Sorin Juganaru i JTI: Nga sondazhet më të fundit vihet re që ka një rritje të kontrabandës vitin e fundit, por problemi më i madh mbetet informaliteti në tregun e brendshëm, me duhanin e grirë. Qeveria humb 20-30 milionë euro në vit nga informaliteti dhe kontrabanda në këtë sektor…
Nga vëzhgimi i përvitshëm që shpërndarësit zyrtarë të cigareve kanë kryer për tregun e duhanit në Shqipëri ka rezultuar se së fundmi ka një rritje të futjes së cigareve kontrabandë në vend.
Gjetjet bëhen të ditura për Monitor.al në një intervistë të Sorin Juganaru, drejtor marketing dhe shitjesh për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë i JTI (Japan Tabacco International). “Ky studim bëhet një herë në vit dhe mund të krahasohen të dhënat paraprake, por rezulton që ka një rritje të importeve të cigareve kontrabandë (pa pullë fiskale)”, thotë Juganaru.
Sipas tij, arsyeja kryesore e kësaj tendence lidhet me rritjen e çmimit të cigareve, pas shtrenjtimit të vazhdueshëm të akcizës. “Sa më i lartë çmimi, aq më e vështirë bëhet për konsumatorët ta përballojnë atë dhe aq më shumë do të shikojnë për alternativa të tjera dhe ata që kontrabandojnë gjejnë më shumë hapësira”.
Megjithatë, Sorin pohon se qeveria ka ndërmarrë së fundmi veprime të rëndësishme për të luftuar kontrabandën.
“Nëse qeveria do të vazhdojë këtë luftë dhe duke qenë se akciza nuk do të rritet në 2016-n, edhe ne jemi në të njëjtën linjë me pritshmëritë e qeverisë, që trendi rënës i importeve të cigareve do të frenohet në 2016 dhe do të shohim rritje të tyre”,- thotë menaxheri vendor i JTI.
Sipas tij, importet e cigareve në total u reduktuan me 20% në 2014 dhe tendenca rënësë ka vijuar dhe në 2015-n, me tkurrje prej 11%.
Megjithatë, z.Jugaranu pohon se problemi kryesor për tregun shqiptar mbetet informaliteti i lartë në tregun e brendshëm, me prodhimin e duhanit të grirë, që zë një peshë shumë më të lartë në raport me kontrabandën e cigareve.
Prodhimi i duhanit nga fermerët është rritur, ndërkohë që ka vetëm një kompani grumbulluese, që nuk ka kapacitet të mbledhë gjithë prodhimin. Kjo ka bërë që fermerëve t’u mbetet prodhimi dhe normalisht që ata duan të nxjerrin investimin e tyre. “Qeveria po punon për të rregulluar tregun, në mënyrë që ai të jetë i fiskalizuar dhe ne jemi gati ta mbështesim me ekspertizë”,- thotë Jugaranu.
Ai pohon se nuk ka të dhëna të sakta lidhur me peshën që zë duhani i dredhur, por në bazë të llogaritjeve indirekte nga konsumi i fijeve të cigareve (që sipas studimeve ka mbetur fiks) dhe të dhënave të importeve, vlerësohe që pesha e duhanit të dredhur ka arritur në 20%, nga rreth 15% që ishte më parë.
Rritja e vazhdueshme e akcizës ka çuar në shtrenjtimin e çmimeve dhe kjo ka bërë që konsumatori të kërkojë zgjidhje të tjera, duke iu drejtuar duhanit të dredhur.
Ai pohon se të gjithë kompanitë e tregut po përballen me shqetësime të njëjta, teksa tregu zyrtar i cigareve është tkurrur gjatë dy viteve të fundit.
Vlerësohet që qeveria humb 20-30 milionë euro në vit nga informaliteti dhe kontrabanda në këtë sektor, që shteti nuk arrin të mbledhë përmes TVSH-së dhe akcizës.
Kjo për faktin se duhani i dredhur është tërësisht jashtë taksimit. “Në mendimin tonë, nuk ka shumë kontabandë nga jashtë që hyn në doganë, por po flasim për konsum alternativ të duhanit të dredhur, që po bëhet zgjidhje për konsumatorët për shkak të çmimeve të larta të duhanit të gatshëm”,- thotë Jugaranu.
“Ne kemi arsye të besojmë që doganat dhe institucionet e tjera po bëjnë punë të mirë në luftën ndaj tregjeve ilegale. Vlerësojmë dhe përpjekjet e qeverisë për të luftuar informalitetin. Nëse këto përpjekje do të vazhdojnë dhe në vitet në vijim, kjo do të sjellë rezultate pozitive për bizneset, sidomos industrinë e duhanit”.
Shqipëria, çmime të të larta të duhanit në raport me përballueshmërinë
Z.Jugaranu pohon se ndonëse në vlerë absolute çmimet e një pakete në Shqipëri janë më të ulëta se në vende të tjera të Europës, në raport me përballueshmërinë, ato janë ndër më të shtrenjtat.
Përballueshmëria, që matet si raport i çmimit të një pakete me mesataren e të ardhurave ditore është 16% për Shqipërinë, ndërsa në vendet e Europës është mesatarisht 11%. “Kalendari paraprak i rritjes së akcizës nuk u respektua dhe u zbatua më shpejt sesa duhej, duke u dyfishuar”. Z.Jugaranu shton se plani për rritjen e akcizës duhet të bashkërendohet me situatën rajonale.
Një tjetër problem i shpërndarësve zyrtarë të cigareve në Shqipëri është fakti që ata e paguajnë TVSH-në bazuar në çmimet e referencës në doganë dhe jo në atë të faturës (çmimet referencës janë më të larta se të faturës, që jepet nga prodhuesi perëndimor), çka ka bërë që të paguajnë më shumë TVSH. Në kontrast, tatimet njohin TVSH-në në bazë të faturës së mallit, duke u lënë të drejtën kompanive të kërkojnë rimbursimin e TVSH-së së paguar tepër. Kjo ka bërë që kompanitë të jenë në procese gjyqësore për rimbursimin e TVSH-së, që nuk u është kthyer akoma./Monitor/