Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Banka e Shqipërisë shqyrton idenë e “lehtësimit sasior”

$
0
0

leketPër shkak të ezaurimit të mjeteve konvencionale të politikës monetare, Banka e Shqipërisë po shqyrton mundësinë për “lehtësim sasior”, ekuivalenti modern i prodhimit të parasë shtesë për të rigjeneruar ekonominë, por për momentin kjo mbetet vetëm një ide.

Nga Gjergj Erebara, BIRN

Banka e Shqipërisë ka shqyrtuar gjatë javëve të fundit mundësinë e zbatimit të politikës së debatueshme të “lehtësimit sasior”, e cila konsiston në blerjen e titujve të borxhit me para të re të prodhuar nga BSH. Sipas një burimi të BIRN, në Bankën e Shqipërisë po diskutohen disa lëvizje, përfshirë idenë e stimulimit të kreditimit të një segmenti të caktuar apo krijimit të një linje financimi, por nuk ka asnjë vendimmarrje konkrete.

Pyetur zyrtarisht nga BIRN, Banka e Shqipërisë nuk e hodhi poshtë lajmin por as nuk e konfirmoi atë.

“Banka e Shqipërisë studion në vazhdimësi opsionet e saj dhe ndërton strategjitë e ndërhyrjeve në tregun financiar në përputhje me mandatin dhe kufizimet ligjore, si dhe në funksion të transmetimit sa më efektiv të politikës monetare. Çdo produkt ose mase konkrete, i komunikohet publikut dhe agjenteve të interesuar në kohen e duhur dhe në mënyrë transparente,” deklaroi BSH për BIRN përmes zyrës së shtypit.

Lajmi i raportuar fillimisht nga Vizion Plus, sugjeron se Banka e Shqipërisë po mendon të ndërhyjë në treg duke blerë tituj borxhi, efektivisht duke prodhuar lekë, pasi ndërhyrjet e deritanishme me “instrumentet konvencionale” të politikës monetare nuk kanë ndihmuar shumë në rigjallërimin e kreditimit.

Gjithsesi, një burim nga banka tha se po shqyrton shumë “pengesa ligjore” dhe pikëpyetje të propozimit.

 

“Lehtësim sasior”

Lehtësimi sasior hyri në terminologjinë e bankingut qendror pas krizës ekonomike dhe financiare botërore të vitit 2008. Disa banka qendrore e kanë përdorur atë deri tani, përfshirë Bankën Qendrore Europiane. Gjithsesi, zbatimi i një politike të tillë në Shqipëri është së paku e debatueshme. Lehtësimi sasior nënkupton prodhimin e parave të reja në formë elektronike, dhënien e këtyre parave bankave, në shkëmbim të titujve të borxheve, (psh titujt e borxhit publik) dhe rrjedhimisht, nxitjen e bankave që të japin këto para kredi për bizneset. Diskutimi në BSH është që kjo linjë financimi të shënjestrojë segmentin e biznesit të vogël dhe të mesëm.

Gjithsesi, kjo është një politikë e debatueshme për shkak se automatikisht zhvlerëson monedhën kombëtare. Problemi i zhvlerësimit të monedhës nuk është aq i rëndë për zonën Euro apo për Shtetet e Bashkuara, por për vende të vogla si Shqipëria, e cila ka detyrime në valutë të fortë, nuk është e qartë nëse një ndërhyrje e tillë do të sjellë më shumë të mira apo më shumë të këqija.

 

Modeli hungarez

Burime nga BSH thanë se një nga temat e diskutuara është i ashtuquajturi “modeli hungarez” i vënë në punë nga Banka Qendrore e Hungarisë këtë vit. Modeli hungarez, sipas një lajmi të Reuters, synon të përdorë fondet e bankës qendrore për të nxitur bankat të kreditojnë më shumë korporatat si dhe të blejnë më shumë borxh vendës të qeverisë hungareze për të reduktuar varësinë e qeverisë nga financimet e huaja.

 

Precedenti 2009

Shqipëria ndërmori një politikë të ngjashme në vitin 2009, kur Banka e Shqipërisë akordoi kredi afatshkurtra për bankat, të cilat, nga ana e tyre, i përdorën këto para në një pjesë të madhe për të blerë bono thesari të qeverisë. Ligjshmëria e një mase të tillë qe e dyshimtë pasi në mënyrë indirekte, Banka e Shqipërisë financoi shpenzimet e qeverisë, e cila në atë kohë qe angazhuar në projekte ndërtimi rrugësh, ndërkohë që nuk kishte para. Si pasojë e kësaj politike, leku shqiptar u zhvlerësua nga kuota 122 lekë për euro që qe para vitit 2009 në 140 lekë që është aktualisht.

 

Problemi me kreditimin

Përgjatë dy viteve të fundit, plani i qeverisë, i Bankës së Shqipërisë dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar ka konsistuar në marrjen e masave për të reduktuar kreditë e këqija që kanë bizneset te bankat dhe rrjedhimisht, për të rritur kreditimin për bizneset. Tre qenë masat kryesore të planifikuara për t’u ndërmarrë: shlyerja e detyrimeve të prapambetura të qeverisë ndaj bizneseve, të cilat, supozohej se kishin shkaktuar një pjesë të kredive të këqija, lehtësimi fiskal i bankave në rastet e fshirjes nga bilanci të kredive të këqija dhe lehtësimi i mëtejshëm i procedurave për ekzekutimin e kolateralit të kredive të këqija. Të tre masat e ndërmarra nuk sollën ndryshim real. Dy vjet më vonë, kreditë e këqija vijojnë të mbeten në mbi 20 për qind të totalit të kredive ndërsa vetëm vitin e kaluar, Banka Botërore dhe qeveria shqiptare zbuloi se në fakt, janë gjithsej rreth 30 korporata të mëdha, të cilat janë përgjegjëse për shumicën e kredive të këqija në vend. Për të zgjidhur problemin e këtyre korporatave, u propozua që një ligj i ri falimenti të krijonte kushtet për të ristrukturuar nën mbikëqyrjen e Bankës Botërore, një pjesë të korporatave të cilat vlerësohet se kanë vlerë reale si dhe për të falimentuar dhe likuiduar pjesën tjetër.

Aktualisht, projektligji i falimentit ka mbetur në letër i pamiratuar për arsye të panjohura, ndërsa rezistenca nga grupet e biznesit që rrezikojnë ristrukturim apo falimentim raportohet se është e lartë. Disa nga këto grupe kanë ndikim në media dhe politikë.

Ndërkohë, paralelisht me këto plane, Banka e Shqipërisë e ka ulur interesin bazë në 1.75 për qind, nga 3 për qind që qe në fund të vitit 2013. Interesat e kredive të dhëna nga bankat janë ulur në mënyrë të vazhdueshme duke arritur aktualisht në nivelet më të ulëta historike. Megjithatë, kreditimi vijon të mos rritet.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663