Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Xhepa: Duhet të shtrihet skema e sigurimeve në bujqësi

$
0
0

selami xhepaShqipëria nuk ka një platformë kombëtare të mbrojtjes nga ndryshimet e klimës apo katastrofat natyrore. Mungesa e saj sipas Selami Xhepës është e ndjeshme në faktin që ndërhyrja vjen kryesisht pasi katastrofat kanë ndodhur dhe pak bëhet për t’i parandaluar ato

Në një vështrim të përgjithshëm, cili është ndikimi i katastrofave natyrore në ekonominë shqiptare?

Fatkeqësisht, katastrofat natyrore kanë vazhduar të jenë gjithnjë e më të shpeshta dhe ndikimet e tyre gjithnjë e më të forta në ekonominë e vendit, e në veçanti me pasoja serioze për gjendjen social-ekonomike të popullatës së prekur prej tyre. Ndryshimet klimatike në shkallë globale, “të ndihmuara” nga shfrytëzimi dhe përdorimi pa kriter i pyjeve, tokës dhe i pasurive natyrore që parandalojnë erozionin e tokës, nga ndërtimet në zona të palejueshme dhe dëmtimi masiv i sistemit të kullimit dhe irrigimit të tokave bujqësore, nga gjendja shumë e dobët teknike dhe mungesa e investimeve të rëndësishme për sistemin e kolektorëve që ndihmojnë në zhvendosjen e ujërave të tepërta në situata përmbytjesh etj., kanë bërë që natyra të na ndëshkojë për sjelljet tona. Vendi ynë renditet ndër vendet me shkallën më të lartë të erozionit të tokës. Prognozat janë gjithashtu pesimiste. Nga një vit në tjetrin, këto katastrofa janë bërë edhe më të shpeshta dhe të kushtueshme. Por më keq akoma, ata që ndikohen më së shumti nga ngjarje të tilla janë familjet me të ardhura të pakta, shtresat në nevojë dhe grupet vulnerabël. Ata rrezikojnë të bien në kufijtë e varfërisë apo dhe varfërisë ekstreme, siç kemi ndjekur dhe përjetuar episode shumë të dhimbshme transmetuar nga mediat. Kur flasim për ndikimin e katastrofave të tilla në ekonomi, nuk bëhet fjalë për shifra dhe kalkulime buxhetore, por më shumë për drama njerëzore dhe ndryshim të fatit të jetesës për grupe të mëdha të popullsisë.

A ka sot Shqipëria një strategji për t’u bërë ballë këtyre kostove në një kohë kur buxheti për emergjencat civile është ulur ndjeshëm për këtë vit?

Edhe pse duke marrë shkas nga ngjarje të tilla, që në vitin 2001 janë krijuar strukturat shtetërore me trajtimin e kësaj problematike, siç është Drejtoria e Emergjencave Civile, konstatohet më dhimbje që kjo strukturë është kryesisht reaktive dhe jo proaktive. Kryesisht ato i përgjigjen situatave emergjente që krijohen, por pa patur një zhvillim dhe qasje strategjike, të integruar dhe me një plan kombëtar. Edhe nga faqja online e kësaj strukture shprehet me transparencë se vendi nuk ka një platformë kombëtare. Nga ana tjetër, mundësitë buxhetore janë mbajtur në minimum, e po ashtu edhe kontigjencat e qeverisë. Madje, këtë vit buxhetor kontigjencat që mund të përdoren nga qeveria për ndërhyrje të këtyre rasteve, janë në gjysmën e atyre të përdorura në vitet e  kaluara. Disa nga masat që po ndërmerren për moratoriumin e pyjeve dhe ndalimin e ndërtimeve jashtë kritereve ligjore, mendoj se do të ndihmojnë në të ardhmen, por edhe në të paktën pesë vitet e ardhshme, efekti i tyre do jetë  e vështirë të ndihet. Nga ana tjetër, qeveria shqiptare ka patur disa projekte donatorësh në fushën e ripyllëzimit pikërisht për të ndihmuar në ruajtjen e tokës, por rezultatet e këtyre projekteve që kanë shpenzuar miliona dollarë nuk janë marrë në analizë për të parë eficiencën e  tyre.

Megjithëse jo me një peshë të madhe në GDP, bujqësia është ndër sektorët me punësimin më të madh dhe është lënë në mëshirën e motit. Si mendoni se mund të përmirësohet kjo situatë?

Padyshim që sektori që i vuan më shumë pasojat e fatkeqësive të tilla është bujqësia. Infrastruktura e bujqësisë – kullimi, vaditja, mbrojtja e tokave të rrezikuara, ripyllëzimi etj., janë masa shumë të rëndësishme. Është shumë pozitive fillimi i projektit të kullimit gjatë këtij viti me fondin prej 25 miliardë lekësh, i cili mendoj se duhet të konsolidohet edhe në vitet që vijnë deri në plotësimin tërësor të rrjetit. Nga ana tjetër, është gjithnjë e më e nevojshme që skemat e sigurimeve të shtrihen në këtë sektor, duke menduar skema inovative financimi, që kombinojnë dhe marrin parasysh sezonalitetin e prodhimit, nga njëra anë, dhe rreziqet natyrore nga ana tjetër. Pra, skema nënkupton katër aktor: bankën – shoqëritë e sigurimeve – fermerin – tregtarin. Mendoj se edhe shteti mund të luajë një rol të rëndësishëm, të paktën në fazën e parë të krijimit të tyre, duke mbuluar kostot e shtuara të policës së sigurimit dhe ndërkohë bankat duhet të ndërtojnë një model financimi që sezonalitetin e reflekton në afatet kohore të kthimit të kredisë. Në kushtet e mungesës së kolateralit të tokës bujqësore, kontrata e shitjes që fermerët mund të lidhin me tregtarët, të konsiderohet si titull financiar dhe të shërbejë si kolateral për kredinë. Teknikalitetet  kanë nevojë të shqyrtohen me kujdes, por them se ka ardhur koha të eksperimentojmë metoda të reja inovative financimi dhe menaxhimi risku në bujqësi.

Në një kohë kur raporti i Bankës Botërore e vendos Shqipërinë në listën e vendeve më të rrezikuara nga fatkeqësitë natyrore, a ka ardhur koha që programet ekonomike të përpilohen në bazë të ndryshimeve klimaterike? Si mund të realizohet kjo?

Fillimisht mendoj se duhen hartuar standarde pune bashkëkohore për punën e strukturave të dedikuara, fuqizimit të tyre me mjetet dhe bazën e nevojshme teknike për t’iu mundësuar plotësimin e misionit që ata kanë. Fondet buxhetore gjithashtu duhen rritur në vijimësi, dhe nëse mbeten rezerva të pashfrytëzuara gjatë një viti, kursimet të kalojnë për reduktim të borxhit publik. Sigurisht që programet ekonomike duhen vlerësuar mbi bazën e analizës së riskut. Çdo projekt investimi, çdo politikë dhe nismë qeveritare duhet të mbajë në konsideratë rreziqet e katastrofave natyrore. Ndoshta tani ka ardhur momenti që të bëhet një vlerësim serioz prej ekspertëve i pasojave të ndryshimeve klimatike, zonave të rrezikuara, kostove financiare dhe sociale, dhe të hartohen plane kontigjence strategjike dhe operative që administrojnë këto eksternalitete negative me kosto sa më të vogla financiare dhe sociale.

* Dr. Selami Xhepa, Zv. Rektor për Shkencën dhe Metodologjinë pranë UET


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663