Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Rritet sigurimi i makinave, vendoset taksa mbi truallin

$
0
0

rama cani ahmetajBuxheti parashikon një tatim me 10 për qind për primin e sigurimit që prek më shumë tregun e makinave, ndërsa vendoset si kufi rroga maksimale për kontributet shoqërore të profesioneve të lira. Nga janari, tatim mbi pronën dhe tarifë fikse për hotelerinë

Paketa e re fiskale pritet të ndryshojë me rritje të disa prej taksave në vend. Ligji i parë që ndryshon është ai i akcizës, i cili rrit taksat për prodhuesit vendas të birrës dhe i ul ato për birrën e importit. Sipas draftit për birrën e vendit, akciza rritet nga 360 lekë për hektolitër, që është tani, në 400 lekë për hektolitër. Në të njëjtën kohë, për birrën e importit, akciza ulet nga 710 lekë për hektolitër në 600 lekë. Taksa e dytë që rritet është ajo që vendoset mbi primin e sigurimeve. Aktualisht, mbi çdo policë sigurimi ka një taksë prej 3% e çmimit bruto. Nga 1 janari i vitit të ardhshëm, qeveria propozon që kjo taksë të bëhet 10%. Ndërkohë, për herë të parë vitin e ardhshëm do të futen në taksim edhe trojet, taksat e së cilave do të variojnë nga 1400 lekë për hektar në zonat e thella të vendit, deri në 5600 lekë në bashkitë e kategorisë së parë si Tirana apo Durrësi.

Një tjetër taksë që rritet është ajo e kontributeve që paguhen nga të vetëpunësuarit e profesioneve të lira, të cilat nga 1 janari do të llogariten mbi pagën maksimale dhe jo si tani që llogariten mbi dyfishin e pagës minimale. Kjo masë prek avokatët, mjekët, noterët, kontabilistët dhe stomatologët e vetëpunësuar. Sipas ministrisë, aktualisht sistemi i kontributeve për këto profesione është i deformuar, pasi një mjek që punon në biznesin e tij si i punësuar paguan tri herë më pak sesa një mjek që është i punësuar në një biznes privat ose në shtet. Me ndryshimet e reja që hyjnë në fuqi nga 1 janari, kontributi për profesionet e lira rritet deri në 3 herë, nga 6500 lekë aktualisht, në 22 mijë lekë vitin tjetër. Nga janari vendoset edhe taksa e re mbi truallin, e ndarë në katër kategorizime sipas rretheve, që nis nga 1400 lekë/ha deri në 5600 lekë/ha. Ndryshim taksash pëson edhe ligji “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”. Për profesionet e lira si, avokat, noterë, mjekë, ekonomistë, inxhinierë, farmacistë, do të paguajnë kontributet si të vetëpunësuar në bazë të pagës maksimale, e cila është 97 mijë lekë të reja. Këto profesione, deri tani kanë paguar kontribute mbi pagën minimale prej 22 mijë lekë. Nga 1 janari  i vitit të ardhshëm, për bizneset e vogla me xhiro deri në 5 milionë lekë, tatimi do të zerohet. Veç kësaj, një tjetër taksë me efekt pozitiv në buxhet është ajo e fjetjes në hotel, e cila nga viti tjetër do të jetë 140 lekë për çdo natë. Po kështu pritet që në 2016-ën të ndryshojë edhe renta mbi mineralet jometalike, e cila nga përqindje mbi çmimin do të bëhet fikse. Veç këtyre, nga 1 janari qeveria ka propozuar edhe një taksë të re prej 21 mijë lekësh në vit, që do të vendoset mbi makinat me fuqi motorike më të madhe se 3 mijë kubikë. Këto janë taksat që rriten.

Por paralelisht qeveria ka propozuar dhe një masë, e cila lehtëson një numër të madh biznesesh. Kjo është heqja e taksës për bizneset me xhiro deri në 5 milionë lekë dhe ulja e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për bizneset me xhiro nga 5 në 8 milionë lekë. Një masë kjo që prek rreth 100 mijë ndërmarrje. Në total, ndryshimet e propozuara e rrisin presionin fiskal në ekonomi. Ndonëse heqja e taksës për biznesin e vogël e lehtëson atë me 1.3 miliardë lekë në vit, ndryshimet e taksave të tjera e rrisin barrën me 3.1 miliardë lekë shtesë. Kjo do të thotë se rritja neto e barrës fiskale për vitin e ardhshëm do të jetë afro 1.8 miliardë lekë, që gjithsesi mbetet gati e papërfillshme.

 

Buxheti, më pak para për arsimin dhe më shumë për shëndetësinë

Të dhënat zyrtare të buxhetit tregojnë se trajtimi i dy sektorëve më prioritarë të ekonomisë, arsimi dhe shëndetësia, do të jetë i ndryshëm vitin që vjen. Sipas tabelave të buxhetit, rezulton se ndërsa fondet për arsimin ulen, ato për shëndetësinë rriten krahasuar me këtë vit. Më konkretisht, sipas të dhënave zyrtare, fondet publike për sektorin e arsimit vitin e ardhshëm do të ulen me 6.3 për qind. Të shprehura si raport ndaj prodhimit kombëtar, fondet publike për arsimin ulen nga 2.7 për qind e GDP-së këtë vit, në 2.46 për qind vitin e ardhshëm.

Sektori tjetër prioritar, ai i shëndetësisë, duket se është mbrojtur më mirë. Për shëndetësinë fondet jo vetëm që nuk ulen, por do të rriten si në vlerë, ashtu dhe në raport me prodhimin kombëtar. Sipas të dhënave, mbështetja publike për shëndetësinë rritet vitin tjetër në 42.87 miliardë lekë, nga 40.98 miliardë që është këtë vit. Pavarësisht këtyre shifrave, dy sektorët prioritarë të ekonomisë, si shëndetësia ashtu dhe arsimi mbeten të nënfinancuar nga sektori publik. Top Channel u referohet të dhënave zyrtare të Bankës Botërore, sipas së cilave, në vitin 2013 shpenzimet publike për shëndetësinë në Shqipëri ishin 2.8%, më të ulëtat në rajon, kur në vendet e tjera ato luhaten nga 4.4 në 6.7 për qind. E njëjta situatë është edhe me arsimin, kur fondet nga sektori publik në raport me prodhimin kombëtar mbeten më të ulëtat në rajon. Shpenzimet e pakta në të dy këta sektorë në raport me vendet e tjera lidhen me madhësinë e buxhetit. Në Shqipëri shpenzimet totale të buxhetit janë rreth 30 për qind e prodhimit kombëtar, ndërsa në vendet e tjera ato luhaten nga 40 deri në 45 për qind, çka u krijon qeverive më shumë mundësi për të dhënë fonde në arsim dhe shëndetësi. (TCH)

Qeveria mbyll shlyerjen e detyrimeve të prapambetura

Ministria e Financave ka deklaruar se gjatë vitit që vjen buxheti nuk do të parashikojë zë të veçantë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, ndaj procesi i planifikuar për të përfunduar vitin që vjen mbyllet këtë vit. Ndërkohë, vetë Ministria e Financave pohon se deri më tani janë paguar 62 miliardë lekë, shuma totale e konsideruar borxh ndaj biznesit ishte 72 miliardë lekë.

Shlyerja e detyrimeve të prapambetura ishte parashikuar fillimisht të realizohej për një periudhë 3-vjeçare (2014-2016) dhe fondet e alokuara u planifikuan me një vlerë më të madhe për vitin e parë (35 miliard lekë), duke vijuar me dy vitet në vazhdim, respektivisht 20 miliardë lekë në 2015 dhe 17,5 miliardë lekë në 2016. “Ndërkohë që me angazhimin maksimal si të Ministrisë së Financave, ashtu edhe të institucioneve buxhetore të përfshira në këtë proces, u arrit që brenda dy viteve (2014-2015) të shlyen të gjitha detyrimet e prapambetura të raportuara dhe ky proces të mbyllet me sukses brenda vitit 2015”, thotë Ministria e Financave.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Trending Articles