Elvin Meka i sheh politikat dhe strategjitë e menaxhimit të natyrës dhe problemeve prej katastrofave si politika të sigurisë kombëtare, ndërsa “akuzon” publikun për “qasje anti-natyrë, anti-rregull, anti-standard dhe anti-ligj” që sipas tij ka krijuar kosto për ta dhe është shkak i një sërë problemesh që lidhen me problemet nga moti.
Intervistoi: Erjon Uka
Qeveria ka ulur me 5 herë në buxhetin e këtij viti fondin për emergjencat civile dhe thuajse ka përgjysmuar fondin e kontigjencave. A është një vendim racional në një kohë kur dihen problemet e mëdha me përmbytjet në vend?
Sigurisht që në kushtet specifike në cilat ndodhet Shqipëria dhe dëmet sistematike që i janë bërë natyrës për vite me radhë, dukuri të tilla janë të pashmangshme. Megjithatë, duhet patur në konsideratë fakti se jo çdo gjë mund dhe duhet mbuluar nga buxheti i shtetit dhe ai i emergjencave, jo vetëm për arsye parimore, por dhe për arsye faktike. Kjo pasi buxheti i shtetit shqiptar nuk ka kapacitete reale dhe optimale për të përballuar situata të tilla, në mënyrë të ngjashme me vendet e zhvilluara.
Një zgjidhje e mirë duket ajo e sigurimit në kompanitë e sigurimeve për tokat dhe shtëpitë. Sa efektiv mund të jetë në realitet një veprim i tillë për të dëmshpërblyer të dëmtuarit dhe njëkohësisht të lehtësojë qeverinë nga barra e kësaj kategorie shpenzimesh?
Kjo do të ishte zgjidhja optimale dhe ajo çka ndodh normalisht dhe zakonisht në vendet e tjera, jo vetëm të zhvilluara por dhe pranë Shqipërisë, pra vendet e rajonit. Megjithatë, në Shqipëri, për shumë arsye të natyrës objektive dhe subjektive sigurimi ndaj fatkeqësive natyrore dhe forcave madhore mbetet ende një segment pak ose aspak i zhvilluar i industrisë së sigurimeve. Arsyet objektive lidhen më së shumti me vështirësitë që ekzistojnë lidhur me rregullsinë e titujve të pronësisë dhe ndërtimet informale, ndërkohë që arsyet subjektive duhen kërkuar në nivelin e ulët të kulturës së sigurimeve, jo vetëm të pronës dhe pasurisë, por dhe ndaj aksidenteve dhe jetës, si dhe në mentalitetin e publikut shqiptar në injorimin dhe anashkalimin apo gjykimin si të parëndësishëm të dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore. Patjetër që, nëse ky segment i tregut të sigurimeve do të funksiononte në mënyrë optimale, publiku nuk do të vuante kaq rëndë këto pasoja, ndërkohë që dhe qeveria do të kursehej nga kosto të panevojshme, qofshin këto në aspektin financiar, ashtu dhe në atë politik. Nga ana tjetër, duhet të mbahet në konsideratë dhe fakti se një pjesë e mirë e shkaqeve të këtyre dëmtimeve lidhet për fat të keq dhe me sjelljen dhe qasjen anti-natyrë, anti-rregull, anti-standard dhe anti-ligj të vetë publikut, që krijon kosto jo vetëm për to, por dhe rrit në mënyrë të padrejtë barrën e shpenzimeve në buxheti ne shtetit dhe përdorimin joefikas dhe për qëllime zhvillimi ekonomik të parave të të gjithë taksapaguesve shqiptarë. Thënë më shkurt, të gjithë paguajmë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, kostot e veprimeve të padrejta dhe antiligjore, respektivisht ndaj natyrës dhe shtetit ligjor.
Bujqësia edhe pse mjaft larg të qenit faktori kryesor në ekonominë shqiptare, mbetet një punëdhënës i madh në vend dhe shpesh në mëshirë të motit. Si mendoni se mund të përmirësohet kjo situatë?
Duhet të jetë e qartë se, pa kryerjen e një revolucioni të mirëfilltë në titujt e pronësisë mbi tokën bujqësore dhe pa heqjen dorë nga koncepti i gardhizimit dhe segmentimit ekstrem të tokës dhe fermës bujqësore, nuk mund të shpresojmë për një rregullim apo përmirësim afatgjatë të kësaj situate. Bujqësia edhe në botë është tejet e ekspozuar ndaj fenomeneve dhe fatkeqësive natyrore, kështu që kudo punohet fort për rregullimin e marrëdhënieve të tilla, ku një peshë të madhe zë dhe lidhja e industrisë së sigurimeve me shfrytëzimin efektiv të tokës dhe prodhimin bujqësor. Për më tepër, duhet të theksohet fakti se, pa zbatimin e parimit të zhvillimit të bujqësisë sipas parimit të integrimit në të gjithë zinxhirin e saj të vlerës do të jetë thuajse e pamundur të kemi një lidhje efikase mes bujqësisë dhe industrisë së sigurimeve, çka është vitale për evitimin e dëmeve dhe pasojave të këtyre fenomeneve në bujqësi.
Sipas një raporti të Bankës Botërore, Shqipëria renditet ndër vendet më të rrezikuara për sa i përket fatkeqësive natyrore. A ka ardhur koha që qeveria të hartojë politikat ekonomike duke marrë parasysh ndryshimet klimaterike? Ku duhet të shkojnë më së shumti investimet e qeverisë (në kanale ujitëse, pyllëzim etj) dhe a mund të futen aktorë të tjerë financues në këtë skemë?
Këto nuk janë thjesht politika ekonomike por shtrihen deri te niveli i politikave të sigurisë kombëtare dhe stabilitetit afatgjatë, ekonomik, politik dhe social të vendit. Natyrisht që kërkohen ndërhyrje masive dhe të kushtueshme në të gjitha sistemet dhe impiantet mbrojtëse dhe mbështetëse, që mundësojnë dhe garantojnë evitimin e pasojave të këtyre fenomeneve apo në minimizimin e kostove të tyre. Nisur nga potenciali ekonomik i shtetit shqiptar do të jetë shumë e vështirë që ky i fundit të përballojë i vetëm një faturë të tillë gargantuane. Kjo nënkupton që, duhet rikanalizuar një pjesë e mirë e projekteve të ndihmës dhe bashkëpunimit të huaj drejt këtyre veprave madhore me karakter publik dhe, aty ku është e mundur dhe pa cenuar parimet e tregut dhe konkurrencës së lirë, të shfrytëzohen më së miri partneritetet publik – privat, të cilat gjithsesi janë të lidhur, në një pjesë të mirë, me faktin se sa do të punohet drejt jetësimit të modelit të zhvillimit të bujqësisë së integruar.
* Prof.Asoc.Dr. Elvin Meka, është Zv.Rektor për Procesin Mësimor UET