat kanë kërkuar që të zhvillojnë një model të ngjashëm. Në 1 vit, ky aplikacion ka fituar edhe disa çmime.

“Kemi bashki, nga bashkia e Roterdamit te bashkitë në Amerikë, që na kanë kërkuar soft-in dhe si mund ta bëjnë ata për bashkinë e tyre. Pra, jemi kthyer në një vend që sot jo vetëm është shembull, por po na kërkojnë t’u tregojmë si ndodhin gjërat”, tha Veliaj.

Në një kohë kur kryeqyteti po ndryshon me ritme të shpejta dhe dinamike, nëpërmjet aplikacionit “Tirana Ime”, çdo qytetar mund të raportojë në kohë reale problematikat ose shqetësimet, papastërtitë, ose shkeljet që has dhe stafi i bashkisë së Tiranës, i cili ka ngritur një strukturë të posaçme, do të shqyrtojë çështjen pas marrjes së raportimit.

Monitor: Grataçielat në Tiranë, ndërtuesit paralajmërojnë flluskën

$
0
0

Teksa oferta për apartamente, zyra, sipërfaqe tregtare e hotele pritet të shtohet ndjeshëm në kryeqytet me ndërtimin e qiellqërvishtësve, ndërtuesit paralajmërojnë se mund të hapet një gropë që do t’i përpijë të gjithë dhe tregu mund të shkojë në kolaps. Në vend që të mendohet afatgjatë, po vijon të shkohet drejt rendjes afatshkurtër drejt fitimeve të shpejta dhe shtimit të ofertës për pasuri të paluajtshme, që nuk i sjell vlerë të shtuar ekonomisë. Parashikimet e zymta për reduktimin e popullsisë, përballë rrezikut të një flluske të pasurive të paluajtshme në kryeqytet.

Nga Ornela Liperi, Monitor

Dy vitet e fundit, shtesa natyrore e popullsisë shqiptare ishte rreth 10.3 mijë persona, më e ulëta që nga viti 1990. Me rreth 32 mijë lindje në vit dhe 22 mijë vdekje, ky tregues është larg fillimit të tranzicionit, kur Shqipëria shtohej me 60-80 mijë persona në vit, sipas të dhënave të INSTAT.

Emigracioni masiv i viteve 1990-2000 dhe rigjallërimi i tij vitet e fundit, e kanë bërë Shqipërinë një nga vendet me erozionin më të lartë njerëzor në botë, në raport me popullsinë e saj. Sipas të dhënave të OKB-së, Shqipëria është vendi i tretë në botë për përqindjen e lartë të banorëve të saj që jetojnë jashtë vendit, me 39% të totalit.

Rënia dramatike e lindshmërisë dhe plakja graduale e popullsisë janë të tjerë faktorë të rëndësishëm që ndikojnë në këtë trend. Viti 2016 shënoi rekordin më të ulët të lindshmërisë që nga viti 1990 kur raporton të dhënat INSTAT, me 31.7 mijë lindje.

Edhe numri i martesave ka ardhur në rënie, ose është vonuar në kohë. Në Shqipëri, në vitin 2016, kishte 22.5 mijë martesa, nga rreth 25 mijë vitin e mëparshëm. Vetëm në kryeqytet, numri i martesave ishte rreth 5600, më i ulëti që nga viti 2013.

Një tjetër parashikim i zymtë afatgjatë vjen nga pritshmëria e popullsisë, i publikuar nga pyramid.net, që përpunon të dhënat e Kombeve të Bashkuara. Sipas tij, në vitin 2100, popullsia e Shqipërisë do të zbresë në vetëm 1.75 milionë banorë, nga rreth 2.9 milionë që është sot. Pesha e popullsisë mbi 50 vjeç, nga 31.1% që ishte në vitin 2015 pritet të rritet në 52.5% në më pak se 100 vjet.

Të dhënat demografike e bëjnë të zymtë perspektivën afatgjatë të Shqipërisë në drejtim të konsumit, apo tregut të pasurive të paluajtshme. Kjo nuk i ka penguar sipërmarrësit të rendin drejt ndërtimit të kullave në kryeqytet, në kuadër të planit të ri rregullues të Tiranës, duke rrezikuar krijimin e një mbioferte në tregun e pasurive të paluajtshme, si për apartamente banimi, zyra, hotele e sidomos për hapësira tregtare.

Për dy kullat e para, lejet janë dhënë tashmë. Pak ditë më parë, Këshilli i Rregullimit të Territorit ka dhënë leje zhvillimi për objektin: “Godinë Polifunksionale DTA (DownTown Albania)”, me vendndodhje në bulevardin “Bajram Curri”, me zhvillues “DT1” sh.p.k. Godina pritet të ndërtohet atje ku janë sot lodrat “7 xhuxhat” dhe do të ketë parkim, hapësira tregtare e zyrash dhe objekte banimi.

Një tjetër leje zhvillimi u dha për objektin: “Zgjerim i kapaciteteve akomoduese e shërbimeve të Hotel Tirana International, me shtesë anësore dhe kullë me destinacion Hotel dhe qendër multifunksionale tregtare e shërbimesh”, me vendndodhje në Bashkinë e Tiranës, me zhvillues shoqërinë “Geci” sh.p.k.

Plani i ri rregullues i kryeqytetit nuk i specifikon sa dhe ku do të ngrihen kullat në Tiranë, por ato pritet të zhvillohen përgjatë viteve. Ndërtuesit thonë se në Tiranë pritet të ngrihen rreth të paktën 15 kulla. Urbanistët sqarojnë se plani synon në ndërtimin e disa kullave deri në 40 kate nga qendra përgjatë zonës së Bulevardit të Ri deri te Parku i Liqenit.
Së fundmi, qeveria ka miratuar një projektligj i cili synon negocimin e një kontrate investimi prej 250 milionë dollarësh nga një kompani private nga Dubai, e cila ka shprehur interes për ndërtimin e një kulle në zgjatimin e bulevardit të ri të Tiranës. Investitori është “Al Habtoor Investment LLC”, kurse projekti “Kulla Ikonike e Tiranës”.

Në pak vite, Tirana do të ketë shumë hapësira të lira për t’u ofruara blerësve, në një vend që ende renditet ndër të fundit në Europë për sa u përket të ardhurave për frymë dhe i 106-i në botë, duke lënë pas vetëm Moldavinë dhe Ukrainën, sipas të dhënave nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Ndërtuesit dhe zhvilluesit e pasurive të paluajtshme mbeten skeptikë nëse tregu do të jetë në gjendje të absorbojë gjithë shtesën.
“Oferta e re në planifikim e sipër është shumë e lartë dhe vështirë për t’u thithur nga tregu. Duhet theksuar se Tirana aktualisht mbetet një nga tregjet ku stoku i apartamenteve të pashitura është shumë i lartë”, pohon Stela Dhami, drejtore menaxhuese e agjencisë ndërkombëtare të pasurive të paluajtshme, Colliers International.

Edhe Hajredin Fratari, ndërtues, është i mendimit se Tirana nuk ka fuqi blerëse për apartamente të shtrenjta. “Ka ende pallate shumë të mira që janë gjysmë bosh”, pohon ai. Ai paralajmëron se nga fryrja e ndërtimeve, zhvilluesit e pasurive të paluajtshme mund të bien në gropë, pasi do të krijojë një superofertë.

Më pak skeptik është Arben Dervishi, sekretar i Shoqatës së Ndërtuesve. Ai thotë se ka kërkesë për apartamente cilësore në zona të mira në Tiranë dhe tregu mund të mbajë shtimin e ofertës nga 15 kulla mbi 30 kate. Por, ai paralajmëron se nëse mania e ndërtimit do të kthehet siç ka qenë dikur, atëherë do të ketë kolaps.

Ndërsa mund të ketë ende hapësira për zyra e apartamente, të gjithë janë dakord se për hapësira tregtare (dyqane, apo qendra) tregu është tërësisht i ezauruar.

Debati është i madh dhe për ofertën shtesë të hoteleve në kryeqytet. Zak Topozi, kryetar i sektorit të hotelerisë në Shoqatës Shqiptare të Turizmit, thotë se Tirana nuk ka më vend për hotele me 3-4 yje. Një biznes i mirë pritet të jetë parkimi, për të cilin kryeqyteti ka shumë nevojë.

Por, si shpjegohet kjo rendje drejt betonit?! Ndërtimi është një sektor që ka kthim relativisht të shpejtë dhe të lartë, duke bërë që kapitalet e lira preferohen të orientohen drejt këtij sektori sesa në industri përpunuese, që ka më tepër andralla dhe fitime më të ulëta. Dervishi thotë se në sektorët e tjerë, norma e fitimit është e vogël.

Niveli i pagave në vend dhe shuma mesatare e kredisë që jepet nga bankat nuk e justifikojnë blerjen e apartamenteve të shtrenjta mbi 2000 euro/m2 dhe me sipërfaqe të mëdha mbi 100 m2, por deri në 1000-1200 euro/m2 dhe sipërfaqe të moderuar. Në kahun tjetër, të ardhurat nga sektori informal dhe i kriminalizuar janë një tjetër joshje e momentit, që nën zë pranohet nga të gjithë. Por fuqia blerëse për apartamente të shtrenjta, që kushtojnë minimalisht 250 mijë euro (përveç çmimit të shtrenjtë ato janë në sipërfaqe të mëdha, minimumi 100 metra katrorë) nuk dihet për sa kohë do të vazhdojë. Kërkesa për zyra mund të plotësohet shpejt edhe nga ndërtimi i kullave ekzistuese, ndërsa për hapësira tregtare, që tani nuk ka vend.

Pikërisht kësaj i tremben edhe investitorët, por kjo gjithsesi nuk i pengon të rendin pas ndërtimeve të larta. Edhe qeverisë duket se i intereson të japë leje ndërtimi, pasi në afatin e shkurtër merr taksa dhe hapen disa vende pune. Por, në afatin e gjatë, askush nuk është në gjendje të parashikojë se çfarë do të ndodhë. Në vend që të mendohet afatgjatë, po vijon të shkohet drejt rendjes afatshkurtër, drejt fitimeve të shpejta dhe shtimit të ofertës për pasuri të paluajtshme, që nuk i sjell vlerë të shtuar ekonomisë.

Ndërtuesit: Kullat mund të hapin një gropë që mund t’i fundosë të gjithë

Ndërtuesit, të përfshirë në ngritjen e kullave të para në kryeqytet, shpresojnë se ata do të përfitojnë nga kërkesa e lartë aktuale për të blerë apartamente, apo dhe uria për zyra. Por, nëse do të vazhdojë ndërtimi i tyre, në rreth 15, siç pritet, ata janë të frikësuar se, në afatin e gjatë, nuk do të ketë treg të mjaftueshëm për të gjithë. “Kullat mund të hapin një gropë që mund t’i fundosë të gjithë”, thotë njëri prej tyre, në kushtet e anonimatit.

Apartamentet në kullat në qendër të Tiranës janë relativisht të shtrenjta dhe ndërtuesit presin t’i shesin ato me 2500-3000 euro për metër katror, ndërsa katet e para që shërbejnë si zyra dhe dyqane me 8,000-10,000 euro për metër katror.
Por, Arben Dervishi, pohon se tregu nuk ka kapacitet të tërheqë apartamente kaq të shtrenjta në objekte të mëdha. Një apartament prej 2500 eurosh metri katror mund të shitet në zonën e televizionit, në ndërtime 5-6 kate, por jo në kulla shumëkatëshe.

UQIA BLERËSE PËR APARTAMENTE

Zyrtare

Hajredin Fratari, ndërtues, thotë se aktualisht, kërkesa për të blerë apartamente vjen nga çiftet e reja dhe ata që banojnë me qira. Kërkohen apartamente të vogla dhe në periferi të Tiranës, ku çmimet variojnë midis 400 dhe 500 euro për metër katror. Ata blejnë kryesisht me ndihmën e bankave.

Stela Dhami, drejtore menaxhuese e agjencisë ndërkombëtare të pasurive të paluajtshme, Colliers International, thotë se në sektorin rezidencial, kërkesa është për godina me vendndodhje brenda Unazës së Vogël, me një çmim midis 800-1,200 euro/m². Përsëri këto godina duhet të jenë të mirëndërtuara dhe të mirëmbajtura. “Këto lloj pronash ofrojnë edhe një mundësi të mirë investimi për ata blerës, të cilët i shikojnë pronat si një mënyrë e mirë investimi duke pasur parasysh interesat e ulëta në depozita të ofruara nga bankat e nivelit të dytë”, pohon ajo.
Për të dy kategoritë e mësipërme, çmimi mesatar i një apartamenti luhatet mes 40-100 mijë euro, që një familje mund ta sigurojë me anë të kursimeve shumëvjeçare dhe me ndihmën e një huaje në bankë.

Arben Dervishi pohon se ka ende nevojë për apartamente të mira në zonën qendrore, teksa shihet si një alternativë e mirë investimi dhe për t’u dhënë me qira, teksa interesat e depozitave në banka kanë zbritur poshtë 1%. Fakti që disa zhvillues po vijojnë të ndërtojnë vila në periferi të Tiranës tregon se ka një kategori individësh e familjesh, që kanë aftësi blerëse.
Ai pohon se në zonën brenda Unazës ka shumë pak apartamente të pashitura, ndërsa stoku më i lartë është në periferi, për shkak të mbiofertës dhe kushteve jo shumë të mira të infrastrukturës mbështetëse.

Zonat në periferi të kryeqytetit shqiptar janë dukshëm më të lira se periferia e rajonit, ku një apartament kudo në Mal të Zi, Maqedoni, Kosovë, nuk e gjen më pak se 650-800 euro për metër katror, ndërsa në rrethinat e Tiranës ka dhe apartamente me 400-450 euro për metër katror. Ndërtuesit pohojnë se shkak për këtë është infrastruktura e keqe, teksa pallatet janë ndërtuar pa plan, nuk ka hapësira (lulishte apo ambiente të përbashkëta), rrugët janë të ngushta dhe madje në disa zona, ato furnizohen me ujë pusi.

Ndonëse shtesa natyrore e popullsisë në Shqipëri është reduktuar ndjeshëm, Tiranën e ka ndihmuar migrimi i brendshëm i popullsisë, ku ajo ka qenë përfituese. Të dhënat e INSTAT tregojnë se më 1 janar 2017, popullsia në Tiranë u rrit me 19 mijë persona, duke arritur në rreth 862 mijë persona, ose rreth 30% e popullsisë së vendit. Në krahasim me vitin 2011, popullsia në Qarkun e Tiranës është rritur me rreth 44%.

Jozyrtare

Në vlerë absolute, çmimet e apartamenteve në qendër të kryeqytetit janë ndër më të shtrenjtat në rajon, së bashku me Beogradin. Aktualisht, çmimet e apartamenteve brenda Unazës në Tiranë variojnë nga 1200-2000 euro për metër katror, por ka dhe disa zona që janë shtrenjtuar ndjeshëm. Në zonën e Televizionit Shqiptar, çmimi i apartamenteve ka arritur në 3,000 euro për metër katror.

Edhe i matur sipas indeksit të fuqisë blerëse, kryeqyteti shqiptar rezulton ndër më të shtrenjtët në botë. Një indeks i Numbeo.com rendit 269 qytete në botë, sipas raportit të çmimit mbi të ardhurat, që është treguesi më i mirë për të matur përballueshmërinë për blerjen e një apartamenti (sa më i ulët ky indeks, aq më mirë është), e vë Tiranën në vendin e 235, duke u renditur mes qyteteve ku është më e vështirë për të blerë një shtëpi me të ardhurat e disponueshme. Parisi në Francë dhe Milano në Itali renditen përkatësisht në vendet e 231 dhe 232. Edhe më i lirë është Një Jorku, që gjendet në vendin e 194.

Ky indeks, sipas Numbeo, llogaritet përgjithësisht si raport i çmimeve mesatare të apartamenteve ndaj të ardhurave mesatare të disponueshme të familjeve, të shprehura si vite të ardhurash. Ai merr në konsideratë të ardhurat e disponueshme neto, një apartament mesatar prej 90 metrash katrorë dhe çmimin për metër katror (si një mesatare e çmimit në qendër dhe në periferi të qytetit).

Në Tiranë, sipas këtij indeksi, duhen 17.4 vite të ardhura për të blerë një apartament, ndërsa në Milano, një familjeje i duhen 17 vite, në Paris 16.8 vite. Në Nju Jork duhen 12.7 vite, në Zyrih 10.1. Edhe në Vjenë, një destinacion shumë i preferuar i Europës, mjaftojnë 13.7 vite.
Në rajon, qyteti ku familjeve u duhet më pak vite të ardhura për të blerë një apartament është Sarajeva, me 12.9 vite. Në Shkup ky tregues është 15.6, në Podgoricë 14.1, Sofja dhe Selaniku e kanë 9.1, Athina 10.4. Qyteti më i shtrenjtë i rajonit, sipas fuqisë blerëse, është Beogradi, me 21.5 vite.

Por, si shpjegohen këto çmime kaq të larta në raport me treguesit zyrtarë të fuqisë blerëse. Përgjigjja gjendet tek informaliteti. “Përqindja e lartë e ekonomisë informale në Shqipëri ndikon në çmime shumë të larta në raport me të ardhurat e konsumatorëve”, pohon Dhami e Colliers International.

Muajt e fundit, “Monitor” konstatoi gjatë një vëzhgimi në treg se kishte një gjallërim të kërkesës për blerje apartamentesh në zona të mira të Tiranës, ku një apartament kushton mesatarisht 150-200 mijë euro. Këto apartamente po shiteshin kryesisht me para cash. Kërkesa e lartë ndikoi dhe në shtrenjtimin e apartamenteve me ritme më të shpejta sesa ngarkesa fiskale (Objektet e reja që po ndërtohen paguajnë si taksë mbi infrastrukturën 8% të çmimit të shitjes së objektit. Kjo taksë deri në fund të vitit 2015, ishte 4% mbi koston e ndërtimit). Çmimet e apartamenteve në Tiranë janë rritur me 50-120 euro për metër katror, në varësi të zonës, sipas të dhënave nga agjencitë e pasurive të paluajtshme.

Banka e Shqipërisë konfirmoi se në vitin 2016, Indeksi i Çmimit të banesave u rrit me 13%, për herë të parë që prej 5 vitesh.
Rritja e ofertës teorikisht duhet të çojë në një ulje të çmimeve, por Dhami thotë se kjo është e vështirë të parashikohet, për shkak të informalitetit.

Zyrat, ka ende kërkesë, por nuk ka kompani të reja

Zyrat brenda qytetit mbeten për momentin të preferuara. “Kërkesa në treg, sot për sot, është e orientuar në sektorin e zyrave, ku nga konsumatorët (kompani të huaja dhe lokale) kërkohen godina të ndërtuara mirë, me një raport të drejtë çmim/cilësi. Çelësi për këto godina është që të kenë vendndodhje të mirë, me menaxhim profesional, transparent dhe me lehtësi për qiramarrësit. Prania e parkingut është element shumë i rëndësishëm, që sot për sot mbetet një ndër problematikat kryesore në Tiranë”, thotë Stela Dhami e Colliers.

Të dhënat më të fundit të Colliers International bëjnë të ditur se qiratë mujore në zonat qendrore të biznesit janë ndër më të shtrenjtat në Ballkanin Perëndimor. Për zyrat cilësore, qiraja mujore arrin deri në 24 euro për metër katror, ndërsa për zonat e klasit A arrin deri në 20 euro/m².

Qiraja mesatare për zyrat e klasit A është 18.3 euro/m², duke shënuar një rritje në vitin 2016, nga 17.5 euro/m², që ishte në fund të 2015-s.
Në Athinë, qiraja mesatare është 15 euro/m², në Serbi 17 euro/m², në Sofje 13 euro/m².

Sipas të dhënave nga Colliers International, në fund të gjashtëmujorit të dytë 2016, stoku i përgjithshëm i zyrave në Tiranë ishte 101,307 m². Stoku aktual përfshin godina të klasit A, B dhe B + dhe godina për përdorim të kombinuar. Pjesa më e madhe e ofertës për zyra është e vendosur në qendër të qytetit (përfshi zonën qendrore të biznesit), ndërsa zonat më pak të preferuara janë në rrethinat e Tiranës. Projektet e mëdha të zyrave, të vendosura jashtë qytetit, kanë regjistruar norma të larta të moszënies. Këto norma nuk janë përfshirë në llogaritje, pasi mund të shtrembëronin analizën totale të moszënies së zyrave, që përfaqësohet nga godinat në zonën qendrore të biznesit, thekson Colliers.

Por, oferta për zyra pritet të rritet shumë shpejt. Kulla Millennium, në zemër të Tiranës, parashikohet që të hyjë në treg në mes të vitit 2017. Qendra e Biznesit i ka filluar tashmë negociatat për procesin e qiradhënies dhe do të rrisë gjithashtu ofertën për zyra në gjashtëmujorin e parë 2017. Kulla Archea, gjithashtu në qendër të Tiranës, është aktualisht në status jo aktiv. Në momentin që ajo do të jetë aktive, do të bëhet e qartë nëse do të shërbejë për zyra, apo për ndonjë nënsegment të pasurive të paluajtshme.

Colliers parashikon që mbërritja e ndërtesave të reja do të shtojë ofertën për zyra, duke dhënë një efekt në uljen e qirasë. Ky do të jetë një përfitim shtesë për qiramarrësit, teksa godinat në zonën qendrore të biznesit në kryeqytet kanë disa prej qirave më të larta në Ballkanin Perëndimor. Vendndodhjet e ndryshme të zyrave që do të ndërtohen do ta bëjnë gjithashtu më tërheqës tregun për qiramarrësit, pasi ata do të kenë tashmë shumë mundësi zgjedhjeje.
Por nuk është kaq optimist Arben Dervishi i Shoqatës së Ndërtuesve. Ai thotë se nuk ka shumë kërkesë për zyra dhe për më tepër nuk është se ka hyrje kompanish të mëdha në treg, që do të rrisnin zënien e sipërfaqeve.

Shqipëria ka mungesë të ndërmarrjeve të mëdha, që do të kishin kapacitet të merrnin sipërfaqe të mëdha zyrash. Sipas të dhënave të fundit të disponueshme të INSTAT, që i përkasin vitit 2015 për Regjistrin Statistikor të Ndërmarrjeve, në Tiranë ka gjithsej rreth 3 mijë ndërmarrje me 10-49 të punësuar dhe rreth 900 biznese, që kanë më shumë se 50 të punësuar. Nga 54 mijë ndërmarrje që janë në kryeqytet, 85% nuk kanë më shumë se 4 punonjës, që në pjesën më të madhe janë biznese tregtimi e shërbimesh, që nuk pritet të kenë nevojë për zyra në qendrat e mëdha./Monitor/

 

Euro në nivelin më të ulët të 10 viteve

$
0
0

Euro ka prekur këtë javë nivelin më të ulët të 10 viteve të fundit duke u këmbyer në tregun shqiptar me 134.5 lekë.

Edhe pse në tregjet ndërkombëtare monedha e përbashkët europiane është forcuar me 2.5%, e ndikuar nga pritshmëritë e sondazheve për zgjedhjen e Macron si president në Francë, në Shqipëri është duke ndodhur efekti i kundërt.

Qarkullimi në sasi të mëdha i euros ka dhënë këtë efekt në kursin e këmbimit që prej tremujorit të fundit të vitit që shkoi, ndërsa vetë banka Qendrore ka nisur hartimin e një plani masash për reduktimin e përdorimit të saj.

Dollari amerikan ka rënë po ashtu me 4 pikë, duke bërë që leku të fitojë terren ndaj të gjitha valutave./Tv Klan/

Kreditë e këqija bien në nivelin më të ulët nga viti 2010

$
0
0

Kreditë e këqija u ulën sërish në prill, duke zbritur në nivelin më të ulët në 7 vite. Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në prill, huatë me probleme në banka ranë në 17.1 për qind, që është shifra më e ulët nga viti 2010.

Sipas Bankës, vetëm gjatë muajit të kaluar kreditë e pakthyera u ulën me 0.6 pikë përqindjeje, ose mbi 20 milionë euro.

Tre vitet e fundit, Banka e Shqipërisë ka udhëhequr zbatimin e një plani kombëtar për uljen e kredive të pakthyera, të cilat në shtator të vitit 2014 arritën gati 25 për qind e totalit. Plani përmban një sërë masash ligjore, përfshirë detyrimin e bankave për të fshirë nga bilanci huatë, të cilat kanë më shumë se 3 vite që nuk shlyhen.

Burime nga Banka e Shqipërisë thonë se, pikërisht ky është edhe shkaku kryesor për uljen e treguesit të kredive me probleme. Në dy vitet e shkuara, bankat private kanë fshirë mbi 300 milionë euro kredi të pakthyera, një tendencë e cila ka vazhduar edhe gjatë muajve të parë të këtij viti.

Megjithatë, fshirja e kredive me probleme nuk nënkupton faljen e tyre. Bankat vazhdojnë përpjekjet për t’i mbledhur ato njësoj si më parë, por me ndryshimin që huatë e fshira nuk raportohen më në treguesin e kredive të këqija.

Paralelisht me fshirjet, gjatë dy viteve të fundit, Banka e Shqipërisë ka ndërmjetësuar edhe ristrukturimin e huave te pakthyera, veçanërisht te kreditorët më të mëdhenj problematik, duke shtyrë afatin e shlyerjes dhe ulur këstet e pagimit.

Çmimet e larta të fluturimeve, Rama: Do kemi linjën tonë ajrore

$
0
0

Pas shumë e shumë ankesave të qytetarëve që fluturojnë nga Rinasi në drejtim të vendeve të tjera dhe anasjelltas, për çmimet e larta të biletave, qeveria ka vendosur të ndërhyjë.

Kryeministri Edi Rama doli në një konferencë për shtyp për të prezantuar planet e qeverisë për një linjë ajrore shqiptare.

Rama tha se shpreson që brenda vitit të realizohet fluturimi i parë.

Rama njoftoi se projekti do realizohet me ndihmën e “Turkish Airlines”.

“Cilësia e transportit ajror të shqiptarëve lë shumë për të dëshiruar. Flas për shërbimin që u jepet njerëzve në shumë drejtime, me një cilësi të ulët dhe kosto të lartë. I jam mirënjohës Presidentit të Turqisë dhe drejtuesit ekzekutiv të “Turkish Airlines”, që po na japin një ndihmë të vyer”, tha Rama.

“Jemi afër realizimit të projektit dhe shpresojmë që këtë vit të nisin fluturimet e para. Kompania e re shqiptare shpresoj që të shërbejë me të njëjtën cilësi si “Turkish Airlines”, edhe pse në madhësi nuk mund të krahasohemi”, shtoi kryeministri.

Rama premtoi: “Ne do i japim shqiptarëve një mundësi të re dhe do të nisim një epokë të re edhe në këtë drejtim”.

Rama foli edhe për ndërtimin e aeroportit në Vlorë, duke thënë se do jetë një vlerë e shtuar.


Balfin blen 49% të aksioneve të distributorit ITD (pjesë e grupit Infosoft)

$
0
0

Grupi më i madh në vend, Balfin, pas interesave në tregti me pakicë, pasuri të paluajtshme, supermarket, bujqësi, veshje, etj., ka hyrë edhe në segmentin e distribucionit të pajisjeve të informatikës (IT).

Muajt e fundit, Balfin ka blerë 49% të kuotave të kompanisë ITD, që ishin të zotëruara nga “Investment Joti – Infosoft Group”.

Transaksioni është regjistruar në dhjetor të vitit të kaluar. Sipas Qendrës Kombëtare të Biznesit, më 28 dhjetor, në kompaninë ITD sh.p.k. është shtuar ortaku “BALFIN”, me përqindje në kapital 49% dhe kontributi në para 36.750.000 lekë dhe kanë ndryshuar të dhënat për “Investment Joti – Infosoft Group” ku vlera e Kontributit nga 66.000.000 lekë u bë 29.250.000 lekë dhe përqindja e kapitalit nga 88% u ul në 39%.

“Çmimi i kuotës në shitje, që do të paguhet nga blerësi, përfaqëson vlerën nominale të kuotës në shitje dhe është 36,750,000 lekë”, thuhet në kontratë, apo rreth 270 mijë euro.

Kuotat e mbetura prej 12% zotërohen nga Rudenc Sina dhe Enkeleida Salillari me nga 6% secili.

IDT sh.p.k. është krijuar në vitin 1996 dhe ka si objekt të aktivitetit tregtim pajisjesh kompjuterike, software dhe hardware dhe pajisje zyrash, si dhe shërbime të tjera. Ai është pjesë e grupit Joti- Infosoft. Për vitin 2016, të ardhurat e kompanisë ishin 2.57 miliardë lekë, apo rreth 19 milionë euro, me një rënie prej 1.3% me bazë vjetore. Fitimi i ITD para tatimit ishte 109 milionë lekë, nga 112 milionë lekë vitin e mëparshëm. Sipas faqes së internetit të grupit Infosoft, ITD ka 20 vite përvojë në distribucionin e produkteve IT. ITD tashmë është distributor i autorizuar i Microsoft, Hewlett- Packard, Cisco, IBM, Lenovo, Epson, Samsung dhe shumë kompanive të mëdha globale.

Balfin Group është grupi më i madh në Shqipëri, me aktivitet në fushën e tregtisë me pakicë, zinxhirit të supermarketeve Spar, pasurive të paluajtshme e turizmit, kromit, veshjeve etj. Për vitin 2015, të ardhurat e grupit në Shqipëri e jashtë ishin rreth 350 milionë euro, ndërsa numëron rreth 3 mijë të punësuar. Tri kompanitë më të mëdha të grupit janë Albchrome, me xhiro rreth 53 milionë euro në vitin 2015, NEPTUN, me të ardhura 42 milionë euro dhe Mane TCI, me xhiro rreth 12 milionë euro.

Aksionerët e “Investment Joti – Infosoft Group” janë Grigor Joti dhe Marjeta Joti me përkatësisht 80 dhe 20% dhe i grupit “Balfin” është Samir Mane me 100% të aksioneve. Mane bleu së fundmi dhe 45% të aksioneve të INSIG JETE./Monitor

Bashkia e Tiranës nis programin e kredive të buta, përfitojnë 1 mijë familje të pastreha

$
0
0

Veliaj: “1 milion dollarë për subvencionimin e kredive të buta, ndihmojmë 1 mijë çifte të reja”

Rreth një mijë familje të reja në Tiranë do të përfitojnë shumë shpejt një kredi të butë. Bashkia e Tiranës nisi sot zbatimin e programit social të strehimit për kreditë e buta për blerjen e një shtëpie, duke marrë përsipër të subvencionojë interesat e tregut bankar.

Programi u prezantua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se kreditë e buta janë një tjetër alternativë që Bashkia e Tiranës ofron për t’i dhënë fund problemit të strehimit në kryeqytet, krahas programeve të tjera që zbaton prej muajsh.

“Nga sot, çdo qytetar i Tiranës që plotëson kriteret, të cilat synojnë kryesisht familje të reja, mund të shkojë pranë njësive administrative dhe të aplikojë për të marrë një kredi të butë të subvencionuar nga Bashkia e Tiranës dhe pastaj kredinë e merr në bankat e nivelit të dytë.  Këtë vit kemi vënë 1 milion dollarë në dispozicion vetëm për amortizimin e kredisë. Në vitin e parë financiar ku kishim një borxh të konsiderueshëm, ishte e pamundur që të fillonim një program të tillë, por në vitin e dytë, sapo Bashkia u sigurua nga ana financiare, menduam që kishte ardhur koha që me të ardhurat tona të fillonim këtë projekt”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë deklaroi se në administratën e mëparshme u abuzua me skemën e subvencionimit të kredisë, ku përfituesit nuk ishin ata qytetarë që realisht kishin nevojë, por zyrtarët e lartë. Ai theksoi se targeti kryesor që do të përfitojnë nga skema e kredive të buta do të jenë kryesisht familjet e reja, por sigurisht që nuk do të përjashtohen edhe familjet e tjera.

“Në kontratën që kemi me bankat e nivelit të dytë, për 1 milion dollarë që vendos bashkia, bankat do të japin nga 50-60 milionë dollarë në total për blerjen e apartamenteve. Për qytetin e Tiranës, për ekonominë tonë, injektimi i 50-60 milionë dollarëve në ekonomi, në tregun e shit-blerjeve, në taksat që paguhen prej kësaj, në rritjen e vlerës së pronës, është i jashtëzakonshëm. Janë vende pune që hapen, është një industri e cila vazhdon e punon”, u shpreh Veliaj.

Ai sqaroi risitë e skemës së subvencionimit të kredive të buta, ndërsa garantoi qytetarët se pavarësisht ndryshimeve në bursë, norma e interesit do të jetë e pandryshueshme.

“Kredia do të jetë e garantuar ndaj luhatjeve të tregut. Kredia do të jetë 3% për 20 vjet dhe çdo interes mbi 3% amortizohet nga Bashkia e Tiranës, e cila sot mund të jetë 2 ose 3 pikë përqindje, por kemi pasur kredi edhe me 7, 10, 12%. Garancia që dikush jep që rregullat e lojës nuk ndryshojnë për 20 vjet, është besoj garancia më e madhe që dikush kërkon kur futet në një marrëdhënie financiare me një bankë ose me Bashkinë e Tiranës. Kjo të jep një garanci për të ardhmen, ku rregullat nuk ndryshojnë dhe çdo luhatje e tregut është diçka që do të përballohet nga Bashkia e Tiranës. Ne jemi të gatshëm ta përballojmë këtë që në vitin tonë të parë”, nënvizoi Veliaj, ndërsa shtoi se në kryeqytet falë investimeve që janë kryer nga ana e Bashkisë së Tiranës është rritur edhe vlera e pronës.

“Çdo investim rrit edhe vlerën e pronës, por kemi ende pjesë të tëra të tëra të Tiranës, si zona e Astirit, e Freskut, zona e Komunës së Parisit, ku ende ka banesa të cilat mund të shfrytëzohen, sigurisht me çmime edhe më ekonomike se sa çmimet që mund të ketë tregu sot. Megjithatë, vendimi përfundimtar për të zgjedhur një banesë është individual, përgjegjësinë financiare e kemi të përbashkët, qytetarët këstet e kredisë, kurse interesat Bashkia e Tiranës deri në 20 vjet, për t’u japim një shans”, tha Veliaj.

Por, përveç kredive të buta, Bashkia e Tiranës ka edhe tre skema të tjera për të mbështetur familjet, të cilat nuk kanë mundësi ekonomike që të sistemohen në një strehë. Kryebashkiaku deklaroi se një prej tyre është edhe Qendra e Emergjencës, ku janë vendosur disa prej familjeve që nuk kanë asnjë mundësi ekonomike.

“Sot qendra në Tufinë është kthyer në një qendër për përballimin e emergjencave. Kemi pasur situata të vështira me të ftohtin, me përmbytjet dhe ka qenë një alternativë për të pastrehët”, tha ai.

Ndërsa, kategoria e dytë është bonusi i qirave, i cili është rikthyer pas një bllokimi nga administrata e mëparshme.

“Për herë të parë rikthyem bonusin e qirave, i cili kishte vite që ishte pezulluar. Bonusi i qerave është një komplementim financiar i dikujt që tashmë e ka një qera, por që ndoshta nuk e paguan dot në çmimet e tregut dhe kjo subvencionohet nga Bashkia e Tiranës”, tha Veliaj.

Një tjetër mundësi për qytetarët janë edhe banesat sociale.

“385 banesa sociale u shpërndanë dhe sot jemi në një fazë ku, jo vetëm kemi mbaruar këto, por po bëjmë edhe njësitë e tjera që i gjithë kampi i barakeve i komunitetit rom, që ishte një situatë totalisht e padenjë në Shkozë, gjithashtu bashkë me 60 banesa të tjera, të komplementohet dhe për herë të parë të zhdukim një fenomen të ndërtimeve të zonave informale, jashtë kushteve të higjienës dhe jashtë infrastrukturës arsimore dhe shëndetësore”, nënvizoi kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Programi Social i Strehimit i kredive të buta parashikon që të ofrojë kredi për afro 1 mijë familje, kryesisht çifte të reja. Ai ofron një mundësi strehimi dhe nëpërmjet tij familjet e deklaruara të pastreha mund të aplikojnë pranë Bashkisë së Tiranës për të përfituar kredi nga banka me interes fiks 3 për qind, për gjatë gjithë viteve të shlyerjes së kredisë.

Bashkia do të vërë fillimisht në dispozicion një fond prej 1 milionë dollarësh dhe do të marrë përsipër subvencionimin e interesave shtesë të kredisë që ofron sot tregu bankar. Që familjet e pastreha të përfitojnë nga ky program duhet të plotësojnë një sërë kriteresh të përcaktuar më parë me vendim të Këshillit Bashkiak.

Inflacioni bie në 1.9%. Ende larg objektivit të BSH

$
0
0

Rritja e çmimeve u ngadalësua për të tretin muaj rresht në prill, duke zbritur sërish poshtë objektivit ligjor të Bankës së Shqipërisë. Instituti i Statistikave raportoi se, muajin e kaluar, inflacioni vjetor shënoi nivelin 1.9 për qind, nga 2.1 për qind që ishte një muaj më parë.

Sipas INSTAT-it, ndikimin kryesor në formimin e inflacionit e kanë dhënë ushqimet. Krahasuar me një vit më parë, çmimet e ushqimeve janë rritur me 3 për qind, ndërkohë që zëri i dytë me ndikimin më të madh ka qenë grupi i transportit. Sipas INSTAT, krahasuar me një vit më parë, kostot e transportit për qytetarët janë rritur me 4.3 për qind.

Por, edhe pse çmimet e ushqimeve dhe transportit janë rritur, kjo nuk ka mjaftuar për ta rikthyer inflacionin rreth nivelit 3 për qind, që është kuota e preferuar për Bankën e Shqipërisë. Në mars, Qeveria rriti pagat për punonjësit e sektorit publik me rreth 10 për qind. Por siç duket, të paktën për prillin, rritja e pagave nuk ka shkaktuar rritje të inflacionit.

Kjo, pasi çmimet e disa artikujve të tjerë, veçanërisht veshjeve dhe kostove të mirëmbajtjes së shtëpisë, janë ulur respektivisht me 2.3 për qind dhe 0.3 për qind, krahasuar me një vit më parë.

Prirja rënëse e treguesit të inflacionit gjatë 3 muajve të fundit mund të rikthejë sërish shqetësimet për Bankën e Shqipërisë. Përgjithësisht, kur çmimet rriten me ritëm të ngadaltë, kjo sinjalizon tërheqje të konsumit në ekonomi. Kjo është arsyeja se, përse Banka preferon një shifër inflacioni rreth 3 për qind, një shifër që gjykohet si e shëndetshme për ekonominë./TCh/

INSTAT: 30% e të rinjve as në punë dhe as në shkollë

$
0
0

Në vitin 2016, të rinjtë e moshës 15-29 vjeç as në punësim e as duke ndjekur shkollën apo ndonjë formim profesional përbëjnë 30,0% të të rinjve gjithsej, raportoi INSTAT në një studim të plotë që i bëri zhvillimeve në tregun e punës për vitin 2016.

Në këtë grup, 39,2% e të rinjve janë të papunë. Pjesa tjetër janë jashtë tregut të punës për arsye se janë të dekurajuar (13,1 %), ose duke përmbushur detyra dhe përgjegjësi familjare (20,0%), ose për arsye të tjera (27,7%).

Duke krahasuar të rinjtë që janë as të punësuar, as në shkollë apo trajnim profesional sipas gjinisë dhe statusit të tyre në tregun e punës, vihet re se meshkujt janë më aktivë në treg sesa femrat (50,6% e meshkujve janë në kërkim të një pune dhe të gatshëm për të punuar, ndërsa te femrat kjo përqindje është 28,4%).

Sipas të dhënave të INSTAT, forca e punës në grupmoshën 15-29 vjeç përbëhet nga 651 mijë persona. Nga të cilët, mbi 31 mijë persona janë vetëm me arsim fillor, 259 mijë me arsim 8-9-vjeçar, 237.2 mijë me arsim të mesëm dhe 124 mijë me arsim të lartë.

Shkalla e papunësie në këtë grupmoshë ra në 28,9%  nga 33,2% që ishte me 2015. Rënia vjen për shkak të reduktimit të forcës së punës për këtë grupmoshë me rreth 40 mijë persona në krahasim me vitin 2015.

Shifrat tregojnë se në grupmoshën 15-29 vjeç, rreth 26 mijë persona janë të dekurajuar, për t’u integruar në tregun e punës.

Shkalla e punësimit në këtë grupmoshë është 32%. Qarqet me punësimin më të lartë të rinjve në vitin 2016 ishin Berati, Elbasani dhe Gjirokastra. Ndërsa qytetet e Lezhës, Kukësit ofruan mundësitë më të paktë për të punësuar të rinjtë e moshës 15-30 vjeç./Monitor

Pronat e krimit, 30 mln USD të sekuestruara vjet

$
0
0

Vlera e pronave, që shteti shqiptar ka sekuestruar nga krimi, arriti në rreth 30 milionë dollarë vitin e kaluar. Drejtori i agjencisë që administron këto prona thotë se, goditja e financave të krimit është forcuar vitet e fundit.

“Janë 54 llogari bankare me një vlerë 1.1 miliardë lekë dhe rreth 89 pasuri të paluajtshme të bllokuara me një vlerë rreth 2.13 miliardë lekë”, tha Artur Kala, drejtor i Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK).

Sipas Kalës, pjesa dërrmuese e pronave të sekuestruara burojnë nga korrupsioni, trafiqet dhe financat e terrorizmit.

“Janë kryesisht pasuri që rrjedhin nga vepra penale që parashikohen në ligjin 10192 ose ligji Antimafia, si dhe ligji 9258 “Për masat kundër financimit të terrorizmit”, shton më tej kreu i AAPSK-së, Artur Kala.

Por ku shkojnë pasuritë që i merren krimit?

“Në daljen e vendimit përfundimtar të konfiskimit ose revokimit nga gjykata, agjencia ndjek të gjitha procedurat e duhura për kalimin e pasurive në favor të shtetit, ose në përdorim për institucionet, ose për organizatat jofitimprurëse që kanë për objekt të tyre trajtimin e viktimave të trafikimit, si dhe në kalimin në pronësi edhe të pushtetit lokal”, deklaroi Kala.

Pak muaj më parë, Parlamenti ndryshoi ligjin Antimafia për ta bërë më të lehtë goditjen financiare të krimit, por agjencia thotë se puna e saj pengohet nga vonesat e gjykatave.

“Një çështje për gjykimin e pasurisë kërkon 2-3 vite dhe kjo është një kohë shumë e gjatë, që i shkakton edhe kosto agjencisë. Shkurtimi i kësaj kohe besoj se do të sillte përmirësimin edhe të punës, edhe të administrimit të agjencisë”, theksoi Artur Kala./TCH/

Viewing all 2663 articles
Browse latest View live