Flet Prof. asoc. dr Elvin Meka, Zv.dekan & Përgjegjës i Departamentit të Financës, në Fakultetin Ekonomik, në UET
Depozitat bankare nuk mund të jenë alternativa e vetme e investimit të kursimeve të publikut. Kështu, alternativa të tjera mund të jenë investimet në skemat afatgjata të kursimit (fondet e investimeve), të cilat vijojnë të shënojnë rritje të qëndrueshme, si dhe investimet jashtë Shqipërisë, në produkte të tregut të parasë, pronësisë dhe të borxhit, tha për “Monitor”, prof. asoc. dr Elvin Meka, zv.dekan & përgjegjës i Departamentit të Financës në Fakultetin Ekonomik ne UET.
Sipas jush, përveç bankave, cilat janë mundësitë më të mira aktualisht që maksimizojnë fitimet nga investimi i kursimeve pa rrezikuar shumë?
Së pari, duket të jetë e qartë se çdo investues racional do të priret të kërkojë kthimin maksimal, kundrejt marrjes përsipër të një rreziku sa më të vogël. Nga ana tjetër, psikologjikisht, investuesit do të drejtohen drejt instrumenteve që sigurojnë kthimin më të lartë, e në kushte të tilla, edhe investuesit shqiptarë, do të vijojnë të drejtohen drejt alternativave të investimit, brenda dhe jashtë vendit, që sigurojnë një kthim në nivele të tilla.
Më tej, nisur nga formati i zhvillimit të sistemit financiar, modelimi i tregut financiar shqiptar dhe mungesave strukturore që ky i fundit paraqet në produkte dhe segmente të caktuara, alternativat e investimeve të kursimeve të qytetarëve fillojnë dhe bëhen më të kufizuara dhe me një raport më lartë të marrëdhënies rrezik – përfitim. Ndoshta këtu përjashtim bëjnë investimet në letrat me vlerë të qeverisë, të cilat vijojnë të mbeten tepër tërheqëse për të gjithë investuesit, veçanërisht për individët.
Ajo që po bëhet fenomen, më shumë se prirje, është zhvendosja e kursimeve të publikut drejt maturimeve afatgjata, qofshin këto produkte bankare (depozita me maturim fillestar mbi një vit), ose obligacione qeveritare me afate 5, 7 dhe 10 -vjeçare. Megjithatë, duke pasur parasysh programin qeveritar për reduktimin e borxhit publik, alternativat e investimit do të fillojnë të prodhojnë më pak kthim, në raport me nivelet aktuale.
Çfarë këshillash jepni Ju (si njohës edhe i tregjeve financiare jobankare) për individët se çfarë duhet të bëjnë me kursimet e tyre. A është banka alternativa e vetme?
Patjetër që depozitat bankare nuk kanë dhe nuk mund të jenë alternativa e vetme e investimit të kursimeve të publikut. Kështu, alternativa të tjera mund të jenë investimet në skemat afatgjata të kursimit (fondet e investimeve), të cilat vijojnë të shënojnë rritje të qëndrueshme, si dhe investimet jashtë Shqipërisë, në produkte të tregut të parasë, pronësisë dhe të borxhit.
Gjithsesi, duhet të jetë e qartë që këto produkte i ekspozojnë investuesit përballë disa rreziqeve, që për depozitat bankare ose janë tepër minimale, ose nuk ekzistojnë.