Të ardhurat nga tatimet e doganat janë rritur me 1.7% me bazë vjetore për 11-mujorin, duke qenë me rritje reale negative prej rreth 2.5% (minus rritjen ekonomike dhe inflacionin)…
Të ardhurat buxhetore për periudhën janar-nëntor 2015 ishin 343.4 miliardë lekë, sipas statistikave zyrtare të Ministrisë së Financave, duke shënuar një rritje prej 4.3% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Megjithatë, rritja reale është zero, duke pasur parasysh se inflacioni është rreth 2% dhe rritja ekonomike e pritshme mes 2.3-2.5%.
Në raport me planin e rishikuar në mes të vitit, Financave u mungojnë 15 miliardë lekë.
Në krahasim me planin fillestar, buxhetit të shtetit i “mungojnë” rreth 30 miliardë lekë.
Kujtojmë se buxheti u rishikua në ulje në fund të muajit gusht, si rrjedhojë e performancës së dobët të të ardhurave, duke e kthyer në “pikën zero” në raport me planin dhe mosrealizimi prej 15 miliardë lekësh ka ardhur vetëm për periudhën shtator-nëntor.
Nga 15 miliardë lekë, që është mosrealizimi i planit për 11-mujorin, 10.6 miliardë lekë është nga të ardhurat tatimore e doganore dhe pjesa tjetër nga të ardhurat jotatimore.
Të ardhurat nga tatimet e doganat janë rritur me 1.7% me bazë vjetore për 11-mujorin, duke qenë me rritje reale negative prej rreth 2.5% (minus rritjen ekonomike dhe inflacionin).
TVSH, zëri kryesor i të ardhurave në buxhet dhe një tregues direkt i qarkullimit në ekonomi, shënoi një rënie prej 0.1% në raport me 11 mujorin 2014 dhe ishte 4.4 miliardë lekë më pak se plani.
Rënia e importeve të disa mallrave (si energjia, cigaret), ulja e çmimit të karburanteve, janë disa nga arsyet e kësaj tendence.
Të ardhurat nga tatim-fitimi u rritën me 12.8% në 21.8 miliardë lekë, duke qenë zëri që është më afër planit.
Akciza vijon me ecurinë negative, duke rënë me 5.3% me bazë vjetore, në rreth 36 miliardë lekë.
Ky është zëri i dytë me mosrealizimin më të lartë në raport e planin, -4 miliardë lekë.
Rënia e importeve të cigareve është raportuar si arsyeja kryesore e kësaj tendence negative.
Ndonëse konsumi nuk vlerësohet në rënie, zhvendosja drejt duhanit vendas dhe rritja e kontrabandës janë arsyet kryesore të kësaj ecurie.
Tatimi mbi të ardhurat personale është rritur 7.8% në raport me janar-nëntor 2014, por sërish është me një mosrealizim prej gati 2 miliardë lekësh në raport me planin. Ndonëse tatimi mbi të ardhurat personale u rrit në janar në këtij viti nga 10 në 15%, faktorë të tjerë kanë ndikuar në kahun e kundërt, si psh ulja e normave të interesit në banka.
Taksat nacionale dhe të tjera janë rritur me 6%, duke qenë më afër planit. Ky zë ka performuar më mirë muajt e fundit, ndonëse renta, që ka peshën kryesore, është në rënie, për shkak të uljes së çmimeve të naftës.
Taksat nacionale përfshijnë dhe elemente të tjerë si gjobat, që duket se i kanë dhënë hov këtij zëri.
Të ardhurat nga pushteti vendor ranë me 6%, ku efektin kryesor e ka pasur taksa lokale, që ka performuar dobët me ndërrimin e kryetarëve të bashkive dhe kalimin drejt ndarjes së re territoriale.
Të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore janë zëri me ecurinë më të mirë, si në raport me vitin e kaluar, ashtu dhe planin, duke u rritur përkatësisht me 8% dhe 11%.
Hyrja neto në skemë e rreth 80 mijë të punësuarve, në kuadër të aksionit anti-informalitet, duket se ka dhënë rezultat pozitiv në këtë zë.
Të ardhurat jotatimore, ndonëse kanë shënuar një rritje të kënaqshme në raport me janar-nëntor 2014, (duke ndikuar në 33% të rritjes së të hyrave në total në vlerë absolute për shkak të të arhdurave nga licencat e kompanive celulare në pjesën e parë të vitit), sërish janë 3.5 miliardë lekë më pak se plani.
Dobët edhe dhjetori
Pritet që edhe dhjetori, duke pasur parasysh ecurinë në gjysmën e parë të muajit, të ketë një mosrealizim prej 6 miliardë lekësh, bazuar në parashikimet e shitjeve dhe porosive, ku më dobët deri tani kanë qenë kontributet./Monitor