Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, e ka nisur punën me një lajm të mirë.
Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar miratoi në mbledhjen e tij të djeshme rishikimin e ecurisë së ekonomisë së Shqipërisë në bazë të programit trevjeçar të asistencës nënshkruar me qeverinë shqiptare në shkurt të vitit 2014. Programi parashikon një mbështetje financiare prej 295,42 milion SDR e barabartë me 330.9 milion euro në kohën e nënshkrimit dy vjet më parë, lëvrimi i së cilës është i ndarë në 9 këste.
Me vendimin e mbrëmshëm, bordi i FMN-së i hapi rrugë lëvrimit të këstit të pestë dhe të gjashtë që në total shkojnë afërsisht 72,4 milion euro, duke bërë që shuma e dhënë deri tani të jetë afërisht 226.8 milion euro.
Sipas zëvendësdrejtorit për Menaxhimin, Min Zhu, “rimëkëmbja ekonomike e Shqipërisë është në rrugën e duhur, por rreziqet janë të pranishme”.
Sipas tij autoritetet shqiptare kanë treguar angazhim “të fortë” në zbatimin e marrëveshjes “përfshirë zbatimin e reformave strukturore ambicioze dhe të vështira”.
“Autoritetet duhet të ngulmojnë në programin e tyre të reformave, dhe mbështetur në përparimin domethënës të deritanishëm, të shtyjnë përpara potencialin e rritjes së vendit, duke ruajtur ndërkohë stabilitetin makroekonomik”.
Megjithatë, në media ka pikëpyetje për fluturimet e shumta jashtë vendit të ministrit Ahmetaj.
Sipas të përditshmes Sot, që ka publikuar të dhënat e sistemit TIMS, Ahmetaj ka udhëtuar 132 herë jashtë vendit në vetëm 2 vite.
Nga këto udhëtime, ministri ka fluturuar 17 herë me çarter.
Në total, brenda dy vitesh, Ahmetaj ka zbarkuar në Shqipëri 64 herë, shtatë herë më çarter dhe 57 herë me linja të zakonshme dhe automjet.
Ndërkohë ai ka dalë nga Shqipëria 68 herë, nga këto dhjetë herë më çarter dhe 58 herë me linja të zakonshme dhe automjet.
Vetëm tetorin e vitit të shkuar, ministri është larguar pesë herë jashtë vendit, konkretisht në datat 3, 8, 13, 20 dhe 23.