Për vitet 2016-2017, hapësirat për huamarrje të brendshme do të vijnë duke u ulur në nivelin rreth 10 miliardë lekë, ç’ka nënkupton më pak mundësi për bankat që të financojnë borxhin e qeverisë, duke i “detyruar” ato drejt huadhënies.
Në këtë kontekst dhe për të siguruar qëndrueshmërinë e borxhit në aspektin afatgjatë, Ministria e Financave bën me dije në një analizë të posaçme se hapësira për nënshkrimin e huave të reja me kreditorë të huaj është tepër e kufizuar dhe praktikisht përbën një risk real për uljen e nivelit të borxhit publik. Nisur nga objektivi i uljes së stokut ekspertët në Ministrinë e Financave vënë në dukje se:
– Hapësirat e huamarrjes në tërësi vijnë duke u ulur në harkun kohor 2015-2017 dhe arrijnë nivele tepër të ulëta në periudhën afatgjatë 2018-2020.
– Hapësira për huamarrjen e jashtme, e cila është në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara dhe ato në vijim, qëndron relativisht e lartë në periudhën 2014-2016.
– Hapësirat për huamarrje të brendshme ulen ndjeshëm duke ndikuar në këtë mënyrë në më pak burime për financimin e investimeve të brendshme.
Ministria e Financave sugjeron përfshirjen në kuadrin makro të treguesve të borxhit të jashtëm për të gjithë ekonominë (duke përfshirë edhe Sektorin Energjetik), si dhe vlerësimin e angazhimeve të financimeve të projekteve të huaja për një huamarrje të huaj të kujdesshme dhe brenda parametrave të vendosura për këtë qëllim. Trendi i borxhit po ndjek ketë ecuri, pasi qeveria emetoi në këtë fundvit një eurobond 450 milionë euro./Monitor/