Nga Ludwig von Mises*
Gazeta MAPO vijon botimin e librit “Mentaliteti antikapitalist” të mendimtarit të njohur austriak Ludwig von Mises, të përkthyer nga profesor Adrian Civici. Në këtë pjesë autori flet për lirinë dhe civilizimin perëndimor. Ai thotë se në një sistem kapitalist, çdo njeri është i lirë të kontestojë padrejtësitë dhe interesat e gjithkujt. Ai që mendon se mund ta furnizojë publikun më mirë dhe më lirë se të tjerët, i ka gjithë mundësitë të tentojë ta demonstrojë konkretisht eficiencën e tij. Mungesa e fondeve nuk mund të pengojë projektet e tij.
Asnjë njeri inteligjent nuk mund të mos e kuptojë se socialistët, komunistët dhe mbrojtësit e zjarrtë të planifikimit të centralizuar synojnë dënimin më radikal të lirisë individuale dhe vendosjen e një qeverie të gjithëpushtetshme. Megjithatë, një shumicë e madhe intelektualësh socialistë kanë qenë të bindur se duke luftuar në favor të socializmit, luftonin dhe për lirinë. Ata vetëshpalleshin të majtë dhe demokratë, duke vazhduar të rivendikojnë deri në ditët e sotme, se iu takon plotësisht epiteti “liberal”.
Në kapitujt e mëparshëm janë trajtuar faktorët psikologjikë që dobësojnë dhe çorientojnë gjykimin e këtyre intelektualëve si dhe masave popullore që i ndjekin ata. Por thellë-thellë në ndërgjegjen dhe subkoshiencën e tyre, ata e kuptojnë më së miri faktin se dështimi në arritjen e qëllimeve “të mëdha” që frymëzohen nga ambiciet e zjarrta “socialiste”, burojnë pikërisht nga kufizimet intelektuale dhe dobësitë e tyre. Ata e dinë shumë mirë se nuk janë as aq inteligjentë dhe as aq punëtorë sa duhet. Por, duke mos dashur shfaqjen e injorancës dhe inferioritetit të tyre apo atë të intelektualëve të tjerë të frontit të përbashkët socialist, ata kërkojnë vazhdimisht dhe me dëshpërim një “kokë turku”. Ata qetësojnë ndërgjegjen dhe tentojnë të bindin dhe të tjerët se shkaku i dështimit nuk është inferioriteti i tyre, por janë padrejtësitë e organizimit ekonomik të shoqërisë. Në një sistem kapitalist, deklarojnë ata, realizimi i dëshirave dhe objektivave është i mundur vetëm për një grup të vogël njerëzish. “Në një shoqëri ku sundon modeli laissez-faire, liria ekziston vetëm për ata që janë të pasur apo kanë mundësinë të bëhen të tillë”. Si rrjedhojë e kësaj logjike, arrijnë në konkluzionin se shteti duhet të ndërhyjë për realizimin e “drejtësisë sociale” – pra, e thënë ndryshe dhe në mënyrë më të hapur, shteti duhet të ndërhyjë për të shpërblyer dhe “plotësuar nevojat” e mediokritetit dhe frustrimit të tyre intelektual e social.
Sa më tepër që problematika e socializmit ishte thjesht subjekt debatesh politike, akademike apo intelektuale, njerëzit e paformuar apo pa njohuri të plota në këtë drejtim shndërroheshin shpejt në viktima të iluzionit se socializmi ishte sistemi që kujdesej më shumë për ruajtjen dhe kultivimin e lirisë. Por, një iluzion i tillë u shemb tërësisht kur doli në dritë “eksperienca reale sovjetike” që i dëshmoi gjithë botës se në çfarë kushtesh jetohej në komunitetet socialiste. Në tentativat e sotme të dëshpëruara për mbrojtjen e socializmit dhe përputhshmërisë së tij me nocionin e lirisë, dishepujt e socializmit janë të detyruar të deformojnë faktet dhe të denatyrojnë thelbin dhe përmbajtjen e koncepteve logjike e historike.
Fishekzjarrët e profesor Laskit – që në kohën e tij ishte një nga anëtarët më të rëndësishëm të Partisë laburiste britanike dhe President i saj, domethënë i një partie jo komuniste, në mjaft raste edhe antikomuniste – që mundohej të na bindte se nuk kishte “asnjë dyshim se në Rusinë sovjetike, komunistët kishin një ndjeshmëri totale në favor të lirisë; ndërkohë që, nuk kishte asnjë dyshim se ndjenjat e vërteta të lirisë ishin totalisht të mohuara në Italinë fashiste”. Por, e vërteta është se një sovjetik ishte i lirë vetëm kur iu bindej gjithë urdhrave të eprorëve të tij. Sapo ai devijonte qoftë dhe një centimetër nga e “vërteta zyrtare” e përcaktuar nga autoritetet sovjetike, ai likuidohej pa asnjë mëshirë.
Shumica dërrmuese e politikanëve, funksionarëve, shkrimtarëve, muzikantëve, akademikëve e shkencëtarëve që u “spastruan” nga Partia apo shoqëria sovjetike, është e sigurt që nuk ishin antikomunistë. Në të kundërt, ata ishin komunistë fanatikë, anëtarë të rëndësishëm të partisë, të cilët autoritetet e larta politike e shtetërore, duke njohur besnikërinë dhe bindjet e tyre kundrejt doktrinës dhe parimeve socialiste sovjetike, i kishin promovuar në postet dhe rangjet më të larta. Gabimi apo shkelja e tyre e vetme ishte mungesa e adaptimit të tyre të shpejtë, e mendimeve të tyre të politike, ideologjike, librave apo kompozimeve muzikore, me ritmin e ndryshimeve të ideve dhe shijeve të Stalinit. Vështirë të besohet se këta njerëz kishin një “ndjenjë totale në favor të lirisë”, natyrisht duke e zhveshur kuptimin e emrit “liri” nga interpretime populiste të cekëta e të gabuara që e cungojnë përmbajtjen e vërtetë të saj.
Natyrisht që Italia fashiste ishte një vend ku mungonte liria. Ajo kishte adaptuar modelin e famshëm sovjetik të “parimit të partisë unike” duke zhdukur çdo lloj ideje disidente. Megjithatë, në aplikimin e këtij parimi në praktikë, ekzistonte një diferencë evidente ndërmjet modelit bolshevik dhe atij fashist. Për specifikën italiane dëshmon më së miri shembulli i profesor Antonio Gramshit, anëtar simbol i grupit parlamentar të deputetëve komunistë, i cili mbeti besnik deri në vdekje i idealeve komuniste. Ai përfitonte një pension qeveritar dinjitoz, kishte të drejtë të angazhohej si profesor nderi në universitete të ndryshme, kishte lirinë të shkruante dhe botonte libra me përmbajtje marksiste ortodokse në një nga shtëpitë botuese më të rëndësishme të Italisë etj. Natyrisht që në këtë rast, privimi i tij nga liria ishte shumë më i vogël se rasti i komunistëve rusë të cilët, ashtu si shprehej profesor Laski, kishin “pa dyshim”, “një ndjenjë totale lirie”.
Profesor Laski nuk mërzitej duke përsëritur vazhdimisht banalitete sipas së cilave “në praktikë, liria nënkuptonte të qenit i lirë në kuadrin e zbatimit të ligjit”, duke shtuar se ligji synonte gjithmonë “të garantonte sigurinë për të patur një nivel dhe mënyrë jetese e vlerësuar si e kënaqshme nga drejtuesit e lartë të qeverisë dhe shtetit”. Ky konkluzion do përbënte një përshkrim korrekt të ligjeve në një vend të lirë nëse ai do nënkuptonte faktin se ligji synon mbrojtjen e shoqërisë kundër konspiracioneve që synojnë nxitjen e luftës civile dhe përmbysjen me dhunë të qeverisë demokratike. Por, profesor Laski bën një gabim të rëndë kur, në arsyetimin e tij, nënvizon faktin se në një shoqëri kapitaliste “përpjekjet nga ana e të varfërve për ndryshimin në mënyrë radikale të të drejtave të pronësisë së të pasurve vënë në rrezik evident gjithë ngrehinën e lirive” të shoqërisë.
Të kthehemi dhe njëherë te Karl Marksi, idhulli i profesor Laskit dhe gjithë miqve të tij. Kur, gjatë viteve 1848 dhe 1849, Marksi u angazhua aktivisht në organizimin dhe lëvizjet revolucionare, fillimisht në Prusi dhe më vonë në shtete të tjera gjermane, ai – në aspektin ligjor ishte një qytetar i huaj – u përzu nga Gjermania dhe bashkë me gruan dhe fëmijët u strehua së pari në Paris dhe pastaj në Londër. Kohë më vonë, me vendosjen e paqes dhe aprovimin e amnistisë për pjesëmarrësit në revolucionin e dështuar, Marksi ishte i lirë të rikthehej në gjithë rajonet e Gjermanisë, mundësi që ai e shfrytëzoi shumë herë. Ai nuk konsiderohej më si refugjat duke qenë i lirë të zgjidhte Londrën si vendbanimin e tij.
Askush nuk e pengoi Marksin të themelonte në vitin 1864 “Shoqatën ndërkombëtare të punëtorëve”, organizatë e cila si qëllim të vetëm kishte përgatitjen e revolucionit global botëror. Ai nuk u pengua apo arrestua asnjëherë kur, në emër të organizatës së tij, vizitoi dhe zhvilloi aktivitete në shumë vende europiane. Marksi ishte i lirë të shkruante dhe botonte libra e artikuj të cilët, duke iu referuar fjalëve të profesor Laskit, përbënin një përpjekje të qartë për “modifikimin në mënyrë radikale të të drejtave të pronësisë së të pasurve”. Së fundi, Marksi vdiq i qetë në shtëpinë e tij në Londër, në 41 Maitland Park Road, në 14 mars 1883.
Për çfarë dëshmon shembulli i Partisë laburiste britanike? Përpjekja e saj për “modifikimin në mënyrë radikale të të drejtave të pronësisë së të pasurve”, ndryshe nga sa pretendon profesor Laski, nuk u pengua nga asnjë lloj veprimi që binte ndesh me parimin e lirisë. Në Anglinë viktoriane, disidenti Karl Marks, mund të jetonte, shkruante dhe përgatiste revolucionin në qetësi të plotë, ashtu si dhe Partia laburiste mund të zhvillonte qetësisht çdo lloj aktiviteti politik në Anglinë postviktoriane. Ndërsa, në Rusinë sovjetike nuk tolerohej as kundërshtimi më i vogël i rendit dhe ideologjisë komuniste. Kjo është diferenca ndërmjet lirisë dhe skllavërisë.
- Liria dhe civilizimi perëndimor
Kritikët e konceptit ligjor dhe institucional të lirisë dhe institucioneve të krijuara për zbatimin praktik të tyre kanë të drejtë të konstatojnë se liria, në raport me veprimet arbitrare të funksionarëve, nuk ka mundësi të jetë e plotë për ta bërë një individ të lirë. Por, duke nënvizuar këtë të vërtetë të padiskutueshme, ata humbasin thelbin e argumenteve të tyre. Sepse, asnjë avokat i lirisë nuk ka pretenduar ndonjëherë se kufizimi i arbitraritetit të funksionarëve dhe administratës është veprimi magjik që mund t’i bëjë qytetarët të lirë. Liria e vërtetë e njeriut në kontekstin e jetës shoqërore është funksionimi i ekonomisë së tregut. Liria nuk krijohet dhe garantohet vetëm nga kushtetutat dhe deklaratat për të drejtat e njeriut. Ato nuk bëjnë gjë tjetër veçse mbrojnë lirinë që iu jep sistemi ekonomik konkurrues individëve të lirë kundrejt uzurpimit të pushtetit dhe arbitraritetit të qeverisë dhe policisë.
Në ekonominë e tregut, njerëzit kanë mundësi të përpiqen për të siguruar pozicionin që ata dëshirojnë të zënë në strukturën e ndarjes sociale të punës. Ata janë të lirë të zgjedhin profilin profesional dhe aktivitetin në të cilin mendojnë t’iu shërbejnë të tjerëve. Në një ekonomi të planifikuar ata nuk e disponojnë këtë të drejtë, sepse janë vetëm “autoritetet” ato që vendosin profesionin dhe vendin e punës të çdo individi. Është arbitrariteti i “shefave” ai që mundëson promovimin e individit në poste më të larta apo e pengon atë në ecurinë e karrierës. Individi varet tërësisht nga dashamirësia apo arbitrariteti i pushtetit.
Në një sistem kapitalist, çdo njeri është i lirë të kontestojë padrejtësitë dhe interesat e gjithkujt. Ai që mendon se mund ta furnizojë publikun më mirë dhe më lirë se të tjerët, i ka gjithë mundësitë të tentojë ta demonstrojë konkretisht eficiencën e tij. Mungesa e fondeve nuk mund të pengojë projektet e tij. Sepse kapitalistët janë çdo çast në kërkim të ekspertëve e profesionistëve që dinë t’i përdorin në mënyrën më rentabël fondet e tyre. Rezultati përfundimtar i aktiviteteve industriale të një individi varet tërësisht nga sjellja e konsumatorëve që e blejnë atë, ata e preferojnë dhe e vlerësojnë si më të mirën dhe më të përshtatshmen për nevojat e tyre.
Punëtori apo rrogëtari nuk varet nga arbitrariteti i punëdhënësit të tij. Një sipërmarrës që nuk arrin të punësojë punonjësit më të kualifikuar për aktivitetet që ai zhvillon dhe t’i paguajë ata me një nivel të kënaqshëm pagash që nuk nxisin dëshirën për t’u larguar në një punë tjetër, ndëshkohet me zvogëlimin e vazhdueshëm të të ardhurave neto nga biznesi i tij. Punëdhënësi nuk është bamirës që iu jep favore punonjësve të tij. Për të garantuar suksesin e sipërmarrjes së tij, ai paguan apo “merr me qira” shërbimet e tyre, me të njëjtën logjikë sic vepron për blerjen e lëndëve të para apo makinerive të uzinës. Punonjësit janë të lirë të zgjedhin punët që atyre iu përshtaten më shumë apo që ju plotësojnë më mirë objektivat dhe pritshmëritë e tyre.
Është procesi i seleksionimit social ai që përcakton në mënyrë të vazhdueshme pozicionin e çdo individi në një ekonomi tregu. Pasuritë e mëdha zvogëlohen apo zhduken fare kur individë të tjerë, të lindur të varfër, avancojnë në pozicione të larta dhe fitojnë pasuri të konsiderueshme. Kur nuk ekzistojnë privilegjet dhe kur qeveritë nuk akordojnë mbrojtje apo pozicione monopolistike për të pasurit duke penguar përpjekjet eficiente të të ardhurve të rinj në treg, ata që e kanë fituar pasurinë në të shkuarën janë të detyruar ta rifitojnë çdo ditë atë në kontekstin e një konkurrence të ndershme me të tjerët.
Në kuadrin e kooperimit social dhe ndarjes së punës, të gjithë individët prezent në treg varen nga zgjedhjet dhe vlerësimet që publiku i gjerë iu bën produkteve apo shërbimeve të tyre. Duke blerë apo refuzuar mallra të caktuar konsumatori shndërrohet në një anëtar të gjykatës supreme që i atribuon gjithkujt një vend të caktuar në shoqëri. Çdo njeri luan një rol të caktuar në procesin që iu jep disa individëve të ardhura të larta dhe disa të tjerëve të ardhura më të ulëta. Gjithkush është i lirë të japë një kontribut të cilin individët e tjerë janë gati t’ia kompensojnë duke i ofruar një shpërblim më të lartë.
Në një sistem kapitalist, liria nënkupton të mos varesh nga arbitrariteti i të tjerëve, dhe të tjerët të mos varen nga arbitrariteti yt. Asnjë lloj lirie nuk mund të jetë më e madhe se ajo që krijohet kur prodhimi realizohet në kuadrin e ndarjes së punës dhe mungesës së autarkisë ekonomike.
Nuk është e nevojshme të nënvizohet se argumenti thelbësor që ofrohet në favor të kapitalizmit dhe kundër socializmit, nuk është fakti së socializmi kërkon detyrimisht braktisjen e çdo forme lirie, duke e transformuar shoqërinë në punonjës të nënshtruar dhe individë të pushtetshëm. Socializmi është i parealizueshëm si sistem ekonomik sepse një shoqëri socialiste nuk ka asnjë mundësi të zhvillohet në kuadrin e planifikimit të centralizuar. Pikërisht për këtë fakt, socializmi nuk mund të konsiderohet si një sistem i organizimit ekonomik të shoqërisë. Ai shkakton disintegrim social duke provokuar varfëri dhe kaos.
Duke trajtuar çështjen e lirisë, nuk nënkuptohet vetëm problemi ekonomik esencial i antagonizmit ndërmjet kapitalizmit dhe socializmit, por mbi të gjtha nënvizohet fakti se individi perëndimor, ndryshe nga aziatikët, është një qenie e adaptuar të jetojë në liri dhe formuar nga jeta në liri. Civilizimet kineze, japoneze, indiane dhe vendeve arabe të Lindjes së Mesme, ashtu si ato që ekzistonin përpara se këto kombe të familjarizoheshin me mënyrën perëndimore të jetesës, nuk mund të përkufizohen ndryshe, përveçse si shoqëri barbare.
Shumë shekuj më parë, këta popuj realizuan vepra të mrekullueshme në ndërtime, arkitekturë, letërsi, filozofi dhe zhvillimin e institucioneve edukative. Ata krijuan dhe organizuan perandori të fuqishme. Por, përpjekjet e tyre ndërpriteshin, kulturat e tyre paralizoheshin dhe ata e humbnin aftësinë kur përballeshin pa sukses me problemet ekonomike. Gjenialiteti i tyre intelektual dhe artistik shuhej. Artistët dhe shkrimtarët e tyre kopjonin në mënyrë mekanike modelet tradicionale. Teologët, filozofët dhe juristët orientoheshin vazhdimisht nga dogmat fikse të veprave të lashta. Monumentet e trashëguara nga paraardhësit e tyre shkatërroheshin. Perandoritë e tyre copëtoheshin dhe zhdukeshin. Qytetarët humbnin fuqinë dhe energjinë dhe bëheshin apatikë përballë varfërisë dhe përkeqësimeve të vazhdueshme të gjendjes ekonomiko-sociale.
Veprat e vjetra të filozofisë dhe poezisë orientale janë plotësisht të denja të krahasohen me veprat e mëdha perëndimore. Por, përgjatë shumë shekujve, Lindja nuk prodhoi asnjë vepër të rëndësishme. Historia intelektuale dhe letrare e kohës moderne nuk evidenton emrin e ndonjë autori të famshëm oriental. Lindja nuk ka ndonjë kontribut të dukshëm në përpjekjet intelektuale të njerëzimit. Problemet dhe shqetësimet që trazojnë Perëndimin duken shumë të huaja për botën lindore. Në Europë ka veprim; në Lindje ka stanjacion, apati dhe indiferencë.
Arsyeja për këtë gjendje është e thjeshtë. Në botën lindore mungon një gjë e rëndësishme, ideja e lirisë përballë shtetit. Lindja nuk e ka ngritur kurrë flamurin e lirisë, nuk ka guxuar kurrë të vërë në piedestal të drejtat e individit përballë pushtetit dhe diktaturës. Nuk e ka shtruar asnjëherë në diskutim çështjen e arbitraritetit të despotëve. Dhe për pasojë, nuk ka ndërtuar kurrë një kuadër ligjor që mbron pasurinë private të qytetarëve kundër konfiskimeve arbitrare të tiranëve. Në të kundërt, e mbrujtur me idenë se të ardhurat e të pasurve janë shkaku kryesor i mizerjes së të varfërve, gjithë këta popuj kanë mbështetur praktikat e qeverisjes që konsistojnë në shpronësimin e sipërmarrësve të suksesshëm.
Pasojë e kësaj logjike është bllokimi i akumulimit në shkallë të gjerë të kapitalit, ndërkohë që është e qartë se zhvillimi dhe përmirësimi i jetës së tyre kërkon kapitale dhe investime të konsiderueshme. Asnjë lloj “borgjezie” nuk mund të zhvillohet dhe të bëjë të mundur mbështetjen e shkrimtarëve, artistëve e shkencëtarëve. Të gjitha rrugët për të zhvilluar iniciativën personale, talentet dhe energjitë u mbyllën me përjashtim të njërës: individët, populli mund të tentonin të gjenin një rrugëdalje vetëm duke u vënë në shërbim të princërve, pushtetarëve apo dinjitarëve të lartë.
Shoqëria perëndimore është një komunitet individësh të lirë për të synuar fitime apo shpërblime nga më të lartat. Shoqëria orientale është një aglomerat subjektesh të varura krejtësisht nga vullneti dhe ambiciet e sovranit. Të rinjtë e vendeve perëndimore e shohin botën si një fushë veprimi në të cilën mund të arrihet fama, respekti, nderimi dhe pasuria; asgjë nuk është e pamundur përballë ambicieve të tyre. Individët, familjet dhe klanet lindore nuk dinë të bëjnë gjë tjetër veçse të ndjekin rutinën e mjediseve ku jetojnë.
Besimi i shenjtë që njeriu perëndimor ka te vetvetja ka gjetur shprehje triumfuese në entuziazmin e ditirambeve greke siç është p.sh., “himni për njeriun” i dramaturgut grek Sofokliut të Antigonesë që i kushtohet mrekullisë që quhet njeri dhe përpjekjeve të tij për ta vënë natyrën në shërbim të tij, për të krijuar sa më shumë të mira, sa më shumë zhvillim, apo te madhështia dhe heroizmi i simfonisë së nëntë të Beethoven. Asgjë nga këto nuk është dëgjuar ndonjëherë në botën lindore.
A është e mundur që pasardhësit e themeluesve të civilizimit perëndimor të “njerëzve të bardhë” të heqin dorë nga liria e tyre dhe t’i nënshtrohen vullnetarisht sundimit apo tutelës së qeverive të gjithëpushtetshme? A mund ta kërkojnë ata kënaqësinë dhe plotësimin e dëshirave të tyre në një sistem, qëllimi i vetëm i të cilit është shndërrimi i tyre në detale e vida të një makine të madhe të ndërtuar e drejtuar nga një planifikues i gjithëfuqishëm?
Triumfi i mentalitetit të civilizimeve të prapambetura mund të ndodhë vetëm nëse arrin të përmbysë idealet e lirisë për të cilat janë sakrifikuar me miliona e miliona njerëz. Ruere in servitium, ata u zhytën në skllavëri, konstaton me trishtim historiani dhe senatori romak Publius Cornelius Tacitus teksa iu fliste romakëve të epokës së perandorit Tiberius.
*filozof