Dështohet sërish në realizimin e planit buxhetor. Në 10 muaj, 10.9 miliard lekë më pak sipas buxhetit të rishikuar të 2015. Lëvizje masive në dogana, pezullohen 18 drejtues
Mosrealizimi në vijim i të ardhurave në buxhet solli dje reagimin e ashpër të qeverisë, që ka pezulluar dhe shkarkuar 21 persona në dogana. Lëvizjet në dogana filluan menjëherë pasi Ministria e Financave njoftoi një mosrealizim prej 10.9 miliardë lekësh, më të ulët se plani. Përmes një njoftimi për shtyp, Ministria e Financave tha se për 10-mujorin u mblodhën 311.2 miliardë lekë të ardhura nga 322.1 miliardë që ishin planifikuar.
Ministria thotë se shkaqet e këtij mosrealizimi janë të lidhura me faktorë të jashtëm. Më konkretisht, sipas saj, ndër shkaqet kryesore janë çmimet e ulëta të naftës, rënia e importeve të energjisë dhe rritja e importeve të mallrave të përjashtuara nga TVSH-ja, si makineritë dhe pajisjet.
Veç këtyre, një tjetër shkak, sipas ministrisë, janë normat e ulëta të interesave. Ndërkohë, në nivel institucionesh pjesa dërrmuese e mosrealizimeve vijnë nga doganat, ndërsa tatimet e kanë realizuar planin mbi 99.8 për qind.
Me gjithë rishikimin e buxhetit, asnjë nga dy institucionet nuk ka mundur të realizojë parashikimet e qeverisë.
Fakti që doganat kanë dështuar sërish të realizojnë planin, duket se ka qenë arsyeja kryesore e masave në dogana. 15 drejtues të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe 3 kryetarë degësh janë pezulluar nga detyra për shkak të performancës së dobët në ushtrimin e detyrës.
Drejtoria e Doganave bëri me dije se 15 drejtorë të Drejtorive të Zyrës së Përgjithshme janë pezulluar, ndërsa e njëjta masë është marrë edhe për kryetarët e drejtorive të doganave Fier, Sarandë dhe Vlorë. Burimet thonë se në vend të tyre janë komanduar drejtues të rinj, të cilët do të qëndrojnë në këto poste në pritje të vendimit të Komisionit Disiplinor.
Pezullimet janë bërë pas analizës së realizuar në këtë institucion pak ditë më parë dhe pas vizitës së papritur të kryeministrit Edi Rama, i cili paralajmëroi se cilido drejtues që ka performancë të ulët do të lërë karrigen. Pezullimet e 18 drejtuesve të lartë po ashtu vijnë vetëm pak orë pas publikimit të treguesve fiskalë për 10- mujorin që lamë pas, ku regjistrohet thellim i mosrealizimit të të ardhurave nga Drejtoria e Doganave. Doganat kanë krijuar kështu gropën më të madhe në buxhet dhe zërat kryesorë me ndikim janë akciza, renta minerare dhe TVSH-ja në import.
Ndërkohë të dhënat paraprake të Ministrisë së Financave, të cilat u publikuan me më shumë se dy javë vonesë për arsye të pashpjeguara, tregojnë se gjatë muajit tetor qeveria arkëtoi 31.6 miliardë lekë të ardhura, plot 4.5 miliardë lekë më pak se sa plani i rishikuar i këtij muaji, i cili qe 36.2 miliardë lekë. Por njëkohësisht, gjatë tetorit të këtij viti qeveria arkëtoi 886 milionë lekë më pak sesa tetori i vitit 2014.
Opozita: Buxheti tregon rënie ekonomike. Qeveria: Ulim borxhin
Debatet për buxhetin ishin të forta në Komisionin parlamentar të Ekonomisë. Opozita e cilësoi si të paprecedentë tkurrjen e shpenzimeve krahasuar me këtë vit, por mazhoranca thotë se kjo ka një arsye të fortë, uljen drastike të huamarrjes nga qeveria. Deputeti i Partisë Demokratike, Sherefedin Shehu tha se “vitin e ardhshëm shpenzimet e buxhetit do të jenë 4 miliardë lekë më të ulëta se këtë vit. Nga ana tjetër pretendohet se ka rritje ekonomike”.
Ndërsa Erion Braçe, kryetar i komisionit parlamentar të Ekonomisë u shpreh se “është viti i parë që ne marrim borxh më pak se çdo vit pararendës”. Për vitin 2016, deficiti buxhetor është parashikuar sa 34 miliardë lekë ose 2.2% e prodhimit kombëtar. “Pra, i gjithë korpusi i ligjeve financiare, për herë të parë pas kaq vitesh, vjen në parlament me ulje. E gjitha ndodh në kushtet kur të ardhurat janë planifikuar me rritje”, – tha Braçe. Ndërkohë deputetja e PD-së, Jorida Tabaku deklaroi se “i vetmi lajm i mirë i këtij buxheti është se nuk i rrit taksat shumë, po për të rritur, taksat rriten”.
Debate të forta ka pasur edhe për transfertat sociale, përmes së cilave qeveria ndihmon shtresat në nevojë. “Në lidhje me shpenzimet për ndihmën ekonomike, parashikohen 20.5 miliardë lekë, por mos harroni që ne kemi pastruar listat nga ata që janë futur nga ish-qeveria për arsye politike”, – tha ministri i Financave, Shkëlqim Cani. Shehu ndërkaq tha se “ju thoni se po pastroni listat e ndihmës ekonomike dhe këtë e bëni vetëm për të justifikuar uljen e buxhetit social. Ai në fakt është buxhet lëmoshe. Buxheti social është më i ulët sesa ai i këtij viti”.
Në fakt, mazhoranca ka qenë mes dy zjarreve, pasi përveç kritikave të opozitës i është dashur t’iu përgjigjet edhe atyre që vijnë nga brenda saj. Erion Braçe ka nënvizuar faktin se vitin e ardhshëm huamarrja e qeverisë është 2.2% e prodhimit kombëtar, ndërsa investimet 6%. “Nuk po marrim borxh për të paguar paga e pensione, por vetëm për investime”, – theksoi Braçe.
Buxheti i vitit 2016 është i pari që zbaton reformën e re territoriale, duke transferuar tek pushteti vendor një sërë shërbimesh dhe funksionesh publike.