Eksportet e mallrave ranë për të shtatin muaj me radhë, duke vazhduar tendencën e nisur që në qershor të vitit të kaluar. Të dhënat e fundit zyrtare nga Instituti i Statistikave tregojnë se, në Janar 2016, kompanitë shqiptare eksportuan 16.3 miliardë lekë mallra, nga 17.7 miliardë që kishin eksportuar në Janarin e 2015-ës.
Rënia është 7.8%. Të dhënat e detajuara tregojnë se, tkurrja e eksporteve vazhdon të udhëhiqet nga grupi minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike.
Sipas Instat, eksportet e këtij grupi ranë me 33% nga 3.6 miliardë lekë që ishin vjet në Janar në 2 miliardë lekë këtë vit.
Pjesa dërrmuese e rënies në këtë grup i dedikohet uljes së eksporteve të naftës. Nafta është një nga zërat kryesore të eksporteve shqiptare.
Por konjuktura e pafavorshme në tregjet ndërkombëtare me rënien drastike të çmimit, është duke e goditur fort këtë industri.
Megjithatë eksporti i lëndëve të para nuk është i vetmi që ka shënuar ecuri negative.
Të dhënat tregojnë se rënie të fortë ka edhe në një grup tjetër, atë të materialeve të ndërtimit. Sipas Instat, eksportet e materialeve të ndërtimit ranë nga 3.1 miliardë lekë vjet në 2 miliardë lekë këtë vit.
Rriten “ushqimet” dhe tekstilet
Eksportet e zërit ushqime, pije dhe duhan kanë vazhduar tendencën pozitive edhe këtë fillim vitit. Sipas Instat në janar eksportet e këtij grupi ishin 1.4 miliardë lekë nga 1.1 miliardë që ishin vitin e kaluar.
Veç ushqimeve, tendencë pozitive ka ruajtur edhe industria e tekstileve. Sipas Instat eksportet e tekstileve dhe këpucëve u rritën me 1 miliardë lekë në janar duke arritur në 8.4 miliardë lekë.
Megjithatë rritja e dy grupeve, fasonit dhe artikujve bujqësor ka qenë e pamjaftueshme për të kompensuar rënien e energjisë dhe materialeve të ndërtimit duke bërë kështu që në total eksportet shqiptare të vazhdojnë tendencën e fortë rënëse me 7.8% krahasuar me vjet.